Blegtoria, puna e moshës së tretë dhe për të mbijetuar

Autor: Denis Tahiri

Me bagëtitë kam rritur fëmijët dhe ato më mbajnë gjallë. Aplikova për skemën kombëtare 2022 për bagëtitë e imëta. Kam 40 të tilla. Në listën paraprake rezultoi që isha fitues, dhe përpara zgjedhjeve më telefonuan një grup i AZHBR për të verifikuar deklarimet që kisha bërë në formular nëpërmjet e-albania. Më pas ata erdhën në stan dhe rëndësi të veçantë i kushtuan numrin të bagëtive që unë kisha vendosur. Në datë 20 maj telefonova numrin publik falas të AZHBR për ti pyetur a ishin hedhur apo jo paratë si përfitues dhe operatorja mu përgjigj që lekët do më hidhen kur të përfundojnë verifikimet në të gjithë vendin”.

Kështu shkruan për “SINJALIZO”,  Fatriu që prezantohet si një fermer nga fshatrat e Lushnjës, dhe që nën  shqetësimin se skema e mbështetjes po vonohet , i moshuari ngre edhe problematika të tjera përsa kohë emri i tij është listuar si fitues,  por mbështetja financiare nuk duket afër. “Si  fermer shpreh pakënaqësinë sepse tarifa për një kre është 10 mijë lekë , ndërkohë që çmimet e barit janë rritur. Kemi nevojë për ndihmë reale dhe jo për lëmoshë.  E dyta , vonesa e hedhjes së lekëve është e tepruar”- shton Fatriu, i cili kujton se fiton për herë të dytë mbështetje nga shteti, por që biznesi familjar i blegtorit e ka kthyer atë dhe rrethin familjar në kushte mbijetese e sakrifice. “Nuk kam asnjë mundësi të punësoj një bari, kështu që pothuajse çdo ditë të vitit jam pas tyre, janë e vetmja mundësi që të mbaj familjen dhe të rris fëmijët e fëmijëve” mbyll ankesën i moshuari, emri i të cilit publikohet i ndryshuar nga “SINJALIZO”. Gjatë intervistës,  ai shton se me paratë që i depozitohen në llogarinë bankare, ai ka planifikuar të parapaguaj ushqimin dimëror që e blen nga bashkëfshatarët.

Rezulton se për këtë skemë aplikuan rreth 9 mijë fermerë, që krahasuar me vitin e kaluar janë 2 mijë më tepër shtetas që kërkojnë ndihmë për subvencion në blegtori. Megjithatë bujqësia dhe blegtoria vijojnë të jenë një investim i moshës së tretë dhe jo i të rinjve. Në jug të vendit , në një nga fshatrat në kufi me Greqinë, një nga adoleshentët e kontaktuar nga “SINJALIZO” rrëfen se mezi pret të largohet . Adoleshenti nuk e shikon veten të lidhur me bujqësinë dhe me blegtorinë. Në shtëpitë që dikur gëlonin nga zërat e banorëve të tyre, godinat ngjajnë si objekte të braktisura.  Nëpër shtëpitë e fshatit, ende duken qartë gjurmët e stallave të bagëtive, struktura druri, me çati të mbuluar me bimë fieri të butë. Dikur ato shërbenin për mbajtjen e mijërave kafshëve, kryesisht dele dhe dhi.

T. H, 85 vjeç sot, kujton se kur u prish kooperativa dhe kafshët ju shpërndanë banorëve të fshatit, çdo shtëpi mori si dhi ashtu edhe dele. “Ne na ranë 8 dele dhe 12 dhi”, shprehet i moshuari.

Gjithkush bëri stallat e tij dhe u vu një çoban që ishte për një lagje në fshat. Çdo lagje kishte çobanin e saj, për dhitë, ndërsa delet i mbanin vet”, tregon ai, duke shtuar se tashmë në fshat janë gjithësej 5 tufa, dy me dhi, dy me dele dhe një me lopë.

