Piramida e Tiranës, strehë për bizneset

Autor: Dallandyshe Xhaferri

Projekti që synonte kthimin e  Piramidës në një qendër inovacioni, duke u fokusuar kryesisht në teknologji dhe arsim ka kushtuar 1.6 miliardë lekë. Sot hapësirat e  Piramidës, dikur ikonë e komunizmit janë  strehë  për  biznese private, përfshirë restorantet. Investimi është bërë nga Bashkia e Tiranës dhe  AADF ( Fondacioni Shqiptaro-Amerikan për Zhvillim).

Tenderi i parë i çelur më 3 gusht të vitit 2020 me vlerën 1.4 miliardë lekë u fitua nga  “Fusha” shpk dhe “EDIL-AL-IT” shpk. Ndonëse punimet ishin parashikuar të mbylleshin brenda 24 muajve, në tetor të 2022-shit të njëjtat kompani fituan pa garë tenderin e dytë me vlerë mbi 228 milionë lekë.  

Investimi u realizua me premtin për ta kthyer Piramidën   në qendër inovacioni, ku nxënësit pas shkolle mund të marrin njohuri në fushën e programimit, animacionit, dizajnit etj.

Në marrëveshjen e nënshkruar midis AADF-së dhe Bashkisë Tiranë   përcaktohet se të dyja palët do të bashkëpunojnë për krijimin dhe themelimin e Qendrës së Piramidës, me qëllim realizimin e projektit TUMO, qendër e inovacionit për nxënësit 12-18 vjeç që u inagurua një muaj më parë, më 16 Tetor. Bordi i kësaj organizate jofitimprurëse përbëhet nga 4 anëtarë të përzgjedhur nga AADF dhe 3 të përzgjedhur nga Bashkia Tiranë, që njëkohësisht përzgjedh dhe kryetarin e bordit. Qendra është përgjegjëse për menaxhimin e godinës së piramidës, që përbëhet nga 4 kate dhe një kat “-1” me një sipërfaqe totale prej 120 000 m2.

Qendra e inovacionit TUMO

Ina Zekaj, projekt menaxhere e AADF tregon për “Sinjalizo” se ky fondacion ka investuar 8.5 milionë dollarë në kuadër të rijetësimit të Piramidës “ku përfshihet nënkontraktimi i studios arkitekturore dhe shërbimi i dizajn të godinës, apo sjellja e modelit TUMO në Shqipëri, bazuar në modelin ndërkombëtar të TUMO Center”,- sqaron Zekaj duke shtuar se nga të katërtat katet e piramidës, vetëm dy katet e para janë vendosur në dispozicion të qendrës së inovacionit, TUMO. 

Në faqen zyrtare të Piramidës në rubrikën “Qira” tregohet se në godinë nuk ka më asnjë hapësirë të lirë për të interesuarit

“Ndërtesa do të presë gjithashtu biznese nga sektori i shërbimeve dhe mikpritjes si ai i ushqimit dhe pijeve. Pavarësisht nëse jeni një biznes i konsoliduar, një start-up ose një profesionist i pavarur, ju do të gjeni mjedisin e përsosur për t’u zhvilluar dhe për të pasur sukses,”- thuhet në faqen web ndërkohë që hapësirat publike përreth Piramidës do të vendosen në funksion të veprimtarive që do të ushtrojnë këto subjekte.

Shqipe Berisha, drejtoreshë e Qendrës së Piramidës thotë se kërkesat e bizneseve për të ushtruar veprimtarinë në godinën e Piramidës kanë qenë të shumta, duke nisur nga kompanitë e edukimit teknologjik, telekomunikacionit etj. Sipas saj, bizneset  që do të vendosen në ambjentet me qira janë përzgjidhen në bazë të propozimeve me qëllim zhvillimin e qendrës, por nuk saktëson se cilat biznese kanë fituar këtë të drejtë dhe çfarë kriteresh kanë përmbushur, duke e lënë të paqartë nëse fituesit janë biznese me fokus inovacionin ose jo.

“Do ketë dhe disa restorante për fluksin e vizitorëve vendas dhe të huaj. Gjithë të ardhurat e grumbulluara nga aktiviteti i Piramidës do të shkojnë në operimin dhe zgjerimin e TUMO Tirana”,- thotë Berisha, e cila shmang përgjigjen rreth çmimit të qirasë në godinën e Piramidës,-“aktiviteti dhe eventet në Piramidë do të mundësojnë bashkëveprimin e të gjithë faktorëve të ekosistemit në rajon”.

Deri më tani 13% e sipërfaqes së Piramidës do të vendoset në dispozicion të bizneseve si restorante dhe kafene, ndërkohë që 7% të hapësirës do të vendoset në disponim të bizneseve “electronic retail”, pra, biznese që merren me tregtimin e pajisjeve teknologjike. Të dhënat e marra nga Qendra Piramidës specifikojnë se 14% e hapësirës totale të godinës do të jetë në funksion të veprimtarive kulturore dhe të artit. Thënë ndryshe, 40 800 m2 të Piramidës do të vendosen në funksion të veprimtarive qe nuk lidhen me inovacionin. 66% e hapësirës së Piramidës do të jetë totalisht në dispozicion të inovacionit, nga ky kapacitet TUMO zë 48% të hapësirës. Kjo do të thotë që vetem 16% e hapësirës së Piramidës është marrë me qira nga bizneset me fokus zhvillimim e teknologjisë.

