Autor: Denis Tahiri
Për gati dhjetë vjet nga buxheti i shtetit kanë ‘avulluar’ miliarda lekë. Nga periudha 2012-2021 vlera e dëmit në buxhet arrin vlerën e 805 miliardë lekë. Thënë ndryshe, sa buxheti i dy viteve i shtetit shqiptar.
Arsyet e këtij dëmi ekonomik janë të shumta, ndër të cilat raporti i publikuar nga Transparancy International, një organizatë globale kundër korrupsiont thotë se: “Kapja e shtetit në Shqipëri është rritur ndjeshëm midis viteve 2008 dhe 2019. Korrupsioni i nivelit të lartë vazhdon të nxitet nga privatizimi i pronës publike dhe shërbimeve. Kjo është mundësuar nga mekanizmat e pamjaftueshme institucionale të kontrollit dhe balancës së pushteteve, si dhe nga politizimi i administratës publike. Këto faktorë mbështeten nga një gjyqësor i korruptuar që siguron pandëshkueshmëri për autorët e krimeve”.
Ndërkohë, më tej në raport thuhet se dekada e fundit ka dëshmuar një forcim të bashkëpunimit midis politikës, biznesit dhe krimit të organizuar, që ka arritur kulmin e tij gjatë viteve të fundit.
“Kontratat qeveritare për biznese të zgjedhura dhe të lidhura me funksionarë të spikatur publikë kanë çuar në keqadministrim të pasurive publike, humbje të jetës dhe rritje të borxheve financiare që i rëndojnë taksapaguesit shqiptar”, thuhet në këtë raport duke theksuar se bashkëpunimi mes partive politike, zyrtarëve publik dhe grupeve të krimit të organizuar për blerjen e votave në zgjedhjet vendore dhe të përgjithshme në këmbim të shfrytëzimit të institucioneve publike për interesa privat ka dëmtuar rëndë interesat e qytetarëve.
Vetëm nga këto dy paragrafe të këtij raporti mund të kuptohet qartë se dëmet ekonomike shkaktuar shtetit janë të një niveli të lartë.
Ku shkuan paratë?
Në totalin e përllogaritur sipas raportimeve të kryera nga Kontrolli i Lartë i Shtetit, dëmi ekonomik i shkaktuar shtetit shqiptar prej vitit 2012-2021 kap vlerën e 7.2 miliardë euro e barasvlefshme në 805 miliardë lekë. Kjo shifër nuk është as më shumë e as më pak sa shuma monetare që përbëjnë dy buxhete vjetore të shtetit shqiptar. Sipas KLSH-së, dy janë sektorët që kanë shkaktuar dëmin ekonomik më të madh shtetit. Koncensionet PPP (partneriteti publik-privat) dhe më tej prokurimet dhe menaxhimi i pronës shtetërore.
Në dokumentat e KLSH-së, vihet re një evidentim i anomalive dhe shkeljeve në kontratat koncensionare. “Është konstatuar kryerja e pagesave për këto kontrata përtej nivelit të miratuar në modelin financiar, duke ndryshuar financimin e tyre edhe në periudha të vështira për buxhetin e shtetit”, thuhet në një prej dokumentave. Gjithashtu, KLSH vë në dukje faktin se nuk është kryer monitorim i rregullt ndaj kontratave koncesioneve dhe është vijuar kryerja e pagesave për shërbime të pakryera siç është kontrolli bazë i popullsisë dhe shërbimi i dializës, duke sjell dëm ekonomik shtetit. Ndërkohë në monitorimin e Qendrës “FOL”, për Prokurorinë e Posacme, me seli në Tiranë, thuhet se përpos kallëzimeve të KLSH-së, vend të rëndësishëm zënë edhe kallëzimet e qytetarëve dhe të shoqërisë civile, më së shumti në fushën e prokurimeve.
Problematikat e koncesioneve sidomos në fushën e shëndetësisë janë bërë pjesë edhe e raportit të publikuar në fund të 2022 nga organizata “Togather for life” në të cilin thuhet se këto koncesione janë të klasifikuara me risk të lartë për praktika korruptive koncesionare dhe janë bërë një barrë financiare në Fondin e Sigurimeve Shëndetësore. Sipas raportit, Fondi i Sigurimeve Shëndetësore i ka financuar këto koncesione për dializën dhe shërbimet e sterilizimit për tre vite, ku shumica e këtyre shërbimeve jepen në 5 spitale universitare, por nuk kanë qenë në gjendje të monitoronin implementimin e kontratave. “Pagesat janë bërë edhe pse shërbimi nuk është dhënë”,thuhet në raport.
Ndër të tjera, në raport thuhet se Drejtoria e Administratës për Paketat Shëndetësore dhe Ekzaminimet terciare, e cila financon këto shërbime e pranon se nuk ka strukturë për kontrollin e shpenzimeve koncensionare. “E vetmja strukturë institucionale është sektori i Kontraktimit dhe Monitorimit i cili ka katër punonjës, ku mes tyre vetëm një është mjek i specializuar i cili performon inspektime në terren për shërbimet e dializës, ndërsa për koncesionin e sterilizimit të paisjeve mjekësore nuk ka asnjë kontroll”, thuhet ndër të tjera në raport.
