Kryeqyteti pa çerdhe, nuk ka kapacitet as për gjysmën e aplikantëve. Të tjerëve u mbyllen dyert me justifikime

Autor: Klevis Paloka

Aplikuam sapo u hap thirrja nga Bashkia e Tiranës, pёr ta rregjistruar fëmijën tonë në çerdhe, pasi si unë edhe bashkëshorti jemi në punë”, e fillon rrëfimin e saj për “SINJALIZO!”, Besmira H. Nëna e re nuk ka gjetur zgjidhje si shumë çifte të tjera në Tiranë që kjo procedurë u shkakton jo vetëm ankth, por edhe zvarritje. Gjithë problemi nuk shkaktohet më shumë nga fluksi se sa nga mos gjetja e rrugëve që do ti ndihmonte familjet e reja me çerdhet publike.

Përgjatë dy viteve të fundit kryeqytetit i janë shtuar gati 17 mijë banorë të rinj dhe veç lajmit të mirë, një nga problemet më të mëdha me të cilat po përballet Bashkia e Tiranës është kriza për tu dhënë zgjidhje çifteve të reja që zgjedhin shërbimin publik përpara privatit që duhet të jetë si opsion. Të dhënat zyrtare tregojnë se në çdo sezon radhët me prindër që synojnë çerdhet e bashkisë për fëmijët e tyre janë të gjata, por dyfish janë radhët e atyre që kthehen pas dhe detyrohen të braktisin punën ose të vihen në kërkim të çerdhes jopublike.

Asnjë zgjidhje

Ajo që është e dukshme është se ndonëse numri i banorëve dhe fëmijëve të vegjël rritet çdo vit me mijëra, shtimi i kapaciteteve të çerdheve nuk është në përpjestim të drejtë dhe çdo vit rritet pakënaqësia e familjeve që duan të çojnë fëmijët e tyre në çerdhet publike. Kjo gjë ka shkaktuar ankth te shumë çifte, të cilët janë të detyruar të gjejnë një mënyrë alternative për fëmijët e tyre. Edhe pse kanё aplikuar në njësinë administrative dhe çerdhen që kanë afër vendbanimit ku jetojnë, por edhe pse kanë qënë të dy të punёsuar, që është edhe një nga kriteret kryesore që ka vendosur Bashkia, sërish shumë familje nuk kanë arritur që ti rregjistrojnë fëmijët në çerdhe.

Besmira, e moshës 28 vjeç, tregon se së bashku me burrin janë të punësuar në një fabrikë këpucësh në zonën e ish-uzinës së autotraktorit. Megjithëse, i plotësojnё kriteret çifti mori përgjigje refuzuese.

Edhe pse kushti kryesor është që të dy prindërit duhet të jenë të punësuar, madje edhe jemi të siguruar me sigurime shoqërore, ashtu siç e kërkonte edhe Bashkia nuk fituam. Kur shkuam për t’u interesuar, na u tha se fëmija nuk ishte pranuar në çerdhe pasi kishte një numër të lartë kërkesash”, shprehet 28 vjeçarja, e cila nё fund thekson se u detyruan ta rregjistrojnë fëmijën në një çerdhe private, meqënëse gjendej në pamundёsi për tu shkëputur nga puna. “Jetesa e tyre në Tiranё do të bёhej e vёshtirë nёse lija punën”, thotё e reja.

Në kushtet e anonimatit për shkak se kishte bashkëshortin në punë në një institucion shtetëror, por jo në atë të Bashkisë së Tiranës, një nënë tjetёr e re shpjegon se i dorëzoi dokumentat që ditёn e parë që u hapën aplikimet në çerdhen më të afërt të vendbanimit. Edhe ajo u refuzua.

Ashtu siç të gjithë, edhe ne vendosëm të aplikonim për herë të parë, për të futur fëmijën tonë në një çerdhe publike. Plotësuam të gjitha dokumentat që nevojiteshin edhe i dërguam pranë njësisë tonë administrative, madje që në ditën e parë që u hapën aplikimet. Kemi shkuar për tu interesuar pranë çerdhes dhe vetëm na është thënë që fëmija juaj nuk është përzgjedhur, nuk kemi marrë asnjë letër nga Bashkia Tiranë”, vë në dijeni për “SINJALIZO!” nëna e zhgënjyer që nuk i shërbeu për asgjë edhe kriteri tjetër i garancisë që të ofrojnë sigurimet shoqërore.

32 vjeçarja shprehet se u detyrua që të ndryshonte orarin e punës dhe të punonte turni i dytë.

Duke qënë se bashkëshorti nuk mund ta ndryshonte orarin e punës, u detyrova që ta ndryshoj unë orarin e punës sime, duke kaluar turni i dytë që paradite të kujdesem unë për djalin e vogël, ndërsa pasdite duhej të kujdeset bashkëshorti”, rrёfen 32-vjeçarja.

E pyetur, pse nuk preferonte ta dërgonte fëmijën në një çerdhe private, 32 vjeçarja thekson se çerdhet private kanë çmime të shtrenjta dhe se duhet të paguanin një kredi që kishin marrë për blerjen e një shtëpie.

