Juristët: Çmontimi i kamerave të krimit, akuza e policisë nuk qëndron

Autor: Denis Tahiri

E vënë në kërkim të kamerave të sigurisë në çdo rrugë, biznes dhe pronë private, Policia e Shtetit këmbëngul se po pret fijet e krimit. Ndaj dhe operacioni disa javor është koduar me këtë emër.  E pyetur nga “Sinjalizo”, zyra e shtypit në policinë qëndrore deklaron sasinë e lartë të kamerave të çmontuara dhe të referimeve në prokuroritë e rretheve gjyqësore. Për periudhën nga 15 janar deri më 3 shkurt, Policia e Shtetit saktëson se  “Janë çmontuar dhe sekuestruar në total 508 kamera, ku 220 kamera janë çmontuar në Tiranë, 37 në Elbasan, 79 kamera janë çmontuar në Shkodër, 9 në Lezhë, 54 kamera janë çmontuar në Durrës, 26 kamera në Vlorë, 54 kamera në Korçë, 20 kamera janë çmontuar në Fier, 3 në Gjirokastër dhe 6 në Dibër”.

Për policinë, ky operacion është pjesë e një strategjie të re afatgjatë, në luftën ndaj krimit. Por nuk hidhet dritë se në çfarë aspekti po luftohet krimi , pavarësisht se midis emrave të referuar ka edhe protagonistë të njohur të krimit në qytete si Shkodra, Tirana, Elbasani, Vlora dhe Durrësi.

Policia e Shtetit: Hetim për 101 shtetas për vendosjen e kamerave

 Operacioni “Fijet” sipas uniformave blu, synon mbrojtjen e privatësisë së qytetarëve si dhe ndërprerjen e mundësive të kontigjentit kriminal për t’u furnizuar me informacione.

“Një nga komponentët e kësaj strategjie është kontrolli për zbatimin korrekt të ligjit nr.19/2016 “Për masat shtesë të sigurisë publike”, pasi nga analiza, ka rezultuar se ka keqinterpretim të këtij ligji, për vendosjen e kamerave të sigurisë. Në këtë kontekst, qytetarë, por dhe shtetas me precedent kriminal, kanë vendosur kamera, duke shkelur të drejtën e privatësisë së qytetarëve të tjerë”, shprehet zyrtarisht Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit, ku shton se janë iniciuar hetime të thelluara për 101 shtetas, një pjesë e tyre janë shtetas me precedent penal për veprimtari të ndryshme kriminale.

Për 101 shtetas shqiptarë, të cilët kanë patur të instaluar kamera sigurie ka nisur nga policia një hetim i thelluar për  veprën penale “Ndërhyrje të padrejta në jetën private”, por sipas ekspertëve, kjo vepër penale do të “rrëzohet” nga organet e drejtësisë.

“Duhet vërtetuar keqpërdorimi i kamerës”, thotë avokati Jordan Daci, i cili shton se duhet të bëhet ekspertimi, duhet të shikohet këndi se nga ka qenë drejtuar kamera.  “Tani unë them e kam pas drejtuar nga shtëpia, ti ma ke lëviz, praktikisht nuk e vërteton dot. 99.9% bie poshtë si akuzë. Ata do ta çojnë në prokurori njëherë dhe nuk besoj ta çojë prokurori përpara”, thotë zoti Daci për “Sinjalizo”.

I të njëjtit mendim është edhe avokati Arbër Hoxha, i  cili shprehet se akuza nuk qëndron. “E para, ndërhyrje në jetën private, nis mbi bazën e një ankimi të të dëmtuarit, pra që domethënë, nëse ti ndihesh i cënuar në jetën tënde private duhet të bësh kallëzim në prokurori, polici etj dhe nëse prokurori merr në pyetje duhet të mbajë një procesverbal që quhet pyetja e të dëmtuarit dhe është ankimi i të dëmtuarit, pra nëse nuk ka ankim nga i dëmtuari nuk mund të ndiqet kryesisht pa pasur nevojë të ankimit të të dëmtuarit”,shprehet ai, duke shtuar se ka një sër veprash të caktuara në kodin e procedurës penale që ndiqen në bazë të ankimit të të dëmtuarit dhe kjo është një prej tyre.

Në nenin 59 të Kodit të Procedurës Penale, këtë procedim nuk mund ta nisi prokurori por është viktima akuzuese i cili merr atributet e prokurorit në gjykatë dhe ka barrën e provës dhe sipas nenit 59, prokurori shkon palë në gjykim por nuk është kryesori, viktima akuzuese është kryesore”, përfundon zoti Hoxha, duke shtuar se nuk mund të nis një procedim për nenin 121 të Kodit Penal.

Nga ana tjetër, avokati Jordan Daci, thotë për vendosjen e kamerave se ato janë thjeshtë kundravajtje administrative: “Është ligji për sigurinë e shtuar dhe ai thotë për vendosjen jo për heqjen. Si rregull, policia ka të drejtë t’i heqi për arsye të sigurisë, por janë në nivelin e kundravajtjes administrative, nuk ka vepër penale”, përfundon ai.

