Autore: Ina Allkanjari
Shërbimet juridike falas në Shqipëri përballen me sfida të mëdha në lidhje me aksesin për shkak të kufizimeve gjeografike dhe stafit të kufizuar, duke lënë shumë qytetarë, veçanërisht ata në kategori të cënuara, pa përfaqësimin e domosdoshëm në gjykatë. Ekspertët theksojnë mangësitë në organizimin dhe vizionin e qartë brenda ofrimit të ndihmës juridike falas nga shteti, ndërsa auditimi nga Kontrolli i Lartë i Shtetit thekson nevojën për të përmirësuar informimin me qëllim që për grupet e margjinalizuara të sigurohet ndihmë juridike efektive.
Lindur dhe rritur në një prej fshatrave të Veriut të Shqipërisë, V.GJ. prej vitesh ishte kthyer në viktimë të dhunës në familje. E gjendur përballë realitetit të pandryshueshëm, sfidave ekonomike dhe mungesës së mbështetjes nga të afërmit e saj, ajo vendosi ta raportonte dhunën në një nga organizatat e shoqërisë civile në Tiranë e cila e referoi rastin për strehim afatgjatë në Qendrën për Gra dhe Vajza “Strehëza Edlira Haxhiymeri”. Qytetarja u strehua në qendër së bashku me fëmijët e saj, larg bashkëshortit dhunues.
Qytetares V.GJ. ju ofrua ndihma juridike falas, e cila u mbështet nga një avokate e Linjës së Këshillimit, organizatë jo qeveritare.
Gjatë qëndrimit në “Strehëzën Edlira Haxhiymeri” V.Gj. u ndihmua nga avokatja për marrjen e urdhërit të mbrojtjes në gjyaktë dhe më vonë për procedurat e divorcit dhe përgatitjen e dokumentacionit për përfitimin nga programet e strehimit social.
Falë kësaj mbështetje multisektoriale me shërbime rehabilituese dhe ri-integruese, V.GJ. bën sot një jetë të pavarur dhe pa dhunë bashkë me fëmijët e saj.
Përfitimi i ndihmës juridike falas nga qytetarët që e kanë të pamundur ta marrin atë kundrejt pagesës për shkak të kufizimeve të tyre financiare nuk njihet gjerësisht. Ashtu siç ka mungesë informacioni rreth faktit që kjo ndihmë ofrohet edhe për kategoritë e veçanta ku ndër të tjera përfshihen: viktimat e dhunës në familje; viktimat e abuzuara seksualisht dhe viktimat e trafikimit të qenieve njerëzore, në çdo fazë të procedimit penal; viktimat të mitur dhe të miturve në konflikt me ligjin, në çdo fazë të procedimit penal; fëmijët, të cilët jetojnë në institucionet e përkujdesjes shoqërore; etj.
Dhënia e kësaj ndihme ofrohet në dy forma, ndihma juridike parësore e cila ka si objekt të saj këshillimin dhe orientimin fillestar ligjor në organet administrative dhe ndihma juridike dytësore e cila ka si objekt të saj përfaqësimin në gjykatë të përfituesve të skemës.
Marsela Allmuça, drejtuese e “Strehëzës Edlira Haxhiymeri” tregon për Sinjalizo mbi rëndësinë e Ndihmës Juridike Falas në procesin e ri-integrimit të grave dhe vajzave, viktima të dhunës.
“Lidhur me rastet të cilat marin shërbime në Qendrën “Strehëza Edlira Haxhiymeri”, një nga fushat e mbështetjes përvec strehimit të sigurtë, mbështetjes psiko sociale, referimit tek shërbimet e nevojshme si ato të edukimit, shëndetësisë, formimit profesional, punësimit etj, rastet kanë nevoja që lidhen me mbështetjen juridike falas si procedurat për konfirmimin e masave të mbrojtjes, procedura të divorcit, kujdestarisë së fëmijëve, çështje që lidhen me strehimin afatgjatë, etj”.
Ajo thekson se qendra bashkëpunon me disa nga organizatat që janë të licensuara nga Ministria e Drejtësisë për ofrimin e ndihmës juridike falas të cilat ofrojnë kryesisht ndihmë juridike parësore.
