Propozohet ligj për krijimin e “Urdhrit të Inxhinerit”, profesionistët e kundërshtojnë

Autor: Dallandyshe XHAFERRI  dhe Denis TAHIRI

Prezantimi i  këtij Projektligji nuk vjen si një dëshirë spontane lindur pas marrjes së statusit të Deputetes në Kuvendin e Republikës së Shqipërisë. Ky prezantim është momenti final i përpjekjeve të filluara që në vitin 2017 nga Grupi Nismëtar për krijimin e UPI-t, pjesë e së cilit unë kam qenë që në fillimet e punës”- kështu e nis deputetja Luljeta Bozo, relacionin shpjegues “ Për Urdhërin Profesional të Inxhinierëve”.

Objekti i këtij ligji është krijimi dhe përcaktimi i rregullave për mënyrën e organizimit dhe funksionimit të Urdhërit Profesional të Inxhinierëve në Republikën e Shqipërisë. Nëse ky projektligj votohet në kuvend, çdo person me shtetësi shqiptare, pa shtetësi ose me shtetësi të huaj, i cili kërkon të ushtrojë profesionin e inxhinierit në Republikën e Shqipërisë do të duhet të regjistrohet në “Regjistrin e Inxhinierëve Profesionistë”. Sipas këtij projekligji, të drejtën për të firmosur si inxhinier e kanë vetëm ata profesionistë të cilët janë të regjistruar dhe regjistri shndërrohet në të vetmin burim referimi për të tretët që kërkojnë shërbime inxhinierike ose ekspertiza dhe detyra të tjera të lidhura me objektin e profesionit të inxhinierit.

Nga ana tjetër, “Unioni i Inxhinierëve Shqiptarë”, një OJF e krijuar rishtazi në 16 shtator 2022, si nevojë për të reaguar me urgjencë,  kundërshtimin e këtij projektligji, u shpreh në një konferencë për mediat se: “Nuk ka arsye objektive për krijimin e këtyre Projektligjeve, pasi profesioni i Inxhinierit është një profesion i rregulluar në Republikën e Shqipërisë”.

Çfarë thonë palët?

Dëshire Mena, inxhiniere dhe njëkohësisht drejtuese e Unionit të Inxhinierëve Shqiptarë, thotë se inxhinierët nuk janë  konsultuar për këtë projektligj, por e kanë zbuluar kur është publikuar drafti i projektligjit në faqen zyrtare të Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjitikës, ku propozimi nuk mbante emrin e asnjë autori. “Ministria nga reagimi i menjëhershëm që pati nga inxhinierët, pasi brenda tre ditësh mblodhëm 400 firma të inxhinierëve dhe e çuam në ministri duke u thënë, që ne jemi inxhinierët dhe i kërkuam ta ndalonte këtë procedurë”, thotë ajo, duke shtuar se ministria e ndaloi këtë procedurë, ndërkohë pas disa kohësh, i njëjti projektligj me disa ndryshime, u dorëzua nga deputetja Luljeta Bozo, në zyrat e kuvendit.

Lincesimi i inxhinierëve bëhet aktualisht nga Ministria e Infrastrukturës dhe Energjitikës, por nëse ky projektligj miratohet, ai i kalon për kompetencë Urdhërit Profesional të Inxhinierëve, që ngrihet pikërisht nga ky projektligj. “Në këtë moment ti kupton që është bërë një lëvizje për ta centralizuar edhe fokusuar këtë proces, që është licensimi në duart e një grupi të vogël njerëzish”, thotë inxhinierja Mena, duke shtuar se në këtë mënyrë kontrollohet gjithë aktiviteti.

