Kush ndodhet pas timonit? Shkaqet e aksidenteve, që sjellin viktima

Sipas statistikave të fundit të INSTAT, numri i aksidenteve në muajin shkurt të këtij viti ishte 88. Ky numër është rritur me 14.3% krahasuar me shkurtin 2022. Shkak i aksidenteve rrugore, në 81.8% të rasteve, kanë qenë vetë drejtuesit e mjeteve, të ndihmuar nga sistemi korruptiv i dhënies së lejeve të drejtimit si dhe problemet në menaxhimin e rrugëve.

 Autor: Uendi Biba

“Mjeti ishte duke lëvizur, ndërkohë që u dëmtua nga një mjet tjetër. Për fat të mirë nuk pata dëmtime shëndetësore, por më mbeti si traumë”, – kështu e kujton Esmir Lica, drejtues i autoshkollës “Lica”, përfshirjen e tij në një aksident.

“Tani po shohim shumë aksidente rrugore”, – vijon zoti Lica, i cili shton se, sipas tij, shkaku kryesor, që ato ndodhin, janë shkeljet e rregullave të qarkullimit dhe mosnjohja e sinjalistikës.

Përvojën e frikshme të një aksidenti në një mënyrë apo në një tjetër të gjithë shtetasit shqiptarë e kanë provuar. Dikush ka qenë i përfshirë vetë e dikush tjetër e ka parë, kur ka ndodhur ose pasi ka ndodhur.

Sipas statistikave të fundit nga INSTAT, numri i aksidenteve me fatalitet në muajin shkurt të këtij viti ka qenë 88. Ky numër është rritur me 14,3% nga shkurti i vitit 2022. Shkak i aksidenteve rrugore në 81,8% të rasteve kanë qenë vetë drejtuesit e mjeteve.

Qindra humbje jete dhe mijëra të lënduar

Sipas një përgjigjeje zyrtare nga Policia e Shtetit, numri i jetëve të humbura në aksidente rrugore është me dhjetëra çdo vit. Në vitin 2017, humbën jetën 222 qytetarë, ndërsa 363 të tjerë u plagosën rëndë. Një vit më vonë, këta numra do të pësonin një ulje të vogël, respektivisht 213 shtetas humbën jetën, ndërsa 312 u plagosën rëndë. Ndërkohë, në vitin 2019 numri i viktimave u rrit, duke shkuar në 227, ndërsa ai i të lënduarve rëndë, në 260. Në vitin 2020 pati një vëmendje të shtuar nga Policia Rrugore me kufizimet e lëvizjes për shkak të pandemisë, prandaj shifrat e jetëve të humbura dhe të të lënduarve rëndë në aksidente pësuan një rënie të ndjeshme.

Praktikisht, në vitin 2020 vetëm 181 qytetarë humbën jetën, ndërsa u lënduan rëndë 183 të tjerë. Një vit më vonë, sërish viktimat e aksidenteve ishin 197 dhe ato të të lënduarve rëndë, 250. Me rikthimin e një situate normale, pa kufizime të pandemisë, ku mjetet drejtuese mund të qarkullonin përsëri lirisht, numri i jetëve të marra nga aksidentet ra, duke regjistruar 164 viktima dhe 211 të plagosur.

E pyetur zyrtarisht për masat, që Policia e Shtetit ka marrë për uljen e numrit të aksidenteve, Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit shprehet se ka intensifikuar monitorimin e akseve rrugore, kontrollet dhe konstatimin e shkelësve të Kodit Rrugor, duke përdorur mjete inteligjente, si makinat inteligjente, dronët, pajisje alkooli dhe drogë-testuese.

“Radarët automatikë dhe mjetet e paloguara, që Policia Rrugore ka tashmë në dispozicion, si dhe zbatimi i një strategjie, që do të largojë punonjësin e policisë nga rruga dhe do të shtojë prezencën e logjistikës bashkëkohore, do të ndihmojnë në uljen e numrit të aksidenteve”, – thotë Policia e Shtetit, duke e vënë theksin te përdorimi i teknologjisë për uljen e aksidenteve dhe sigurimin e qarkullimit sa më normal në akset e vendit.

Eksperti: Jo vetëm ndryshime në Kodin Rrugor, duhet sensibilizim

Islam Qibini, ekspert i sigurisë rrugore, në një intervistë me ACQJ, numëron disa shkaqe, të cilat çojnë në aksidente rrugore.

“Arsyet primare të aksidenteve janë rritja e lëvizjes së mjeteve në rrugët kryesore, shpejtësia jo e lejuar, mosrespektimi i rregullave të qarkullimit rrugor nga drejtuesit e mjeteve dhe mosrespektimi i normave nga këmbësorët”, – thotë ai.

Zoti Qibini shton më tej se mosrespektimi i rregullave të qarkullimit ndodh edhe nga këmbësorët, të cilët, sipas tij, përbëjnë 13.7% të shkaqeve të aksidenteve, sipas analizave të kryera.

