Autor: Klivia Kafexhiu
Nëse kryen një kërkim të thjeshtë në rrjet, informacionin për shkollat e reja apo të rikonstruktuara me fondet e Bashkimit Evropian në Shqipëri e gjen me lehtësi. Kërkimi i informacionit për shkollat që po ndërtohen me fondet publike nga ana tjetër (përfshirë informacionin publik mbi procedurat e financimit dhe rindërtimit), është një sfidë më vete. Sfidë, e cila shtrihet dhe në arsyetimin se si shkollat e ndërtuara me fondet e Bashkisë Tiranë kushtojnë pothuajse dyfish nga ato të ndërtuara me fondet e BE-së.
Rindërtimi i institucioneve arsimore të kryeqytetit pas tërmetit të 26 nëntorit 2019, një ndër katastrofat më të mëdha, natyrore në territorin e Republikës së Shqipërisë në dekadat e fundit, ishte ndër temat më të diskutuara në muajt që pasuan. Ky tërmet, përtej dëmeve madhore në infrastrukturën publike dhe në pronën private, pati një impakt të rëndë edhe në shkollat e qyteteve të prekura prej tij, një ndër të cilët ishte Tirana. Në postime të shumta në faqet zyrtare të Bashkisë së Tiranës dhe në ato të kryebashkiakut, Erion Veliaj, u premtua se shumë shkolla të kryeqytetit, të prekura nga ky tërmet, do të fillonin rikonstruksionin nga themelet dhe një numër tjetër shkollash do të riktheheshin në gjendjen e tyre të mëparshme në sajë të rikonstruksioneve të pjesshme.
Në të njëjtën kohë, edhe kryeministri Rama, në shumë raste gjatë viteve 2019 dhe 2020, ka premtuar se në sezonet e reja, shkollore, si ato të 2020-2021 dhe 2021-2022, fëmijët e shkollave të rrënuara do ta nisnin mësimin në shkolla të reja, me kushte shumë më të mira se sa ato që kishin përpara tërmetit.
Në postimet e tij në mediat sociale kryeministri premton se “143 shkolla të reja me standarde europiane (do të jenë), të gjitha gati brenda vitit 2021, në vend të godinave të soj-sojshme, të goditura nga fatkeqësia e fundvitit 2019, janë një përgjigje kuptimplotë në emër të Shqipërisë që duam.”, duke theksuar se brenda vitit 2020 të gjithë shkollat do të jenë gati për të pritur nxënësit e tyre. Këto premtime kanë ardhur, si në një kohë kur infrastruktura shkollore, edhe e paratërmetit ka qenë e amortizuar, po ashtu edhe në një periudhë parazgjedhore me premtime të shumta dhe me pritshmëri tejet të larta.
Nga një hulumtim i Qendrës Shqiptare për Gazetari Cilësore del se, pavarësisht se po i afrohemi vitit të dytë pas tërmetit famëkeq, rreth 38 institucione arsimore pritet që të mos jenë të gatshme për të pritur nxënës në auditorët e tyre në vitin e ri shkollor, 2021-2022. Nga informacioni i marrë nga Bashkia e Tiranës, kjo e fundit pranon se në Tiranë janë ende në proces rindërtimi 38 objekte arsimore, 30 prej të cilave janë në proces rindërtimi dhe 8 po rikonstruktohen.
Ndër këto 38 shkolla është dhe gjimnazi i njohur “Sami Frashëri”. Kjo shkollë filloi procesin e rikonstruksionit në dhjetor të vitit 2019 dhe pritej që ndërtimi i saj të përfundonte në janar të vitit 2020, por shkolla që u shemb dhe po ndërtohet nga themelet, edhe në muajin qershor të këtij viti vijon të jetë në hapat e para të rindërtimit.
Gjimnazi “Sami Frashëri” është themeluar në vitin shkollor 1962-1963 dhe e ndjek pas një histori e gjatë suksesi në nivel kombëtar. Pas premtimeve fillestare për rindërtim dhe rihapje të shkollës brenda një afati të shkurtër, por që dështuan për t`u realizuar, më 29 tetor 2020 nisi hapja e themeleve për ndërtimin e shkollës së re, e cila pritet të jetë 2 herë më e madhe se godina e mëparshme.