Dëshire Mena, inxhiniere dhe drejtuese e “Unionit të Inxhinierëve Shqiptarë”

Ata shpesh herë thonë, që ja edhe mjeku e ka, ja edhe dentisti e ka, por nuk është e njëjta. Dentisti nuk punon me tendera, nuk menaxhon para publike, ndërkohë që licenca e inxhinierit menaxhon para publike, pasi merr pjesë në tendera për ndërtim rrugësh, hekurudhash, minierash, çdo lloj aktiviteti ekonomik. Pra, efekti që ka në ndërhyrjen që ti bën nëpërmjet licencës së inxhinierit, është e jashtëzakonshme. Pse duhet t’ja lëmë këtë gjë në dorë një grupi individësh? Ose, a ka logjikë ta lokalizosh këtë gjë te një grup njerëzish, kushdo qofshin ata?”, përfundon ajo, duke dhënë edhe shembullin e kryeministrit, i cili në sistemin qeverisës tonë, është i pari i qeverisë, por sërisht nuk ka çdo gjë nën kontroll. “Ndërsa këtij grupi njerëzish, iu lihet në dorë çdo gjë”,  thotë ajo.

Nga ana tjetër, deputetja Luljeta Bozo, e cila është edhe propozuesja e këtij projektligji  thotë se ky urdhër profesional është i bazuar në ligj. “Ligji ekziston por ne po e aplikojmë në fushën tonë, nuk është se po nxjerrim ligj të ri dhe ky ka ardhur si rezultat i disa faktorëve”, shprehet ajo. Bozo shprehet për “Sinjalizo” se ajo nuk është hartuesja e këtij projektligji, pranoi vetëm ta prezantonte në Parlament pasi gëzon statusin e deputetes.

Luljeta Bozo, deputete

“Projektligji është hartuar nga 12 shoqata inxhinierike dhe ka patur asisentë nga urdhri Italian dhe ai hollandez, të cilët kanë ndihmuar në hartimin e këtij drafti që është çuar më pas në parlament. Kemi që në prill të 2021 që e kemi depozituar”, shprehet deputetja, e cila shton se sipas rregullave është bërë dëgjesa e parë. “Erdhën përfaqësues nga 5-6 prej 12 shoqatave”, thotë deputetja Bozo, ndërkohë inxhiniere Dëshira mohon ekzistencën e një urdhri hollandez. “Urdhër ka vetëm Italia dhe është hartuar më 1923, në kohën e fashizmit dhe pavarësisht kërkesave të shumta të inxhinierëve italianë, nuk është zhbërë dot, pasi është shumë e vështirë të heqësh një ligj të tillë. Ndërsa Hollanda nuk ka një urdhër të tillë, ajo është një shoqatë siç çdo shoqatë që formojnë profesionistë të fushave të ndryshme,”-thotë Mane, duke shtuar,  se edhe sipas burimeve nga Drejtoria e Tatimeve vetëm 2 nga 11 prej shoqatave të inxhinierëve gëzojnë statusin “aktiv”. Të tjerët figurojnë “pasiv” ose nuk janë të regjistruar askund.

Në intervistën e dhënë për “Sinjalizo”, deputetja Bozo rendit edhe faktorët që çuan në këtë projektligj sipas saj.

E para njëherë, qenë ngjarjet e fundit që ndodhën, sidomos ngjarja e tërmetit në 2019 tregoi se në tregun e punës kanë dalë specialistë që quhen inxhinierë, por që edhe nuk janë inxhinierë. Kjo ka shumë rëndësi. Atje çdokush mund të ndërtonte, kishin bërë shkollë 3-vjeçare dhe kishin marrë kurajon të bënin projektim, ose nuk kishin bërë shkollë fare, e kishte bërë 2-vjeçare”, thotë ajo.

Sipas propozueses së këtij projektligji, ky urdhër i bën të ditur publikut se inxhinierët që janë pjesë e regjistrit janë të sigurt. Në regjistër do jenë vetëm ata që kanë mbaruar arsimin 5-vjeçar. “Ata kanë të drejtë për t’u regjistruar, por nuk janë të detyruar. Këtu inxhinerët ndahen në dy pjesë: grupi që ka marrë licenca nga ministria dhe grupi që nuk kanë marrë. Në regjistra nuk ka asnjë diferencë, janë të gjithë të barabartë dhe diferencën e bën tregu në bazë të aftësive të gjithësecilit”, thotë zonja Bozo.