Ndryshimet në Kodin Rrugor mirëpriten nga eksperti i sigurisë rrugore, duke i cilësuar si të domosdoshme.

“Miratimi i dispozitave të Kodit Rrugor, që drejtuesit e rinj 2 vitet e para të drejtojnë autovetura me cilindra 1500cc, ishte i domosdoshëm”, – thotë ai, duke theksuar se ndryshimet duhen të mbështeten edhe me implantimin e pajisjeve teknologjike në 200 km rrugë kryesore. Për të një rol të rëndësishëm në uljen e numrit të aksidenteve rrugore luan sensibilizimi i opinionit publik.

“Shoqëria, familja, si dhe bashkëpunimi institucional për formimin e çdo drejtuesi për drejtimin e mjeteve dhe për rregullat, pra aktivizimi i të gjithë aktorëve, do të ndikojnë në sigurinë e qytetarëve”, – përfundon ai.

Kush ndodhet pas timonit?

Autoshkolla është hallka e detyrueshme për t’u pajisur me një leje drejtimi.

Tonin Gjinaj, drejtues i autoshkollës ERALB, i cili është edhe Sekretari i Përgjithshëm i Shoqatës së Autoshkollave Kombëtare, shprehet se “po hasim një rini tepër dembele”.

“Edhe në klasë tani, nëse shkojmë, ata kursantë që janë brenda, dy-tre i sheh, duke luajtur me celularë. Në çdo seancë ne flasim dhe vetëm flasim: jo drogës, jo alkoolit dhe padyshim, jo përdorimit të celularit. Janë premisa për aksidente”, – thotë ai, duke shtuar se celularët kohët e fundit janë kthyer në një shqetësim jashtëzakonisht të madh për përdoruesit e mjeteve drejtuese.

Ndërkohë, një shkak, që ndikon në aksidente, është edhe vetë rruga. Më mirë se një autoshkollë askush nuk mund ta bëjë vlerësimin e problematikave të rrugëve.

“Mund të shkoni nga Casa Italia e deri në Vorë. Gropa është në mes të kthesës, 35-40 cm. Imagjinoni një drejtues, që nuk e njeh rrugën, nëse makina bie në gropë, do shpohet goma e parë dhe është i prirur të shkojë në aksident”, – shprehet zoti Gjinaj, duke shtuar se, pavarësisht apelit, që ka bërë tek autoritetet përkatëse dhe në media, asgjë nuk ka ndryshuar.

Ndër problemet, që drejtuesit e autoshkollave theksojnë, është edhe sinjalistika.

“Vendosja e tabelave është kuturu, mos të them që ndërtimi i disa rrugëve është bërë, sa për të thënë që është rrugë, siç është Rruga e Kombit, që nuk të krijon asnjë lloj sigurie për të qëndruar në rrugë”, – thotë ai.

Në dritën e shqetësimeve për akset rrugore, Qendra Shqiptare për Gazetari Cilësore iu drejtua Autoritetit Rrugor Shqiptar, duke e pyetur për ato që cilësohen si “njolla të zeza” në rrjetin rrugor të vendit.

Nga përgjigjja e vendosur në dispozicion, rezulton se, nga viti 2018 deri në vitin 2020 janë identifikuar 105 “njolla të zeza” në rrjetin rrugor shqiptar. Në listën e vendosur në dispozicion ACQJ arriti të identifikojë “njolla të zeza” edhe brenda dy qyteteve më të mëdha të Shqipërisë, Durrësit dhe Tiranës, respektivisht 76 dhe 26.

Problem tjetër, që vihet re nga vetë autoshkollat, është edhe informaliteti dhe korrupsioni në sektor, sidomos tek autoshkollat, që përgatisin drejtuesit e autobusëve, të cilët kohët e fundit janë bërë tituj kryesorë lajmesh për aksidentet që ndodhin shpesh.

“Autobusët janë përqendruar në 3-4 autoshkolla. Si ka mundësi, që unë kam 20 e kusur vjet licencë në autoshkollë dhe nuk përgatis më shumë se 30-40 kandidatë për autobusë, ndërsa autoshkollat në Kamëz, 430 në vit?!”, – thotë ai, duke shprehur shqetësimin për abuzime.

“Të gjitha autoshkollat i grumbullojnë; iu japin 50 mijë lekë një apo dy autoshkollave dhe këto abuzojnë me përgatitjen. Nuk i përgatisin”, – shprehet zoti Gjinaj, duke shtuar se konkurrenca e pandershme është një faktor që impakton cilësinë e autoshkollave, por që sjell edhe mjaft dëme në arkën e shtetit.

Sipas zotit Gjinaj, në autoshkollat shqiptare deklarohet leja e drejtimit nga 200 mijë lekë të vjetra në 400-500 mijë lekë të vjetra.

