Andeta Kapa
Ne nuk kërkojmë dicka që nuk na takon. Kërkojmë vetëm të dimë kur do ta marrim pagesën dhe pse po vonohet kaq shumë”, thotë K.B., studente në Fakultetin e Shkencave Sociale dhe përfituese e bursës sociale.
Për dy vite akademike, sipas saj, bursa ka mbërritur në llogari me muaj vonesë. Pagesat që ajo priste çdo muaj janë grumbulluar, duke nisur të kalojnë nga mesi i vitit akademik deri në fund të tij.
Gjatë vitit 2024–25, K.B. thotë se një pjesë e shumës nuk iu pagua fare. Ajo nuk e kujton vlerën e saktë, por tregon se interesimi pranë zyrës së financës nuk i dha zgjidhje.
“Edhe pse u interesuam te financa, asnjë nuk mbajti përgjegjësi dhe ato lekë nuk na I hodhën kurrë”, thotë studentja.
Për K.M., një tjetër studente e të njëjtit fakultet, vonesa e bursës është përkthyer në borxh. Ajo e llogarit këtë pagesë bashkë me pagën minimale për të mbuluar shpenzimet e përditshme.
“Mua më është dashur të marr borxh”, shprehet ajo.
“Nuk është se bursa mbulon të gjitha shpenzimet mujore, por së bashku me paratë e rrogës minimale, ia dal të mbuloj shpenzimet e mia, vetëm kaq, gjëra qejfi nuk bëhet fjalë për mua”, shton K.M.
Vendimi që rregullon bursat parashikon pagesa mujore dhe afate për shqyrtimin e kërkesave. Fakulteti i lidh vonesat me fondet e disponueshme dhe konfirmimin e dokumentacionit nga bashkitë. Në përgjigjen e tij, megjithatë, nuk sqarohet se çfarë ka ndodhur me këstet që studentët pretendojnë se nuk i kanë marrë.
Pagesa mujore dhe afate për miratimin
Sipas VKM nr. 903, datë 21.12.2016, të ndryshuar, bursa është 10 mijë lekë në muaj dhe kalon në llogarinë bankare të studentit pas konfirmimit të frekuentimit të programit të studimit.
Njësitë kryesore të universiteteve kanë 15 ditë nga marrja e kërkesës dhe dokumentacionit për të kryer verifikimet, në bashkëpunim me institucionet që duhet t’i konfirmojnë ato. Bordi i Administrimit duhet të marrë vendim brenda 30 ditëve nga paraqitja e kërkesës së studentit.
Kur aplikimi bëhet në fillim të vitit akademik, bursa paguhet nga data e regjistrimit. Nëse studenti i plotëson kriteret gjatë vitit dhe paraqet kërkesën, pagesa nis nga muaji pasardhës. Vendimet e Bordit bëhen publike dhe mund të ankimohen.
Për ekspertin e arsimit, Prof. Asoc. Dr. Ndriçim Mehmeti, problemi qëndron te zbatimi i së drejtës për mbështetje financiare. Sipas tij, burokracitë dhe vonesat procedurale e largojnë bursën nga qëllimi i saj, veçanërisht për studentët që varen nga kjo e ardhur.
Për këtë shkrim janë intervistuar 10 studentë. Mes tyre është B.S., përfitues i bursës sociale, i cili thotë se për vitin akademik 2024–25 nuk mori tri pagesa mujore.
“Në vitin akademik 2024-25, nuk na kanë dhënë tre muaj pagesë që na takonte, gjoja nuk ishin dokumentet në rregull në aplikimin e parë, ndërkohë që në të dytin ne dorëzuam të njëjtat. Kjo ka ndodhur me studentët e bursave“, shprehet B.S.
Pretendimet e tij dhe të K.B. për pagesa të paplota mbeten të pakonfirmuara me dokumente. Dëshmitë e studentëve përshkruajnë vështirësitë që kanë hasur, por nuk tregojnë sa përfitues janë prekur në të gjithë universitetin.