Nga ana tjetër sipas deputetes Bozo, inxhinierët e rinj, që s’kanë marrë licencën nuk dalin dot në tregun e punës pa dalë në regjistrin e urdhërit. “Duhet 6 muaj deri në 2 vite që të punojë, të bëjë praktikë sepse në shkollë teori ka bërë”, thotë deputetja, duke shtuar se kjo periudhë i shërben për të dalë në treg dhe për të kuptuar.

Institucionet e linjës identifikojnë problematikat

Për miratimin e një projekligji të tillë, është e nevojshme që të gjitha institucionet e linjës të japin dakordësinë e tyre për mosrënien ndesh të tij me fushën e aktivitetit të tyre por edhe ligjet në fuqi. Dhe dakordësinë për këtë ligj e kanë dhënë të gjitha, edhe pse ka nga ata që kërkojnë të mos jenë subjekt i ligjit.

Ministria e Turizmit dhe Mjedisit, në një shkresë e cila mban firmën e ministres Mirela Kumbaro Furxhi, shprehet dakord në parim me nismën e propozuar. Por kjo ministri kërkon që “në raport me fushën e përgjegjësisë së Ministrisë së Turizmit dhe Mjedisit, në funksion të shmangies së konfuzioneve dhe paqartësive se kush do të jetë subjekt i këtij ligji, sugjerojmë që në përmbajtje të projektligjit, ekspertët e çertifikuar sipas legjislacionit përkatës për pyetjet (pavarësisht se janë me titull inxhinier) të mos jenë subjekt i këtij ligji”.

Ndërkohë Ministria e Drejtësisë, në një shkresë që mban firmën e ministrit të Drejtësisë, Ulsi Manja, identifikon 18 problematika e këtë ligj duke sugjeruar ristrukturimin e këtij projektligji.

Ndërsa Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë shprehet se ky projektligj, sjell si pasojë ndryshimin e bazës aktuale ligjore për këtë fushë dhe si i tillë del i nevojshëm parashikimi i një dispozite kalimtare në mënyrë që projektligji i ri të jetë jo vetëm efektiv, por të minimizojë efektet negative që mund të ketë periudha kalimtare për çdo aktor të përfshirë.

Ndërkohë Ministria e Financave dhe Ekonomisë, rendit problematikat që shfaqen në draftin e projektligjit, në dhënien e mendimit shprehet se e konsideron të nevojshme rihartimin e projektligjit dhe risjelljen e tij për mendim në Ministrinë e Financave dhe Ekonomisë.

Deputetja Bozo thotë për “Sinjalizo” se viti i parë i ekzistencës së urdhrit kërkon subvencion nga shteti shqipar “deri në krijimin e tij si një organizëm të  mirëfilltë të urdhrit”. Sipas të dhënave publike të deklaruara në relacion, nëse projektligji i Urdhrit Profesional të Inxhinierëve miratohet nga Parlamenti, qeverisë do i duhet të subvencionojë shumën prej 1,103,320.00 eurosh.

 

 

Ky artikull u krijua bazuar në të dhëna të siguruara nga individë që kanë zgjedhur të ngrenë zërin. Ndani historinë tuaj, fuqizojini të tjerët dhe bëhuni faktor për ndryshim. Vizitoni faqen: www.acqj.al/sinjalizo-dhe-ti/
What's your reaction?
0Smile0Lol0Wow0Love0Sad0Angry
Qendra Shqiptare për Gazetari Cilësore
Rruga Pjetër Budi, 69

Tiranë, ALBANIA


Telefon: +355 (0) 6 8856 3686
Email: info@acqj.al

Investigative Network Albania

Teksti zyrtar është versioni në shqip i faqes së internetit. Kjo faqe përdor përkthim automatik përmes mjeteve të inteligjencës artificiale. Pavarësisht se ky përkthim është i një cilësie të lartë, rastis që të ketë dhe gabime dhe keqkuptime në kontekstin e produkteve. Duke qenë se është një teknologji e cila përmirësohet me kalimin e kohës, shpresojmë të qendroni me ne ndërkohë që perfeksionojmë këtë shërbim.

Copyright © 2024 Giljana Limani.  All Rights Reserved.

Copyright © 2024 Giljana Limani.  All Rights Reserved.

Newsletter