E pyetur rreth sfidave Marsela Allmuça rendit:
-Mungesë informacioni mbi ekzistencën e këtyre shërbimeve.
-Shërbime që nuk janë të aksesueshme pasi ndodhen larg nga zonat e tyre apo janë të munguara në disa zona/bashki të vendit. Gjithashtu zyrat aktuale të ndihmës juridike falas punojnë me stafe të reduktuara pra një person në staf për një zyrë që mbulon një territor të gjërë.
-Mungesa e ofrimit të shërbimeve që janë kryesisht parësore pra informim, përgatitje dokumentash dhe jo përfaqësim në gjykatë, gjë e cila është shumë e nevojshme për kategroitë vulnerabël.
“Shumica e rasteve që marrin shërbime në qendër vijnë nga qytete të tjera ku dhe gjykohen çështjet e tyre si ato për konfirmimin e Urdhërit të Mbrojtjes, procedurat e divorcit/kujdestarise dhe në disa zona nuk gjejmë përfaqësim ligjorë falas për rastet”, thekson Allmuça.
Altin Hazizaj, drejtues i Qendrës për të Drejtat e Fëmijëve në Shqipëri (CRCA) ndalet te pengesat që mund të hasin fëmijët dhe të rinjtë në Shqipëri në lidhje me të drejtat e tyre përsa i përket ndihmës juridike falas.
“Ndihma juridike e ofruar nga shteti mbetet ende e paorganizuar dhe pa një vizion të qartë që vendos qytetarin në qendër të saj, ndaj në këtë drejtim ne shohim mangësi serioze në ofrimin e saj, si në aspektin buxhetor ashtu edhe atë programatik të saj. Në tërësi mund të thuhet se të gjitha shërbimet publike ekzistuese që ofrohen nga shteti ynë, qoftë këto sociale, shëndetësore apo të drejtësisë, asnjëherë nuk janë të mjaftueshme për t’u përgjigjur nevojave të qytetarëve”, thotë Hazizaj.
Zyra Juridike e CRCA Shqipëri ofron mbështetjen e saj kryesisht për rastet e fëmijëve viktima të dhunës seksuale apo rast pas rasti për fëmijët e mitur në konflikt me ligjin. Si një kategori mjaft vulnerabël dhe me rëndësi për vëmendje të shtuar, Hazizaj ndalet te kuadri ligjor dhe mundësitë për përmirësim të Ndihmës Juridike Falas për të miturit dhe të rinjtë.
“Shqipëria është tepër larg këtij koncpeti, pra të një drejtësie miqësore dhe institucioneve të përshtatura për fëmijët dhe të rinjtë. Po nuk ndryshuam qasjen dhe mentalitetin që këto institucione janë represive për nga natyra – është e vështirë që të ofrosh drejtësi për fëmijët e të rinjtë. Ndryshime të tilla fillojnë nga Lidershipi – pra trupa drejtuese duhet të ketë një vizion për këtë qëllim. Pa vizion nuk mund të ndërtosh as të sotmen, e as të ardhmen e sistemeve të tilla”, thekson drejtuesi i CRCA.
Qytetarët në nevojë, por të pa informuar
Informimi i ulët i qytetarëve dhe mungesa e ndërgjegjësimit të tyre është një problematikë e cila u evidentua edhe gjatë auditimit të realizuar nga Kontrolli i Lartë i Shtetit. Gjatë auditimit të kryer në kuadër të Ndihmës Juridike Falas, KLSH thekson se duhet të realizohet një rishikim i metodologjisë mbi informimin e qytetarëve në lidhje me të drejtat që ata gëzojnë.
“Me qëllim që ky mekanizëm të konsiderohet efecient dhe efektiv është i nevojshëm ndërgjegjësimi i qytetarëve lidhur me këtë të drejtë. Kryesisht fushatat sensibilizuese duhet të orientohen tek grupet e margjinalizuara, të cilët janë edhe potencial për të qenë përfitues të skemës juridike falas. Këto target grupe kanë nivel mjaft të ulët të njohurive për të drejtat e garantuara nga shteti, prandaj, është e rëndësishme që nëpërmjet fushatave, takimeve dhe aktiviteteve të zhvilluara nga Drejtoria e Ndihmës Juridike Falas (DNJF) të arrihet informimi i këtyre qytetarëve lidhur me të drejtat që ata gëzojnë”, vlerëson KLSH.
