Një projekt ligj i ri për reformë në sistemin e prokurorimeve synon të adresojë problemin e transparencës dhe mungesën reale të garës në tendera duke kaluar shërbimin te privati dhe duke i besuar më shumë Inteligjencës Artificiale. Ekspertët dhe biznesi janë skeptikë…
Autor: Ina Allkanjari
Mungesa e transparencës dhe dritëhijet që shoqërojnë tenderat në vendin tonë për favorizime apo edhe paracaktim të fituesve, vijon të mbetet “thembra e Akilit” sa i përket menaxhimit të parasë publike. Aq real është ky problem, sa pjesa më e madhe e tenderave me sensitivitet të lartë, fitohet me të paktën 95% të fondit limit, duke ngritur dyshime serioze për korrupsion dhe paracaktim të fituesve.
Për të mbyllur këtë plagë të vjetër në procesin e prokurimit publik në vend, qeveria shqiptare ka iniciuar një reformim të këtij sistemi, i cili jo vetëm pritet të jetë tashmë me pagesë, por një pjesë të madhe të përgjegjësisë qeveria ka menduar t’ia delegojë inteligjencës artificiale, e cila parashikohet të bëjë sitën e kërkesave në tendera.
Aktualisht pranë Këshillit të Ministrave pritet të miratohet projektligji për disa ndryshime të ligjit nr.162, datë 23.12.2020 “Për Prokurimin Publik”.
Në relacionin shoqërues të këtij projekligji theksohet se ndryshimet në ligjin aktual janë rezultat i përafrimit me direktivat e Bashkimit Evropian.
Kryeministria, në një përgjigje zyrtare për ACQJ ka vënë në dukje se zbatimi i këtij ligji në praktikë ka hasur në problematika.
“Nevoja për hartimin e këtij projektligji erdhi si rezultat i domosdoshmërisë së rregullimit të kuadrit legjislativ për prokurimin publik, duke analizuar problematikat e dala gjatë zbatimit të këtij ligji në praktikë nga autoritetet kontraktore, operatorët ekonomikë dhe organet audituese, me qëllim lehtësimin e procesit të prokurimit, por edhe duke synuar përafrimin e mëtejshëm të ligjit me Direktivat e BE”.
Në një analizë të ndryshimeve të propozuara, eksperti i prokurimeve Muharem Cakaj vë në dukje problematikën kryesore, e cila është “shkelja e barazisë në tendera” dhe fitimi i kontratave me mbi 90% të fondit limit. Cakaj e quan këtë fenomen klientelizëm, i cili pengon konkurrencën e lirë në prokurim publik.
“Problemi kryesor i prokurimit publik sot në Republikën e Shqipërisë janë fitimi i procedurave të prokurimit me 99.99% të fondit limit. Dhe jo fitimi nga shumë operatorë, por nga disa. Të cilët edhe gishtat e një dore nuk i kalojnë. Pra të fitosh sot procedurë prokurimi me 99.99% të fondit limit është as më pak dhe as më shumë por klientelizëm i pastër dhe vrasje e garës. Prokurim publik do të thotë konkurim public”, shprehet Çakaj.
Kjo situatë ka sjellë shqetësimin e operatorëve ekonomik të përfshirë në tenderime.
Një raport i publikuar nga Komisioni i Prokurimit Publik tregon se në vitin 2022, ky institucion ka pasur një numër të madh ankesash lidhur me procedurat e prokurimit publik, veçanërisht në fazën e vlerësimit të ofertave.
”Për vitin 2022, janë paraqitur pranë Komisionit të Prokurimit Publik 794 ankesa në total, nga të cilat: 782 janë ankesa në lidhje me procedura të prokurimit publik. Nga 794 ankesa, 308 prej tyre ose rreth 39%, janë ankesa të paraqitura për kundërshtime mbi dokumentet e tenderit dhe 486 ankesa ose rreth 61% e tyre, janë ankesa të paraqitura për fazën e vlerësimit të ofertave”, thuhet në raport.


