Ndërsa mijëra shqiptarë presin dekada për të legalizuar shtëpitë e tyre dhe të tjerë përfundojnë pas hekurave për ndërtim “të paligjshëm” të koteceve të pulave dhe hapjen e dritareve në pronat e tyre, Qeveria nxjerr vendime arbitrare që i lejojnë biznesmenë të famshëm të lidhur me politikën, që kanë abuzuar me lejet e ndërtimit, të blejnë përsëri pasurinë e ndërtuar në shkelje të ligjit, pa asnjë pasojë penale, duke shkelur kështu edhe premtimin e saj se pronat e konfiskuara do të përdoren për të pastrehët.
Autor: Leonora Sula
Shtëpia e Fiqiri Sefës, në Laprakë të Tiranës, është një banesë modeste, njëkatëshe, e rrethuar nga një bahçe e punuar, ku me shumë mundësi do të mbjellë perimet e sezonit. I ardhur në Tiranë që në vitet `80, fillimisht familja e tij u vendos në fshatin Bërxullë në kryeqytet.
“Në mars të vitit `93 kam ardhur këtu, në Laprakë. Fillova ta ndërtoj vetë shtëpinë, – thotë 48-vjeçari, i cili 20 vite të jetës i ka kaluar në emigracion. – Në Shqipëri gjithmonë si shofer kam punuar”, – shton ai.
Historia e Fiqiri Sefës është një histori që mijëra shqiptarë e njohin, pasi një pjesë të madhe të saj e kanë kaluar edhe vetë gjatë procesit të formimit të shtetit demokratik, shqiptar. Edhe pse banesa e tij është ndërtuar, në një kohë kur shteti ynë pothuajse nuk njihte leje ndërtimi, legalizime etj., edhe pas 30 vitesh familja e tij nuk ka një dokument, që të vërtetojë pronësinë e banesës, ndonëse përpjekjet nga ana e tij nuk kanë munguar.
“Objektin e kam regjistruar që në fillim, kemi bërë kërkesën për lejet e legalizimit.
“Do vijmë sot, do vijmë nesër, na është thënë”, – shprehet ai, duke shtuar se matjet e nevojshme të objektit janë bërë. – “Prisni, se do ua sjellim” dhe nuk na e kanë sjellë. Më pas u bë rruga e Unazës së Re dhe u bllokua komplet procesi”, – tregon më tej zoti Sefa, duke shtuar se certifikata e pronësisë nuk doli kurrë.
“Ndërroheshin qeveritë, vinin e gënjenin, kërkonin shumë para. Një leje legalizimi shkonte 7 deri në 8 mijë euro”, – thotë ai, duke treguar se në atë kohë nuk kishte mundësi që të paguante një shifër të tillë. I gjendur përballë kësaj situate, 48-vjeçarit i humbi shpresa se mund të kishte në dorë certifikatën, që vërtetonte se familja e tij e zotëronte objektin, që kanë ndërtuar e ku kanë banuar për 30 vite.
“Nuk jam interesuar më, thjesht vinin, madje edhe para dy vitesh kanë ardhur dhe ma kanë matur shtëpinë e më thanë: “Mbaje telefonin hapur, kur të të marrim ne, do të vish, të bësh pagesën”. Nuk morën”, – thotë ai, duke shtuar se nuk ka asnjë informacion se pse nuk është bërë i mundur legalizimi. Institucioni i vetëm, ku 48-vjeçari ka trokitur për të marrë informacion, është Kadastra.
“Më kanë thënë: “Prisni, do vijmë t`ua matim shtëpitë, jemi në proces”, – shprehet ai, duke hedhur edhe hije për korrupsion në këtë institucion, pasi sipas tij disa kërkonin para ose duhet të kishe ndonjë të njohur për ta futur mik, në mënyrë që të të ndihmonte.
“I kam të gjitha faturat, kur kemi dërguar letrat për proces legalizimi. Banesa është në emër të babait tim, Dervish Sefës. Unë kam dy vite që nuk marr asnjë përgjigje, pasi, që kur erdhi rruga e Unazës, u bllokua komplet dhe thanë që “tani ju jeni jashtë loje”, – përfundon ai.
Por, familja e Fiqiri Sefës nuk është e vetmja që e ka këtë problematikë. Në vendin tonë janë me mijëra qytetarët që e vuajnë këtë situatë. Sipas revistës Monitor, në një shkrim të vitit 2021, objektet, pronarët e të cilave kishin realizuar vetë-deklarimin, në përpjekje për t’i legalizuar, ishin 320 mijë, nga këto vetëm 210 mijë u legalizuan, ndërsa në proces mbeteshin edhe 110 mijë të tjera e nga këto 60-70 mijë ishin të palegalizueshme.