Sipas Institutit të Statistikave në vitin 2021, numri i të leshtave në Shqipëri është 1,48 milionë krerë. Kategoria kryesore e të leshtave përbëhet nga delet e qumështit me rreth 75,38%. Ndërkohë numri i të dhirtave në vitin 2021 ishte 775,337 krerë, ku 77.26% e tyre janë dhi qumështi. Nga ana tjetër, numri i krerëve të derrave ishte 159,237 krerë.

Për mbarështimin e gjedhit për vitin 2021, shifrën më të lartë e ka qarku i Fierit me 17.25% dhe Korça me 11,13% ndaj numrit gjithsej të krerëve. Ndërkohë qarku i Vlorës dhe ai i Korçës ka numrin më të lartë të të leshtave, respektivisht 23,74% dhe 16,51%.

Blegtoria ndër dekada

Sipas një shkrimi të gazetaShqiptare.al Shqipëria në vitin 1938 kishte 54 mijë kuaj, 10 mijë mushka, 391 mijë gjedhë, 21 mijë buaj, 1 milion e 574 mijë dhen, 932 mijë dhi. Shifra këto të cilat në Shqipërinë e 2023, raportohen shumë herë më pak .

Fakti që tashmë sektori i blegtorisë është në krizë, nuk është më diçka që mund të diskutohet. Në vitin 2017, në vendin tonë numëroheshin 475 mijë gjedhë, ndërkohë një vit më vonë në statistikat, do të vihej re një rënie me 8 mijë gjedhë më pak. Ndërsa viti 2019 do të shënonte një tjetër zbritje, por këtë herë me një shifër shumë më të madhe, ku në total në krahasim me 2018, do të numëroheshin 51 mijë gjedhë më pak. Pothuajse i njëjti ritëm do të ndiqej edhe në 2020, ku vendi humbi edhe 53 mijë gjedhë të tjerë. Ndërkohë nga viti 2020 deri në 2021, do të shënohej një tjetër rënie prej 26 mijësh.

Një trend i ngjashëm shihet edhe në të leshtat, ku nga 1.925.000 në vitin 2017, shifra do të zbriste në 1.480.000 në 2021. Shifër kjo e cila do të thotë që vendi ka humbur plot 445 000 mijë kokë të leshta. Rënie ka edhe numri i dhive në vend, ku në vitin 2017 raportoheshin zyrtarisht 933 000 të dhirta, ndërkohë në vitin 2021 numri do të zbriste në 775 mijë, ku brenda 4 viteve, do të numëroheshin 158 000 dhi më pak në vend.

Të vetmet që rezultojnë me rritje nga viti 2017 deri në 2021 janë kosheret e bletëve. Në 2017 në Shqipëri ka patur vetëm 290 000 koshere bletësh, ndërkohë në 2021 kjo shifër ka shkuar në 394 000.

Ekspertët: Po ndiqet politikë e gabuar

“Arsyeja e parë është për mua, politika e incitivimit që u orientuan për fermat e mëdha në një kohë që ne jemi një vend me një 80% blegtori eksesive dhe kemi kushte toke dhe nje ekonomi e tillë që ne mund të kemi në territorin tonë  10 ose 20 ferma të mëdha për karakteristikat, për sasinë e vogël të tokës dhe po të bëhej një analizë me ekspertë të fushës dilet se duhet të mbështesnim edhe blegtorinë eksesive”, thotë ish- kreu i Sindikatës së Fermerëve, Eduart Sharka. Ai  shton më tej se, duhet mbështetur edhe fermeri që mban 2 lopë sepse sipas mendimit të tij blegtoria ka një veçanti, duhet të ketë sasi optimale dhe që të dalë rentabël. “Një fermer që mban dy lopë, ka 2 hektar tokë, mbjell grurë, por kashtën e përdor për lopët”, thotë eksperti duke dhënë një shembull konkret.