Eksperti Muharem Çakaj thekson nevojën për konsultime të mëtejshme mes qeverisë dhe grupeve të interesit në reforma të tilla.
“Prokurimet publike nuk i shërbejnë vetëm autoriteteve kontraktore, pala tjetër janë operatorët ekonomikë. Deri më sot nuk kemi një tryezë të madhe, të gjithëpranuar, ndërmjet qeverisë shqiptare dhe operatorëve ekonomik.”
Ofruesi i shërbimit të prokurimit
Në një nga pikat e relacionit parashikohet mundësia që autoritetet kontraktore të delegojnë përgjegjësitë e tyre për prokurim te kontraktorët privatë, përfshirë edhe atë të huaj.
Arianita Brahaj, drejtuese e “Open Data Albania”, shprehet se ky draft-ligj nё disa koncepte përmban parashikime të pjesshme, të cilat nuk janë të mjaftueshme për të adresuar çështjen në tërësi.
“Janë shpeshherë të paqarta mënyra se si do të krijohet ose do të kontraktohet, ose do të zhvendoset një pjesë e prokurimeve ndoshta te një operator privat, jo publik, i cili mund të jetë i huaj ose vendas. Si do të bëhet kjo, si do të jetë licensimi, si do të jetë përzgjedhja? A do të rrisin këto kostot, sepse do të jenë me pagesë këto lloj shërbimesh. A do të rrisin këto kostot për taksapaguesit dhe për ata që do të angazhohen?”
Përfshirja e ofruesit të shërbimit të huaj në sistemin e prokurimit publik shqiptar, sipas Çakaj tregon dështimin e kapaciteteve, burimeve njerëzore të prokurimit publik lidhur me menaxhimin e procesit të prokurimit.
“Kjo është problematika kryesore në parashikimet e draftit përcaktohet se subjekti i ofruesit të shërbimit të prokurimit publik mund të jetë edhe i huaj. Unë këtë e shikoj shumë problematike. Kjo do të thotë që një autoritet kontraktor shqiptar nëse nuk ka kapacitetet e nevojshme, ose nëse përmbush kriteret që mund t’i drejtohet një subjekti ofruesi shërbimi të huaj, do të thotë që ta delegojë të drejtën e tij, tagrin e tij ligjor te ofruesi i shërbimit një subjekt i huaj”.
Një nga parashikimet e tjera që përcakton ky draft i propozuar është edhe ringritja e sistemit të prokurimeve elektronike, pra bërja e një sistemi tërësisht të ri ku do të jenë të integruar edhe sisteme të reja. Por shqetësimi i ekspërtëve qëndron në faktin se ky sistem do të jetë me pagesë.
“Ky sistem është parashikuar të ofrohet me pagesë. Do të paguajnë për të aksesuar sistemin autoritetet kontraktore, operatorët ekonomikë që do të marrin pjesë në procedurat e prokurimit publik, gjithashtu do të paguajnë për të aksesuar sistemin edhe të gjithë personat e tjerë subjekte juridike apo private të interesuar për të marrë informacion mbi sistemin e prokurimit publik ku përfshihen gazetarë, organizata jo fitimprurëse. Pra, ky është një hap pas në drejtim të transparencës”, thotë Çakaj.
Drejtuesja e Open Data shpreh të njëjtin shqetësim, duke ngritur dyshime në lidhje me gjithëpërfshirjen e këtij sistemi të ri.
“Një element tjetër që na shqetëson është ky sistem i ri a do të ketë të gjithë parametrat e pjesëmarrjes, pra përfaqësimit të bizeneseve të cilët duan të jenë pjesë e procesit, qofshin këto biznese të vogla të cilat nuk janë më herët kontraktor publik por synojnë të bëhen pjesë e procesit kontraktim apo prokurim publik”.
Problemi i gjithëpërfshirjes në sistemin e prokurimit publik u evidentua më herët edhe nga Dhoma Amerikane e Tregtisë në Shqipëri, Dhoma Gjermane e Tregtisë, Dhoma Italiane e Tregtisë, Confindustria Albania dhe Dhoma Franceze e Tregtisë.
