AKSHI, mos funksionimi i nënshkrimit elektronik nxorri jashtë funksioni Kadastrën

Autore: Ina Allkanjari

Mosfunksionimi i shërbimeve të nënshkrimit elektronik në Agjencinë Shtetërore të Kadastrës, nën mbikëqyrjen e AKSHI, ka shkaktuar ndërprerje të konsiderueshme, duke sjellë vonesa dhe rritje të kostove për qytetarët dhe bizneset. Kjo situatë u përkeqësua nga mungesa e qartësisë në lidhje me arsyet e ndërprerjes së sistemit dhe kohëzgjatjen e tij, duke lënë qytetarët të bllokuar në harresë burokratike gjatë transaksioneve të pronës.

Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit (AKSHI) ka krijuar një valë të re shqetësimesh pas bllokimit të shërbimeve që kërkojnë vulë dhe nënshkrim elektronik të cilat merren pranë Agjencisë Shtetërore të Kadastrës.

Kjo situatë ka shkaktuar reagim të qytetarëve dhe bizneseve, të cilët raportojnë për vonesa dhe kosto të shtuar që po ndikojnë negativisht në aktivitetin e tyre. Përgjatë muajit shkurt për rreth dy javë sistemi online i Agjencisë Shtetërore të Kadastrës ishte jashtë funksioni.

Në një sinjalizim të ardhur pranë ACQJ, qytetarja 35-vjeçarja Laura tregon rreth vonesave dhe pritjes së gjatë për të marrë kopjen e kartelës së pasurisë së banesës që ajo zotëron në qytetin e Beratit.

Ajo thotë se nisi procedurën e shitjes së shtëpisë së saj me datën 17 shkurt. Pas kontaktimit të saj me noteren për të aplikuar për kontratën dhe dokumentacionin e nevojshëm, procesi u shoqërua me vonesa.

“Si fillimin noterja për mua do bënte lëshim kopje të fragmentit të hartës kadestrale të pronës dhe lëshim kopje të kartelës së pasurisë. Këto dalin nga hipoteka. Telefonova noteren në datë 19 Shkurt dhe më tha që ka të paktën tre ditë që nuk po aplikon dot dhe nuk po ngarkon dot te AKSHI dhe te ASHK asnjë dokument. Më tha që do presim derisa të bëhet zhbllokimi i faqes. Ndërkohë më kërkoi që ta rikujtoja vazhdimisht pasi kishte shumë ngarkesë me dokumenta nga qytetarë të tjerë”, tregon Laura.

Procesi i aplikimit për të marrë dokumentacionin e nevojshëm për shitjen e pronës nuk po realizohej për shkak të bllokimit të sistemit, duke sjellë ankth te Laura, se nuk do të mund të kryente shitjen brenda afateve të planifikuara. Ndërkohë, kostoja e kësaj vonese u shoqërua me 2000 lekë shtesë për të përshpejtuar procesin.

“Ne kemi pritur deri në datën 1 Mars, kur unë e mora noteren në telefon dhe më tha Laura sot është bërë hapja e sistemit dhë në datën 1 Mars ajo aplikoi për mua”.

“Nga data 19 shkurt deri në datën 1 Mars unë kam folur ditë për ditë me noteren, si unë si shitëse, si blerësi kemi qenë në pritje. Stresin e kishte dhe ajo si notere se kishte procedura shumë të prapambetura në kohë”.

Qytetarja thotë për Sinjalizo dëmin që kjo vonesë i shkaktoi teksa tregon se arsyeja e shitjes së banesës në qytetin e Berati ishte dëshira për të blerë banesë në kryeqytet, por ndonëse ka kaluar më shumë se një muaj ende procedura e shitjes nuk ka përfunduar.

“Duke u zgjatur procedura e shitjes që ti nuk ngarkon dot dokumentacionin zgjat edhe procedura ime që mund të blej një pronë. Kjo vërtet është pjesë stresuese që të marrësh përditë në telefon noteren, të flasësh përditë me shitësin i cili nisi të mos  më besonte. Vetë blerësi ishte me lekët në dorë për ti hedhur direkt në bank dhe ishte duke më pritur mua. Unë ende sot nuk e kam përfunduar shitjen, pasi në momentin që do të dalë çertifikata e blerësit pas kaq shumë ditësh, atëherë lekët nga noterja që janë të ngrira për pronën time kalojnë te llogaria ime”, thotë Laura.

Për të mësuar më shumë për shkaqet e bllokimit të sistemit online në zyrat e Kadastrës, për një periudhë dy javore në muajin shkurt, ne ju drejtuam me një kërkesë për koment Agjencisë Shtetërore të Kadastrës.

Në përgjigjen e ardhur për ACQJ, Agjencia Shtetërore e Kadastrës shkruan se veprimtaria e ASHK, nuk ka ndaluar asnjëherë së funksionuari ndërsa në lidhje me nëshkrimin elektronik ia delegon përgjegjësinë Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit.

“Duam t’u sqarojme se veprimtaria e ASHK, nuk ka ndaluar asnjëherë së funksionuari dhe janë ofruar në mënyrë të vazhdueshme shërbime për qytetarët dhe bizneset sipas kërkesës së individëve. Në lidhje me nëshkrimin elektronik ju informojmë se mirembajtja dhe administrimi i sistemit elektronik të nënshkrimit kryhet nga AKSHI si institucioni qëndror për menaxhimin e sistemeve elektronike”, shkruan në përgjigjen për ACQJ, Agjencia Shtetërore e Kadastrës.

Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit nuk ju përgjigj kërkesës së ACQJ për koment.

Në lidhje me këtë problematik, në kushtet e anonimatit ngrejnë shqetësimin edhe noterët. Ata sinjalizojnë se ndonëse bllokimi i sistemit zgjati dy jave, nuk kishin asnjë informacion as për shkaqet e ndërprerjes dhe as për kohën se kur do të riniste funksionimi i shërbimit.

“Ne kemi zyrat qëndrore, ka një grup të posacëm që komunikon me Kadastrën, ne komunikojmë me zyrat qëndrore për të marrë informacion. Në lidhje me këtë çështje na thanë që jemi në pritje që të rregullohet sistemi. Asnjë shpjegim tjetër”, thotë noteri F.K. për ACQJ.

Ai ndalet te pasojat që solli ky bllokim duke theksuar se qytetarët ishin pala më e prekur.

“Bllokimi i sistemit patjetër që kishte ndikim negativ, klientët mërziten. Ajo çfarë na pengoi ne ishte pjesa që nuk dilnin çertifikatat e pronësisë për kontratat që ne kishim bërë. Lekët e qytetarëve ndërkohë ishin të bllokuara, ai që kishte shitur shtëpinë nuk merrte dot lekët”, tregon noteri.

Problemet me sistemin online të Agjencisë Shtetërore të Kadastrës janë të përsëritura. Që nga fillimi i korrikut të vitit të kaluar ku sportelet fizike të Kadastrës u mbyllën dhe i gjithë sistemi kaloi online, qytetarët janë përballur me vonesa dhe ndërprerje të shërbimeve, duke shkaktuar stres dhe vonesa të panevojshme për proceset e tyre.

Reinaldo Pipiria, Drejtor Ekzekutiv i Shoqatës Shqiptare të Pasurive të Paluajtshme (NAREA) thotë për ACQJ se problemet me Agjencinë Shtetërore të Kadastrës janë të përditshme dhe kanë prekur shumë qytetarë, duke evidentuar edhe vonesat e skajshme për kopje harte kadastrale.

“Disa nga sfidat dhe problemet që ne si NAREA hasim në të përditshmen tonë dhe që janë të lidhura me ASHK janë: Mosrespektimi i afateve të aplikimit; Vonesa të skajshme për kopje harte kadastrale; Hipoteka ju kërkon qytetarëve dokumenta të cilat i ka në arkivën e saj; Mospasqyrimi i të dhënave në kartela, shpesh çmimi paçka se ka një kontratë blerje shënohet 1 lekë; Lejohet që kur kryet një shitje të aplikoje vetëm 1 nga palët blerëse; Hipoteka nuk zbaton asnjëherë detyrën e saj sipas Udhëzimi Nr. 1, datë 13.4.2016 pika 26.10 për shënimin e të dhënave për metrat e përbashkëta në kartelat e pasurisë; Lejimi i aplikimit të pjesshëm,”- thotë drejtori i NAREA.

Përpjekjet për zgjidhje nga institucionet përgjegjëse, përfshirë AKSHI dhe Agjencinë e Kadastrës, ende nuk kanë sjellë rezultate të dëshiruara për qytetarët.

Sfidat e vazhdueshme me të cilat përballen qytetarët dhe bizneset për shkak të mosfunksionimit të sistemeve elektronike nënvizojnë nevojën urgjente për infrastrukturë administrative eficente dhe të besueshme. Pa zgjidhje të shpejta dhe efektive, ndërprerje të tilla do të vazhdojnë të pengojnë proceset jetike, duke shkaktuar stres të panevojshëm dhe barrë financiare për individët dhe bizneset. Është e domosdoshme që AKSHI t’i japë përparësi stabilitetit dhe efikasitetit të shërbimeve elektronike për të siguruar funksionim normal dhe për të rritur besimin e publikut te institucionet.

Ky artikull u krijua bazuar në të dhëna të siguruara nga individë që kanë zgjedhur të ngrenë zërin. Ndani historinë tuaj, fuqizojini të tjerët dhe bëhuni faktor për ndryshim. Vizitoni faqen: www.acqj.al/sinjalizo-dhe-ti/

What's your reaction?
0Smile0Lol0Wow0Love0Sad0Angry
Qendra Shqiptare për Gazetari Cilësore
Rruga Pjetër Budi, 69

Tiranë, ALBANIA


Telefon: +355 (0) 6 8856 3686
Email: info@acqj.al

Investigative Network Albania

Teksti zyrtar është versioni në shqip i faqes së internetit. Kjo faqe përdor përkthim automatik përmes mjeteve të inteligjencës artificiale. Pavarësisht se ky përkthim është i një cilësie të lartë, rastis që të ketë dhe gabime dhe keqkuptime në kontekstin e produkteve. Duke qenë se është një teknologji e cila përmirësohet me kalimin e kohës, shpresojmë të qendroni me ne ndërkohë që perfeksionojmë këtë shërbim.

Copyright © 2024 Giljana Limani.  All Rights Reserved.

Copyright © 2024 Giljana Limani.  All Rights Reserved.

Newsletter