Autor: Aurora Shpataj
Jeta e Flamur Balës, një ndër ata qytetarë me aftësi të kufizuara nuk është aspak e lehtë. I lindur me aftësi ndryshe jeta e Flamur është e lidhur ngushtësisht me qytetin e Durrësit, aty ku ai rrëfen se sa e vështirë është përdorimi i rrugës jo vetëm për të, por edhe për të tjerë që në të njëjtin qytet si persona me aftësi ndryshe raportohen 3290 shtetas.
“Në qytetin tim mungojnë, por kryesisht për personat me aftësi ndryshe mungon aksesueshmëria, lëvizhmëria përshtatshmëria e trotuarve është e dobët. Kjo është një ndër problematikat më të mëdha që hasim. Për personat që lëvizin me karrocë, nënat që lëvizin fëmijët me karrocë, për të moshuarit, për të verbrit. Pasi trotuaret nuk kanë pjerrëtësi të duhur për të kaluar mjetet lëvizëse, por nuk kanë as vizime që duhen për njerëzit e verbër. Janë disa pllaka që vendosen nga fillimi e deri në fund të trotuarit me disa gdhëndje të vizuara që matin ndjesinë e shkopit, pra tregon kërcitjen e shkopit që përdorin personat e vërbër për të lëvizur.”
Kjo e ka impaktuar direkt rutinën e tij ditore, e cila nis me përshtatjen e automjeteve për personave me aftësi ndryshe dhe që vijon si administrator pallati.
“Unë e shikoj që shumë persona me aftësi ndryshe nuk dalin për shkak të kësaj problematike që është shumë e madhe se Durrësi nuk ka përshtatshmëri nëpër trotuare. Se Durrësi nuk është vetëm 2-3 rrugë është shumë i gjerë, është rruga e spitalit e cila është skandal, rruga e tregut, lagjia 17, 15, 16, gjithë periferia është e papërshtatur.”
Por a mungojnë rampat në qytetin e Durrësit? 33 vjecari ka siguruar informacion dhe është i bindur se gjithë qyteti ka gati 50 deri në 60 të tilla. Por ato nuk i plotësojnë kriteret
“Mua më dalin dhe në ëndërr se aq shumë i kam parë, aq shumë sa i kam shkelur. Nuk dua të jem ekzagjerues, e as fallso dua të jem original. Jo të gjitha janë të papërshtatura, por shumica e tyre janë të papërshtatura” rrëfehet Flamur që sygjeron të mos ndërtohen me pjerrtësi të theksuar.
“Zona e Vollgës nga Veliera e deri nga fundi është e përshtatur, pastaj pjesa e Currilës është e papërshtatur, e përshtatur është dhe rruga “Egnatia”. Aty jam i kënaqur se janë respektuar dhe vijëzimet për të verbërit pavarësisht se nuk janë mirëmbajtur. Është dhe sheshi edhe bulevardi Dyrrah, ndërsa rruga “Aleksandër Goga” është e përshtatur deri tek Pranvera, por jo plotësisht se ka disa defekte. “
Sipas të riut problemet që hasen në rrugët e Durrësit lindin nga indiferenca.
“Nëse ti e ke bërë rampën si bashki, si institucion ose si kompani që ka fituar tenderin e ke bërë në fillim duhet ta kishe bërë dhe në fund të trotuarit se ti hipën në rampë e shkon në fund të trotuarit e shikon në fund lartësi. Kanë harruar për ti bërë në 3 a 4 vende, por i kanë bërë tepër të larta tek rruga “Aleksandër Goga” janë rampat që janë bërë më me defekte. Pjesërisht tek Pranvera janë bërë disa rampa, por janë bërë me shumë defekte, pra nuk e quan dot një zonë që është okay.”
I qartë duke renditur përgjegjësit, 33 vjecari nuk lë pas vëmendjes edhe institucionet në të cilat gjithashtu mungon rrugëkalimi për karrocat.