Sipas raportit të KLSH për vitin 2022 ndihma juridike parësore numëron 7616 raste të raportuara. Nga totali i rasteve të trajtuara vihet re se 65% e përfituesve janë persona në pamjaftueshmëri financiare dhe kryesisht pretendimet e tyre janë të natyrës administrative ose civile.
Ndërsa shërbimin e ndihmës juridike dytësore e kanë ofruar 157 avokatë dhe totali i kërkesave drejtuar gjykatave për këtë lloj ndihme rezulton të jetë 1030.
Kontrolli i Lartë i Shtetit paraqiti problematikat që shoqërojnë Ndihmën Juridike Falas gjatë procesit të zbatimit. Auditimi nxori në pah se disa nga dobësitë institucionale që cenojnë menaxhimin me efektivitet të shërbimeve të ofruara DNJF, janë: Numri i ulët i juristëve në qendrat e ofrimit të ndihmës parësore; kushtet infrastrukturore të qendrave të ofrimit të ndihmës parësore; Numri i ulët i stafit monitorues për garantimin e shërbimeve cilësore gjatë ofrimit të ndihmës juridike falas; Vlerësimi pas fakti i cilësisë dhe standardeve të shërbimit për ofruesit e ndihmës juridike dytësore.
Këto sfida të përcaktuara nga KLSH-ja përbëjnë problematikë të përditshme për qendrat të cilat ndihmojnë në praktikë qytetarët në nevojë. Marsela Allmuça ndalet te vështirësitë që “Strehëza Edlira Haxhiymeri” has gjatë bashkëpunimit me organet e drejtësisë dhe avokatët për të siguruar që gratë dhe vajzat që kanë nevojë për ndihmë juridike të marrin mbështetje të përshtatshme dhe të drejta.
“Shpeshherë ndeshim vështirësi në gjetjen e ndihmës ligjore falas dytësore në ato zona ku nuk operojnë organizata që më së shumti e ofrojnë. Ndërkohë reforma në sistemin e drejtësisë ka ndikuar në një distancim të këtyre shërbimeve nga qytetarët. Shumë gra dhe vajza viktima të dhunës në familje ju duhet të shkojnë nga zona e tyre në gjykatën e rrethit çka shpesheherë bën që të mos paraqiten dhe çështja të mos gjykohet në kohë apo të shtyhen vendimmarrjet. Kjo bën që rastet të mos marrin mbështetjen e nevojshme në kohë apo të mos përfitojnë nga shërbimet e tjera si strehëzat, ndihmën ekonomike, mbështetjen për ri-integrim, etj”, tregon Allmuca.
Pamjaftueshmëria financiare
Ligji nr. 111/2017 “Për ndihmën juridike të garantuar nga shteti” rrezikon të përjashtojë nga skema e përfitimit të Ndihmës Juridike Falas individë të cilës realisht kanë nevojë për ndihmë. Kjo pasi sipas Kontrollit të Lartë të Shtetit ligji merr në konsideratë vetëm të ardhurat e një personi, por jo shpenzimet e detyrueshme dhe të nevojshme për jetesë, kjo në kushtet kur Shqipëria nuk ka të miratuar një akt për përcaktimin e minimumit jetik, dhe përllogaritja e kufirit të pamjaftueshmërisë financiare bëhet duke marrë në konsideratë vetëm të ardhurat e një personi, por jo shpenzimet e nevojshme dhe të detyrueshme për jetesë.
Sipas të dhënave të publikuara nga Drejtoria e Nihmës Juridike Falas, për vitin 2022 i janë akorduar në total 78,900,000 lekë fonde buxhetore për kryerjen e aktiviteteve të saj, prej të cilave 26,400,000 lekë janë akorduar për likujdimin e vendimeve gjyqësore që kanë përfitues të ndihmës juridike gratë dhe vajzat në nevojë.
Aktualisht, Drejtoria e Ndihmës Juridike Falas administron 20 (njëzet) Qendra të Shërbimit të Ndihmës Juridike Parësore në të gjithë Shqipërinë.
