Iniciativa e kartës së studentit, një fasadë. Studentët: Shërbimet janë qesharake, larg realitetit ku po jetojmë

Autor: Ermal Spahiu

Karta e studentit nuk i ka dhënë pritshmëritë e duhura, që prej daljes së saj në qarkullim. Në dy vitet e fundit, studentët vlerësojnë se kjo kartë nuk iu ka siguruar shërbimin që pretendohej nga ky mjet. Ndryshe nga çfarë parashikon koncepti i saj, ata, nëpërmjet vëzhgimeve dhe përvojave konkrete në biznese të ndryshme, kanë kuptuar se funksioni i vërtetë është shumë larg premtimeve të qeverisë për t’iu lehtësuar shpenzimet mujore. Janë të shumtë ata të rinj, të cilët e përkufizojnë si dështim prezantimin e kartës së studentit, me argumentin se uljet në shërbime nuk kanë ndikuar në shpenzimet e tyre, ditore. Duke u nisur nga kjo eksperiencë, studentët kanë dhënë përgjigjet e tyre, se si e shohin kartën e studentit, tre vite pas prezantimit nga Bashkia e Tiranës dhe Agjencia e Rinisë.

“Mjet joeficient aktualisht!”

“Mjet që ka shërbyer vetëm për propagandë.”

“Në Shqipëri nuk vlen aspak.”

“Karta e studentit nuk ofron pritshmëritë e duhura për studentët, të paktën në qytetin tim. Për këtë arsye shumë studentë nuk e marrin.”

Këto janë disa nga përgjigjet e studentëve në anketën e realizuar online, ku komentet shprehin pamjaftueshmërinë e efikasitetit dhe funksionin e dobët që kjo kartë ka kundrejt studentëve.

Sot, nëse i drejtohesh një biznesi në qendër të Tiranës, të rezulton se nuk e aplikon këtë kartë. Biznese të tilla janë kryesisht farmaci, librari, dyqane syzesh, kancelari dhe dyqane për pajisje elektronike, të cilat ndodhen në zona të ndryshme të Tiranës. Një e dhënë e tillë e zbeh interesin e të rinjve për ta përdorur atë, me qëllim për të përfituar një zbritje të favorshme, e cila mund t’iu japë hapësirë në kursimet e bazës ekonomike.

Hume Gjana, një studente në vitin e dytë në Master Profesional, shpjegon se është pajisur me kartën e studentit në vitin e fundit në Bachelor.

“I vetmi shërbim, që kam përfituar nga karta e studentit, është aboneja e studentit, të cilën e kam marrë me çmim të reduktuar. Pritshmëria ka qenë shumë më e madhe se kaq, pasi aty, ku një student ka më shumë nevojë për ulje, nuk ka përfituar. Vlen të përmend kancelaritë dhe pikat e ndryshme të shitjes së librave. Prisja të kishte një shtrirje më të gjerë dhe te mensat e ushqimit, duke qenë se jemi studentë tek e fundit. Një ulje do ta kisha konsideruar edhe në shërbimet shëndetësore”.

Një tjetër studente thotë se me kartën e studentit përfiton zbritje të çmimit në disa shërbime, të cilat vijnë me njoftim në aplikacionin e kartës së studentit dhe cilësohen si të panevojshme për të rinjtë. “Ofertat janë me limit kohor dhe uljet nuk janë shumë të mëdha. Nuk i lë hapësirë studentit të zgjedhë, kur është e nevojshme, por vetëm kur hapet oferta”.

Reagime të tjera në lidhje me funksionin e këtij mjeti kanë ardhur së fundmi edhe nga studentë aktivistë, të ftuar në emisionin e Ora News-it për të diskutuar në lidhje me problematikat, me të cilat përballen.

Ariela Zeneli thotë se kryetari i bashkisë, Erion Veliaj, ka menduar më shumë për veten ose për njerëzit, me të cilët ai bashkëpunon, të cilët i quan oligarkë: “Shërbimet, që kishte karta e studentit, ishin ulje në argjendari, servise makinash, hoodie të njërit prej këngëtarëve, me të cilin Veliaj bashkëpunon. Këto nuk janë shërbime që na hyjnë në punë, pra, këto janë shërbime luksi, të cilat ne as nuk i mendojmë që t`i kemi. Gjërat, që ne kërkojmë në kartën e studentit, janë shumë bazike. Ne kërkojmë ulje në transportin urban, për të cilin nuk kemi abone studenti (iu referohet disa linjave). Që prej fillimit të pandemisë aboneja e studentit nuk jepet më ose, më saktë, jepen shumë pak dhe përfundojnë në një kohë rekord. Gjithashtu, ulje duhet të kemi në transportin interurban, që do të thotë se të gjithë studentët, që vijnë nga rrethet, duhet të kenë zbritje të tarifës në qytetet e tyre, ku duan të shkojnë.

