Ligji për të Drejtën e Informimit u përshëndet në kohën e miratimit të tij si një nga ligjet më inovative në fushën e transparencës publike, por pas pothuajse një dekade dhe qindra ankesave në vit të qytetarëve, shoqërisë civile dhe gazetarëve pranë Komisionerit për të Drejtën e Informimit për refuzim informacioni nga autoritetet publike; një angazhimi të ulët të këtij institucioni për të sanksionuar institucionet shkelëse, si dhe një fuqie anemike të vendimeve të këtij të fundit, ligji kërkon ndryshim. Megjithatë, ndryshimet e propozuara në ligj nuk adresojnë pikërisht thelbin e problemit… mungesën e vullnetit politik për të zbatuar ligjin.
Autor: Nasibe Nur Karik
Çdo ditë të vitit 2022 në zyrën e Komisionerit për të Drejtën e Informimit kanë mbërritur mesatarisht nga pesë ankesa nga gazetarë, përfaqësues të shoqërisë civile dhe qytetarë të thjeshtë.
Ankesat kanë një emërues të përbashkët: mosdhënien e informacionit dhe dokumenteve publike nga institucionet – një e drejtë që e njeh Kushtetuta dhe ligji 119/2014.
Shqipëria ka qenë një nga vendet e para në rajon, që mori përsipër të adresojë çështjen e transparencës (të ashtuquajturat ligje të rrezeve të diellit), që më 30 qershor të vitit 1999, ditë kur Parlamenti miratoi ligjin 8503.
15 vjet më pas, pas një dështimi spektakolar, Parlamenti e pa të udhës, jo të amendojë, por të bëj një ligj nga e para. Ligji 119/2014, i cilësuar nga ekspertët si nga më të mirët në botë, kishte parasysh se pse dështoi ligji i mëparshëm.
Me këtë ligj afati i dhënies së informacionit u bë 10 ditë, nga 40 që ishte, u caktua për çdo institucion një Koordinator për të Drejtën e Informimit, u ngrit një institucion i ri, mbikëqyrës i këtij ligji, u fut koncepti i kapitujve të transparencës (institucionet janë të detyruara me ligj të bëjnë transparencë për pothuajse çdo gjë që ka lidhje me punën e tyre). Ligji i ri parashikonte sanksione të konsiderueshme, financiare për personat përgjegjës, që pengojnë dhënien e informacionit apo dokumentit zyrtar.
Besa Ombashi, pedagoge e së Drejtës dhe një nga personat, të cilët kanë punuar në fazën e miratimit të këtij ligji, shprehet se Ligji për të Drejtën e Informimit është në fakt një ligj i mirë, por që kërkon edhe një zbatim të mirë.
“Nuk duhet harruar, që qëllimi kryesor është transparenca maksimale e institucioneve shtetërore, si mosfshehja mbrapa ligjeve të caktuara për të mos dhënë përgjigje ose për të zvarritur procedurat. Aty ku cenohet transparenca, asnjëherë nuk duhet prekur asnjë element i Ligjit për të Drejtën e Informimit”, – shprehet ajo.
Në pothuajse një dekadë zbatimi, ligji ka parë suksese dhe dështime.
Edhe pse në letër është një nga ligjet më të mira në lidhje me të drejtën e aksesit në informacion dhe detyrimin e institucioneve shtetërore për të plotësuar kërkesat e publikut, ligji çalon në zbatim, me shumë individë që kanë nevojë për procedura të stërgjata në gjykatat kombëtare, edhe pse ka vendime pozitive nga Komisioneri për të Drejtën e Informacionit.
Ligji i mirë në letër çalon në zbatim, për shkak të mungesës së vullnetit ose refuzimit të hapur të institucioneve shtetërore për të zbatuar vendimet e Komisionerit, duke qenë edhe të gatshme të paguajnë gjoba dhe të harxhojnë paratë e taksapaguesve në procese gjyqësore, që vazhdojnë për vite, me qëllimin e vetëm, mosdhënien e atij që është vlerësuar si informacion publik.
