“Kur vjen autobusi?” Shërbimi urban në Tiranë, larg asaj që shfaqet në TV

Ndërkohë që premtimet e Bashkisë Tiranë për cilësinë e transportit publik ndër vite sa vijnë dhe i afrohen standardeve evropiane, realiteti i shërbimit është ende largë asaj që pretendohet. Me vonesa të tejshtuara, tejmbushje të urbaneve dhe me një shërbim të copëzuar dhe me mjete të disa dekadave më parë, pasagjerët ankohen për një shkëputje nga realiteti të drejtuesve të institucionit.

Autor: Marina Zela

Nga bllokimi i vazhdueshëm i trafikut, tek oraret e paqëndrueshme dhe urbanët e mbipopulluar, sistemi i transportit publik të Tiranës përballet me një mori sfidash, duke i lënë pasagjerët të frustruar dhe në nevojë të madhe për zgjidhje të problematikave.

Është e hënë. Ora edhe pak e shënon 9:00. Ardita Reshiti është duke pritur në stacionin e autobusit Kombinat-Kinostudio, për të marrë urbanin e parë, nga dy që përdor për të shkuar në punë çdo ditë.

“Nuk kanë kurrë orar, – thotë ajo, duke i dhënë përgjigje pyetjes sonë se kur vjen autobusi. Në varësi të trafikut, rruga që përshkoj me linjën Kombinat-Kinostudio zgjat 15-20 minuta. Pas zbritjes nga urbani i parë më duhet të eci 5-7 minuta për të mbërritur te stacioni i Green Line, ku pres zakonisht 5 deri në 10 minuta dhe në rastin më të keq, 15 minuta”, – shprehet zonja Reshiti.

Për Arditën përdorimi i urbanëve për të shkuar përditë në punë përbën një sfidë. Ajo rendit disa nga shkaqet që e kthejnë në sfidë udhëtimin e saj, të përditshëm, duke nisur që nga numri i lartë i njerëzve, aromat e pakëndshme dhe vonesat që nuk mungojnë, sidomos pasditeve.

“Do t’i shtoja kësaj liste edhe absurditetin që, përveç faturinos, vjen dhe dikush nga kontrolli i përgjithshëm për të kontrolluar faturinon dhe pasagjerët me radhë, nëse e kemi bërë pagesën apo jo”, – tregon ajo.

Problematikë e ngjashme shfaqet edhe në përditshmërinë e Sierra Bulkut, studente në Fakultetin e Mjekësisë, e cila duhet të udhëtojnë fillimisht me linjën Jordan Misja-Qyteti Studenti dhe më pas me Green Line, për të marrë pjesë në leksione çdo ditë. Problemet me këtë linjë janë akoma dhe më të theksuara; vonesa që shkojnë më shumë se 1 orë, tejmbushja me pasagjerë dhe mungesa e urbanëve në orët e darkës, janë ndër më kryesoret.

Stacion urbani i keqpozicionuar 

Të njëjtën shqetësim ndan dhe Nadirja, së cilës, për të shkuar në universitet, i duhet të marrë linjën Selitë-Allias.

“Çdo ditë duhet të pres mbi 1 orë në stacion dhe pothuajse 1 orë tjetër për të arritur në destinacion. Gjatë verës situata bëhet dhe më keq, sepse kondicionerët nuk ndizen kurrë.”

Ersida Teliti, Drejtoreshë Ekzekutive e Qendrës Konsumatori Shqiptar, një organizatë jofitimprurëse, që ka si qëllim mbrojtjen dhe përfaqësimin e interesave të ligjshme të konsumatorëve, tregon se problematikat mbi cilësinë e shërbimit janë ndër më të adresuarat edhe nga qytetarët.

“Shpeshtësia, vendosja e stacioneve, mungesa e sinjalistikës vertikale dhe horizontale për këto stacione janë problematikat mbi cilësinë e shërbimit; nëse do shikojmë kontratat, që kanë me bashkinë, konstatohet që mungojnë voice station, hartat me lëvizjet dhe shpeshherë faturinot detyrohen të bërtasin.”

Premtime, që nuk u mbajtën

Në dekadën e fundit të vetmet premtime, që nuk mbarojnë kurrë, janë ato që bëhen për transportin publik në Tiranë. Nëse çdo premtim i dhënë në lidhje më këtë sektor do të ishte mbajtur, Tirana sot do të ishte me korsi të dedikuara, linja elektrike, autobusë që vijnë çdo 3 minuta, biletim elektronik dhe kushte shërbimi të një niveli të lartë.

