Autor: Denis Tahiri
Të dhënat e INSTAT tregojnë se përgjatë vitit shkollor 2020-2021 u rregjistruan 584,616 nxënës dhe studentë në arsimin e lartë. Kjo shifër u konsiderua si një prej më të ulëtat që konsiderohet 4,6% krahasuar me vitin shkollor 2019-2020. Boshatisja e universiteteve u pa e ngjashme edhe për vitin akademik 2022. Universiteti i Tiranës pati 5133 studentë. Dhe për të garantuar që universitetet të mos boshatisen dhe në këtë mënyrë të vijohet me diplomimin e mësuesve, përkthyesve dhe historianëve, Ministria e Arsimit gjeti një nga zgjidhjet më të diskutueshme, që prek cilësinë e auditorëve. Për ata që synojnë mësuesinë, mesatarja e pranimit do të vijojë të mbetet 7.5, por për të tjerët pragu u ul duke e çuar mesataren 6.5, për këdo që synon të ndjekë studimet për përkthyes, psikolog, punonjës social, ciceron, historian, gjeograf. Ministrja e Arsimit dhe Sportit e konsideroi vendimin e qeverisë si një dhënieje mundësie për maturantët dhe tha se “jo të gjithë ata që shkojnë për gjuhë – letërsi duan të bëhen mësues”. Por rezultatet e dobëta të provimeve nga matura 2022 përsëritën edhe njëherë problemet që shkaktojnë ndryshimet e vazhdueshme në arsim, për më tepër kur ato kryhen për të mbushur universitetet sa për të mos qenë bosh.
Ministra që sdinë çbëjnë
Ministrja e Arsimit Evis Kushi, gjatë mbledhjes së qeverisë kujtoi ndryshimet e reformës së 2017 që e çuan pragun e pranimit në minimumin e mesatares 7.5 për mësuesinë. “Me vendimin e sotëm ne u japim mundësi edhe maturantëve që mbarojnë studimet me mesatare 6.5 të hyjnë në këto programe të ciklit të parë, por ata do të kenë një kod të veçantë në numrin e matrikullimit që më pas të mos vazhdojë për mësuesi por në programe të tjera të ciklit të dytë master për profesione të tjera” shtoi më tej Kushi.
Portali i Maturës Shtetërore tregon shifrat e kuotave të pasqyruara për vitin akademik 2022-2023. Rezulton se fakultetet më të prekura janë ai i Gjuhëve të Huaja, ai i Historisë dhe ai i Filozofisë, ku janë dhe degët e mësuesisë. Praktikisht Fakulteti i Gjuhëve të Huaja do të presë 135 studentë më pak vitin e ardhshëm, ndërsa dega e Historisë do të pranojë 70 studentë më pak, e ndjekur nga Gazetaria, Arkeologjia dhe Gjeografia.
Problemet e pazgjidhura të universiteteve
Sistemi Shqiptar i Arsimit të Lartë prej vitesh ka qenë në qendër të kritikave për shkak të problemeve të shumta që ka, duke nisur që nga tarifat e duke vijuar në infrastrukturën e universiteteve si dhe metodologjitë e përdorura. Ekspertja e Arsimit Dr. Valbona Nathanaili flet për “Sinjalizo” dhe bën një skaner të problematikave aktuale universitare.
“Aktualisht në Shqipëri, kemi më shumë të diplomuar, por mirëqenia e vendit nuk është rritur. Përkundrazi!”, thotë ajo duke shtuar se në shumë degë veçanërisht në ato më pak të preferuara dhe ku shkojnë edhe studentët me notë mesatare më të ulët, programet e studimit Bachelor kanë synim kryesor të mbushin boshllëqet e arsimit para- universitar. “Nëse është toleruar me përmbajtjen shkencore në arsimin para-universitar, duke e vënë theksin më shumë tek kompetencat dhe më pak te njohuritë, të parët që po e vuajnë pasojat janë institucionet e arsimit të lartë”, thotë profesoresha e Shkencave.