Dorian Matlija, kryetar i ResPublica, një organizatë joqeveritare dhe jofitimprurëse në fushën e mbrojtjes së të drejtave themelore të njeriut, kritikon zbatimin aktual të ligjit, duke vënë në dukje se “fillimi ishte i mirë, por vitet e fundit vihet re një stanjacion dhe madje regres në disa tregues. Programet e transparencës nuk janë funksionale në të shumtën e rasteve, kurse kërkesat për informacion marrin përgjigje në rreth 60% të rasteve dhe tej afateve ligjore, zakonisht pas 20-25 ditësh mesatarisht”.
Ky problem i përhapur ka ndikuar gjithashtu në punën e gazetarëve, të cilët përdorin ligjin në bazë të përditshme.
“Megjithëse në aspektin ligjor duket sikur gjithçka është e rregulluar me afate, gazetari ka të drejtë për t`u informuar dhe për të marrë dokumente nga institucionet përmes postës, adresës elektronike apo edhe dorazi. Personalisht, për shumicën e informacioneve, që unë kam kërkuar, kam vërejtur që institucioni më është shmangur, për ta dhënë këtë informacion”, – deklaron Anila Hoxha, gazetare karriere, e cila punon pranë Top Channel.
Edhe Artan Rama, gazetar freelance, thotë se, si nga Komisioneri për të Drejtën për Informim, i cili është garanti institucional i kësaj të drejte, ashtu dhe nga qytetarët (gazetarët si përfaqësues të interesit publik), nuk po shfrytëzohet sa duhet mekanizmi i transparencës dhe i llogaridhënies së qeverisë”.
Për Ramën praktika për të marrë një informacion ka rezultuar “një eksperiencë sfilitëse dhe tejet burokratike”.
Lorin Kadiu, Drejtor Ekzekutiv i Citizens Channel dhe njëkohësisht gazetar, e gjykon zbatimin e ligjit me problematika në disa aspekte, duke nisur që nga informacionet e bëra publike pa nevojën e një kërkese për informacion, përditësimin periodik të tyre, si dhe efikasitetin në mekanizmat që do të duhet të sigurojnë zbatimin e së drejtës për informim.
“Kërkesat protokollohen, por mbeten pa përgjigje. Përgjigjet janë të paplota, përdoret sekreti tregtar apo e drejta e autorit, edhe për dokumente që administrohen tërësisht nga institucionet publike”, – thotë Kadiu.
Por, sa efikas është Ligji për të Drejtën e Informimit
Në raportin vjetor për monitorimin e performancës së Ligjit për të Drejtën e Informimit dhe zbatimit të tij nga institucionet publike, Komisioneri për të Drejtën e Informimit vëren se ka një rritje të transparencës pro-aktive (vënia në dispozicion e informacionit të pakërkuar) në krahasim me vitin 2020, për sa i përket pushtetit vendor, trend, i cili është ndjekur edhe nga institucionet qendrore dhe ato të varësisë. Ky trend është vërejtur nga KPDI edhe në raportin e vitit 2022, si dhe në raportet e ResPublica mbi të drejtën e informimit në Shqipëri.
Për sa iu përket ankesave për mosdhënie informacioni, KPDI ka administruar 1036 ankesa në vitin 2021, duke vërejtur “një tendencë gjithnjë në rritje të numrit të ankesave nga qytetarët, çka nënkupton forcimin e besimit të tyre në veprimtarinë dhe rezultatet e punës së institucionit”, por që mund të përkthehet edhe në një mungesë të transparencës së institucioneve publike, që i detyron qytetarët t`i drejtohen KPDI. Edhe për vitin 2022 numri i ankesave për mosdhënie informacioni nga autoritetet publike ka qenë i lartë, në shifra pothuajse të njëjta me vitin paraardhës, 1081 ankesa. Vihet re nga ky raport se mbi 600 ankesa të depozituara kanë qenë pikërisht nga gazetarët dhe shoqëria civile dhe pjesa tjetër, nga qytetarë dhe avokatë.