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, në vitin 2015 premtoi korsitë e dedikuara. Më 18 dhjetor të vitit 2016 premtoi biletën elektronike brenda vitit. Më pas, më 26 gusht të vitit 2017, premtoi nisjen e testimit të autobusëve elektrikë dhe pas 4 vitesh, më 24 korrik të vitit 2021, prezantoi 20 autobusët e parë Go Green, ndër të cilët disa ishin hibridë (naftë/gaz). Këto janë vetëm disa nga premtimet e bëra pothuajse një dekadë më parë, prej të cilave asnjë nuk është mbajtur i plotë dhe pjesa më e madhe e tyre janë harruar.

E pyetur zyrtarisht në lidhje me këto premtime Bashkia e Tiranës thotë se janë në fazën e implementimit të autobusëve elektrikë. Të njëjtën përgjigje bashkia jep edhe për korsitë e dedikuara, duke u shprehur se janë pjesë e studimit të BRT, i cili do të vihet në dispozicion në momentin e duhur me përfundimin e detajeve të fundit të procesit.

“Për sa iu përket orareve të lëvizjes së mjeteve të transportit urban, ju bëjmë me dije se aktualisht zbatohen oraret e miratuara për linjat”, – thotë zyrtarisht Bashkia e Tiranës, duke lënë të kuptohet se asnjë prej punonjësve, të cilët punojnë në sektorin e transportit publik të këtij institucioni, nuk ka zbritur në terren për të parë situatën reale.

Transporti urban, ekspertët bëjnë fajtore bashkinë

Gishti i grupeve të interesit dhe i ekspertëve të fushës për këtë situatë të transportit urban i drejtohet bashkisë.

Dashnor Memaj, kreu i Shoqatës së Transportit Urban dhe Interurban, shprehet se transporti publik prej kohësh ka ngritur shqetësime mbi mbarëvajtjen e shërbimit.

“Shqetësim ngelet përmirësimi i infrastrukturës, heqja e disa taksave të karburantit, ulja e pragut të TVSh-së në shitje, rimbursimi i kategorive që udhëtojnë falas dhe ndikimi në rritjen e pagave të sektorit, duke qenë se ka ikje masive të punonjësve”, – thotë ai, duke numëruar një sërë problemesh. Ai shprehet se bashkëpunimi me Bashkinë e Tiranës ka qenë një marrëdhënie kërkesash dhe premtimesh.

“Kurrë nuk pati një zgjidhje përfundimtare, që të ketë shërbim më cilësor, mjete më të mira, shpejtësi më të lartë lëvizjeje”, – përfundon ai. I pyetur për shpeshtësinë e mjeteve në linja, zoti Memaj thotë se kjo nuk është në dorë të operatorëve, përderisa urbanët lëvizin në rrugë bashkë me makinat private e për shkak të trafikut ka një shpejtësi tejet të ulët.

Nga ana tjetër, eksperti Rixhin Qoshja shprehet se operatorët privatë nuk duhet të shihen si burimi i problemeve, por si burimi i zgjidhjes.

“Është e natyrshme që çdonjëri prej tyre është në këtë biznes për të fituar dhe do të mundohen që t`i arrijnë fitimet e tyre me të gjitha mënyrat, deri edhe në cenimin e cilësisë së shërbimit, prandaj duhet një ndryshim i skemës financiare, si për shembull kompensimi nga institucionet për kategoritë që e fitojnë falas këtë shërbim”, – thotë ai, duke shtuar se shembuj të suksesshëm në Ballkan dhe më gjerë ka.

“Tirana ka fatin që prej më shumë se dy vitesh ka asistencën gjermane të GIZ-it për përmirësimin e shërbimit të transportit publik”, – shprehet ai, duke shtuar se është detyrë e specialistëve të transportit në Bashkinë e Tiranës për të implementuar saktë eksperiencën e marrë.

Për zotin Qoshja transporti publik është “shtylla kurrizore” e një qyteti, duke patur një ndikim të rëndësishëm në lehtësimin e trafikut dhe për rrjedhojë, ndotjen e ajrit.

“Të gjitha këto do të realizohen, kur ky shërbim do të arrijë të konkurrojë transportin me makinat personale në zgjerimin e mbulimit të shërbimit dhe rritjen e shpejtësisë tregtare”, – shprehet ai, duke theksuar se Tirana ka sot ende zona të pambuluara me shërbim të transportit publik, të cilave duhet t`iu ofrohet shërbim sa më shpejt që të jetë e mundur.