Fakulteti ia lidh vonesat fondeve dhe bashkive
Në përgjigje të kërkesës për sqarim, Fakulteti i Shkencave Sociale tha se pagesat janë kryer në varësi të fondeve të disponueshme pranë Degës së Thesarit Tiranë dhe limiteve mujore të planit vjetor të miratuar nga Ministria e Arsimit dhe Ministria e Financave. Sipas fakultetit, koha e pagesës ka ndryshuar në varësi të gjendjes së fondeve në muajin përkatës.
FSHS-ja sqaron gjithashtu se, në rastet kur bashkitë përkatëse kanë vonuar konfirmimin e dokumentacionit të studentëve, miratimi i bursës është bërë me vonesë dhe pagesa është kryer pas marrjes së konfirmimit përkatës.
Përgjigjja nuk jep data apo shuma për rastet e studentëve që ankohen për këste të papaguara dhe nuk sqaron nëse pagesat e mëvonshme kanë mbuluar të gjithë muajt që u takonin.
Financimi dhe miratimi i bursës kalojnë në disa institucione. Sipas ligjit nr. 80/2015 për arsimin e lartë, fondi i mbështetjes studentore është pjesë e grantit të mësimdhënies, i cili shpërndahet nga Agjencia Kombëtare e Financimit të Arsimit të Lartë. Universitetet verifikojnë aplikimet dhe vendosin për përfituesit sipas VKM nr. 903.
Përfshirja e disa hallkave administrative, sipas Mehmetit, e bën të domosdoshëm përcaktimin e qartë të përgjegjësive. B.S. thotë se studentët duhet të kenë mundësi të shohin statusin e aplikimit, pagesat e kryera dhe arsyen e çdo vonese apo diference.
Fondi i bursave u realizua në rreth 61 për qind
Në shkallë kombëtare, fondi i bursave në kuadër të “Paktit për Universitetin” u realizua në rreth 61 për qind gjatë vitit 2025. Sipas raportit vjetor të monitorimit të Ministrisë së Arsimit, nga 1 miliard e 293 milionë lekë të fondit të rishikuar, u realizuan 794 milionë lekë.
Në pjesën që përshkruan këtë fond, raporti parashikon 11 800 deri në 12 000 përfitues sipas VKM nr. 903, mes tyre studentë me rezultate të larta dhe studentë nga shtresat sociale në nevojë. Kjo linjë financimi paraqitet veçmas nga skema e mbështetjes së ekselencës dhe programeve prioritare sipas VKM nr. 386.
Diferenca mes fondit të rishikuar dhe realizimit është 499 milionë lekë. Shifra i përket vitit fiskal 2025 dhe përfshin disa kategori studentësh; ajo nuk mund të barazohet me bursa të papaguara për vitin akademik 2024–25. Të dhënat e përmbledhura nuk tregojnë sa prej diferencës lidhet me pagesa të vonuara apo detyrime ndaj studentëve.
Një datë e njohur për pagesën
Në disa vende të Bashkimit Evropian, studentët e dinë paraprakisht datën kur do ta marrin mbështetjen financiare. Në Finlandë, Kela e paguan grantin e studimit ditën e parë të muajit ose ditën e ardhshme të punës. Çdo pagesë pasqyrohet në regjistrin e të ardhurave brenda pesë ditëve.
Në Holandë, DUO publikon datat mujore të pagesave. Përmes llogarisë “Mijn DUO”, studentët shohin edhe shumën që do të marrin. Kalendari dhe informacioni individual u lejojnë të planifikojnë shpenzimet dhe të kontrollojnë pagesën.
Mbështetja për jetesën është pjesë edhe e udhëzimeve për dimensionin social të Hapësirës Evropiane të Arsimit të Lartë. Ato rekomandojnë financim të mbështetur kryesisht te nevojat e studentëve, që të ndihmojë me materialet e studimit, strehimin, transportin dhe shpenzimet e jetesës, si edhe informacion të qartë e të përditësuar për përfituesit. Udhëzimet shërbejnë si orientim për politikat; ato nuk caktojnë një afat ligjor për pagesat në Shqipëri.
Për K.M., pritja ka sjellë nevojën për të marrë borxh. K.B. thotë se ende nuk ka marrë një sqarim për shumën që i mungon. Ndërsa fakulteti përmend fondet dhe dokumentacionin, studentët mbeten pa një përgjigje individuale që të tregojë cilët muaj u janë paguar dhe çfarë ka mbetur për të marrë./acqj.al