Denada Jushi
Prej më shumë se 10 ditësh në Shqipëri lajmi kryesor ka qenë një seri kontrollesh që kanë zbuluar mjete jo të lejuara apo të paligjshme në burgjet shqiptare, duke vënë në pikëpyetje funksionimin dhe sigurinë e këtyre institucioneve.
Këto kontrolle të befasishme zbuluan sende të ndaluara si, për shembull, drogë, mjete prerëse dhe sisteme komunikimi të improvizuara që vijojnë të futen në institucionet e vuajtjes së dënimit, ndërsa raportet europiane flasin për mbipopullim, trajtim jo dinjitoz dhe mungesë sigurie. Në disa raste ka pasur edhe kërkesa për mbylljen e tyre, si në rastin e raportimit nga Avokati i Popullit.
Rasti më i fundit u regjistrua në burgun e Peqinit, ku forcat operacionale të burgjeve zhvilluan një kontroll “blic” në qeli. Gjatë aksionit u zbuluan mjete prerëse të improvizuara, lëndë narkotike, kabuj elektrikë dhe qarqe të modifikuara që dyshohet se përdoreshin për komunikim të paligjshëm mes të dënuarve. Dy persona të dënuar me burgim të përjetshëm u transferuan menjëherë pas operacionit.
Kontrolli në Peqin u zhvillua me mbështetjen e forcave speciale të Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve dhe njësive të sigurisë nga disa burgje të vendit. Përdorimi i dronëve, qenve antidrogë dhe detektorëve specialë tregon se institucionet kanë rritur nivelin e alarmit për atë që po ndodh brenda qelive.
Por kjo nuk është hera e parë që burgjet shqiptare gjenden në qendër të skandaleve të sigurisë. Vetëm muajt e fundit janë raportuar raste të futjes së telefonave celularë, përdorimit të internetit nga qelitë dhe dyshime për organizim aktivitetesh kriminale nga brenda burgjeve. Në disa raste, autoritetet kanë zbuluar pajisje të sofistikuara komunikimi të fshehura në ambientet e burgjeve, çka ngre pikëpyetje mbi kontrollin që ka në këto institucione.
Por shqetësimet nuk lidhen vetëm me sigurinë. Raportet europiane dhe auditimet flasin për probleme strukturore që vazhdojnë prej vitesh. Sipas progres-raportit të Bashkimit Europian për Shqipërinë, mbipopullimi në burgje mbetet problem serioz, ndërsa ka pretendime për trajtim të keq dhe mungesë të kujdesit shëndetësor për të burgosurit. Raporti thekson gjithashtu se mekanizmat e ankesave dhe llogaridhënies janë ende të dobëta.
Ekspertët e sigurisë argumentojnë se futja e sendeve të ndaluara në burgje nuk mund të ndodhë pa rrjete bashkëpunimi të brendshme, çka e bën situatën edhe më problematike.
Telefonat, droga apo mjetet prerëse kalojnë përmes kontrolleve dhe kjo ka ngritur prej kohësh dyshime për korrupsion apo mungesë kontrolli në sistem.
Në të kaluarën janë dokumentuar raste dhune mes të burgosurve, tentativa arratisjeje dhe incidente të rënda sigurie, deri në vrasje brenda institucionit, pikërisht nga këto mjete të futura ilegalisht.
Skandali thellohet kur prej ditësh janë publikuar video të personave me rrezikshmëri të lartë duke organizuar festa brenda qelive, ku shihet qartë përdorimi i alkoolit, drogërave dhe telefonave, ndërsa kryejnë lidhje live.
Po ashtu, janë siguruar nga gazetarë investigativë dokumentacione që pritet të dalin, ku të burgosur e të dënuar kanë siguruar takime intime me vajza kundrejt falsifikimit të dokumenteve apo ryshfetit.
Autoritetet shqiptare janë zotuar disa herë për marrje masash për forcimin e sigurisë dhe modernizimin e burgjeve. Por kontrollet e fundit në Peqin tregojnë se problemi mbetet ende i pazgjidhur.
Qelitë vazhdojnë të kenë sende të ndaluara, ndërsa burgjet shqiptare mbeten një nga hallkat më problematike të sistemit të drejtësisë në vend./acqj.al