Autor: Dallandyshe Xhaferri
“Ishte vajzë, prandaj mami u detyrua ta abortonte”,- nis rrëfimin për “Sinjalizo”, Ilda, e cila tregon se si pak vite më parë e ëma, e gjendur përballë presionit psikologjik të familjarëve, u detyrua të kryente abort menjëherë pas marrjes dijeni të gjinisë së fetusit.
“Fëmijën e hoqa në spitalin shtetëror”,- pohon më pas Luljeta, banuese në Divjakë, duke shtuar,- “asnjë komision mjekësh nuk u mblodh për të parë nëse mund ta mbaja apo jo fëmijën”. Ajo pranon se aborti i fetusit femër i kushtoi rreth 150 mijë lekë të vjetra por “mundësoi vazhdimësinë e martesës”.
Ky është vetëm një nga rastet e abortit të kryer në bazë të gjinisë në vend, ndonëse aborti selektiv cilësohet ende si i jashtëligjshëm dhe i dënueshëm me ligj. Me anë të përgjigjes zyrtare të kërkesës për informacion, Instituti i Shëndetit Publik, pranon për “Sinjalizo” se “nuk ka të dhëna për abortet e kryera sipas gjinisë (meshkuj/femra) apo abortet selektive”, duke nënvizuar faktin se “abortet selektive konsiderohen të jashtëligjshëm”.
Sipas të dhënave të bëra publike nga Instituti i Shëndetit Publik, vetëm në vitin 2021 janë regjistruar 100 aborte të vullnetshme dhe të ligjshme tek femrat e grupmoshës 15-24 vjeç. Ndërkohë,për të njëjtin vit, për grupmoshën 15-49 vjeç, për 1000 lindje janë regjistruar 22,9% aborte. Thënë ndryshe, për 1000 lindje janë regjistruar 230 aborte të ligjshme.
Raporti natyror djem-vajza i prishur prej vitesh
Elida Nuri, analiste e Avokacisë dhe Komunikimit pranë UNFPA në Shqipëri thotë për “Sinjalizo” se sipas një studimi të kryer prej tyre në bazë të shifrave zyrtare të mbledhura nga Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale dhe INSTAT, rezulton se në vit lindin 109 djem kundrejt 100 vajzave.
“Çfarë vihet re në nivel global, rajonal dhe në nivel vendi është ajo që ne e quajmë ‘praktikë të dëmshme të dhunës me bazë gjinore’. Pra, fenomeni i ‘gender based sex election/ përzgjedhja e seksit në lindje për arsye gjinore’ ekziston në Shqipëri”,- thotë Nuri.
“Statistikat zyrtare i mbledh Ministria dhe INSTAT, ajo çfarë bëmë ne ishte analizimi i të dhënave zyrtare të popullsisë për dy dhjetëvjeçarët e fundit nga dy demografë. Vetë shifra e publikuar nga INSTAT që në vit lindin 109 djem për 100 vajza, është shumë e lartë, nuk duhet të jetë , sepse demografët në të gjithë botën thonë që mesatarja mund të jetë 103,104, 105 djem për 100 vajza”,- shprehet Nuri, duke nënvizuar se në rastin e vendit tonë “ky raport kalohet dhe ka diçka që nuk shkon. Ka diçka artificiale që ata e kanë futur në mënyrë të qëllimshme apo jo. Ky popull ka diçka që po e prish këtë balancë”,- përfundon ajo.
Demografi Arjan Gjoncaj, pjesëmarrës në studimin e UNFPA-së, tregon për “Sinjalizo” se fenomeni i çekuilibrit të raportit natyror djem-vajza vazhdon prej vitesh.
“Nga të dhënat e INSTAT në vitin 2017 ky raport ishte 111 djem për 100 vajza, dhe në 2021-shin 108 me 100. Pra, fenomeni vazhdon”, përfundon ai.
Sipas të dhënave të publikuara nga UNFPA vitin e kaluar, Shqipërisë gjatë dhjetëvjeçarit të fundit i mungojnë 21 mijë vajza të grupmoshës 1-19 vjeç, ndërkohë që vendi ynë renditet i 11-i në botë përsa i përket ndërprerjes së shtatzanisë për shkak të gjinisë së fetusit.
Ndërkohë sipas studimit të “Together for Life”, mjekët e anketuar kanë pranuar se: “kur bëhet fjalë për marrjen e vendimit mbi kryerjen e abortit me përzgjedhje, në shumicën e rasteve (59% e kanë konfirmuar këtë) vendos burri. Vetëm 26% janë shprehur se është gruaja ajo që vendos për abortin selektiv. Dhe së fundmi, 15% prej tyre kanë nxjerrë në pah një të vërtetë tjetër: janë të afërmit e çiftit ata që e marrin vendimin për abortin”.
Sipas sociologut Gëzim Tushi “ky fenomen është një shfaqje e bujshme e maskilizmit të meshkujve mbi femrat duke i konsideruar ato si barrë për familjen”. “Aborti selektiv është shprehje e difektit kulturor që akoma është i fortë në Shqipëri dhe që e ka bazën, ‘frymëzimin’ në ekzistencën e normave që mbajnë gjallë ‘pabarazinë gjinore’”, –shprehet ai.
