Autor: Denis Tahiri
Sektori që ka vetpunësuar më tepër shqiptarët është bujqësia, e megjithatë të ardhurat nga kjo fushë janë minimaliste. Për më tepër që mbështetja e tyre vijon të jetë e pallogaritshme sa kohë më tepër fitojnë institucionet që orientojnë politikat zhvilluese dhe monitoruese. Në Lushnjë, e njohur dikur si hambari i Shqipërisë, sfidat me të cilat po përballen fermerët janë të përditshme dhe të vështira. Mes krizës se ku do ti shesin prodhimet por edhe problemit për të siguruar fuqi punëtore, shumë fermerë janë orientuar tek serat. Por për Arturin , 63 vjec punimi i tokës kërkon krahë pune
“Fuqia po më bie, subvencionet janë minimaliste për mos të thënë inegzistente, teknologjia e vjetër që përdorim. Se të vendosësh teknologji do shumë financim, por edhe mungesa e orientimit”, thotë fermeri për SINJALIZO.
Por 63 vjeçari nuk është i vetëm në betejën për të kultivuar dhe marrë benifite nga toka. Sipas të dhënave të INSTAT, rreth 34% e të punësuarve në Shqipëri, janë të angazhuar në sektorin bujqësor. Në fakt rezulton se në 2012 ka patur një përqindje akoma më të madhe, me rreth 46% e të punësuarve në të gjithë vendin.
Fermerët nga sa kuptohet po orientohen drejt kultivimit të pemëve frutore. Në vitin 2021 rezulton të jetë rritur me 4.92% kjo tendencë. Ndërsa në 2021 prodhimi i pemëve frutore arriti në 287,210 tonë.
Por edhe tek frutoret hasen probleme
“Niveli më i lartë i prodhimit të pemëve frutore u arrit në qarkun e Korçës me 89.753 tonë, pasuar nga qarqet Elbasan me 39.118 tonë dhe Fier me 33.774 tonë. Grupi i pemëve frutore me farë zë 45,43 % të prodhimit, peshën kryesore në këtë grup e zë prodhimi i mollëve me 85,25 %. Qarku i Korçës zë 66,02 % të prodhimit të mollëve gjithsej në vend”, konkludon INSTAT.
Të dhënat tregojnë se mollët dhe ulliri e vaji i ullirit janë nga produktet të cilët tashmë kanë kaluar kërkesën e tregut vendas, dhe ky mbiprodhim ka sjellë ngërç.
Për pedagogun e Universitetit Bujqësor të Tiranës, Drini Imami, shkak për këtë është skema mbështetëse. “Arsyeja se pse ka patur rritje të madhe të prodhimit në këto sektorë ka qenë skema mbështetëse. Para shumë vitesh u dhanë shumë lekë për të shtuar sipërfaqet, pa bërë një analizë se sa duhet për të plotësuar kërkesën e brendshme të tregut dhe nëse do të duhet të eksportojmë se si do të jetë strategjia”, thotë ai, duke theksuar se është me rëndësi që skema mbështetëse të jenë të bazuara në studime të përditësuara për ti orientuar fermerët sa më mirë.
Hafuz Domi, ekspert i frutikulturës dhe kreu i ADAD Malorë, shprehet se sektori i frutikulturës në bujqësinë shqiptare ka disa probleme kryesore, ku problemi me mbiprodhimin në disa kultura të caktuara nisi pas 2015.
“Unë e kam thënë dhe e them gjithmonë, Ministria e Bujqësisë duhet të ketë një departament të menaxhimit të krizave dhe të bëjnë një analizë për prodhimin dhe për projeksionin e të ardhmes, kjo gjë nuk ekziston”, shprehet ai. Shembulli konkret për këtë situatë është prodhimi i vajit të ullirit gjatë vitit të kaluar. “Ne nuk dinim ku ta conim, pra nuk kishte një analizë që të thuhej që në 2022 rritet prodhimi i vajit të ullirit dhe të ishte punuar për gjetjen e tregut”.
Për mollët u përsërit e njëjta krizë. Flakja e tyre ishte dëshpëruese. Eksperti i frutikulturës shprehet se Shqipëria mund të eksportojnë mollë vetëm në tregun e lindjes, pasi eksporti kërkon disa kushte. “Kërkon sasi të një variateti, minimale, në këtë nuk e disponojmë, pasi janë fermat të vogla dhe që ta disponosh duhet të përgatitesh që tani, duhet të bësh pjesën e çertifikimit të paketimit etj”, thotë Domi duke shtuar se kostot e bujkut shqiptarë janë shumë më të larta se sa në rajon dhe në Europë. “I vetmi vend që mund të eksportonim ishte Egjypti, por nuk eksportohet sepse ka taksa të larta. Është eksportuar diçka nëpërmjet tregëtarëve grek, por nuk ka shkuar si mollë shqiptare, por si mollë greke”, përfundon ai.