Së dyti, me kartën e studentit duam të kemi akses në librari të caktuara për librat që ne blejmë, sepse janë shumë dhe kërkohen në fakultet. Uljet duhet të jenë gjithashtu në mensa. Këto janë gjëra bazike, të cilat karta e studentit nuk i plotëson.

Karta e studentit nuk i përfshin këto, shërbimet janë tërësisht qesharake. Erion Veliaj ofron shërbime që nuk janë aspak të lidhura me realitetin, në të cilin jetojnë sot studentët”, – përfundon Zeneli.

“Më shumë bëhet për arsye komerciale, për përfitimet e njerëzve, me të cilët bashkëpunon Veliaj. Qëllimi është që të nxjerrin përfitime nga studentët, edhe pse këta të fundit, me një mijë probleme, mundohen t`i kalojnë vështirësitë e “mbijetesës” në qytet. Erion Veliaj përsëri ka fytyrën dhe guximin që në këtë “kartë studentore” t`i përfshijë këto shërbime tërësisht mediokre, të panevojshme, që nuk i hyjnë në punë askujt”, – thotë Fjoralb Nezha.

Aurel Kujtimi, student për Shkenca Politike dhe aktivist për të drejtat e studentëve, e shikon kartën e studentit si një iniciativë të Bashkisë së Tiranës për të bërë propagandë.

“Shkova bëra blerje në supermarket për të provuar kartën. Kur shkova për të paguar te kasa, paraqita kartën e studentit dhe pyeta sa për qind ulje ka. Më thanë që “nuk e njohim kartën e studentit dhe nuk ke ulje”. Nuk më ka shërbyer për asgjë, sepse është mjet për të kuptuar propagandën e Veliajt. Më ka shërbyer vetëm për ta mbajtur në portofol si kartëvizitë”.

Sa të kënaqur janë aktualisht studentët me këtë mjet?

Eksperiencat e studentëve me kartën e studentit mund të kenë shije të kripura, nëse marrim për bazë, sa iu është lehtësuar buxheti mujor në krahasim me periudhën, kur kjo kartë nuk ishte funksionale. Në një anketë të zhvilluar online për qëllim të hartimit të këtij shkrimi, ku morën pjesë rreth 57 studentë, shumica prej tyre deklaruan një pakënaqësi të madhe ndaj kësaj eksperience me këtë mjet të rëndësishëm. Sipas tyre, kjo kartë ende nuk e ka dhënë atë që pritej dhe pretendohej te studentët. Ata e gjykojnë këtë iniciativë të Bashkisë së Tiranës si një tentativë të dështuar për të përfituar pará dhe për t`i gënjyer studentët.

74% e studentëve të anketuar thanë se ata nuk janë aspak të kënaqur me shërbimet që marrin nga karta e studentit. Përfitimi kryesor është në abonenë e studentit, sipas 46% të studentëve të anketuar. 50% e të anketuarve thanë se kanë përfituar skonto midis 1%-5%.

Sondazhi për kartën e studentit, realizuar nëpërmjet platformës Google Forms. Pjesëmarrës janë 57 studentë
Sondazhi për kartën e studentit, realizuar nëpërmjet platformës Google Forms. Pjesëmarrës janë 57 studentë. Në cilin sektor kanë përfituar? Peshën më të madhe e ka aboneja e studentit
Sondazhi për kartën e studentit, realizuar nëpërmjet platformës Google Forms. Pjesëmarrës janë 57 studentë. Zbritja që ka përfituar studenti në një biznes të caktuar

 

Sondazhi për kartën e studentit, realizuar nëpërmjet platformës Google Forms. Pjesëmarrës janë 57 studentë. Pjesa më e madhe janë të pakënaqur, pakica, të kënaqur

Për çfarë përdoret kjo kartë sot?

E cilësuar si një mjet i rëndësishëm për portofolin e studentëve, kjo kartë gjen zbatim që prej majit të vitit 2019. Qëllimi i saj ishte lehtësimi i bazës ekonomike të studentëve në raport me shpenzimet e larta që këta të fundit bëjnë, duke nisur me tarifat që shkojnë për studimet, shpenzimet e akomodimit në konvikte apo shtëpi me qira, shpenzimet e konsumit ditor dhe ato të transportit publik, urban. Ky lehtësim reflektohet vetëm te shërbimi i fundit, aty ku një student sot, falë kartës së studentit, përfiton një abone studenti me një ulje prej 600 lekësh të reja nga 1200 lekë të reja, sa është kostoja.

Sa shpenzon një student në kryeqytet pa kartë studenti?