 Aktualisht në objektet përreth Piramidës kanë nisur të krijojë zyrën e saj një bankë e nivelit të dytë, një kompani sigurimesh dhe Kolegji Evropian. 

Sipas marrëveshjes, në dy vitet e para Qendra do të sigurojë mbështetjen financiare nga dy bashkëthemeluesit, ku në vitin e parë AADF-ja dhe Bashkia do të kontribuojnë me të njëjtin kapital, ndërkohë që në vitin e dytë bashkia do të mbulojë 70% të buxhetit. Njëkohësisht, pushteti lokal është përgjegjës për zgjidhjen e çështjeve ligjore dhe financiare që do ketë të bëjë me çdo subjekt që ka të drejtë mbi çdo sipërfaqe të Piramidës.

Piramida e Tiranës, në pritje që nga 2016-ta

Në vitin 2016 Piramida e Tiranës kaloi nga Ministria e Kulturës në pronësi të Bashkisë Tiranë. Atë kohë kryebashkiaku Veliaj shprehej, se Piramida do të vendosej në dispozicion të qytetarëve për të bërë të aksesueshme aktivitete publike.

“Bashkia ka një projekt shumë ambicioz për ta kthyer Piramidën në një hapësirë publike, për t’ja kthyer qytetarëve të Tiranës, për ta bërë të aksesueshme për aktivitete publike ndaj dhe besoj që si hera e fundit që takohemi në Piramidë, besoj do kujtojmë dhe këtë metaforë se si hapësira që janë shumë tërheqëse në qendër të qytetit dhe që janë simbolika të qytetit tonë, mund të kthehen dhe në funksionale në dobi të qytetarëve”,- shprehej Veliaj.

Dy vite më pas, në 2018 midis Bashkisë Tiranë dhe AADF-së u nënshkrua marrëveshja për kthimin e Piramidës në qendër multifuksionale. 

Investimet në Piramidë, janë shoqëruar edhe me një trasformim të dukjes së godinës dhe sipërfaqjes rrethuese së saj.

Hapja e objektit ndaj dritës, shkallaret e shumta që kanë zëvendësuar faqet e pjerrëta të dikurshme, godinat e “hedhura” rastësisht si kuba nga një fëmijë, mbjellja e shumë bimëve rreth e përqark na kanë krijuar një objekt krejt të ri dhe modern”,- thotë për “Sinjalizo” Edmond Hali, arkitekt prej më shumë se 30 vitesh.

“Qëllimi i arkitektit ka qenë pikërisht që të prishet harmonia dhe eleganca që ka në vetvete forma e piramidës, duke e zëvendësuar me një ‘kaos’ formash”,- shprehet Hali duke shtuar se harmonia e piramidës është prishur për t’u zëvendësuar nga një tjetër.

“Piramida ishte realizuar me materialet më të mira të kohës. Cilësia e punimeve ishte shumë e lartë dhe kjo i jepte vlera arkitektonike të spikatura.Realizimi i këtyre shtesave dhe ndryshimeve është bërë me materiale të lira dhe pa cilësi”,- thotë Hali duke theksuar se shkallaret përbëjnë një rrezik të vërtetë pasi nuk është marrë asnjë masë për ruajtjen e përdoruesve të tyre.

“Në është një ide e mirë arkitektonike por e realizuar keq”,- përfundon arkitekti.

 

Ky artikull u krijua bazuar në të dhëna të siguruara nga individë që kanë zgjedhur të ngrenë zërin. Ndani historinë tuaj, fuqizojini të tjerët dhe bëhuni faktor për ndryshim. Vizitoni faqen: www.acqj.al/sinjalizo-dhe-ti/

What's your reaction?
0Smile0Lol0Wow0Love0Sad0Angry
Qendra Shqiptare për Gazetari Cilësore
Rruga Pjetër Budi, 69

Tiranë, ALBANIA


Telefon: +355 (0) 6 8856 3686
Email: info@acqj.al

Investigative Network Albania

Teksti zyrtar është versioni në shqip i faqes së internetit. Kjo faqe përdor përkthim automatik përmes mjeteve të inteligjencës artificiale. Pavarësisht se ky përkthim është i një cilësie të lartë, rastis që të ketë dhe gabime dhe keqkuptime në kontekstin e produkteve. Duke qenë se është një teknologji e cila përmirësohet me kalimin e kohës, shpresojmë të qendroni me ne ndërkohë që perfeksionojmë këtë shërbim.

Copyright © 2023 Giljana Limani.  All Rights Reserved.

Copyright © 2023 Giljana Limani.  All Rights Reserved.