Edhe raporti i ResPublica mbi të drejtën e informimit për vitin 2022 vëren se ky është viti me numrin më të madh të ankesave pranë KPDI.
“Shifrat pasqyrojnë rritjen e ndërgjegjësimit dhe njohjes së ligjit nga qytetarët nga njëra anë, si dhe pasqyron neglizhencën apo refuzimin e dhënies së informacionit nga autoritetet publike, nga ana tjetër, duke provokuar më shumë ankime.”
Ky raport vë në dukje se institucionet nuk e vënë në dispozicion të publikut informacionin, duke e gjykuar atë si vitin më të keq në katër vitet e fundit.
“Përgjigje e plotë është dhënë në 54% të rasteve, përgjigje e pjesshme, në 18% të rasteve dhe mos-përgjigje, në 28% të rasteve”.
Por, një element tjetër i rëndësishëm, jo vetëm për gazetarët, por për këdo që kërkon informacion, është dhe afati, kur ai vihet në dispozicion, ku kohëzgjatja mesatare për vënien në dispozicion të informacionit nga institucionet publike ka shkuar në 15 ditë, nga 10 ditë të parashikuara në ligj, dhe një mesatare kohore për reagimin administrativ pas pranimit të ankesës nga KPDI, prej 22 ditësh. Edhe vetë vendimmarrja e KPDI mbi ankesat e depozituara shikon një zvarritje të procedurave, ku nga 52 vendime të marra për vitin 2022, Komisioneri ka marrë vendim jashtë afatit ligjor në 62% të rasteve, duke shkelur edhe vetë ato parime që Ligji për të Drejtën e Informimit i ka dhënë si tagër t`i mbrojë.
Problematika e zvarritjes së kërkesave për informacion vërehet edhe nga zonja Ombashi, duke u shprehur se “administrata është jo gjithmonë transparente dhe ajo që u vu re fillimisht, ishte tendenca për të mos dhënë përgjigje direkte, por për ta kaluar dhënien e përgjigjes te një institucion tjetër”.
Kjo tendencë vihet re edhe nga Koloreto Cukali, Drejtor Ekzekutiv i Këshillit Shqiptar të Medias, i cili thotë se “ka një zvarritje e pengesë përherë e më të madhe nga institucionet për të dhënë informacionin, që iu takon ta japin me ligj, ndërkohë që edhe reagimi i Zyrës së Komisionerit është i mefshtë.”
Lorin Kadiu thotë se afatet shpeshherë janë të tejzgjatura apo edhe të shkelura. “14 ditë për të marrë një përgjigje dhe rreth 30 ditë për ankimin, nëse do të duhet të kalohet përmes Komisionerit, janë një kohë shumë e gjatë”.
Ai vëren edhe pamundësinë e Komisionerit për të Drejtën e Informimit për të zgjidhur situata, ku, për shembull, ende nuk ka një përgjigje për kërkesat e Citizens Channel mbi procedurat e shembjes së Teatrit Kombëtar (maj 2020).
“Kemi kërkesa me mbi 800 ditë në pritje”, – thotë Kadiu, duke ia faturuar këtë vonesë mungesës së vullnetit të institucioneve shtetërore për ta zbatuar atë.
Edhe procedurat përpara KPDI shpeshherë shihen si problematike nga vetë gazetarët, pavarësisht frymës bashkëpunuese dhe pro-aktive të Komisionerit për zgjidhjen e ankesave të paraqitura pranë tij.
“Komisioneri për të Drejtën për Informim përpiqet që t’i shmangë konfliktet me autoritetet publike, kur vjen puna për dhënien e informacioneve “delikate”, duke vepruar në kurriz të së drejtës për informim. Kjo është një praktikë korruptive, e cila shpesh kalon në heshtje”, – thotë Artan Rama.