“Këto shifra, që them unë, janë deklaruar në Drejtorinë e Tatimeve”, – tregon ai, duke drejtuar gishtin edhe nga shteti, i cili, sipas tij, nuk ka luajtur rolin e tij në këtë treg.

“Shteti, jo vetëm që nuk ka qenë aktiv për 25 vite, por e ka masakruar këtë biznes. Të ardhurat, që duhet të ishin të depozituara në arkën e shtetit, mungojnë. Këto të ardhura, falë abuzimit, kanë hyrë në xhepat e sekserëve e të të korruptuarve, qoftë në Drejtorinë e Tatimeve, qoftë në administratën shtetërore, por në arkën e shtetit mungojnë”, – thotë për ACQJ Sekretari i Përgjithshëm i Shoqatës së Autoshkollave Kombëtare.

Në Shqipëri, 6 orë praktikë për marrjen e patentës, në Francë, 20

Shqipëria është sot një nga vendet e pakta, jo vetëm në rajon, por edhe në Europë, ku, për të marrë një leje drejtimi, mjaftojnë vetëm 6 orë praktikë.

Në Francë, për shembull, një kandidat, i cili merr lejen e drejtimit për herë të parë, duhet të kalojë 20 orë praktikë, përpara se të bëjë testin rrugor.

Ndërkohë, Gjermania ka një nga proceset më rigoroze për patentat e drejtimit, me 14 mësime teorike, ku secili zgjat rreth 90 minuta, duke mbuluar tema të tilla, si siguria në drejtimin e automjetit, sinjalet rrugore dhe rregulloret e trafikut. Për më tepër, nxënësit duhet të kryejnë të paktën 12 mësime, secili nga 45 minuta, nën drejtimin e një instruktori të licencuar.

Trajnimi praktik mbulon një gamë të gjerë skenarësh, manovrash, si parkimi paralel, ndryshimi i korsisë dhe parakalimi.

Nga ana tjetër, në Mal të Zi shoferët duhet të kryejnë 30 orë trajnim praktik, ku mësohen aftësitë e drejtimit, rregullat e trafikut dhe mirëmbajtja e automjeteve.

Në mënyrë të ngjashme, në Serbi procesi i lejes së drejtimit është i ndarë në 40 klasa teorike dhe 40 mësime praktike nga 45 minuta secili, duke ofruar trajnime gjithëpërfshirëse në teknikat e drejtimit dhe të sigurisë në rrugë.

Me rritjen e numrit të automjeteve në rrugë rritet edhe numri i aksidenteve. Sipas një raporti të Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH), aksidentet e trafikut rrugor janë një shqetësim i madh për shëndetin publik, duke shkaktuar 1.3 milionë vdekje në mbarë botën çdo vit.

Një nga vendet, që po lufton për të përmirësuar statistikat e sigurisë rrugore, është Maqedonia e Veriut, ku, sipas të dhënave të Bankës Botërore, ka një ulje të numrit të vdekjeve për 100,000 banorë për shkak të aksidenteve rrugore, nga 8.2 në vitin 2000 në 5.1 në vitin 2019.

Ndërkohë, vendi ynë, i cili përballet me një numër të lartë të aksidenteve rrugore, nuk ka një strategji afatgjatë për uljen e numrit të viktimave në rrugët e vendit, gjë që pasqyrohet, sa herë që rëndohet situata në arteriet rrugore, me ndryshimet që bëhen në Kodin Rrugor, me shpresën se do të shërbejnë për të minimizuar uljen e numrit të viktimave.

*Ky shkrim është pjesë e projektit Laboratori i Gazetarisë Investigative, që mbështetet financiarisht nga Zyra e Mardhënieve me Publikun e Ambasadës së SH.B.A. në Tiranë. Opinionet, gjetjet, konkluzionet dhe rekomandimet e shprehura janë te autor-it/ve dhe nuk përfaqesojnë domosdoshmërisht ato të Departamentit të Shtetit.
What's your reaction?
0Smile0Lol0Wow0Love0Sad0Angry
Qendra Shqiptare për Gazetari Cilësore
Rruga Pjetër Budi, 69

Tiranë, ALBANIA


Telefon: +355 (0) 6 8856 3686
Email: info@acqj.al

Investigative Network Albania

Teksti zyrtar është versioni në shqip i faqes së internetit. Kjo faqe përdor përkthim automatik përmes mjeteve të inteligjencës artificiale. Pavarësisht se ky përkthim është i një cilësie të lartë, rastis që të ketë dhe gabime dhe keqkuptime në kontekstin e produkteve. Duke qenë se është një teknologji e cila përmirësohet me kalimin e kohës, shpresojmë të qendroni me ne ndërkohë që perfeksionojmë këtë shërbim.

Copyright © 2024 Giljana Limani.  All Rights Reserved.

Copyright © 2024 Giljana Limani.  All Rights Reserved.

Newsletter