Turizmi në krizë. Për një vit u larguan rreth 50 mijë shqiptarë

Autor: Aurora Shpataj

Në një kohë kur vendi ynë po braktiset gjithnjë e më shumë nga një pjesë e madhe e qytetarëve, ai që po e vuan më shumë këtë fenomen, është sektori i turizmit. Në një raport të Institutit të Statistikave, numri i emigrantëve për vitin 2022 ishte 46 460 persona. Të gjendur përballë faktit të braktisjes së vendit nga forca kryesore e punës, ky sektor duket se është në kolaps total, në prag të nisjes së sezonit turistik. Struktura të ndryshme të hoteleri-turizmit dhe shërbime të tjera që i përkasin këtij sektori, po hasin shumë vështirësi sa i përket mungesës së krahut të punës, duke u detyruar që zgjidhjen ta shikojnë diku tjetër. Drejtues të shumë bizneseve, janë detyruar të marrin në punë shtetas të huaj nga vende si: Bangladeshi, Sri Lanka apo edhe Turqia etj. Një ndër bizneset që është përballuar me këtë fenomen përgjatë sezonit turistik është edhe kompleksi “Fafa”, i vendosur në Golem e konkretisht në Malin e Robit. Sipërmarrësi, Fatos Cerenishti tregon për “Sinjalizo” se mungesa e të rinjve shqiptarë e ka detyruar të porosisë krah pune nga vende të huaja.

Dihet që kur flasim për sektorin e turizmit pjesa e punëtorëve është më e rëndësishme, zëri më i rëndësishëm në këtë sektor, sepse nëse do flasim për mikpritje për shërbim, gjithcka realizohet nga punonjësit. Shumë problematika që kemi hasur nga mungesa e punonjësve shqiptarë jemi munduar ti plotësojmë me të huaj.”

Sipërmarrësi Fatos Cerenishti

Sipërmarrësi tregon që në kompleksin e tij punojnë disa punonjës të huaj, të cilët kanë ardhur nga vende të ndryshme.

Në kompleksin që unë drejtoj kam 40 punonjës të huaj, të cilët kanë ardhur nga Turqia apo dhe Bali.”

Cerenishti tregon se mungesa e krahut vendas të punës, e ka detyruar atë të porosisë punëtorë nëpërmjet agjencive shqiptare të punësimit, në një kohë kur nevoja për punonjës është më e madhe se kurrë.

Për këtë vit kam kërkuar nga agjencitë e punësimit mbi 100 punonjës të huaj, madje këtë javë pres të më vijnë dhjetë të parët.”

Ndërkohë një ndër shtetaset e huaja që ka zgjedhur Shqipërinë për të punuar është Chamik Hetirachi ose ndryshe e quajtur Nish. Ajo vjen nga Sri Lanka dhe është e specializuar si fizioterapiste. Nish tregon për ‘Sinjalizo’ rrugën e mbërritjes në vendin tonë.

 “Unë kam ardhur në Shqipëri përmes agjencisë pasi më shikuan CV time. Kam paguar 10 mijë dollar që të vija këtu. Nuk e njihja vendin, unë erdha këtu se kishte vende të lira pune.”

Shtetesja Chamik Hetirachi nga Sri Lanka

Ajo tregon që përgjatë 1 viti në Shqipëri ka punuar në disa hotele në Durrës.

Kam punuar në dy hotele në Durrës ku jepja shërbimet e mia. Aty paguhesha 600 dollarë me ushqimin dhe akomodimin e përfshirë”.

Nga të dhënat që disponon “Sinjalizo”, kanë hyrë për  periudhën janar –prill 2023 në territorin shqiptar 1.684.820 shtetas të huaj . Numrin më të lartë të hyrjeve e kanë shtetasit europiane, përkatësisht  1.626.852 shtetas, pasuar nga Amerika dhe Azia Lindore.

Burime thanë për  “Sinjalizo” se  për katërmujorin e 2023, 1.646.725 shtetas të huaj kanë patur qëllime personale, 38.095 shtetas kanë patur qëllime për biznes dhe profesionale, ndërsa udhëtarë transit janë 80.273 shtetas të huaj.

Propozim nga sipërmarrësit : Studentët të përfundojnë vitin mësimor në qershor

Sipërmarrësi Cerenishti tregon se zgjidhja nuk mund të jetë krahu i punës i huaj. Ndërkohë, rrëfen se eksperiencat e këqija me punonjës të huaj nuk i kanë munguar.

Vjet tentova me një agjenci punësimi nga Bangladeshi e cila i solli punonjësit e ato pa ardhur mirë, këta të fundit u larguan pa i parë njëherë në punë. Madje tani them se kushdo që të më vijë nga tregu i Bangladeshit edhe specialistët më të mirë janë të papranueshëm, sepse e përdorin Shqipërinë si trampolinë për vendet e tjera.”

Mungesën e kualifikimit të shtetasve të huaj e konfirmon dhe Kumrie Zika, një eksperte punësimi, njëkohësisht dhe pronare e një agjencie shqiptare për punësimin për të huaj që pohon për “Sinjalizo” se krahu i punës i cili vjen nga jashtë kryesisht është i pakualifikuar.

Kryesisht punëtorët që kanë zgjedhur të vijnë në Shqipëri janë kategoria e punëtorëve të pakualifikuar, të kualifikuarit janë në pak në numër. I kemi në fushën e ndërtimit nga punëtorë të thjeshtë deri tek specialistë, pra mjeshtra në ndërtim. I kemi në fasoneri, kryesisht Bangladeshit që njihen për tekstil, i kemi nga Sri Lanka që kohët e fundit janë fizioterapist dhe në fushën e bujqësisë.”

Kumrie Zika eksperte punësimi

Pronari i kompleksit “Fafa” përfundon duke treguar se ju është ofruar një propozim instancave përkatëse për zgjidhjen e kësaj krize.

Një nga propozimet tona ka qenë hendeku që ka për punonjësit mund ta mbulojmë, ta mbushim me nxënësit e shkollave të mesme dhe studentët e cila është një armatë mendoj mbi 200 mijë. Nëse qeveria do të marrë një vendim që të mos fillojë universiteti jo në tetor ose nëntor, por të fillojë më 15 shtator si për shkollat e mesme ashtu edhe për universitetet e të përfundojnë më 15 qershor. Të bëjnë një program të ngjeshur, për shkak se është hall, përderisa prioriteti i qeverisë është zhvillimi i turizmit, atëherë duhet të sakrifikojnë që kjo armatë të jetë 4 muaj pjesë e sektorit të turizmit.”

 

Ky artikull u krijua bazuar në të dhëna të siguruara nga individë që kanë zgjedhur të ngrenë zërin. Ndani historinë tuaj, fuqizojini të tjerët dhe bëhuni faktor për ndryshim. Vizitoni faqen: www.acqj.al/sinjalizo-dhe-ti/