Në një studim të bërë nga Qëndresa Qytetare për jetën studentore të të rinjve në vend, figuron se një student sot në qendër të Tiranës pa përdorimin e kësaj karte shpenzon afërsisht 324 euro në muaj, ku 60% e kësaj shifre shkon për akomodim. Nga ky studim vihet re se 57.7% e studentëve shpenzojnë për të blerë mjete mësimore afërsisht 10-20 euro, 18.5% e studentëve, 20-50 euro dhe 4.3%, mbi 50 euro. Sa iu përket shpenzimeve në akomodim dhe ushqime; 15.5% e studentëve shpenzojnë mbi 400 euro në muaj, 67.5% e tyre shpenzojnë 150-400 euro, ndërsa 17% deri në 150 euro në muaj.

Sondazh i realizuar nga Qëndresa Qytetare

Akomodimi në kryeqytet është një ndër sakrificat e një studenti në Tiranë. Përveç vështirësisë për të gjetur shtëpi me qira ose sistemim në konvikt, një student duhet të shpenzojë për akomodimin e tij minimalisht 50-100 euro. Sipas këtij studimi, figuron se 24% e të rinjve, që studiojnë në kryeqytet, shpenzojnë mbi 200 euro.

Ushqimi është një tjetër kosto për studentët, të cilët, në një përllogaritje të bërë nga Qëndresa, duhet të heqin nga baza e tyre, ekonomike minimalisht 1-3 euro në ditë. Shifra më e lartë për shpenzimin në ushqim llogaritet mbi 7 euro.

Sondazh i realizuar nga Qëndresa Qytetare

Transporti. Transporti publik ka një rëndësi jetike në jetën financiare të studentëve, të cilët e shfrytëzojnë linjën e një transporti për të shkuar në universitet, për t`u kthyer në shtëpitë e tyre ose për të shkuar me pushime. Mesatarisht, një student sot paguan 20-30 euro në muaj për të përdorur transportin publik, një kosto që rëndon bazën e tyre, ekonomike. Në këtë rast aboneja e studentit, që merret falë kësaj karte, shërben si një lehtësim për të rinjtë që qarkullojnë pa detyrimin për të paguar biletën në linjat e transportit publik në Tiranë. Të vetmet linja që sot vazhdojnë të mos e aplikojnë këtë shërbim janë linjat e transportit urban Kamëz dhe Vorë.

Sondazh i realizuar nga Qëndresa Qytetare

Në lidhje me veprimtarinë e këtij shërbimi, Rigels Xhemollari, drejtor ekzekutiv i Qëndresës Qytetare, e sheh kartën e studentit më shumë si një biznes sesa si një nevojë të domosdoshme për studentët: “Aktualisht, karta e studentit iu shërben studentëve vetëm si biletë autobusi ose, më saktë, si mjet identifikimi për të përfituar abonenë e studentit, e cila ishte në fuqi edhe para prodhimit të kartës.

Qasja, që ka aplikuar Bashkia e Tiranës, ka qenë më shumë ajo e një biznesi sesa e një mjeti që i sjell përfitime komunitetit të studentëve; pra, ata përfitojnë si blerës ose si konsumatorë, jo si studentë. Nuk mund të kemi lehtësira financiare, pa pasur një buxhet të dedikuar kompensimi ndaj ofertuesve”, – tha ai.

Sipas tij, zbritjet në kartën e studentit duhet të jenë të nevojave bazike për studentët dhe uljet në shërbime, ku ofrohet argëtimi, nuk kanë ndikim në shpenzimet e tyre. Ai përmend edhe studentët që studiojnë në qytete të tjera dhe nuk e kanë një dokument të tillë, duke thënë se ata nuk duhet të përjashtohen nga kjo nismë kombëtare.

“Shërbimet dhe produktet që duhet të vijnë te studentët me reduktim të çmimit, duhet të lidhen me nevojat e tyre bazike, duke filluar nga akomodimi, ushqimi, veshmbathjet, literatura apo mjetet mësimore. Uljet, të cilat lidhen me bar-kafetë apo sallonet e kozmetikës, nuk ndikojnë në portofolin studentor, prandaj nisma për kartën e studentit së pari duhet të ishte një nismë kombëtare, për të mos përjashtuar studentët e rretheve, një nismë e buxhetuar nga buxheti i shtetit dhe një nismë, e cila iu përgjigjej nevojave reale të studentëve, jo interesave të një kryetari bashkie, bizneseve që ai kontrollon dhe imazhit të fushatave elektorale, por ashtu siç ndodh në shtetet e tjera të Bashkimit Europian, të cilat iu shërbejnë nevojave bazike të studentit”, – përfundoi Xhemollari.

Çfarë ofron karta e studentit?

