Tragjeditë në ambientin e punës i kthejnë jetët e viktimave në statistika

Në vitin 2023 numri i rasteve të raportuara në media për aksidente në vendet e punës mbetet sërish i lartë. Ndërkohë që për vitin 2022 Inspektorati i Punës vëren një ulje të këtyre aksidenteve, ekspertët ngrenë alarmin se, pavarësisht se ekziston kuadri ligjor, nga punëdhënësit ai nuk respektohet, fakt që mund të çojë në statistika alarmante për vitin 2023. Shifrat e policisë dhe të prokurorisë flasin për qindra të arrestuar, por as gjysma e rasteve të aksidenteve nuk gjen drejtësi.

Autor: Ernilda Luzi

Lorenci, punëtor në kantierin e ndërtimit, kujton momentin e rënies nga skela, gjatë kohës që ishte në krye të detyrës.

“Isha mbi një skelë me një lartësi gati tre metra nga sipërfaqja e tokës, kur ndodhi aksidenti dhe rashë. Në të njëjtën skelë kisha ngjitur kolegun e punës, në momentin që ai lëvizi për të marrë diçka, mua më rrëshqiti këmba dhe u rrokullisa”.

Ai shpjegon se nuk ishte i pajisur me veshje mbrojtëse dhe me lidhje sigurie, në momentin kur u dëmtua në ambientin e punës.

“Veshje posaçërisht të specializuara s’kemi, rroba pune, po, veshim rroba të vjetra për të mos u bërë pis dhe me pluhur”.

Ai kujton se pas aksidentit ishin kolegët që e dërguan menjëherë në spital për mjekim. Nga ana tjetër u përball me punëdhënësin, i cili donte ta fshihte aksidentin nga instancat shtetërore dhe ngjarja të mos bëhej publike.

“Në spital më çoi njëri nga kolegët. Kur e mori vesh pronari, që më shoqëruan ata, iu tha: “Pse i treguat që ra nga skela? Pse nuk i thatë, që Lorenci ka rënë nga motori?” Këtë e ka bërë normalisht që mos t’i dilnin probleme me raporte e me radhë”.

Më tej ai sqaron se nuk e denoncoi ngjarjen dhe nuk e raportoi tek autoritetet përkatëse, pasi, përpos pjesës që mendoi se punëdhënësi do ta kompensonte, pa qenë nevoja që të hapte çështje ligjore, mendoi për punën që ushqente familjen, megjithëse ishte ai që u dëmtua dhe u detyrua që të qëndronte një muaj në regjim shtrati.

Mirëpo, punëdhënësi nuk i plotësoi premtimet e veta, pasi Lorencit i kishin mbuluar vetëm dy javë raport, duke vijuar me gënjeshtra dhe duke e mbajtur me shpresa se një ditë do ta shpërblente për besnikërinë e tij.

Lorenci tregon se e la punën dhe është akoma në konflikt me punëdhënësin. Mendon që çështjen ta dërgojë në gjykatë, për të marrë atë që i takon dhe që po i mohohet padrejtësisht.

Fenomeni i informalitetit mbetet një problematikë e përhapur. Në kompaninë, ku ishte i punësuar, Lorenci paratë nga punëdhënësi i merrte gjysmat në dorë e gjysmat në bankë. Tashmë, i plagosur dhe në mungesë të mjeteve financiare për të mbuluar shpenzimet familjare, ai është penduar që e “mbrojti” punëdhënësin e tij.

Inspektorati Shtetëror: Rritje të rasteve me pasoja fatale dhe informalitet në sektorin e ndërtimit

Nga Raporti i Treguesve të Inspektimit në Punë për vitin 2022 janë depozituar 779 ankesa. Vihet re se 24.3% e arsyeve të denoncimit lidhen me cenimin e marrëdhënieve të punës, ku ndër to përfshihet dhënia e pagës jo nëpërmjet sistemit bankar. 18.7% e arsyeve të denoncimit lidhen me mospagesën e pagave të prapambetura, ndërsa 6.9% e arsyeve të denoncimit lidhen me mospagesën e kontributit të sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore.