Ekspertja e vendos theksin edhe tek inflacioni i notës mesatare të shkollave të mesme të vendit, ku sipas saj, ka arritur në nivel të frikshëm, duke risjellë edhe njëherë në vëmendje nevojën e rikthimit të konkursit për pranimin në degët e studimit në universitete. Gjithashtu zonja Nathanaili shprehet se universitetet duhet të kenë kurajo të mos pranojnë studentë që nuk përmbushin kërkesat e tyre. “Kur them kurajo, kam parasysh që në Shqipëri ka shumë universitete, që si burim kryesor financar kanë të ardhurat nga tarifa e shkollimit”, thotë profesoresha duke shtuar se tre vitet e Bachelorit me ato kërkesa që ka programi i studimit dhe me atë nivel përgatitje që vijnë nga shkollat e mesme, pjesa më e madhe e të rinjve, nuk përgatiten për master, aq më pak për tregun e punës.
“Zinxhiri mbahet se nuk duhet të këputet”, thotë ekspertja e cila nuk harron që të propozojë edhe disa zgjidhje për problematikat që hasen në universitetet shqiptare.
“Roli i MAS në Arsimin e Lartë duhet të jetë rregullues, bazuar në identifikimin e problematikave, me guxim dhe transparencë. Një zgjidhje mund të jetë e drejta e universiteteteve për të ofruar kurse apo shkolla që i përgatisin kandidatët për studentë në një degë të caktuar”, thotë zonja Nathanaili duke i cilësuar këto shkolla si një urë kalimi nga shkolla e mesme në atë të lartë. Ajo gjithashtu sjell në vëmendje edhe vendosjen e kuotave për degë të caktuara nga MAS të cilat të ndahen mes universiteteve publike dhe private, si një mënyrë edhe për të orientuar më shumë të rinjtë drejtë nevojave që ka tregu i punës, për të reduktuar varësinë e universiteteve nga numri i të rinjve që regjistrohen në to, për të rritur cilësinë e shkollimit si dhe për ti bërë universitetet më konkurruese duke i nxitur për të hapur degë të reja studimi.
Studentët fajësojnë infrastrukturën
Loreta Koleci, studente në vitin e tretë të Gazetarisë dhe Shkencave të komunikimit dhe një aktiviste në Lëvizjen për Universitetin, problemin e sistemit universitar shqiptar e shikon diku tjetër.
“Të parat janë kushtet ku ne studiojmë, sallat e leksionit, seminaret si dhe literatura që përdoret. Duke patur parasysh edhe tarifat që ne paguajmë, nuk na kthehet pas asgjë, as si infrastrukturë as asgjë”, thotë e reja, e cila për nismën e Ministrisë së Arsimit për uljen e mesatares e sheh si një hap të gabuar.
“ Nuk është e nevojshme që të ulet mesatarja për ata që duan të futen në universitete. Ministria dhe qeveria nuk duhet të luajnë në këto politika, pasi nuk është se do të sjellin më shumë student, por duhet të fokusohet në uljen e tarifës deri në heqjen e saj”, thotë studentja e vitit të tretë, e cila shton se arsyeja se pse shumë nga ata që duan të vijojnë shkollën nuk e vijojnë janë kushtet ekonomike. “Jetesa e shtrenjtë në Tiranë, banesat, transporti, ushqimi po ashtu tarifa e shkollës janë ato që nuk i lejojnë studentët të ndjekin universitetin dhe jo mesatarja e lartë”, përfundon ajo.
Ekspertët: ndryshimet e shpeshta sollën kasatrofë në arsim
Ekspertët e Arsimit e cilësojnë këtë hap të Ministrisë së arsimit si një hap pas.
“Me këtë vendim kthehet 5 vite pas, në vitin 2017”, thotë Rigels Xhemollari nga Qendresa Qytetare, duke sjellë në vemendje vendimin që ministria mori në 2017 për të rritur mesataren e degëve bachelor që kishin akses në degët e mësuesisë. “Dhe pasojat e këtij vendimi kanë qenë katrastrofike në raport me studentët e degëve dhe fakulteteve ku mijëra studentë u është mohuar e drejta për të studiuar në universitetet shqiptare, ku dhjetra degë kanë shkuar drejtë mbylljes dhe janë mbyllur”, thotë ai duke listuar degë si Biologji, Matematikë, Kimi, Fizikë, tek të cilat studentët nuk mund të shkonin me mesatare nën 7.5, kjo për shkak se këto degë jo në bachelor por në master kishin akses në mësuesi. “Por nuk ishte e detyrueshme që studenti të shkonte për mësuesi, por të bëheshe biologë, matematikan, fizikant e me radhë” shton ai duke treguar se si këto degë u tkurrën e pas mbylljes së degëve dhe tkurrjes së tyre Ministria e Arsimit pa që bëri një gabim. “ Një gabim ky që u ka kushtuar shumë aktorëve “, përfundon ai.