Karta e studentit ofron për studentët mbi 2000 (dymijë) shërbime publike dhe private. Momentalisht, administruesit e kësaj karte janë në përpjekje për ta zgjeruar sektorin e shërbimeve dhe Agjencia e Rinisë është në negociata të vazhdueshme me subjekte të ndryshme për t`i përfshirë si pjesë të kartës së studentit.

Sa studentë kanë një kartë studenti?

Numri i studentëve, të cilët gëzojnë aktualisht një kartë studenti, mësohet të jetë mbi 70%, në një studim të bërë nga Faktoje.al, por ky numër shihet si i pamjaftueshëm, për sa kohë ka ende studentë, që nuk e kanë një mjet të tillë në portofolat e tyre. Shumica e studentëve, që nuk e kanë këtë mjet, janë kryesisht në vitin e parë të studimeve dhe pretendojnë se karta e studentit shtyhet vazhdimisht nga universitetet, çfarë iu pamundëson tërheqjen e saj në kohën e duhur.

“Duhet ta marrin të gjithë me patjetër!”

“Iniciativë mjaft e mirë, por në universitete ka dy muaj që shtyhet si procedurë, sidomos për ne që studiojmë në vitin e parë.”

“Kartën e studentit duhet ta kenë të gjithë studentët dhe me anë të saj të përfitojmë sado pak ulje të çmimeve”, – janë disa nga përgjigjet e studentëve, të cilët edhe sot e kësaj dite po përballen me mungesën e kartës së studentit.

Ku kanë përfituar dhe ku duan të përfitojnë studentët?

Realiteti, që ofron karta e studentit, është shumë larg asaj që pretendohet nga studentët, të cilët e shprehin hapur pakënaqësinë e tyre për shërbimet që kanë përfituar gjatë periudhës së përdorimit të kësaj karte. Shërbimi me skonton më të mirë është aboneja e studentit, ku në anketë rezultojnë 21 studentë që kanë përfituar një abone, ndërsa shërbimet e tjera janë kryesisht libraritë, bibliotekat, Shtëpia me gjethe dhe të tjera.

Ku duan të përfitojnë studentët? Cili është shërbimi, për të cilin kanë më së shumti nevojë të përfitojnë ulje mes shumë shpenzimeve të tjera, ditore? Në përgjigjet e tyre vihet re një gamë e gjerë shërbimesh, ku studentët pretendojnë të përfitojnë skonto. Mes shumë shërbimesh figurojnë: libraritë, kancelaritë, transporti publik, biletat për udhëtime jashtë shtetit (kryesisht për studime), konviktet ose shtëpitë me qira, universitetet, praktikat dhe kurset profesionale, marketet, interneti, shëndetësia, ushqimi, bar-kafenetë, pajisjet teknologjike (dyqane për smartphone etj.), qendrat tregtare, muzetë, kinematë, bizneset.

Karta studentore shqiptare, sa larg Europës!

Nëse do të bëjmë një krahasim mes Shqipërisë dhe Europës për nga mënyra se si funksionon karta e studentit, sigurisht që për nga cilësia dhe shërbimet e ofruara do të pohonim për një eksperiencë pozitive të studentëve të huaj, të cilët kanë mundësi të eksplorojnë një gamë të gjerë ofertash, ku përfitojnë skonto të vlefshme. Në listën e përpiluar nga Karta Evropiane e Studentit në Itali, vihen re shërbime, të cilat mungojnë në kartën tonë. Në këtë kartë, shërbimet, ku një student italian mund të përfitojë ulje, fillojnë te kinematë dhe përfundojnë te pajisjet teknologjike. I njëjti realitet vlen edhe në Greqi, aty ku karta e studentit i ka të gjitha shërbimet, të cilat mund t’i shfrytëzojë një student.

What's your reaction?
0Smile0Lol0Wow0Love0Sad0Angry

Leave a comment

Qendra Shqiptare për Gazetari Cilësore
Rruga Pjetër Budi, 69

Tiranë, ALBANIA


Telefon: +355 (0) 6 8856 3686
Email: info@acqj.al

Investigative Network Albania

Teksti zyrtar është versioni në shqip i faqes së internetit. Kjo faqe përdor përkthim automatik përmes mjeteve të inteligjencës artificiale. Pavarësisht se ky përkthim është i një cilësie të lartë, rastis që të ketë dhe gabime dhe keqkuptime në kontekstin e produkteve. Duke qenë se është një teknologji e cila përmirësohet me kalimin e kohës, shpresojmë të qendroni me ne ndërkohë që perfeksionojmë këtë shërbim.

Copyright © 2024 Giljana Limani.  All Rights Reserved.

Copyright © 2024 Giljana Limani.  All Rights Reserved.

Newsletter