Numri më i lartë i ankesave të inspektuara rezulton nga punëmarrës, që punojnë në subjekte, që e zhvillojnë aktivitetin e tyre ekonomik në qarkun e Tiranës, kjo edhe për faktin e përqendrimit të lartë të bizneseve në këtë qark.

Në llojin e aktivitetit – ndërtim – janë kryer 34 inspektime për shkak ankese, janë konstatuar 66 punëmarrës pa kontrata dhe 32 punëmarrës informalë dhe janë gjobitur 3 subjekte.

Në vitin 2022 në sektorin e ndërtimit janë aksidentuar 29 punëmarrës, ku 10 prej tyre janë raste me pasojë fatale – humbje jete.

Raporti i Inspektoratit Shtetëror të Punës dhe Shërbimeve Shoqërore vë në dukje problematikën në zbatimin e kërkesave ligjore në drejtim të sigurisë dhe të shëndetit në punë, si mospërdorimi i pajisjeve mbrojtëse, individuale, gjë që tregon moszbatimin korrekt të detyrave, që ka personi përgjegjës për çështjet e sigurisë dhe të shëndetit në punë në subjekt, edhe pse ekziston; mungesa e informimit të punëmarrësve; mosfunksionimi real i KSSHP në të shumtën e rasteve; mungesa e sinjalistikës së duhur në vendet e punës për procese specifike dhe moszbatimi me korrektësi i DVR.

Gjatë procesit të inspektimit në biznese të shumta në rang vendi, në 1680 subjekte private janë evidentuar 375 punëmarrës informalë dhe 441 punëmarrës pa kontrata individuale.

Ekspertja ligjore, Margarita Kola, thekson se “shumica e punëdhënësve, duke qenë se kanë detyrime nga ligji, preferojnë që të mos t’i regjistrojnë punëmarrësit e tyre, që të shkarkohen nga përgjegjësia dhe detyrimet që kanë ndaj punëmarrësve.”

Ajo shton se punëmarrësit kanë për detyrë që të mos pranojnë të punojnë në kushte të tilla, për arsye se mbrojtja e tyre nga ligji është më vulnerabël, më e vështirë, nëse ata nuk janë punonjës të regjistruar dhe kjo e vështirëson procesin e të provuarit në gjykatë.

Sa i takon legjislacionit shqiptar, ekspertja ligjore, Margarita Kola, shprehet se “legjislacioni është në standardet e ligjeve të BE-së; është draftuar në bashkëpunim me eksperiencën ndërkombëtare, por problemi qëndron te zbatimi i tij. Sa i zbatojmë këto ligje dhe sa kemi mekanizma monitorues, për të kontrolluar zbatueshmërinë e këtyre ligjeve. Punëdhënësit privatë nuk i zbatojnë ose nuk i njohin detyrimet ligjore dhe ligjin, ne nuk kemi mekanizma që t’i monitorojmë këta.”

Neglizhenca dhe mungesa e informimit për rreziqet, shkak i aksidenteve                                                                                                                      

Numri i rasteve të aksidenteve në rritje dita-ditës, mungesa e informimit të punëmarrësve mbi rreziqet që ka vendi i punës, mungesa e sinjalistikës dhe moszbatimi e mosrespektimi i kushteve teknike janë shkaktarët kryesorë, që çojnë në aksidente me pasoja fatale, që pohohen nga ekspertët.

Edison Hoxha, Drejtori Ekzekutiv i Qendrës për të Drejtat në Punë, vë në dukje se “sektori i ndërtimit është më problematiku vitet e fundit për sa i përket aksidenteve në punë, sidomos atyre me pasoja fatale, sepse puna në ndërtim është një punë që kryhet në lartësi, ku gabimet dhe neglizhenca mund të sjellin pasoja fatale për punëmarrësin”.

Ai konstaton se mosrespektimi i kushteve të sigurimit teknik në ambientet e punës bëhet shkak i aksidenteve, një pjesë e tyre edhe me pasoja fatale.

“Përdorimi i pajisjeve të mbrojtjes individuale është shumë i mangët, në shumë raste edhe për shkak të neglizhencës që kanë punonjësit, por edhe në këto raste nuk duhet t’ua ngarkojmë përgjegjësinë punonjësve, përsëri përgjegjësia është e punëdhënësve dhe e gjithë atyre strukturave që duhet ta kontrollojnë, duhet ta mbikëqyrin dhe duhet ta disiplinojnë organizimin e punës.”

