Rritja e pandalshme e çmimeve dhe… e abuzimit!

Autor: Ernilda Luzi

Ndërkohë që inflacioni në çmimet e produkteve ushqimore është një dukuri e cila ka prekur të gjithë globin për shkak të krizave të viteve të fundit, Shqipëria, ndryshe nga shume vende të BE-së nuk ka në vend instrumenta për asistencën ndaj prodhuesve të produkteve bazë të shportës, pët të lehtësuar barrën financiare për konsumatorin, as edhe institucione që të monitorojnë mundësinë e abuzimit me çmimet nga operatorë të ndryshëm. Shqipëria, pavarësisht se është një nga vendet me të ardhura më të ulta për person në Evropë, renditet për shumë produkte të shportës, si një nga vendet me çmimet më të larta, duke lënë pas dhe vende të BE-së.

Rritja e çmimeve të produkteve të shportës po bëhet një barrë tepër e rëndë për qytetarët.

Në pazarin ushqimor pranë Shkollës së Baletit sheh qytetarë, që prekin produktet, i kalojnë nëpër duar dhe më pas i lënë sërish në shportat e shitësve. Njëri prej qytetarëve fillon e ankohet: “Nuk përballohen këto çmime, rroga është shumë e ulët. Me këto çmime që kemi, i bie të jemi në stres për jetën. Nuk ia dalim dot me ato të ardhura, paguajmë ushqimet, paguajmë internetin, paguajmë dritat, ujin, telefonin, po nuk na shkon mendja për t’u sëmurur. Kemi frikë, kur sëmuremi, marrim ilaçet më të lira”.

Në të njëjtën kohë, një zonjë në moshë të thyer, kalon aty pranë, e mbështetur në një shkop, mezi ecën dhe me duar që i dridhen, teksa hap qesen e mbushur me ilaçe, mërmërit: “Jam pensioniste, pensioni është shumë i vogël. Unë kam një qese me ilaçe, pensioni më duhet vetëm për ilaçe”.

Rritja e çmimeve nuk ka prekur vetëm moshën e tretë, por edhe rininë, një pjesë e së cilës si rrugë shpëtimi sheh largimin nga vendi.

“Me këto çmime, jo vetëm që nuk arrijmë të kursejmë, por me zor ia dalim të shtyjmë edhe muajin. E vetmja rrugëzgjidhje, si rrugë shprese, që shikoj, është që, pasi të marr diplomën, të largohem sa më parë, se këtu nuk i dilet, këtu s’kemi asnjë mbështetje, asgjë nga qeveria”, – thotë një studente.

Çmimet e produkteve rriten me shifra astronomike

Qytetarët konsumojnë më pak në krahasim me dy vite më parë. Të paktën kjo është ajo që thonë shitësit në tregjet e fruta-perimeve në Tiranë. Shkaku: rritja e çmimeve. Raportet e Institutit të Statistikave tregojnë një rritje të konsiderueshme të çmimeve të produkteve të shportës, ku pothuajse të gjitha kategoritë e produkteve ushqimore janë rritur krahasuar me vitet paraardhëse, por produktet bazë, si sheqeri, reçelet, mjalti, vajrat dhe yndyrat, si edhe edhe vetë buka dhe drithërat, kanë parë një rritje shumë herë më të lartë se produktet e tjera me 11,4%, 24% dhe 115,8% rritje në çmimin bazë respektivisht, krahasuar me një vit më parë.

Rritje e çmimeve është vërejtur nga INSTAT edhe në muajt e parë të vitit 2023, ku krahasuar me muajin maj 2022, rritja më e madhe e çmimeve vërehet në grupin “Ushqime dhe pije joalkoolike” me 10,0%, pasuar nga grupet “Argëtim dhe kulturë”, me 6,9%, “Mobilie, pajisje shtëpie dhe mirëmbajtje e shtëpisë”, me 6,5%, “Hotele, kafene dhe restorante”, me 5,0%, “Veshje dhe këpucë”, me 4,2%, “Mallra dhe shërbime të ndryshme”, me 4,0%, “Pije alkoolike dhe duhan”, me 3,7%, “Qira, ujë, lëndë djegëse dhe energji” dhe “Shërbimi arsimor”, me 2,2% secili, “Shëndeti”, me 1,4% dhe “Komunikimi”, me 1,2%.