Ndërkohë Dr. Valbona Nathanaili, thekson për “Sinjalizo” se kjo vendimmarrje është rrjedhojë e kërkesës së institucioneve të arsimit të lartë për të mos paragjykuar dhe etiketuar degë të caktuara si më pak apo më shumë të rëndësishme për shoqërinë.
“Të gjitha degët janë njësoj të rëndësishme. Për të gjitha investohet dhe punohet nga të dyja palët, universitetet dhe studentët. Një i diplomuar si mësues është po aq rëndësishëm sa edhe një jurist që nesër bëhet prokuror a gjykatës apo sa një ekonomist që nesër mund të jetë në nivelin e hartimit të politikave ekonomike”, thotë zonja Nathanaili, duke shtuar se kriteri i notës mesatare nuk ka pse të jetë i ndryshëm për degë të ndryshme. Për këtë, duhet gjetur zgjidhja që prodhon zgjidhje.
“Edhe në mjekësi, mesatarja e pranimit më e ulët është 6,5, por nuk gjen studentë që fitojnë të drejtën e studimit me një mesatare të tillë”, thotë Dr. Valbona Nathanaili e cila shton se vendosja e një kufiri minimal është një lloj marrëveshjeje që kemi bërë për të treguar se synimi për të vajtur në universitet duhet të vendoset e ndërtohet kohë më parë nga i riu dhe familja e tij, se duhen disa aftësi e njohuri të caktuara për të fituar- të paktën- të drejtën për të aplikuar.
Por kur politikat arsimore ndryshojnë kaq shpejt, pikëpyetja që mbetet është, a do të ndryshojë sërisht kjo politikë?
“Me sa shohim ne, politikat e Ministrisë së Arsimit nuk diktohen nga nevojat që kanë universitetet, por janë politika të cilat diktohen nga shkatërrimi që vijnë nga universitetet dhe nga gropat që hapen në shkollat në universitetet, pra janë politika të ditës dhe jo strategjike”, shprehet Rigels Xhemollari duke shtuar se vetëm vitin e fundit kemi pasur një prishje apo shkatërrim të disa sektorëve apo të disa elementëve që qeveria i ka shitur si potencial dhe raportet na nxjerrin të fundit në rajon për dixhitalizimin e universiteteve, të cilën e ka shitur qeveria si sukses.
Ndërkohë Xhemollari sjell si shembull të politikave të gabuara edhe prishjen e kontratës me Platformën Akademike që do të bënte kontrollin anti-plagjaturë. “Nëqoftëse kemi brenda sistemit, profesor me tituj jo meritor, me plagjatura te doktoratat e tyre, atëherë çfarë mund të presim më tej? Kështu që në këtë kuptim politikat që ndërrmeren nuk janë politika të mirë menduara, nuk janë strategjike, por për të zënë vrimat në momentin kur rrjedh problemi i universiteteteve apo shkollave” përfundon ai.
Për eksperten e arsimit Dr. Valbona Nathanaili, ka një mospërputhje ndërmjet nevojave që ka vendi për specialistë dhe degëve që vazhdojnë të zgjedhin maturantët. “Vendimi i fundit për të mbështetur financiarisht studimet në universitetet publike në degë prioritare për vendin, shpallur nga MAS, është një arsye për tu marrë në konsideratë nga të rinjtë që plotësojnë kushtet, por vendimmarrja pozitive kërkon të vendosen në balancë edhe faktorë të tjerë”, shprehet ajo duke renditur edhe dy arsye: “E para, sepse për të talentuarit, universitetet private ofrojnë bursë edhe në degët e preferuara, dhe e dyta sepse shkolla mbaron shumë shpejtë dhe natyrshëm shtrohet pyetja: Ku do punoj më pas? Çfarë më ofron tregu? Sa është shpërblimi? etj.
Dr.Valbona thotë se në një perspektivë tjetër duket se MAS në një farë mënyre kërkon të ndihmojë universitetet publike. “Por politikat e MAS duhet të jenë pjesë e politikave më të përgjithshme, integruar me politika që nxisin prodhimin vendas apo me politikat më të mira në fushën e arsimit, nëse duam të rinj që të ndjekin programet e mësuesisë”, përfundon ajo.