Në një deklaratë të përbashkët të publikuar përpara fillimit të konsultimit publik të këtij projektligji, ato njëzëri kërkuan nga Qeveria Shqiptare, Parlamenti dhe Agjenci të tjera publike përgjegjëse, që të angazhohen me reforma gjithëpërfshirëse ekonomike.
“Rritja e efikasitetit dhe besueshmërisë të sistemit të Prokurimit Publik, duke miratuar Standardet e të Dhënave të Hapura të Kontraktimit në proceset e prokurimeve, duke eliminuar “përjashtimet e veçanta” nga prokurimi i fondeve publike dhe duke ju dhënë gazetarëve dhe shoqërisë civile më shumë akses në dosjet dhe të dhënat mbi procesin e prokurimeve”, ishte një nga reformat e propozuara nga dhomat e tregtisë.
Imlpementimi i Inteligjencës Artificiale
Në fokusin e diskutimeve të këtij draft-ligji është edhe implementimi i inteligjencës artificiale në prokurimin publik. Arianita Brahaj shpreh shqetësimin se Shqipëria nuk ka modele të mjaftueshme dhe zhvillime teknologjike për ta bërë këtë me sukses.
“Ne nuk dimë si do të realizohen këto procedura dhe nëse realizohen, kush do të jetë entiteti që ka kapacitete për t’i bërë. Nga ana tjetër kush do të jetë modeli, praktika apo baza më e gjërë legjislative. Sepse nuk mjafton një ligj i vetëm të flasë për Inteligjencën Artificiale.”
Eksperti i IT, Said Duleviç, bën thirrje për më shumë transparencë në lidhje me implementimin e inteligjencës artificiale në prokurimin publik dhe thekson se është e rëndësishme të kuptohet se në cilat faza të procesit do të aplikohet kjo teknologji.
“E kam dëgjuar pak që do të futet në sistemet e qeverisë, por më duket pak ndoshta e nxituar për shkak se ka pak informacion për inteligjencën artificiale. Patjetër që kompanitë e mëdha në botë e kanë integruar por në sektorë të cilat kanë të bëjnë me detaje që nuk prekin thellë në analizë apo çfarë janë gjëra të këtij niveli, sepse këtu caktohet diçka e cila është e madhe siç është përcaktimi i tenderave apo diçka e cila nesër mund të sjellë debate, mund të sjellë problematika të ndryshme”, tregon eksperti i IT.
“Inteligjenca artificiale nuk është përdorur në asnjë vend deri më sot në prokurimet publike, në asnjë vend evropian. Është një risi, diku shihet me pozitivitet, diku shihet me dyshim. Por implementimi në ligjin e prokurimit publik shqiptar i inteligjencës artificiale, unë e shoh personalisht të parakohshëm, të panevojshëm për momentin dhe problematik me pasoja të mëdha lidhur qoftë me autoritetet kontraktore, qoftë me operatorët ekonomikë”, shprehet Çakaj.
Institucionet e përfshira në hartimin dhe zbatimin e këtij draft-ligji, si Kryeministria, Ministria e Financave, Agjencia e Prokurimit Publik, në përgjigjet e tyre për Sinjalizo nuk dhanë të dhëna rreth rëndësisë së përfshirjes së subjekte private-jopublike në procesin e prokurimit publik, dhe funksionimit të Inteligjencsë Artificiale në zhvillimin e SPE. Po ashtu është e paqartë, nëse janë zhvilluar konsultime publike dhe çfarë rekomandimesh kanë sjellë aktorë të ndryshëm në lidhje me këto ndryshime.
Ky artikull u krijua bazuar në të dhëna të siguruara nga individë që kanë zgjedhur të ngrenë zërin. Ndani historinë tuaj, fuqizojini të tjerët dhe bëhuni faktor për ndryshim. Vizitoni faqen: www.acqj.al/sinjalizo-dhe-ti/