Ndërtimet pa leje, shteti me dy standarde, fal biznesmenët, ndjekje penale për qytetarët
Në shtator të vitit 2022 qeveria shqiptare miratoi një Vendim të Këshillit të Ministrave për rregullat dhe procedurat për konfiskimin për interes publik të objekteve të ndërtuara pa leje dhe për qëllim fitimi. E thënë thjesht, biznesmenëve të ndërtimit, që kishin ndërtuar më shumë sesa leja ua lejonte, do t’iu sekuestrohej ndërtimi mbi lejen dhe do iu jepej mundësia që ta blinin këtë hapësirë me një vlerë jo më poshtë se ajo e tregut, si dhe të paguanin një gjobë.
Por, ky trajtim nuk është i njëjtë për qytetarët e thjeshtë, të cilët kanë përfunduar para gjykatave, sipas parashikimit të Kodit Penal në fuqi. Sipas nenit 199 të Kodit Penal, i cili përcakton se, “Ndërtimi i paligjshëm i një objekti në tokën e vet dënohet me gjobë ose me burgim deri në një vit. Po kjo vepër, e kryer në tokën publike ose shtetërore apo në tokën e tjetrit, dënohet me burgim nga një deri në pesë vjet. Po kjo vepër, kur ka sjellë pasoja të rënda apo e kryer për qëllime fitimi, dënohet me burgim nga tre deri në tetë vjet”.
Dhe rastet e qytetarëve, që janë ndjekur penalisht dhe janë dënuar, nuk janë të pakta.
Sipas kësaj VKM-je, ndërtimet e konfiskuara mund t’i transferohen me të drejtë parablerjeje subjektit zhvillues të objektit apo çdo subjekti të autorizuar prej tij, për një vlerë jo më të vogël se çmimi i tregut dhe fondet e siguruara përdoren për shpronësim, trajtim të posaçëm apo kompensime me qëllim realizimin e punëve publike.
Sipas zyrës së Prokurorit të Përgjithshëm të Republikës, prej vitit 2012 deri në 9-mujorin e parë të vitit 2022, numri i qytetarëve të marrë të pandehur për ndërtim të paligjshëm është 8.859. Nga këta qytetarë, 5.585 janë dënuar sipas parashikimeve të nenit 199 të Kodit Penal, ndërsa pjesa tjetër ka fituar pafajësinë.
Rastet e ndjekjes penale edhe të moshave të mëdha për shkak të ndërtimit pa leje, qoftë edhe të një koteci pulash, nuk kanë munguar. I tillë është edhe rasti i 82-vjeçares nga Narta e Vlorës, që u bë i njohur publikisht, ku për shkak të rindërtimit pa leje të kotecit ekzistues të pulave u përball me togat e zeza të gjykatave.
Shpikja shqiptare, VKM mbi ligjin, ekspertët: I vetmi institucion, që mund të sekuestrojë, është gjykata
“Përveç përgjegjësisë penale, për të gjithë personat, që kryejnë këtë lloj kundërvajtjeje administrative apo penale, mund të fillojë procedimi penal”, – shprehet avokati Saimir Visha, i cili shton se Shqipëria ka ligjin material, ku çdo ndërtim pa leje të organeve kompetente konsiderohet vepër penale.
“Pasi kryhet vepra penale, mund të fillojë sekuestrimi, konfiskimi apo prishja e tij”, – thotë zoti Visha, duke shtuar se, paralelisht jemi i vetmi shtet në botë që, përveç ligjit, kemi edhe akt normativ, sepse VKM, pavarësisht se ka fuqinë e një ligji, është një akt nënligjor dhe, për sa kohë kemi ligjin, mbizotëron ai dhe jo akti. “Por, si çudirat që ndodhin këtu. Aktualisht kemi nxjerrë një VKM dhe kjo VKM duhet të shfuqizohet vetëm nga Gjykata Kushtetuese, pasi ligji për ndërtimet pa leje ekziston”, – përfundon ai.
Edhe për ish-prokurorin, Eugen Beci, kemi të bëjmë me paralelizëm, sepse çështja penale është e pavarur nga çështja administrative.
“Organi i vetëm në Shqipëri, që merret me sekuestro dhe konfiskime, është gjykata, jo qeveria, përveç rasteve kur kemi të bëjmë me akte terroriste”, – thotë ai.
Ish-prokurori Beci thotë se për dikë, që ka bërë ndërtim pa leje, fillimisht duhet të vijë çështja penale njëherë dhe pastaj ajo administrative.
Për ish-përfaqësuesin e organit të akuzës justifikimi i qeverisë se drejtësia nuk po e bën punën si duhet, nuk vlen, duke thënë se duhet të ishin bërë kallëzime penale.
“Do të ishte më korrekte, më e ligjshme dhe më demokratike. Qeveria nuk mund të thotë që, meqë s’po punon gjyqësori, po e zëvendësoj unë. Kjo nuk bën sens”, – thotë ai.
Por, a është një rrugë shpëtimi nga ndjekja penale mundësia, që iu jepet ndërtuesve, për ta blerë pjesën e ndërtimit pa leje?