Kjo rritje e çmimeve ka çuar dhe në rënie të konsumit të produkteve, e vënë re edhe nga tregtarët.

“Ka rënë blerja. Arsyeja: kanë ikur njerëzit, kanë ngelur vetëm pleq, por edhe rritja e çmimeve ka ndikuar. Në krahasim me periudhën para karantinës, me thënë të drejtën, ka rënë shumë”, – thotë një tregtar në njërën prej tezgave në Rrugën e Elbasanit.

Ekspertja e ekonomisë, Teuta Nunaj Kortoçi, shpjegon se rritja e çmimeve ka ardhur si pasojë e dy faktorëve. Faktori i jashtëm: “Kriza e COVID-it krijoi problematika te furnizimi, njëkohësisht lufta Rusi-Ukrainë, e cila i rëndoi më tepër efektet e krizës së parë.”

“Për produktet blegtorale rritja e çmimeve lidhet me tkurrjen e fermave, kjo si pasojë e emigracionit, i cili ka dhënë efekte në disa sektorë dhe në disa forma, që d.m.th., prodhohet më pak; kjo do rrisë kostot”, – shpjegon ekspertja e ekonomisë.

Eurostat ka publikuar rishtazi raportin mbi indeksin e çmimeve të konsumit për vitin 2022, ku Shqipëria figuronte me çmime më të larta për një kategori produktesh edhe se vetë vendet e BE-së. Në vitin 2022 Shqipëria renditet ndër vendet europiane me çmimet më të larta të produkteve të bulmetit dhe të vezëve, me rreth 111.7% e mesatares së vendeve të Bashkimit Europian. Me fjalë të tjera, nëse 1 kilogram nga këto produkte kushtonte mesatarisht 100 lekë në vendet e BE-së, në Shqipëri kushtonte rreth 111.7 lekë në vitin 2022.

Rritja e çmimit të produkteve dytësore rrit koston e prodhimit të ushqimeve/Subvencionet, të pamjaftueshme

Kasemi, fermeri nga fshati Dushk i Lushnjës, tregon se me situatën e rritjes së çmimeve është bërë edhe më i vështirë fitimi nga tregtimi i produkteve bujqësore.

“Më shumë harxhojmë se sa fitojmë nga tregtimi i produkteve bujqësore”, – thotë ai, duke treguar se është rritur disa herë edhe vetë kostoja e prodhimit.

“Është rritur kostoja e prodhimit, sepse vetëm plehu merret me 130 mijë lekë kuintali. 100 mijë lekë kushton vetëm fara e grurit, ndërkohë që kostoja është shumë e madhe për produktet e tjera, si batha; sivjet çmimi i bathës është 120 mijë lekë kilja; por edhe barishtoret, si dengu i jonxhës, që na nevojitet për blegtorinë, kanë vajtur shtrenjtë”, – thotë ai.

Problematikë, që po hasin fermerët, mbetet gjetja e blerësit dhe shitja e produkteve me çmim të ulët te tregtari.

“Na shkon dëm prodhimi, pasi është shumë e vështirë të gjesh një blerës. Tregtarët e blejnë te ne me çmim të ulët dhe vetë i shesin produktet shtrenjtë. Na duhet shumë kohë të gjejmë një blerës, nëse nuk gjendet, grurin ua hedhim pulave”, – thotë Kasemi.

Mungon mbështetja për prodhuesit për të frenuar inflacionin

Sipas ekspertes së ekonomisë, Teuta Nunaj Kortoçi, “fermeri duhet mbështetur, që ai t`i ulë kostot e produkteve. Duke ulur kostot, do të rrisë sasinë e prodhimit, njëkohësisht do të prodhojë më tepër”.