Për burokracitë në procesin e çertifikimit të prodhimit bujqësor shqiptar flet edhe Zef Gjeta, specialist i bujqësisë. “E para ndodh sepse perëndimorët e ruajnë veten, kërkojnë dokumenta. Ata vet si administratë i pajisin kollaj, ndërsa te ne duhet të shkosh nga një portë në një tjetër, nga drejtoria e bujqësisë te dhoma e tregëtisë, nga kjo te ajo, çertifikatë origjine, iso etj. Këto e pengojnë fermerin shqiptar të shkojë në tregun europian”, thotë ai, duke risjellë edhe njëherë në vëmendje rastin e vajit të ullirit, për të cilin thotë se është i njëjtë si te ne, ashtu edhe në Itali dhe në Greqi. “Ne një rajon jemi dhe ata e ambalizhojnë, e shesin në çmime të larta në standarte të larta, ne nuk e shesim dot as si lëndë të parë”, tregon ai.
Problemet e një sektori jetik
“Qëllimi i mbështetjes financiare, nga njëra anë synon lehtësimin e barrës me të cilën ndeshen fermerët dhe nga ana tjetër skemat mbështetëse synojnë ti orientojnë fermerët drejt aktiviteteve në përputhje me nevojat e tregut”, shpjegon Drini Imami. Ai shton se problemi më i madh që ka sot sektori bujqësor është se është shumë i nënfinancuar. “Ka më pak mundësi për t’u përballur me sfidat e kohës, si ishte covidi dhe lufta e Ukrainës, sepse kur ke më pak mbështetje ke më pak mundësi për ti përballuar dhe prandaj shumë e kanë braktisur bujqësinë . E treta, qeveria duke mos vendosur mjaftueshëm burime në dispozicion nuk ka mjaftueshëm instrumenta për ti orientuar drejt zgjidhjeve të duhura”, përfundon ai.
Për pedagogun e Universitetit Bujqësore, problemi më i madh që po haset bujqësia shqiptare është zbrazja e fshatit.
“Gjithmonë ka patur një trend të zhvendosjes nga fshati drejt qytetit, por vitet e fundit ka patur përmasa të mëdha. Kjo sjellë që mos të ketë jetë sociale në fshat më, mos të kesh shërbime, mos të kesh më krah punë”, thotë ai, duke shtuar se njeh bujq të sukesshëm por që mendojnë për të lëvizur nga fshati për arsyet e lartpërmendura.
Lëvizjen e njerëzve nga fshati drejt qytetit është tashmë një fenomen i cili është i vërtetuar prej shumë vitesh në Shqipëri, ndërkohë eksperti i frutikulturës shprehet se edhe krahu i punës është tashmë i vështirë për tu gjetur.
“Në prodhim, po ndihet mungesa e krahut të punës pavarësisht se është rritur vlera e shpërblimit, problem ky që ka dalë në 3 vitet e fundit”, thotë ai duke shtuar se kjo vjen edhe si pasojë e një shkalle të ulët mekanizimi.
Bujku është i paorientuar për investimin
Zef Gjeta, specialist i bujqësisë shprehet se jo vetëm që në Shqipëri nuk ka politikë orientuese, por akoma më keq strategjitë ndryshojnë nga viti në vit.
“Ne kemi strategji, kemi hartuar vazhdimisht, 5 vjeçare, 7 vjeçare, me mbështetje edhe nga të huajt por kurrë nuk është bërë pjesë e qeverisë. Është hartuar strategjia e zhvillimit rural, por janë dokumenta që janë vetëm në letër dhe nuk integrohen në politikat e qeverisë”, shprehet ai.
Për zotin Gjeta, një tjetër problem shumë i madh është konsolidimi i tokës dhe e vetmja zgjidhje që ka është pajisja e saj me dokumentacionin përkatës në mënyrë që fermeri kur të aplikojë për fonde të ketë dokumentacionin e tokës. “Me moskonsolidimin e tokës, fermeri se jep dot me qira ose ta shesë ose ta shkëmbejë me dikë në mënyrë që të shtohet sipërfaqja sepse me konsolidimin e tokës është lidhur kultivimi i një bime të caktuar, ujitja etj”.përfundon ai.
Në një analizë të publikuar në 2022, FAO, Organizata e Ushqimit në Kombet e Bashkuara vuri ne dukje se fermerët shqiptarë marrin një mbështetje direkte vetëm 3 euro për hektarë, ndërsa 42 euro shkon për instituciononet dhe entet qe merren me monitorimin e bujqësisë. Të dhënat e publikuara në Monitor, pasqyrojnë një realitet krejt të ndryshëm nga vende të rajonit, ku në Bosnje dhe Hecegovinë 60 euro shkojnë për mbështetjen për fermerin dhe vetëm 6 euro për administrimin nga një shifrër 66 euro për hektarë e dhënë në mbështetje të zhvillimit Rural.
Ndërkohë në Kosovë, 69 euro për hektarë shkojnë për fermerin dhe 54 të tjera për administrimin. Por edhe pse shifrat janë më të larta në rajon, në krahasim me Europën, vendi ynë mbetet shumë larg. Në BE nga 446 euro/hektarë që jepen për zhvillimin rural mesatarisht në 2018, 274 euro shkuan për mbështetje të fermerit.
*Për realizimin e këtij shkrimi, Qendra Shqiptare për Gazetari Cilësore ju drejtua edhe zyrës së medias në Ministrinë e Bujqësisë për të realizuar një intervistë, por nuk mori përgjigje prej tyre.