 Eksperti i sigurisë Softa: Aksioni i policisë pati 2 gabime

“Policia e Shtetit si asnjëherë më parë është treguar e guximshme duke ndërhyrë në një nga pikat e format të teknologjisë në funksion të krimit”, shprehet profesori Ervin Karamuço për “Sinjalizo”, duke shtuar se mënyra e fragmetizuar dhe me faza operacionale me të cilat vijoi të organizohet ky operacion i ka ulur pritshmëritë për zbulimin e të gjithë infrastrukturës dhe autorëve të vërtetë të kamerave të paligjshme.

Edhe eksperti i sigurisë Fatjon Softa, i pyetur nga “Sinjalizo” për veprimet e policisë u shpreh se; “Për sa i përket mënyrës se si u realizua ndërhyrja, patjetër ka qenë e gabuar dhe vijon të jetë e gabuar”, thotë ai, duke shtuar se aksioni pati dy gabime.  “Së pari, heqja e kamerave në mënyrë brutale, pra jo nga njerëz ekspertë, të cilat nëse policia s’do të kishte patur nevojë për ti përdorur, mund ti kishte çuar për ruajten e shkollave, kopshteve, çerdheve ose ambienteve të tjera publike. E dyta, u dha mundësi grupeve të tjera që nga momenti i sinjalit në Shkodër, që në Tiranë, Vlorë e kudo ku vazhdon aksioni të shkëpusnin lidhjet e tyre, të hiqnin provat. Pra ne hoqëm syrin e kamerave por nuk shkuam te serverat dhe fakti që kamerat kur hiqen kanë vetëm efekt negativ, pasi në shumicën e rasteve të gjitha ngjarjet janë zbuluar nga kamerat. Nga ato kamerat e qytetarëve shqiptarë”, thotë ai.

Për profesorin e kriminalistikës, Karamuço, gabimi i forcave të policisë qëndroi në mungesën e veprimeve të njëkohshme në të gjithë territorin për heqjen e kamerave, shoqëruar kjo me hetime paraprake proaktive për të zbuluar serverat, monitorët, vëzhguesit dhe organizatorët.  “Policia e justifikon këtë mosveprim me mungesën e burimeve njerëzore, por mendoj se mund të ketë arsye të tjera për të cilat nuk dëshiroj të aludoj”, thotë zoti Karamuço, duke shtuar se mbas heqjes së kamerave të paligjshme, policia duhet të nxitojë për të shtuar kamerat publike të sigurisë, si benefiti i vetëm për të rimarrë nën kontroll zonat që vëzhgoheshin deri dje vetëm nga persona me precedent penal.

Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit shprehet  për “Sinjalizo” se: “Në zbatim të ligjit nr. 19/2016 “Për masat shtesë të sigurisë publike”, Policia e Shtetit disponon evidenca të sakta për subjekte private që kanë vendosur kamera. Inspektimi në terren vijon, pasi rikontrolli i të gjithë territorit përsa i përket vendosjes së kamerave, është pjesë e këtij operacioni”. Ndërkohë sipas këtij ligji, policia duhet të kishte një regjistër të të gjitha kamerave të sigurisë të vendosur në vendin tonë nga subjektet private.

Ekziston një regjistër kombëtar i regjistrimit për kamerat e sigurisë sipas ligjit, por në raport me numrin kombëtar të kamerave të vendosura në të gjithë territorin ka numër shumë të reduktuar”, shprehet profesor Karamuço. Ndërkohë për ekspertin e sigurisë Fatjon Softa, nuk mund të ketë regjistër përsa kohë “në të gjitha ngjarjet që kanë ndodhur, oficerët e policisë vijnë nëpër lagje ku ka kaluar personi në një rrugë apo rrugicë  dhe oficerët e policisë bredhin rrugë më rrugë duke parë me sy të lirë për të parë ku janë kamerat dhe kush i ka këta për të kontaktuar me personin”.

Unë e kam thënë gjithmonë”, thotë zoti Softa: “që duhej të krijohej një regjistër digjital për kamerat e investuara nga privatët, pavarësisht se pastaj privatët do ti ndajnë me qëllime kriminale apo me qëllime parandalimi për ruajtjen e pronës, banesës etj”, shprehet ai.

What's your reaction?
0Smile0Lol0Wow0Love0Sad0Angry

Leave a comment

Qendra Shqiptare për Gazetari Cilësore
Rruga Pjetër Budi, 69

Tiranë, ALBANIA


Telefon: +355 (0) 6 8856 3686
Email: info@acqj.al

Investigative Network Albania

Teksti zyrtar është versioni në shqip i faqes së internetit. Kjo faqe përdor përkthim automatik përmes mjeteve të inteligjencës artificiale. Pavarësisht se ky përkthim është i një cilësie të lartë, rastis që të ketë dhe gabime dhe keqkuptime në kontekstin e produkteve. Duke qenë se është një teknologji e cila përmirësohet me kalimin e kohës, shpresojmë të qendroni me ne ndërkohë që perfeksionojmë këtë shërbim.

Copyright © 2024 Giljana Limani.  All Rights Reserved.

Copyright © 2024 Giljana Limani.  All Rights Reserved.

Newsletter