Sipas saj, “përgjithësisht tregtarët përfitojnë më shumë sesa fermeri që e realizon produktin, pra marzhi i fitmit që përfiton fermerit është më i vogël se tregtari. Kjo sjell pakënaqësi te fermeri dhe për shkak të të ardhurave të ulta, ai zgjedh ta braktisi tokën e të migrojë. Shteti në këtë rast mund të ndërhyjë si rregullator, për të qenë në mbrojtje të fermerit dhe të shmangë abuzimet në çmimeve”.

Përmes një kërkese për informacion nga ACQJ drejtuar Ministrisë së Bujqësisë, kjo e fundit shprehet se masat e ndërmarra për bujqit për vitin 2022 përfshijnë një buxhet total për skemën kombëtare të mbështetjes prej 5.1 miliardë lekësh, me fondin e alokuar për masën e mbështetjes me naftë për kryerjen e punimeve të mekanizuara në bujqësi për vitin 2022 prej 1.95 miliardë lekësh.

Drejtori Ekzekutiv i shoqatës së Industrisë së Përpunimit të Qumështit, Donjaldo Hoxha, thotë se fondi i vënë në dispozicion nga Ministria e Bujqësisë është i pamjaftueshëm.

“Në vitin 2022 aplikuan rreth 7 mijë e 200 blegtorë dhe arritën të përfitonin vetëm 6.000 prej tyre, pra, edhe pse është në sasi të limituara për numër krerësh, edhe pse është një vlerë e vogël subvencioni, përsëri është e pamjaftueshme kundrejt kërkesës që ka blegtoria shqiptare”, – thotë ai.

“Për sa i përket skemës subvencionuese ose mbështetja që jep qeveria e çdo vendi për blegtorët dhe fermerët, në Shqipëri është disa fish më e ulët sesa mbështetja që marrin blegtorët në rajon. Po ta krahasojmë me një nga vendet e rajonit, në radhë të parë ata kanë skemën mbi bazë prodhimi, që d.m.th., për çdo litër qumësht të prodhuar nga blegtorët dhe fermerët në rajon (Kosovë, Maqedoni, Serbi) ata subvencionohen nga shteti i tyre”, – thotë z. Hoxha.

Ai më tej sqaron për ACQJ se skema e dytë subvencionuese ka të bëjë me mbështetjen për krerë. Kjo skemë në mënyrën e krahasimit është e njëjta skemë me atë që jepet në Shqipëri, por me një ndryshim jashtëzakonisht të madh, nuk ka limit të sipërm, çka d.m.th., në qoftë se një fermë ka 300 krerë, subvencionimi është 25 euro/krerë, pra për sasi të ndryshme krerësh, ti merr një mbështetje dhe subvencion të ndryshëm.

“Kjo gjë nuk ndodh në Shqipëri, ka një limit të sipërm dhe mbi atë limit të gjithë marrin njëlloj, pavarësisht numrit të krerëve që kanë. Mbështetja për krerët në rajon është 25 euro, në vendin tonë është 1.200 lekë ose 10 euro.”

Z. Hoxha thotë se ka një rënie të numrit të krerëve, veçanërisht të të imëtave në vendin tonë, për shkak se mbarështimi i tyre nuk ka qenë në interes dhe me përfitim për fermerët dhe blegtorët.

Paralelisht me mungesën e subvencioneve të përshtatshme të cilat çojnë në një çmim për qumështin e freskët nga blegtorët prej 35%-40% më të lartë se në rajonin e BE-së, Hoxha shprehet se çmimi i produktit përfundimtar influencohet negativisht edhe nga çmimet e larta të naftës, energjisë elektrike, gazit, materialeve paketuese, pagave të punopnjësve të industrisë etj, të cilat çojnë në çmime jo konkuruese, dhe mbytjen e tregut vendas nga produktet e importuara.