Kjo frymë gjen jehonë edhe te qëndrimi i drejtorit të ResPublica, Dorian Matlija, i cili thekson se pas ankimit te Komisioneri, një pjesë e mirë e përgjigjeve sigurohen nga institucionet, duke mbetur pa përgjigje ato raste, kur informacioni prek tema “të nxehta”, për të cilat zakonisht interesohen gazetarët investigues. “Ligji vetë nuk parashikon detyrimin e Komisionerit për të marrë vendim në çdo rast dhe ky organ merr vendime vetëm në 2%-5% të rasteve, duke lënë pa vendimmarrje pjesën dërrmuese të ankesave”, – vijon më tej Matlija.
“Kemi arritur të marrim përgjigje në shumë raste, por jo në të gjitha rastet e sidomos në ato raste, kur informacioni ka pasur të bëjë me kontrata, koncesione, tenderë, leje etj.,”, – thotë ai.
Kadiu nga Citizens Channel gjithashtu nënvizon bashkëpunimin nga KPDI, por thekson se “jo në çdo rast kemi arritur të marrim informacionin që duam, për shkak edhe të përgjigjeve të paplota dhe mungesës së vullnetit nga të gjitha palët, për të vënë në dispozicion informacionin e plotë, veçanërisht për sa i përket projekteve publike”.
Por, përtej vonesave në marrje informacioni apo në vendimmarrje nga Komisioneri për të Drejtën e Informimit, një problem tjetër, i theksuar nga profesionistët e medias, është edhe mungesa e statusit të vendimit të këtij të fundit si një titull ekzekutiv, që i hap udhë institucioneve që t`i ankimojnë këto vendime në gjykatë dhe ta vonojnë dhënien e informacionit edhe për vite me radhë.
Ky problem vërehet edhe nga z. Matlija. “Aktualisht jemi duke ndjekur në shkallë të ndryshme të gjyqësorit mbi 50 çështje nga ana jonë. Këto janë çështje tonat, si ResPublica, ose që ndiqen nga avokatët tanë për interes të gazetarëve dhe aktivistëve.”
Institucionet problematike, gjithmonë po të njëjtat
“Janë pikërisht ato, të cilat administrojnë burimet natyrore të vendit: Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë dhe Ministria e Turizmit dhe Mjedisit”, – i përgjigjet Artan Rama pyetjes sonë se me cilat institucione ka vështirësi në komunikim dhe në marrje të informacionit publik.
Koloreto Cukali thotë se, “institucioni më “bunker” është Kryeministria”, ndërsa Dorian Matlija shprehet se, institucionet, që janë më problematike, janë grupi i institucioneve të varësisë së pushtetit ekzekutiv, pra drejtoritë e mëdha të varësisë.
Cukali më tej shprehet se, për sa i përket vënies në dispozicion të informacionit, më mirë shfaqen institucionet e pavarura dhe ka përmirësim të ndjeshëm te bashkitë. Por, ky pohim nuk gjen vend në përvojat e Citizens Channel.
“Nga eksperienca jonë [problematike] është Bashkia e Tiranës, ku pjesa më e madhe e kërkesave mbeten pa përgjigje apo marrin përgjigje të pjesshme, edhe kur kalohen nëpërmjet Komisionerit, duke vijuar më tej me AZHT, Kryeministrinë, ministritë etj. Bashkitë e vogla kanë një tendencë pozitive për t`u përgjigjur në kohë dhe me seriozitet”, – thotë ai.
Klodiana Kapo, Drejtoreshë Ekzekutive e Faktoje, vëren se gjatë pandemisë institucionet, me të cilat hasën probleme, kanë qenë Ministria e Shëndetësisë, Ministria e Financave, Kryeministria dhe Ministria e Jashtme.
Anila Hoxha thotë se problemet më të shumta i ka vërejtur në marrëdhëniet me Ministrinë e Mbrojtjes në lidhje me kontratat “sekret ushtarak”, por shpeshherë edhe me gjykatat, por këto të fundit për shkak të ngarkesës së theksuar që kanë.
