Ida Ismalaj
Raporti i publikuar nga “Together for Life” ngre shqetësimin për gjendjen kritike të financimit publik të sistemit shëndetësor në Shqipëri. Sipas raportit “Monitorimi i Shpenzimeve të Sektorit të Shëndetësisë 2025”, vendi ynë mbetet ndër më pak të financuarit në rajon, pavarësisht deklarimeve të qeverisë për rritje të buxhetit në shëndetësi. Shpenzimet e Shqipërisë për shëndetësinë për banor rezultojnë 33% më të ulëta nga mesatarja e vendeve të Ballkani Perëndimor dhe 42% më të ulëta se mesatarja e vendeve te Rajonit.
Për vitin 2025, shpenzimet për shëndetësinë në Shqipëri përbëjnë vetëm 2.9% të PBB-së dhe 9.6% të buxhetit publik, ndërsa financimi për frymë arrin në vetëm 590 dollarë, niveli më i ulët në Ballkanin Perëndimor. Po ashtu, qytetarët shqiptarë vazhdojnë të paguajnë nga xhepi gati gjysmën e kostove shëndetësore, me 48.27% të shpenzimeve totale, niveli më i lartë në rajon.
Sipas raportit, këto tregues e vendosin larg objektivave të Strategjisë Kombëtare të Shëndetësisë 2021-2030 dhe premtimeve të qeverisë për shëndetësi falas.
Investime të parealizuara dhe dobësi në menaxhimin e fondeve
Raporti evidenton probleme serioze në mënyrën si planifikohen dhe menaxhohen fondet publike në shëndetësi. Sipas gjetjeve, një pjesë e konsiderueshme e investimeve të planifikuara për vitin 2025 në kujdesin spitalor janë reduktuar ose kanë mbetur të parealizuara për shkak të mangësive në prokurime, menaxhim projektesh dhe monitorim.
Një tjetër shqetësim lidhet me uljen e financimit për kujdesin parësor, ndërkohë që barra e shërbimeve për qytetarët vazhdon të rritet. Raporti argumenton se zhvendosja e fondeve drejt spitaleve dhe shërbimeve të specializuara është bërë si reagim ndaj krizave dhe mungesave në sistemin spitalor, por në dëm të forcimit të kujdesit bazë shëndetësor.
“Zhvendosja e burimeve të financimit nga sistemi parësor tek ai dytësor është e pajustifikueshme dhe bie ndesh me nevojat në rritje të popullatës dhe me objektivat strategjikë për forcimin e kujdesit parësor si baza e sistemit shëndetësor,” thuhet në raport.
Problematika ka patur edhe në planifikimin buxhetor dhe menaxhimin e investimeve nga Ministria e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale (MSHMS), pasi reduktimet e konsiderueshme të planit buxhetor gjatë vitit 2025 për shpenzimet korrente (shuma e të gjithë shpenzimeve operative dhe të mirëmbajtjes) dhe ato kapitale, tregojnë se planifikimi fillestar nuk ka qenë i lidhur ngushtë me kapacitetet reale të zbatimit.
Mbetet shqetësuese edhe mungesa e integrimit ndërmjet raportimeve të MSHMS-së dhe të dhënave të detajuara të FSDKSH-së, çka bën që çështje kritike si devijimet buxhetore, skemat e rimbursimit dhe kontratat koncesionare të mos pasqyrohen plotësisht në raportet zyrtare, duke kufizuar transparencën dhe llogaridhënien institucionale.
Në mënyrë që vendi ynë të mos jetë ndër më pak të financuarit në rajon në fushën e shëndetësisë, por të ketë një vëmëndje të shtuar dhe përmirësim të situatës, rekomandohet rritje e peshës së financimit publik për shëndetësinë në raport me PBB dhe shpenzimet publike totale. Po ashtu, forcimi i skemës së sigurimit shëndetësor me synim uljen e pagesave nga xhepi.
Zgjerimi i paketave të mbuluara nga skemat e rimbursimit për qytetarët dhe përmirësimi i transparencës dhe monitorimit të investimeve publike dhe performancës së spitaleve./acqj.al