Rastet e raportimit në media për aksidente fatale në vendin e punës janë të shumta. Vetëm në vitin 2023 raportimet janë me dhjetëra.

Një ndër aksidentet më të fundit me pasojë fatale ishte ai në rrugën e Dukagjinit, i raportuar nga mediat në muajin nëntor 2023, ku një punëtor humbi jetën për shkak të rrëshqitjeve të masiveve të dheut.

Përpara këtij rasti, 35-vjeçari Andi Lala, punonjës në një kompani private, ra nga vinçi, teksa ishte duke prerë pemët, duke gjetur menjëherë vdekjen.

“Gjatë punës për prerjen e degëve të pemëve në Lagjen nr. 13 është rrëzuar dhe ka rënë nga koshi i vinçit të punës punonjësi i firmës, që po kryente punime për ndërtimin e pedonales në plazhin e Durrësit, shtetasi A. L., 35 vjeç, i cili si pasojë ka humbur jetën”, – njofton policia.

Përpara tij, në muajin gusht, media ka raportuar dy humbje jete, një i mitur në Dimal për shkak të rënies në kontakt me rrymën dhe një punëtor i huaj, punonjës i ish-Kombinatit Metalurgjik, Elbasan, i dëmtuar në trup nga një pajisje gjatë procesit të punës në fabrikën e riciklimit të aluminit; dy raste flagrante të shkeljes së rregullave të sigurisë në vendin e punës.

Më 15 prill 2023, sipas njoftimit të policisë, një punëtor ndërtimi, shtetasi A. L., 45 vjeç, banues në Kallmet, ka ndërruar jetë, pasi ka rënë nga skela e një pallati në ndërtim në Shëngjin, në zonën e Kunes.

Raste të tjera, fatale janë raportuar në polici, një ndër to është edhe rasti i një të mituri, J. B., 17 vjeç, banues në Radhimë, i cili, duke punuar për ndërtimin e parkimit të një pallati, u aksidentua nga vinçi dhe ndërroi jetë në vend.

Në të njëjtën kohë aksidente ka pasur edhe në muajin mars të vitit 2023, ku media ka raportuar humbjen e jetës së një punonjësi në një supermarket të specializuar në materiale ndërtimi dhe pajisje shtëpiake, sërish për shkak të shkeljes së rregullave të mbrojtjes në punë.

Shifrat e Inspektoratit të Punës për vitin 2022 mbi numrin e ankesave në marrëdhëniet e punës, por edhe të aksidenteve në kantiere ishin tepër të zymta, por, duke parë rastet e shumta të raportuara në media, nuk pritet që për vitin 2023 të ketë një ndryshim pozitiv.

Edison Hoxha vë në dukje problematikën e mungesës së informimit dhe të trajnimit të punonjësve.

“Punonjësit nuk është se trajnohen dhe informohen ashtu si duhet për rreziqet që ka vendi i punës dhe për shumë arsye neglizhenca vjen edhe për shkak të mungesës se informacionit nga punëmarrësit. Ka mungesë sinjalistike dhe ne kemi vënë re se, në qarqet më të mëdha, si Tirana, Durrësi, në zonat urbane, aty ku ka më shumë ndërtime, ka një mungesë të theksuar sinjalistike dhe jo të një standardi që duhet të jenë”.

Më tej ai ngre shqetësimin se “rreth 50% e gjobave, që janë ndërmarrë nga institucionet, që merren me zbatimin e Ligjit të Punës, nuk janë ekzekutuar dhe kjo i humbet vlerën rëndësisë së masës së gjobës. Gjoba, nëse nuk ekzekutohet, s’është se ka ndonjë vlerë. Mendoj se duhet të kemi masa më të rrepta”.

Nga kërkesa për informacion drejtuar Policisë së Shtetit, ky institucion raporton se, “gjatë 4 viteve të fundit janë evidentuar 373 raste të veprës penale “Shkelja e rregullave të mbrojtjes në punë”, parashikuar nga neni 289 i Kodit Penal, nga të cilat 370 raste janë zbuluar.