ACQJ iu drejtua dhe disa prodhuesve të ndryshëm, të mëdhenj në tregun e bulmetit në Shqipëri, për të marrë një koment mbi rritjen e lëndës parësore për produktet e tyre dhe se si ka ndikuar kjo në rritjen e çmimeve të produkteve përfundimtare, si qumështi, djathi, gjalpi apo yndyrat e tjera në ekspozitorët e marketeve, por deri në momentin e publikimit të këtij shkrimi të gjitha kompanitë e pyetura kanë refuzuar të komentojnë.

Rritje e çmimeve, por edhe abuzime

Pavarësisht rritjes së produkteve të para dhe atyre ndihmëse në prodhim për fermerët, që ka çuar në një rritje natyrale edhe të çmimeve të produkteve të ndryshme në raftet e supermarketeve, ekspertët flasin edhe për raste abuzimi me çmimet e produkteve të shportës.

Kreu i Qendrës Kombëtare për Mbrojtjen e Konsumatorit, Hasan Stafa, vë në pah problematikën e abuzimit, që është bërë në çmime, ku këto kohë vihet re dhe një rritje e ankesave nga konsumatorët, adresuar kësaj organizate.

“Janë 724 ankesa të denoncuara të paktën dy muajt e fundit dhe ende shumë pak masa janë marrë. Konsumatori mbetet totalisht i pambrojtur. Vazhdojnë çmimet abuzive, vazhdon vjedhja, vazhdon mashtrimi pothuajse në të gjitha produktet ushqimore”, – thotë ai.

Ai thotë se qendra e tij e ka denoncuar abuzimin, por nuk është ndërhyrë nga asnjë institucion shtetëror.

“Nëse djathi, nga 450 lekë, ka shkuar sot në 1.200 lekë, d.m.th., ka shkuar rreth 82% brenda një muaji pa asnjë justifikim, sepse çmimi në tregun global, rajonal ka rënë… Kur nuk ka mekanizma për ta ndërprerë këtë lloj abuzimi, konsumatorët pothuajse janë në mëshirë të fatit”, – thotë ai.

ACQJ, nisur nga rritja e madhe e çmimeve të produkteve ushqimore dhe qëndrimit të ekspertëve të fushës mbi këtë çështje, kreu një vlerësim të tregut të këtyre produkteve, ku u vu re se ndryshe nga vendet fqinje, por edhe nga vende të BE-se, çmimet e shumë produkteve ishin në nivele shumë të larta.

Ekspertja e ekonomisë, Teuta Nunaj Kortoçi, thotë se, “çmimi është i lartë në treg në raport me pagat”. Ajo thotë se përgjithësisht çmimet, kur janë ngritur në të kaluarën, ka qenë shumë e vështirë që ato të ulen, pra janë të pakta rastet e uljes.

Duke parë normën e inflacionit në vitin 2022 dhe në gjashtëmujorin e parë të vitit 2023, zonja Kortoçi nuk parashikon që të ketë një ulje të çmimeve të produkteve të shportës as në muajt në vijim dhe as në muajt e parë të vitit 2024.

Roli i institucioneve shtetërore

Një nga masat e ndërmarra nga qeveria për menaxhimin e situatës së rritjes së çmimeve ishte ngritja e Bordit të Transparencës dhe Monitorimit të Çmimeve të Tregtimit me shumicë/pakicë të produkteve ushqimore bazë, i ngritur në zbatim të aktit normativ nr. 7, datë 18.03.2022 “Për transparencën dhe monitorimin e çmimit për disa produkte ushqimore bazë dhe produkte të tjera të lidhura me to, si pasojë e situatës së veçantë, të krijuar në treg”.

Përmes një kërkese për informacion, ACQJ pyeti Ministrinë e Financave mbi funksionimin dhe qëllimin e Bordit të Transparencës. Kjo e fundit vlerësoi se vendimi i krijimit të Bordit të Transparencës ishte i nevojshëm për situatën e krijuar.