Nuk duam ta dërgojmë fëmijën tonë në çerdhe private, vendosëm që këtë vit ta bënim këtë zgjidhje alternative, me shpresën se vitin tjetër mund të na pranohet aplikimi në shtet”, e mbyll rrëfimin për “SINJALIZO”, e reja.

Bashkia: Të gjithë na duan!

Kërkesat e larta për një vend në çerdhe i konfirmon edhe vetë Bashkia e Tiranës. Në përgjigjen e saj zyrtare thuhet se vetëm për 4 ditët që ishin të hapura për aplikime për pranimin e fëmijeve në çerdhe ka pasur një numër të madh aplikimesh.

Gjatë datave zyrtare të aplikimeve në çerdhe, përkatësisht nga data 07.06.2021-11.06.2021 janë realizuar 5472 aplikime gjithsej. Nga aplikimet në çerdhe në proces regjistrimi kanë kaluar 1863 aplikime. Pranimet për sezonin 2021-2022 janë bërë në zbatim të VKB nr.158, datë 26.12.2019 “Për sistemin e taksave dhe tarifave vendore në qytetin e Tiranës” si dhe duke vlerësuar situatën social ekonomike të aplikuesve dhe kritereve të kërkuara. Kategoritë prioritare kanë qënë rastet që plotësojnë kriteret sipas VKB-së në fuqi, banorët e Njësive Adminstrative, ku ndodhet çerdhja dhe aplikimet, ku të dy prindërit kanë qënë të punёsuar”, thuhet në pёrgjigjen zyrtare të Bashkisë së Tiranës për ACQJ.

Por sa kapacitet ka në çerdhet e saj publike, Bashkia e Tiranës me rreth 900 mijё banorё, që të përballojë fluksin e madh për të akomoduar të gjithë fëmijët e qytetit?

Sipas Bashkisë së Tiranës janë 36 çerdhe në të gjithë territorin e kësaj bashkie dhe kanë një kapacitet prej 2995 fëmijësh.

Ndërsa vetëm fëmijë nga mosha 0-4 vjeç të rregjistruar në Bashkinë e Tiranës për vitin 2020, janë 45.974 fëmijë, pra shifrat tregojnë që rritja galopante e popullsisë në Bashkinë e Tiranës, e ka gjetur të papërgatitur këtë bashki me kapacitetet për çerdhet.

Justifikime, por asnjë plan…

E ftuar në një emision televiziv, Drejtoresha e Drejtorisë së Kopshteve dhe Çerdheve në Bashkinë Tiranë, Zhaneta Beqiri u shpreh se rregjistrimi i fëmijёve kryhet brenda kapaciteteve që ka Bashkia.

“Regjistrojmë një numër fëmijësh që është brenda kapaciteteve fizike dhe burimeve njerëzore”, u shpreh Beqiri.

E kontaktuar nga ACQJ, drejtoresha Beqiri nuk pranoi të komentonte nëse ka pasur ankesa nga familjet që nuk u është pranuar aplikimi i tyre.

Për çdo informacion tjetër duhet të bëni një kërkesë për informacion që ti merrni përgjigjet në rrugë zyrtare”, deklaroi zonja Beqiri.

I vetmi informacion që pranoi drejtoresha të jepte në rrugë jozyrtare ishte që drejtoria e saj nuk merr pjesë në procesin që bëhet nga bizneset private për vendosjen e çerdheve në bizneset e tyre. Beqiri u shpreh se vetëm BKT ka hapur një çerdhe për punonjësit e saj dhe që kontrolli i Drejtorisë së Kopshteve dhe Çerdheve është konstatuar se janë plotësuar të gjitha kushtet bazë.

Duke marrë parasysh faktin që Tiranës çdo vit i shtohen me mijëra banorë të rinj, Bashkisë së Tiranës, i lind detyrimi që të ndërhyjë në rritjen e kapaciteteve të çerdheve publike në mënyrë që të mos pёrballet me aplikime të shumta dhe pakënaqësi nga banorёt e saj. Megjithatë kriza për çerdhe publike ende nuk është marrë seriozisht.

What's your reaction?
0Smile0Lol0Wow0Love0Sad0Angry
Qendra Shqiptare për Gazetari Cilësore
Rruga Pjetër Budi, 69

Tiranë, ALBANIA


Telefon: +355 (0) 6 8856 3686
Email: info@acqj.al

Investigative Network Albania

Teksti zyrtar është versioni në shqip i faqes së internetit. Kjo faqe përdor përkthim automatik përmes mjeteve të inteligjencës artificiale. Pavarësisht se ky përkthim është i një cilësie të lartë, rastis që të ketë dhe gabime dhe keqkuptime në kontekstin e produkteve. Duke qenë se është një teknologji e cila përmirësohet me kalimin e kohës, shpresojmë të qendroni me ne ndërkohë që perfeksionojmë këtë shërbim.

Copyright © 2024 Giljana Limani.  All Rights Reserved.

Copyright © 2024 Giljana Limani.  All Rights Reserved.

Newsletter