Kryetari i Bashkisë së Tiranës tha në fund të qershorit 2020, se brenda verës do niste puna për rindërtimin e gjimnazit “Sami Frashëri”. Ai deklaroi se kjo do jetë shkolla më e madhe dhe më e bukur në Tiranë, sipas standardeve evropiane. Përpos këtyre deklaratave rreth pritshmërive për këtë gjimnaz, kryetari i bashkisë deklaroi gjithashtu në nëntor të vitit 2020 se kjo shkollë po ndërtohej me fondet e Bashkimit Evropian. Pas deklaratave të kryetarit të bashkisë, ish-deputetët e parlamentit e akuzuan atë për deklaratë të rreme, pasi nuk ka asnjë projekt dhe njoftim zyrtar rreth përdorimit të fondeve të BE-së për projektet arsimore. Nga ana tjetër, informacioni i përftuar nga Bashkia e Tiranës tregon se 27 shkolla, të parashikuara për t`u rindërtuar dhe për t`u rikonstruktuar në kryeqytet, do të ndërtohen me fondet e buxhetit të shtetit dhe pjesa e mbetur do të jetë e financuar nga donatorë të ndryshëm.
Rindërtimi me fonde të Bashkimit Evropian kundrejt atyre të Bashkisë së Tiranës
Nga kërkesa për informacion drejtuar Ministrisë së Rindërtimit, kjo e fundit konfirmon se në listën e shkollave, të cilat do të rindërtohen me fondet e vëna në dispozicion nga Bashkimi Evropian, nuk përfshihet gjimnazi “Sami Frashëri”. Nga lista e vendosur në dispozicion nga kjo ministri, shkollat, të cilat parashikohet të ndërtohen me fonde të BE-së dhe donatorëve të tjerë, janë:
Shkolla 9-vjeçare “Xhezmi Delli”
Shkolla 9-vjeçare “Musine Kokalari”
Shkolla 9-vjeçare “26 Nëntori”
Shkolla 9-vjeçare “Asim Vokshi”
Shkolla 9-vjeçare “Emin Duraku”
Shkolla 9-vjeçare “Myslym Keta” dhe Kopshti Nr. 41
Ministria sqaron se e gjithë faza e projektimit, e zbatimit dhe e mbikëqyrjes së këtyre investimeve do të ndiqet nga vetë donatorët me njësitë e tyre zbatuese.
Bashkimi Evropian ka dy projekte për rindërtimin, të cilat janë EU4Schools dhe EU4Culture. Nga kërkimi në faqen zyrtare të EU4Schools rezulton se 6 shkolla po rindërtohen me fondet e BE-së në Tiranë dhe gjithashtu jepen me detaje datat e konsultimit, e fillimit të riparimit dhe të mbylljes së procesit të rindërtimit. BE, në kuadër të rindërtimit, dhuroi 400 milionë euro, nga të cilat 115 milionë në grante të drejtpërdrejta, të ndara në këto dy projekte, me projektin EU4Schools, i cili vendosi në dispozicion të rindërtimit 75 milionë euro.
Në fillimin e procesit të restaurimit dhe rindërtimit të këtyre shkollave, sipas Buletinit të Agjencisë së Prokurimit Publik, fondi limit, i vënë në dispozicion nga Bashkimi Evropian, përkonte me vlerën 15 milionë euro, të dedikuara për riparimin dhe rindërtimin e 22 shkollave, me një mesatare prej 681.000.00 eurosh për shkollë. Në të njëjtën kohë, Fondi Shqiptar i Zhvillimit do të kontribuonte me vlerën prej 34 milionë eurosh për 45 shkolla të tjera, me rreth 760.000.00 euro për shkollë.
Në faqen e Open Procurement Albania gjenden tenderët e shpallur nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit. Në qarkun e Tiranës fondet e kësaj organizate janë fokusuar në Bashkinë e Vorës, Kamzës, Kavajës, Shijakut dhe Rrogozhinës dhe nuk ka asnjë të dhënë për objektet arsimore në Bashkinë e Tiranës.
Paralelisht, një burim zyrtar i Drejtorisë së Urbanistikës na jep të dhëna rreth shkollave që po rindërtohen nga Programi për Zhvillim i Kombeve të Bashkuara (UNDP). Aty shihet se 6 nga institucionet arsimore të Tiranës po financohen nga UNDP. Programi EU4Schools zbatohet nga UNDP, e cila ka dhuruar 765.000.00 euro nga fondet e saj. As në këtë listë nuk përfshihet gjimnazi “Sami Frashëri”, por kjo shkollë përfshihet në listën e kontratave të lidhura nga Bashkia e Tiranës më 23.10.2020 me një vlerë prej 568,492,069 lekësh pa TVSH, rreth 6 milionë euro. Kjo është një vlerë për rindërtimin e një shkolle të vetme, e barasvlershme me fondin për rikonstruksionin dhe rindërtimin e rreth 10 institucioneve arsimore, të financuara nga Bashkimi Evropian.