“Janë një skandal i vërtetë, totalisht të papërshtatura asnjë lloj aksesueshmërie nuk na ofron. Pikë së pari bashkia e Durrësit, ALUIZNI, perfektura, UKD, OSHEE tani është bërë zyra e re me rampa, por zyrat periferike janë të gjitha pa rampë, dhe ISSH është e papërshtatur vetëm në katin e poshtëm ka se në katet e tjera nuk ka, tek tatimet është pa rampë.”
Durrësi pa rampa sjell vështirësi për të qarkulluar edhe gjatë transportit publik. Krahasimi që bën Flamur ka si model Italinë, aty ku urbanët janë të përshtatur me rampa.
“Ndërsa këtu po të njëjtët autobuzë, po të njëjtët urbanë janë marrë përdoren për qytetarët, ndërkohë personat më aftësi ndryshe është mollë e ndaluar. Pasi rampat janë vidhosur me vida nga kompanitë që i kanë marrë pasi përtojnë që të zbresin për të hapur rampën e kjo është diskriminuese, është turp, gjëja me e keqe që mund të bëjë një kompani. Kështu që bashkia e Durrësit duhet të mos mbyllë sytë e ta shqyrtojë edhe njëherë lejen që ju është dhënë këtyre kompanive, pasi është turp që në vitin 2023, kur dua të shkojmë drejt Europës të kemi autobuzët pa rampa.”- përfundon së treguari Flamur.
Në përpjekje për ta kthyer në një kazus gjithë këtë ngërç, Flamur ka nisur kontaktet me bashkinë e qytetit. Ai tregon që edhe pse ka kontaktuar me bashkinë Durrës reagimi lë për të dëshiruar. Ai përmend një bisedë më zyrtaren e pushtetit lokal ku ka ofruar vullnetarizëm për të mbikëqyrur automjetet, sa kohë i riu është mekanik dhe fare mirë mund ti përshtasë mjetet për personat me aftësi ndryshe. Sinjalizo kontaktoi nëpërmjet një kërkese zyrtare për informacion me Bashkinë Durrës mbi situatën e rampave që raportohet se janë 85 rampa në rrugët e rikualifikuara dhe 23 rampa në rrugët e parikualifikuara.
“Si numër invalidesh sipas kategorive janë: 3290 persona me aftësi të kufizuar, 796 persona me Statusin e të Verbërit, 420 persona me Statusin e Para e Tetraplegjik dhe 5329 Invalid Pune.”- shkruhet në përgjigjen zyrtare të Bashkisë Durrës.
Por, përsa i përket vlerës monetare, bashkia nuk ka pranuar të japë një shifër, por jep përgjigjen si mëposhtë.
“Përsa i përket vlerës së parashikuar për ndërtimin e rampave, sic jua sqaruam një projekt rikonstruksioni rruge në projekt dhe preventiv parashikohet dhe ndërtimi i rampës e cila është pjesë e trotuarit dhe nuk mund të trajtohet më vete, ato janë pjesë e investimit të rrugëve, janë në një preventiv me rikonstruksionin e rrugës.
Por Flamuri i kthyer në një ekspert llogarit se sa kushton një rampë.
“Unë e kam thënë me qindra herë që është dicka që zgjidhet nëqoftëse një rampë bëhet nuk është harxhim, nuk është kosto, është kursim. Cdo trotuar që bëhet shtrohet me pllaka, shtrohen dhe bordurat finale që shërbejnë për finalizimin e trotuarit. Një bordurë minimalisht kushton nga 20-30 mijë lekë të vjetra. Me ato lekë nuk ke nevojë ti shpenzosh të blesh një bordurë, por kursen një bordurë e bën një rampë. Pra pllakat janë që janë thjesht i bën me nivelin zero dhe ti nuk ke nevojë me ble një bordurë, pra bëj minus qindra bordura dhe ndërtojmë qindra rampa.”