“Në kushtet e një situate të pasigurt, jo vetëm për vendin tonë, por për shumë vende të Europës, me qëllim shmangien e panikut te konsumatorët, një qëllim, i cili u arrit, u vlerësua e nevojshme ndërhyrja e qeverisë me qëllim garantimin e furnizimit të popullatës me produktet më të domosdoshme ushqimore dhe ruajtjen e çmimeve brenda kufijve normalë të tregtimit, pa cenuar veprimtarinë e operatorëve ekonomikë dhe duke parashikuar marzhe bruto tregtimi, normale të veprimtarisë”, – nënvizohet në përgjigjen e ministrisë.

Ndërkohë, ky Bord ka zhvilluar tri takime deri më sot, ku ka vendosur miratimin e marzheve, që do aplikohen për disa produkte ushqimore bazë, por ai tashmë është shfuqizuar përmes një vendimi të Gjykatës Kushtetuese si një institucion me veprimtari të papajtueshme me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë.

Ekspertët shprehen se Bordi nuk e kreu funksionin e tij në asnjë rast.

Sipas ekspertes së ekonomisë, Teuta Nunaj Kortoçi, Bordi i Transparencës duhej të mbyllej prej kohësh.

“Kjo ndërhyrje nuk solli rezultate të pritshme, sepse në rastin e rritjes së çmimit të miellit katër kompanitë më të mëdha të prodhimit të miellit dhe të bukës në vend u gjobitën nga institucionet publike, për shkakun e abuzimit me çmimet, pra për shkeljen e rregullave të konkurrueshmërisë”, – thotë ajo.

Në një kërkesë drejtuar fillimisht Autoritetit të Mbrojtjes së Konsumatorit, ACQJ kërkoi informacion se në çfarë forme garanton ky autoritet të drejtat e qytetarit, duke luftuar abuzimin me çmimet e produkteve të shportës. Ky autoritet deklaroi mos-kompetencë dhe ia delegoi përgjegjësinë Agjencisë së Administrimit të Tregjeve nën varësinë e Bashkisë së Tiranës, si dhe Autoritetit Kombëtar të Ushqimit.

Pas përgjigjes së AMK, iu drejtuam Autoritetit Kombëtar të Ushqimit dhe Agjencisë së Administrimit të Tregjeve, por përsëri të dyja këto institucione theksuan se nuk e kanë si kompetencë luftën ndaj abuzimit me çmimet e produkteve ushqimore.

Çmimet e ushqimeve bazë vijojnë e rriten vit pas viti, po njësoj si çmimet e prodhimit për fermerët dhe blegtorët, por në një treg, ku nuk ka munguar as abuzimi me spekulimin me çmimet e këtyre produkteve, përgjegjësia për mbrojtjen e konsumatorit ka mbetur rrugëve.

 

 

Ky shkrim është pjesë e projektit Laboratori i Gazetarisë Investigative, që mbështetet financiarisht nga Zyra e Mardhënieve me Publikun e Ambasadës së SH.B.A. në Tiranë. Opinionet, gjetjet, konkluzionet dhe rekomandimet e shprehura janë te autor-it/ve dhe nuk përfaqesojnë domosdoshmërisht ato të Departamentit të Shtetit.

 

What's your reaction?
0Smile0Lol0Wow0Love0Sad0Angry
Qendra Shqiptare për Gazetari Cilësore
Rruga Pjetër Budi, 69

Tiranë, ALBANIA


Telefon: +355 (0) 6 8856 3686
Email: info@acqj.al

Investigative Network Albania

Teksti zyrtar është versioni në shqip i faqes së internetit. Kjo faqe përdor përkthim automatik përmes mjeteve të inteligjencës artificiale. Pavarësisht se ky përkthim është i një cilësie të lartë, rastis që të ketë dhe gabime dhe keqkuptime në kontekstin e produkteve. Duke qenë se është një teknologji e cila përmirësohet me kalimin e kohës, shpresojmë të qendroni me ne ndërkohë që perfeksionojmë këtë shërbim.

Copyright © 2023 Giljana Limani.  All Rights Reserved.

Copyright © 2023 Giljana Limani.  All Rights Reserved.