Një fakt tjetër, që vërehet nga shqyrtimi i tenderit të hapur nga Bashkia e Tiranës dhe kontratat e lidhura me operatorët e ndryshëm ekonomikë, është vendimi për ndërtimin e 10 ndërtesave të reja rezidenciale për studentët, me një kosto ndërtimi prej rreth 3 milionë eurosh për ndërtesë, ku me përjashtim të gjimnazit “Sami Frashëri”, i cili iu kushtoi xhepave të taksapaguesve 6 milionë euro, të gjitha shkollat dhe kopshtet e tjera, të parashikuara në këtë thirrje, nuk e kalojnë vlerën e 2 milionë eurove për ndërtim.
Për më tepër, në këtë procedurë të kufizuar tenderimi, ajo që tërheq me të vërtetë vëmendjen është fakti se në një procedurë të hapur për 14 objekte të ndryshme; ku oferta ekonomike më e favorshme ka qenë kushti bazë për përzgjedhjen e fituesve, me plotë 60% të pikëve të vlerësimit; ku kanë hedhur ofrtën e tyre plotë 13 kompani apo bashkime operatorës ekonomik për çdo ndërtesë, duke e çuar totalin e ofertave të këtij tenderi në 182 oferta; ku në shumë prej ofertave fituese, vlerat fituese kanë qenë pothuajse të njejta për ndërtime të njëjta nga operatorë të ndryshëm; asnjë prej operatorëve ekonomikë që kanë marrë pjesë në këtë tender nuk ka humbur mundësinë për të fituar të paktën një kontratë nga Bashkia Tiranë. Çdo kompani e cila ka marë pjesë në këtë tender ka fituar minimalisht një kontratë tenderimi.
Projektet ndërkombëtare, si Eu4Schools, të zbatuara nga BE dhe UNDP, janë disa herë më transparente se institucionet shtetërore shqiptare rreth procesit të rindërtimit. Ndërkohë që për procesin e rindërtimit, dhe thjesht të shkollave në kryeqytet, është thuajse e pamundur të gjendet ndonjë informacion në faqen e Bashkisë së Tiranës, përveç lajmeve dhe videove promocionale të vetë institucionit. Për çdo rast lind nevoja që të përcillen kërkesa zyrtare për informacion, të cilat shpeshherë vonohen në përgjigjen e tyre dhe shpeshherë mungojnë në përgjigje në tërësi. Ndryshe nga transparenca e institucioneve shtetërore shqiptare, në faqet e sipërpërmendura të projekteve të BE-së çdo informacion mund të gjendet lehtësisht me një kërkim të thjeshtë në faqet e tyre, zyrtare.
Taksa e përkohshme arsimore dhe përdorimi i saj i cunguar
Një element i rëndësishëm, që ngre pikëpyetje për transparencën e rindërtimit të shkollave në Bashkinë e Tiranës, është edhe taksa e përkohshme arsimore. Sipas të dhënave vjetore, në mbledhjen e kësaj takse dhe disa llogarive të thjeshta mbi të ardhurat e Bashkisë së Tiranës, ngrihen pikëpyetje mbi transparencën e përdorimit të fondeve për rindërtimin.
Me anë të një kërkese për informacion te Drejtoria e Përgjithshme e Taksave dhe Tarifave Vendore, rezulton se taksa e arsimit për kategorinë familjare për vitin 2016 është mbledhur në shumën 1,257,016,607 lekë, ndërsa ajo për biznes, në shumën 2,000,122,053 lekë.
Fondi i mbledhur nga Bashkia e Tiranës nga taksa e përkohshme e infrastrukturës arsimore ka si qëllim përdorimin për investime në infrastrukturën arsimore dhe në funksionimin e institucioneve që menaxhojmë programet e arsimit bazë, parashkollor, si dhe arsimit të mesëm, të përgjithshëm.
Me anë të një kërkese tjetër për informacion nga Bashkia e Tiranës na u mundësua një tabelë, e cila reflekton investimet e realizuara nga Bashkia e Tiranës në infrastrukturën arsimore dhe të ardhurat e mbledhura nga taksa e përkohshme e infrastrukturës arsimore për vitet 2016-2020. Vihet re se shpenzimet mbi arsimin bazë janë rritur ndjeshëm në vitin 2019, ndërkohë që të ardhurat e mbledhura nga taksa kanë rënë. Viti me proporcion të shpenzimeve dhe mbledhjes së të ardhurave nga taksa është viti 2017.