Ersida Teliti, Drejtoreshë Ekzekutive e Qendrës Konsumatori Shqiptar, numëron një sërë mungesash në sistemin urban dhe interurban të udhëtimit, duke nisur që nga mungesa e sinjalistikës në stacione dhe deri te vendosja e stacioneve në vende të papërshtatshme, si në rreth-rrotullime.

“Konstatohen që mungojnë hartat, voice station, hartat me lëvizjet apo dhe të dhëna të tjera dhe shpeshherë faturinot detyrohen të bërtasin”, – thotë ajo, duke shtuar se janë ankuar shumë herë në Agjencinë e Mbrojtjes së Konsumatorit në Bashkinë e Tiranës, por, edhe pse ka një frymë pozitive, në terren s`ka ndonjë ndryshim të madh. Një tjetër problematikë, që thekson zonja Teliti, është vjetërsia apo mosha e autobusëve që përdoren, për shkak se nuk përshtaten me atë që është parashikuar nga palët në kontratë.

Situata në terren: Vonesa, mungesë kondicionerësh e mbipopullim

Nisur nga premtimet e bëra, intervistat me ekspertët dhe aktorët në transportin publik, vendosëm që të kalonim një ditë, duke udhëtuar me autobus në disa linja në kryeqytet.

Në linjën nr. 15, Kinostudio-Kombinat, problemet më të përmendura kanë të bëjnë me ngatërresën e kësaj linje me Tufinën. Ka raste, kur urbani shkruan: Kinostudio, por në fakt shkon në Tufinë dhe herë të tjera ku shkruan: Tufinë dhe shkon në Kinostudio.

“Nga gjithë lodhja që kam në punë, duhet të stresohem, nëse urbani do të më dërgojë deri në stacion apo do të ngel në mes të rrugës”, – shprehet një qytetare, e cila shton se kjo gjë çon shpeshherë në konflikte me faturinon.

Nga ana tjetër, në disa zona specifike, si spitalet, Selvia apo kryqëzimi i 21 Dhjetorit, ka tejmbushje në stacione.

Linja numër 9, kondicioneri i autobuzit kullon mbi pasagjerët

Pritja është një tjetër problematikë, me të cilën qytetarët përballen gjatë gjithë kohës.

Në rastin më të mirë pritja është 10 deri në 15 minuta, por nuk mungojnë rastet, kur kjo pritje shkon deri në 40 minuta, sidomos gjatë orareve të darkës. E ndërsa temperaturat janë duke u rritur përditë e më shumë në këto ditë vere, mospërdorimi dhe mosfunksionimi i ajrit të kondicionuar vijon të mbetet problematik. Në shumicën e rasteve kondicionerët nuk përdoren për shkak të konsumit më të madh të karburantit, si thonë “off the record” disa shoferë dhe faturino, por ka edhe raste që nuk funksionojnë apo akoma edhe më keq, rrjedhin ujë brenda urbanit.

Premtimet në pothuajse një dekatë janë të shumta dhe shpeshherë profilet sociale të drejtuesve të Bashkisë Tiranë tregojnë një situatë tejet largë realitetit. Është e paqartë nëse ndokush nga ky institucion ka përdorur ndonjëherë transportin publik, të cilin promovojnë në çdo dalje publike.

Ky shkrim është pjesë e projektit Laboratori i Gazetarisë Investigative, që mbështetet financiarisht nga Zyra e Mardhënieve me Publikun e Ambasadës së SH.B.A. në Tiranë. Opinionet, gjetjet, konkluzionet dhe rekomandimet e shprehura janë te autor-it/ve dhe nuk përfaqesojnë domosdoshmërisht ato të Departamentit të Shtetit.
What's your reaction?
0Smile0Lol0Wow0Love0Sad0Angry
Qendra Shqiptare për Gazetari Cilësore
Rruga Pjetër Budi, 69

Tiranë, ALBANIA


Telefon: +355 (0) 6 8856 3686
Email: info@acqj.al

Investigative Network Albania

Teksti zyrtar është versioni në shqip i faqes së internetit. Kjo faqe përdor përkthim automatik përmes mjeteve të inteligjencës artificiale. Pavarësisht se ky përkthim është i një cilësie të lartë, rastis që të ketë dhe gabime dhe keqkuptime në kontekstin e produkteve. Duke qenë se është një teknologji e cila përmirësohet me kalimin e kohës, shpresojmë të qendroni me ne ndërkohë që perfeksionojmë këtë shërbim.

Copyright © 2023 Giljana Limani.  All Rights Reserved.

Copyright © 2023 Giljana Limani.  All Rights Reserved.