Gjinekologët: Mungojnë statistikat e sakta
Për mjekun gjinekolog Rustem Celami, problemi qëndron në edukimin e shoqërisë se aborti është e drejtë ligjore deri në javën e dymbëdhjetë.
“Nuk është problem i abortit klinika apo spitali, sipas mendimit tim, por te informimi, edukimi i popullatës që akoma një pjesë nuk e dinë që aborti është një e drejtë ligjore e femrës deri në javën e 12 në vendin tonë”,- thotë Celmani, duke shtuar se ligji për abortin është plotësuar në vend që në vitin 1995 “dhe kërkon një rishikim, sepse u bënë disa dekada dhe ka nevojë për përditësime”.
Mjekia obstetër-gjinekologe, Ilta Bylykbashi tregon se deri në javën e 7 të shtatzanisë aborti kryhet përgjithësisht me anë të medikamenteve.
“Aborti medikal imiton një cikël menstrual, por kuptohet shoqërohet më me shumë dhimbje dhe hemoragji dhe që zgjat për një kohë pak më të gjatë,”, shpjegon ajo duke shtuar se pas javës së shtatë për të kryer abortin përdoret metoda e pastrimit.
“Ndërhyrje që ka ndikime në shëndetin riprodhues, sepse sa më e madhe të jetë mosha e barrës ekziston rrisku qoftë i hemoragjisë gjatë pastrimit, qoftë kyreta, që është një instrument i cili siguron pastrimin, mund të shkaktojë atë që quhen ‘sineki’, ose ‘ngjitje’, që gratë mund të kenë vështirësi në mbetjen shtatzanë”,-shpjegon Bylykbashki.
Celami shton se mungesa e regjistrave fuksionalë për abortin dhe sëmundjet ndikon në mospasjen e statistikave të sakta.
“Ne nuk kemi regjistër funksional për abortin dhe për tërë sëmundjet. Pra, s’kemi një regjistër real të problemeve mjekësore. Kjo bën të mos kemi statistika të sakta, vlerësime të sakta dhe rrjedhimisht të mos kemi as politika të sakta shëndetësore sepse nuk bazohen në të dhëna reale, qoftë edhe investimet që bëhen”,- përfundon ai.
Ndërkohë, Bylykbashki shprehet për “Sinjalizo” se “abortimet me bazë gjinore po shkojnë drejt sfumimit”.
“Është një gjë që ne, obstetrit, si kolegë, e kemi diskutuar shumë nga praktika, eksperienca. Ka ikur ai mentaliteti ‘që e duam djalin me se s’bën’. Patjetër që djali mbetet referencial tek popullata shqiptare, por po vë re që ka goxha feedback pozitiv ndjesia kur u them: vajzë”,- thotë Bylykbashi.
Sipas sociologut Tushi është e nevojshme ndarja e abortit të kryer për arsye shëndetësore ose jo.
“Duhet ndarë aborti që bëhet për arsye shëndetësore (jeta e femrës apo statusi shëndetësor i fetusit), nga aborti selektiv që bëhet për arsye sociale apo identitetit të diktuar të seksit të fëmijës femër”,- thotë ai , duke pohuar se “ky fenomen ndeshet më shumë dhe më shpesh në familjet e varfëra dhe me shumë fëmijë”.
Sociologët: Cilat janë pasojat e mungesës së vajzave?
“Pasojat e këtij veprimi kriminal janë të shumta dhe dramatike, me efekte psikologjike, demografike e sociale. Mbipopullimi me meshkuj prish ekulibrat seksualë dhe vështirëson raportet e seksualitetit”,- thotë sociologu Tushi, sipas së cilit “në mungesë të sasisë natyrale e organike të femrave, shoqëria duhet të gjejë forma e alternativa për të plotësuar nevojat seksuale mashkullore”.
“Doemos duke u shoqëruar me shfaqjen e fenomeneve të poligamisë, poliandrisë dhe nevojës për institucionet publike të seksualitetit. Kjo ndoshta deri në legalizimin e domosdoshëm të prostitucionit (ofrimit të seksit me pagesë)”,– vazhdon ai, duke theksuar se ky lloj ‘deficiti’ “mund të ndikojë në zgjerimin e dhunës, krimit seksual dhe trafikimit të femrave për qëllime prostitucioni”.
Cilat janë zgjidhjet e mundshme?
Sociologu Gëzim Tushi thekson se është e nevojshme edukimi i shoqërisë dhe forcimi i masave ligjore rreth abortit me bazë gjinore. “Duhet ndërhyrje kulturore, edukative dhe emancipuese, nga njëra anë por dhe forcimi i masave ligjore të shtetit”,- thotë ai, ndërkohë që për Elida Nurin në një kohë kur “infertiliteti është rritur dhe çiftet e reja mezi po bëjnë një fëmijë” duhet ndryshuar përqasja me pjesën e dukshme të ndikimit të shoqërisë.
“Kjo gjë duket në kulturë, në muzikë, në shprehjet popullore, sepse ty të vjen e natyrshme: Hajde me një djalë! Ose si kënga popullore ‘Tjetër herë me djalë’. Çfarë do të thotë kjo? Është shumë e bukur, por ca ka brenda? Është një stereotip? Një gjë e goditur me shekuj? Është e drejtë në ditët e sotme? Jo, nuk është e drejtë”,- përfundon Nuri.