Ndryshime të shumta, por me pak substancë
Në vitin 2022 qeveria dhe Komisioneri për të Drejtën e Informimit paraqitën një amendament të gjerë të karakterit procedural, po ashtu edhe themelor të parashikimeve të ligjit. Ndryshimet e propozuara në këtë draft “synojnë që të përmirësojnë legjislacionin ekzistues, duke u bazuar në problematikat e hasura gjatë zbatimit të deritanishëm të ligjit, duke marrë në konsideratë edhe sugjerimet dhe propozimet e vazhdueshme, të ardhura nga shoqëria civile dhe qytetarët”, – citon relacioni shpjegues i projektligjit.
Por, gjatë konsultimeve publike u vu re një shpërfillje dhe rrëzim i shumicës së sugjerimeve të dhëna nga shoqëria civile dhe nga vetë gazetarët. Në shumë pak raste gjetën vend komentet dhe sugjerimet e publikut dhe aq më pak në norma themelore për sa i përket punës së shoqërisë civile dhe gazetarëve.
“Drafti sjell përmirësime të vlefshme, por disa çështje kyç, si p.sh., mekanizmat e dëmshpërblimit, bërja e vendimit të Komisionerit titull ekzekutiv apo vendimmarrja e detyruar e Komisionerit për çdo ankesë nuk zgjidhen as në këtë draft”, – shprehet Koloreto Cukali
Në fakt, disa nga ndryshimet themelore në ligj lidhen kryesisht me uljen e masave të gjobave për institucionet publike në rast refuzimi të dhënies së informacionit, një ndryshim, i cili nuk prek themelin e problematikës, duke parë dhe aplikimin e këtyre të fundit nga KPDI, si dhe sigurimin e një titulli ekzekutiv nga vendimmarrja e Komisionerit për të Drejtën e Informimit, por që mund të ankimohet dhe të pezullohet lehtësisht në gjykatë. Kjo, sipas ekspertëve, nuk e ndryshon status quo-në.
Lorin Kadiu e gjen pjesën më të madhe të ndryshimeve si çështje dytësore.
“Çfarë mungon, është se vendimet e Komisionerit duhet të jenë tituj ekzekutivë dhe duhet motivuar marrja e vendimeve nga ana e IDP. Të dhënat tregojnë se gjatë vitit 2021 janë dërguar rreth 900 ankesa, janë marrë vendime vetëm për 4% të tyre dhe në total janë vendosur vetëm 2 gjoba për mosdhënie informacioni”.
“Ne kemi lobuar për të ndryshuar edhe pika të tjera, të cilat ende nuk janë marrë parasysh, si për shembull detyrimi i Komisionerit për të marrë vendim në çdo rast apo përcaktimi i modaliteteve për shpërblimin e dëmit që iu shkaktohet gazetarëve nga vonesa e aksesit në informacion”, – thotë Dorian Matlija.
Shumë prej propozimeve të shoqërisë civile nuk janë pranuar, duke numëruar mbi 15 sugjerime të refuzuara dhe vetëm 2 komente dhe sugjerime të pranuara për ndryshime themelore në ligj.
“Ndryshimet [në ligj] i shërbejnë më së shumti Zyrës së Komisionerit; i japin atij më shumë pushtet, por në praktikë ky pushtet nuk i ka shërbyer së drejtës për informim, por kufizimit të saj, të pamerituar”, – thotë Artan Rama, duke i dhënë vend kohës për të parë, nëse ligji me të vërtetë do të jetë në funksion të individit apo mbylljes së dyerve të institucioneve.
Aktualisht, ligji, si dhe ndryshimet e propozuara, në pritje të miratimit përfundimtar në Parlament, nuk e adresojnë sërish problemin kryesor… vullnetin politik për të zbatuar ligjin dhe pafuqinë e institucioneve të pavarura për t`i detyruar këta aktorë për transparencë.
Ky shkrim është pjesë e projektit Laboratori i Gazetarisë Investigative, që mbështetet financiarisht nga Zyra e Mardhënieve me Publikun e Ambasadës së SH.B.A. në Tiranë. Opinionet, gjetjet, konkluzionet dhe rekomandimet e shprehura janë te autor-it/ve dhe nuk përfaqesojnë domosdoshmërisht ato të Departamentit të Shtetit.