Ndëkohë sipas Analizës Vjetore të Përformacës të realizuar nga Ministria e Drejtësisë, përsa i përket ndihmës juridike dytësore, nënvizohet se nga viti 2019 deri në vitin 2022 ka një rritje të numrit të avokatëve të kontraktuar në kuadër të Nihmës Juridike Falas. Konkretisht në vitin 2019 kanë rezultuar 60 avokatë në listën e avokatëve ofrues të ndihmës juridike të garantuar nga shteti,; 70 avokatë në vitin 2020; 124 avokatë ne vitin 2021, ndërsa në vitin 2022 janë kontraktuar 157 avokatë.
Ndonëse sistemi i ndihmës ligjore falas ka përjetuar disa ndryshime dhe reforma në vitet e fundit, me qëllim të përmirësimit të qasjes në drejtësi për të gjithë qytetarët, ende përballet me sfida dhe shqetësime në lidhje me cilësinë e shërbimeve, mungesën e transparencës dhe financimit të pamjaftueshëm.
Kategoritë vulnerabël
TLAS është një prej organizatave jofitimprurëse e cila operon në kryeqytet dhe ofron shërbimin ligjor falas për qytetarët në nevojë. Ndonëse ligji mbi Ndihmën Ligjore të Garantuar nga Shteti hyri në fuqi në vitin 2018, TLAS operon në tregun shqiptar duke ofruar shërbimin ligjor falas për grupet në nevojë prej vitit 1999. Në një prej raporteve të publikuara nga TLAS evidentohet se përgjatë 23 viteve ka arritur të ofrojë Shërbimin Ligjor Falas për 30196 qytetarë. Ndërsa vetëm për vitin 2022 ka arritur të marrin ndihmën ligjore falas 1286 qytetarë.
Por kush janë kategoritë vulnerabël të cilat kanë pasur më shumë nevojë për ndihmë juridike falas përgjëtë këtij viti?!
Raporti tregon se peshën më të madhe e zënë fëmijë, shoqëruar nga të papunët dhe gratë kryefamiljare.
Rastet që marrin zë
Një ndër rastet e trajtuara nga Shërbimi Ligjor Falas Tiranë (TLAS) është ai i një fëmije 8 vjeçar me iniciale S.T. të cilit i mohohej e drejta për shkollim, pasi nuk figuronte si i regjistruar në Rregjistrin Kombëtar të Gjendjes Civile.
“Në kohën kur fëmija ka lindur, prindërit kanë qenë të pacelebruar. I porsalindur, fëmija është braktisur nga nëna, e cila u largua duke u martuar me një shtetas maqedonas – prej të cilit ka marrë dhe mbiemrin e tij. Gjendur në këto kushte, nga largimi i nënës së fëmijës dhe me mungesën e martesës ligjore është bërë i pamundur procesi i regjistrimit të tij, sipas ligjit të gjendjes civile. Për gjithë këto vite babai dhe gjyshja, kanë bërë përpjekje të vazhdueshme, por pa sukses”, shkruhet në një prej rasteve të trajtuara nga TLAS.
Pas marrjes së çështjes nga TLAS, iu kërkua zyrës së Njësisë Administrative Krujë (qyteti ku fëmija ka lindur), të dërgojë njoftimin e parë me shkrim drejtuar nënës së fëmijës për t’i kujtuar zyrtarisht detyrimin ligjor të paraqitjes personalisht përpara zyrës së gjendjes civile për regjistrimin e fëmijës të saj.
Megjithatë deri në kalimin e afatit prej 20 ditësh, Shërbimi Ligjor Falas (TLAS) shkruan se as nëna apo asnjë përfaqësues nga ana e familjes së nënës nuk u interesua apo u paraqit për të regjistruar fëmijën.
“Pasi përfundoi regjistrimi i fëmijës në emrin e nënës nëpërmjet procedurës administrative, avokatja e Shërbimit Ligjor Falas (TLAS) Tiranë, Rudina Brari, hartoi kërkesën për njohjen e atësisë të fëmijës me iniciale S.T. Njohja e atësisë u bë përmes procedurave gjyqësore, nga ku, TLAS, duke marrë parasysh gjendjen e vështirë ekonomike në të cilën familja ndodhej, mbuloi kostot e avokatit, të shpenzimeve gjyqësore e noteriale si dhe edhe ekspertizën shkencore të ADN’s”.