Megjithatë, pavarësisht informacionit të përftuar nga Bashkia e Tiranës, në asnjë rast nuk është dhënë informacion se sa fonde nga kjo taksë specifike po shkojnë drejt projekteve të përmirësimit të infrastrukturës arsimore në qytet, duke qenë se shumë prej shkollave, që po ndërtohen në Tiranë, i janë nënshtruar procedurës së partneritetit publik-privat, në të cilën Bashkia e Tiranës ka dalë garante për kreditë e marra nga operatorët privatë për ndërtimin e këtyre objekteve.
Për më tepër, edhe pse të ardhurat e mbledhura nga ana e Bashkisë së Tiranës përmes një takse të përcaktuar nga ana e saj si “e përkohshme”, por që tashmë, pas më shumë se 5 viteve në fuqi, po kthehet në një taksë të zakonshme, i jep mundësinë kësaj të fundit të investojë fuqishëm në një sektor jetësor për të ardhmen e qytetit, mbetet e paqartë, pse programi i rindërtimit të institucioneve shkollore në Tiranë kushton dyfish, kur ai financohet, mbikëqyret, implementohet dhe përfundohet nga Bashkia e Tiranës, kur ballafaqohet me programin e rindërtimit të shkollave të dëmtuara nga tërmeti i 26 nëntorit, i financuar dhe mbikëqyrur nga partnerët ndërkombëtarë dhe Fondi i Zhvillimit. Mjafton të theksohet këtu fakti se, nga të gjitha fondet e hapura nga Bashkia e Tiranës, rreth 40 milionë euro, 6 milionë po shkojnë drejt rindërtimit të gjimnazit “Sami Frashëri”, rreth 12 milionë euro po shkojnë drejt rindërtimit të 8 shkollave të tjera dhe pjesa e mbetur prej 22 milionë eurosh po shkon drejt rindërtimit të rezidencave studentore (me kosto fikse, të njëjtë, prej rreth 3 milionë eurosh për ndërtesë), dhe qendrave sociale.
Sipas Ligjit shqiptar për të drejtën e informimit me dokumente zyrtare, informacionet për rindërtimin duhet të ishin publike dhe lehtësisht të aksesueshme, të përfshira në programin e transparencës ose idealisht në një kënd specifik të faqes së Bashkisë së Tiranës, duke parë dhe rëndësinë që i është dhënë programit të rindërtimit nga të gjithë aktorët. E kundërta rezultoi nga ky hulumtim, ku është shumë herë më e thjeshtë të arrish transparencë dhe të marrësh përgjigje nga institucionet ndërkombëtare që veprojnë në territorin e Shqipërisë, se sa nga institucionet lokale. Është shumë herë më e lehtë të marrësh informacion nga institucione si Bashkimi Evropian, edhe përmes një telefonate të thjeshtë, se sa nga Bashkia e Tiranës, ku, pavarësisht ekzistencës së Zyrës së Shtypit dhe Marrëdhënieve me Publikun, përgjigjja e vetme që arrin të marrësh është: “Dërgo një kërkesë për informacion”; një kërkesë për informacion, për të cilën në rastin më të mirë arrin të marrësh një përgjigje të pjesshme jashtë afateve ligjore dhe në rastin më të keq detyrohesh të nisësh procedura për ankimim pranë Komisionerit për të Drejtën e Informimit.
Mungesa e transparencës ngre pikëpyetje, jo vetëm për të ballafaquar zotimet me realizimet, por edhe për vetë kostot e (ri)ndërtimit të shkollave nga ana e autoriteteve lokale.
Vonesat e shumta mund të përligjen me “periudhën e pandemisë”, por nuk ka asnjë justifikim për mungesën e informacioneve bazike për rindërtimin e shkollave pas tërmetit të vitit 2019. Mungesa e transparencës bëhet më e dukshme përballë informacioneve të plota dhe të detajuara që gjenden te projektet e financuara nga BE dhe UNDP.
*Çdo informacion i arritur, për sa iu përket tenderëve të shpallur nga Bashkia e Tiranës për programin e rindërtimit, është marrë nga portali OpenProcurement, për shkak se, si në faqen e Agjencisë së Prokurimeve Publike, por dhe në faqen e Bashkisë së Tiranës, ka qenë e pamundur të gjendet informacioni i kërkuar.