Kallëzime pa hetime
Prej vitit 2012 deri në vitin 2021 Kontrolli i Lartë i Shtetit ka depozituar në organet e drejtësisë 357 kallëzime penale, të cilat përkthehen në një numër personash prej 1071, por ajo që është e dukshme, është se fakti se numri i personave të cilët kanë dalë para drejtësisë është shumë i vogël.
Ndërkohë për vitin që lamë pas, në Prokurorinë e Tiranës e cila është edhe një nga prokuroritë më të mëdha ne vend, janë paraqitur vetëm 3 kallëzime. Zyrtarisht kjo prokurori, thotë për Qendrën Shqiptare për Gazetari Cilësore se: “Nga verifikimet e kryera në indeksin kallëzime penale dhe statistikat e procedimeve rezulton të jenë regjistruar 3 kallëzime penale të referuara nga KLSH. Nga këto tre kallëzime, për njërin është vendosur mosfillimi i procedimit penal dhe 2 të tjeret janë regjistruar si procedime penale dhe janë në fazën e hetimeve paraprake”.
Qendra Shqiptare për Gazetari Cilësore iu drejtua me një kërkesë edhe Prokurorisë së Posacme kundër Korrupsionit për të dhënat se sa kallëzime penale të depozituara nga Kontrolli i Lartë i Shtetit janë regjistruar nga 2019 e në vazhdim, në përgjigjë të së cilës SPAK bëri me dije se: “Mbi bazën e materialeve kallëzuese të ardhura nga Kontrolli i Lartë i Shtetit në Prokurorinë e Posaçme janë regjistruar gjithësej 7 kallëzime penale për të cilat pas kryerjes së verifikimeve janë regjistruar 7 procedime penale, të cilat janë në fazën e hetimit”.
Nga ana tjetër, burime bëjnë me dije për “Sinjalizo”, se të shtatë procedimet penale janë regjistruar dhe janë në fazë hetimi por në asnjë prej tyre nuk ka emra konkret.
Ekspertët: Gagrenë dhe problematikë e vazhdueshme që nuk i gjendet zgjidhja
E ndërsa dëmi ekonomik i shkaktuar shtetit është progresiv, ekspertët e ekonomisë shprehen se është e nevojshme që të shikohet edhe metodologjia e Kontrollit të Lartë të Shtetit.
“A i llogarit si duhet, a i raporton me metodologjinë e duhur KLSH? Mosrealizimi i të ardhurave raportohet si dëm ekonomik, a është dëm ekonomik apa jo, kjo çështje meriton vëmendje. Nga kjo pikëpamje ajo shifra prej 7.2 miliardë euro lë vend për diskutim për të folur për dëmin ekonomik, shpërdorimet etj”, shprehet profesor Selami Xhepa. I të njëjtit mendim është edhe eksperti tjetër i ekonomisë, Zef Preçi, i cili thotë se duhet parë metodologjia e ndjekur nga KLSH, pasi shuma e dëmit ekonomik në bazë të saj mund të ketë vend për diskutim.
Ekspertët shprehen se ajo që duhet parë është ligjshmëria e procedurave të bëra me para publike.
“Të gjitha problematikat që KLSH i ka gjetur të paligjshme në gjykimin tim është një gagrenë dhe problematikë serioze, që lidhet me korrupsionin, me çështje të efiçencës së përdorimit të taksave të qytetarëve e cila fatkeqësisht nuk ka gjetur zgjidhje asnjëherë”, thotë profesor Xhepa, i cili shton se kjo është diçka që duhet të ndiqet me shumë seriozitet nga ana e institucioneve përgjegjëse.
Ndërkohë në lidhje me prokurimet publike dhe kontratat koncesionare zoti Preci thotë se në procedurat që ndiqen, në kriteret që vendosen ka shkelje të vullnetshme por ka edhe shkelje për shkak të paaftësisë. “Nga mënyra se si është ndërtuar administrata jonë, duhet thënë që ndërhyrjet e vullnetshme janë dominuese, pra abuzime me detyrën për përfitime”, shprehet ai, duke shtuar se gabime nga paaftësia mund të bëhet në një institucion lokal ku komisionet për shkak të mosnjohjes së fushës, mospasjes së njohurisë juridike dhe eksperiencës mund të bëjnë gabime, por jo në rastet e procedurave publike ku bëhet fjalë për qindra milionë euro.
“Duhet thënë që në morinë e shkeljeve, peshën më të madhe në raportimet e KLSH e kanë ato vendimarrje të cilat përgjithësisht janë kolegjiale, ç’ka u jep një koracë mbrojtëse jo vetëm vendimarrësit, por edhe ka garantuar përfituesit e dukshëm dhe të padukshëm të kontratave të kësaj natyre”, shton ai.