Këto raste rezultojnë me 435 autorë, nga të cilët 126 janë arrestuar në flagrancë apo janë ndaluar, 290 janë proceduar në gjendje të lirë dhe 19 janë shpallur në kërkim. Sipas Policisë së Shtetit, nga kjo vepër penale janë dëmtuar 373 shtetas, nga të cilët 78 me pasojë vdekjen.

ACQJ iu drejtua Prokurorisë së Përgjithshme, ku nga të dhënat rezulton se përgjatë tre viteve të fundit, për shkelje të nenit 289 “Shkelja e rregullave të mbrojtjes në punë”, numrin më të lartë të procedimeve të regjistruara në gjykatë e shënon viti 2021, ku janë proceduar 117 individë.

Nga të dhënat statistikore të Ministrisë së Drejtësisë, të publikuara në vjetarët statistikorë, viti 2021 kap shifrën më të lartë, ku janë shpallur me vendim fajësie 16 persona për shkelje të nenit 289.

Megjithatë, raportimet në media theksojnë se numri më i madh i dosjeve, që burojnë nga këto vepra penale, pushohet në prokurori, më shumë nga aksidentet që nuk gjejnë fajtorë dhe viktimat nuk marrin drejtësi.

Z. Hoxha thekson se “të dhënat, që vijnë për pasojat fatale, janë ato që janë raportuar nga institucionet zyrtare, pasi është shumë e vështirë të mbulohet një aksident në sektorin e ndërtimit, por, për sa i përket pasojave të lehta janë shumë më tepër sesa raportohen, sepse shumë nga këto kemi konstatuar nëpër vende të ndryshme pune”.

Ekspertja ligjore, Margarita Kola, sërish vë theksin te sigurimi i kushteve teknike nga ana e punëdhënësit për të mbrojtur shëndetin e punëmarrësve, që gjatë ushtrimit të detyrës t’iu vihen në dispozion mjetet e duhura, që t`iu garantojnë atyre sigurinë.

“Duhet të funksionojnë mekanizmat monitorues, kontrollues të ligjit se sa zbatohen këto rregulla”.

I gjithë raportimi mbi shifrat dhe dështimet e institucioneve shtetërore për të garantuar ndjekjen e rregullave të sigurimit të nevojshëm të shëndetit të punëtorëve rikujton historinë e Lorencit, i cili pranë institucioneve shtetërore raportoi një dëmtim të lehtë, për të shpëtuar lëkurën e punëdhënësit, prej të cilit pati premtime të pambajtura. Ndërkohë, ai dëmtoi shtyllën kurrizore, për pasojë për një kohë të gjatë e pati të pamundur të nxirrte bukën e gojës. Ai tashmë e ka humbur vendin e punës dhe e ka tepër të vështirë të gjejë një të ri.

Ky shkrim është pjesë e projektit Laboratori i Gazetarisë Investigative, që mbështetet financiarisht nga Zyra e Mardhënieve me Publikun e Ambasadës së SH.B.A. në Tiranë. Opinionet, gjetjet, konkluzionet dhe rekomandimet e shprehura janë te autor-it/ve dhe nuk përfaqesojnë domosdoshmërisht ato të Departamentit të Shtetit.

What's your reaction?
0Smile0Lol0Wow0Love0Sad0Angry
Qendra Shqiptare për Gazetari Cilësore
Rruga Pjetër Budi, 69

Tiranë, ALBANIA


Telefon: +355 (0) 6 8856 3686
Email: info@acqj.al

Investigative Network Albania

Teksti zyrtar është versioni në shqip i faqes së internetit. Kjo faqe përdor përkthim automatik përmes mjeteve të inteligjencës artificiale. Pavarësisht se ky përkthim është i një cilësie të lartë, rastis që të ketë dhe gabime dhe keqkuptime në kontekstin e produkteve. Duke qenë se është një teknologji e cila përmirësohet me kalimin e kohës, shpresojmë të qendroni me ne ndërkohë që perfeksionojmë këtë shërbim.

Copyright © 2024 Giljana Limani.  All Rights Reserved.

Copyright © 2024 Giljana Limani.  All Rights Reserved.

Newsletter