Zoti Sharka thotë se edhe politika fiskale është e gabuar. Sipas tij, grumbulluesit nuk kanë më interes të blejnë te fermerët pasi e blejnë me zero TVSH produktin dhe nënproduket që nxjerrin nga qumështi i shesin me TVSH, që i bie tatim mbi xhiron. Kjo sipas tij solli ndryshim kursi.  “Ky taksim shkel ligjin për TVSH, shkel kushtetutën është taksim i padrejtë. Sot tregu i prodhimeve bujqësore dhe blegtorale është 90% informal për shkak të gafës së TVSH. Vetëm prej gafës dhe ajo që na çudit shumë dhe është për tu shqetësuar është se ne e kemi thënë se në rast se barazohet TVSH, buxheti i shtetit fiton. Ato subvencione që do të japë, i merr nga formalizimi i këtij sektori”.

Por faktor që është duke ndikuar ndjeshëm në numrin e gjedhit dhe të imtave në Shqipëri është edhe mosdëshira e brezit të ri për tu marrë me bujqësi.  “Brezi që ishte marrë me blegtori u plak, mirëpo një i ri nuk ka dëshirë të merret sepse për momentin është biznes i pasigurtë, i pasubvencionuar nga shteti”, thotë ai, duke shtuar se në Shqipëri duhet të bëhesh çoban, të rrish në mal dhe ta shesësh qumështin nën kosto. “Edhe në rast se të ngodhin bagëtitë nuk të subvencionon kush. Maqedonia që është më e afërta, në rast se ka krizë në treg, që është oferta më e madhe se kërkesa i blen shteti me çmim mesatar tregu me qëllim që mos të shkëputen blegtorët”, përfundon ai.

Edhe Kapllan Sulaj, profesor në Universitetin Bujqësor të Tiranës, bie dakort se s’ka të rinj ose të brezit të mesëm që mund të merren me blegtori, që ti mbarështojë të imtat e mos ti mbajnë në tufa në rritje jo ekstensive ose rritje natyrore.

“Të merresh me të imta do të thotë që të shpenzosh një pjesë të jetës jashtë, të rrish nëpër stane, do rrish jashtë shtëpisë, ndërsa të merresh me lopë, mund të kryesh aktivitete që janë pranë familjes”, thotë ai,  duke shtuar se gjedhi në Shqipëri nuk shtegton, por kryesisht mbahet në ferma. Për profesorin, një tjetër faktor i cili ndikon është edhe mungesa e kreditimit në këtë sektor. Por edhe turizmi është një tjetër faktor që ka ndikuar sipas tij.

“Është se është rritur konsumi, psh. Në zonën e bregdetit gjatë verës ku ka më shumë turistë, është rritur konsumi”, shprehet zoti Sulaj,  duke shtuar se mbështetja për të rinjtë që duan të bëhen pjesë e këtij sektori,  duhet të fillojë  të 100 mijë euro e lartë.

 

Ky artikull u krijua bazuar në të dhëna të siguruara nga individë që kanë zgjedhur të ngrenë zërin. Ndani historinë tuaj, fuqizojini të tjerët dhe bëhuni faktor për ndryshim. Vizitoni faqen: www.acqj.al/sinjalizo-dhe-ti/
What's your reaction?
0Smile0Lol0Wow0Love0Sad0Angry
Qendra Shqiptare për Gazetari Cilësore
Rruga Pjetër Budi, 69

Tiranë, ALBANIA


Telefon: +355 (0) 6 8856 3686
Email: info@acqj.al

Investigative Network Albania

Teksti zyrtar është versioni në shqip i faqes së internetit. Kjo faqe përdor përkthim automatik përmes mjeteve të inteligjencës artificiale. Pavarësisht se ky përkthim është i një cilësie të lartë, rastis që të ketë dhe gabime dhe keqkuptime në kontekstin e produkteve. Duke qenë se është një teknologji e cila përmirësohet me kalimin e kohës, shpresojmë të qendroni me ne ndërkohë që perfeksionojmë këtë shërbim.

Copyright © 2024 Giljana Limani.  All Rights Reserved.

Copyright © 2024 Giljana Limani.  All Rights Reserved.

Newsletter