Avokati Ledio Braho shprehet: “Jo, nuk është rrugë shpëtimi. Vetë neni 52 i ligjit nr. 107/2014 “Për planifikimin dhe zhvillimin e territorit”, i ndryshuar, në pikën 1 të tij parashikon ndër të tjera se “në kuptim të këtij ligji, shkeljet e mëposhtme, pavarësisht nëse përbëjnë vepër penale, përbëjnë kundërvajtje administrative dhe dënohen”, – thotë ai, duke shtuar se konfiskimi apo e drejta e parablerjes, që iu njihet shkelësve të ligjit, është komplementare në raport me procedimin penal.
Edhe pse u identifikuan objekte shumëkatëshe pa leje në zemër të kryeqytetit shqiptar, asnjë zyrtar, që duhet t’i kishte ndaluar këto ndërtime, nuk është proceduar penalisht. Braho shprehet se është përgjegjësi e IKMT-së, që rast pas rasti të marrë masat për procedime disiplinore për zyrtarët përgjegjës në varësi të saj apo inspektorëve vendorë, që janë në varësi të pushtetit vendor dhe, nëse konstatohet se ka probleme dhe elemente të veprave penale, patjetër që duhet të procedohet edhe me kallëzime penale.
Qeveritarët habiten për ndërtimet pa leje në kryeqytet, por në prokurori ka vetëm 1 kallëzim
“Ky është shembulli më flagrant, simbolikë e shkeljes së ligjit. 2 kate nën tokë dhe 7 kate mbi tokë, 9 kate ndërtim pa asnjë letër. Se si kjo ka ndodhur, është një mister për ne”, – kjo është ajo që do të deklaronte në shtator të vitit 2022 ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, në ditën e parë të nisjes së aksionit qeveritar për sekuestrimin e hapësirave pa leje.
Deklarata e ministres u bë nga Farka, duke i habitur të gjithë me misterin që rrethonte ngritjen e këtij pallati pa leje, pasi logjika e një shqiptari mesatar nuk mund të pranojë, as që organet shtetërore nuk e kanë parë e as shprehjen se kanë mbyllur një sy dhe një vesh, por, ajo që mund të pranojë logjika, është se janë bërë të verbër me vullnet të plotë.
E pyetur zyrtarisht në lidhje me kallëzimet penale, të bëra në organet e prokurorisë, IMT, Tiranë shprehet se, ky institucion ushtron detyrat dhe përgjegjësitë ligjore, bazuar në Ligjin Nr. 9780, datë 16.07.2007 “Për Inspektimin dhe Mbrojtjen e Territorit nga Ndërtimet e Kundërligjshme” (i ndryshuar), V.K.M Nr. 408, datë 13.05.2015 “Për miratimin e Rregullores së Zhvillimit të Territorit”, Ligjit Nr. 1 07/2014, datë 31.07.2014 “Për Planifikimin dhe Zhvillimin e Territorit” (i ndryshuar), VKM nr. 894, datë 04.11.2015 “Për unifikimin e procedurave të kontrollit të territorit nga Inspektorati Kombëtar i Mbrojtjes së Territorit dhe Inspektorati Vendor i Mbrojtjes së Territorit”.
“Si organ kompetent për identifikimin dhe ndëshkimin e subjekteve, të cilat nuk e respektojnë legjislacionin në fuqi në fushën e ndërtimit, ju bën të ditur se ka identifikuar çdo objekt të paligjshëm dhe kundrejt tyre janë marrë masat”, – shprehet zyrtarisht IMT për ACQJ.
Por, e vërteta është krejt ndryshe. IMT, Tiranë, jo vetëm që nuk e ka bërë detyrën e saj për identifikimin e ndërtimeve pa leje në kryeqytet, por është bërë qorre dhe shurdhe përballë tyre.
E pyetur zyrtarisht, Prokuroria e Tiranës bën të ditur se për vitin 2022 Bashkia e Tiranës dhe IKMT-ja kanë depozituar vetëm një material, i cili është referuar për ndërtim pa leje. Por, kundër IMT Tiranë janë edhe vendimet e IKMT-së, e cila sekuestroi si ndërtim pa leje bazuar në VKM-në e miratuar nga qeveria shqiptare 71.989 metra katrorë në kullat dhe pallatet e ndërtuara dhe në ndërtim në kryeqytet.
Në një bilanc të bërë për ACQJ, Prokuroria e Tiranës shprehet se gjatë 10 viteve të fundit pranë saj janë regjistruar 2.436 procedime penale për shkelje të nenit 199/a të Kodit Penal, nga të cilat 1.046 janë dërguar për gjykim.
Ndërsa IKMT bën me dije se prej vitit 2016 deri në vitin 2022, ka marrë 1.241 vendime për prishje objekti, 997 vendime për dënime me gjobë dhe ka kryer 3.528 demolime objektesh.