Autor: Anxhela Ruci
Elisa Jakimi, është një 18 vjeçare nga Dibra, e cila vitin shkollor që lamë pas do duhej të mbyllte gjimnazin, për të vazhduar ëndrrën e saj drejt arsimit të lartë, ëndërr e cila nuk u realizua për shkak të një vendimi që ajo dhe familja e saj mori në tetor të vitit 2021, për t’u larguar drejt vendit fqinj, Italisë, e pasuar me vendimin e shkollës për përjashtim.
Në Itali Elisa qëndroi rreth dy muaj, me qëllim një vizitë të rëndësishme okulistike dhe shpresën se mund të regjistrohej aty në shkollë. Por gjërat nuk ecën sipas planifikimit dhe në fillim të dhjetorit, ajo rikthehet në gjimnazin ku kishte studiuar për dy vite, kësaj here për të mbyllur vitin e fundit, atë të maturës.
Ajo thotë se pasi ndoqi rreth tre muaj shkollën dhe dorëzoi të gjitha projektet, dha provimet e prapambetura, në përfundim të semestrit të parë (rreth muajit mars), një nga mësuesit nuk pranon t’i vendos notën, duke i djegur kështu vitin shkollor.
Pavarësisht përpjekjeve dhe ankesave në Ministrinë e Arsimit dhe në Drejtorinë Rajonale të Arsimit Parauniversitar Durrës, Elisa thotë se asgjë nuk ndryshoi. Tani ndërsa shokët dhe shoqet e shkollës përfunduan provimet e maturës, ajo pret rinisjen e vitit tjetër shkollor.
“Në krizë për nxënës, por bëjnë përjashtime, qofshin dhe maturantë! Kur një emigrant kthehet sërish në bankat e asaj shkolle, mblidhen justifikime nga më të ndryshimet si numri i mungesave, kalimi i kufirit për jashtë shtetit, duke të mohuar si nxënës të asaj shkolle. Por në momentin qe ju shtohet dhe një emigrant atyre bankave, i jepet si dhuratë fleta e përjashtimit duke u justifikuar nga plotesimi i mungesave. Jam shumë e zhgënjyer, por edhe e mllefosur që u nisa për një jetë më të mirë, e kur dera m’u mbyll nga një shtet i huaj, m’u përplas në fytyrë edhe nga shkolla ime, në të cilën sot do hidhja kapelen e diplomimit”, tregon Elisa Jakimi.
Emigrimi është një ndër faktorët kryesor e uljes së ndjeshme të numrit të nxënësve në arsimin parauniversitar, rrjedhimisht tkurrjen e shkollave dhe uljen e numrit të mësuesve si në arsimin bazë ashtu edhe në arsimin e mesëm. Sipas ekspertëve të arsimit dhe shifrave të INSTAT faktorë të tjerë janë edhe ulja e lindshmërisë si dhe rënia e interesit për të ndjekur shkollën.
Nga statistikat e Drejtorisë së Përgjithshme të Arsimit Parauniversitar në vitin shkollor 2021-2022 krahasuar me vitin 2018-2019 në rang vendi numri i nxënësve ka rënë me mbi 38 mijë dhe janë mbyllur rreth 103 institucione arsimore (publike dhe private) ku kryesimin e mbajnë institucionet në zonat rurale.
Rënia e numrit të nxënësve dhe mbyllja e institucioneve arsimore ka ndikuar edhe në uljën e numrit të arsimtarëve, ku në katër vitet e fundit 1181 mësues kanë mbetur jashtë sistemit të mësimdhënies.
Në këtë artikull janë grumbulluar të dhëna edhe nga 4 Drejtori Rajonale të Arsimit Parauniversitar (DRAP) më konkretisht të Durrësit, Korçës, Lezhës dhe Fierit, për të parë më me detaje se cili rajon ka shpopullimin më të madh të shkollave, konkretisht për 4 vite 2018-2021, si për institucionet publike ashtu edhe ato private. Në përfundim të grumbullimit të statistikave, rezulton se rrethi I Elbasanit ka rënien më të madhe të nxënësve.
Drejtoria Rajonale e Arsimit Parauniversitar Korçë
DRAP Korçë në përbërjen e saj ka zyrat arsimore: Ura Vajgurore, Kuçovë, Cërrik, Belsh, Peqin, Gramsh, Librazhd, Përrenjas, Maliq, Kolonjë, Devoll, Skrapar-Poliçan, Berat, Korçë-Pustec, Pogradec dhe Elbasan.
Nga statistikat e vëna në dispozicion nga kjo drejtori si dhe krahasur me drejtoritë e tjera rajonale të arsimit parauniversitar, DRAP Korçë ka uljen më të madhe të nxënësve nga viti 2018-2021.
Një sërë zyrash vendore në këtë drejtori kanë rënie të numrit të nxënësve me mbi 1000 të tillë nga viti shkollor 2018, në vitin 2021. Në listën me më shumë nxënës të larguar është Elbasani me 6848, ndjekur nga Korçë-Pustec me 5873, Berati 5241, Librazhdi 4194.
Në këtë Drejtori rajonale, edhe pse ka rënie të numrit të nxënësve, një zyrë vendore ka rekord pozitiv, pasi nga viti 2018 në vitin 2021 ka rritje të numrit të nxënësve. I tillë është Pogradeci, i cili ka në 4 vite ka rritur numrin e nxënësve me 1417 më shumë nxënës.
Për sa i përket numrit të shkollave dhe mësuesëve në këtë drejtori rajonale, të dhënat e vendosura në dispozicion nuk janë të plota.
Në të dhënat statistikore të DRAP Korçë thuhet se “ Numri i përgjithshëm i nxënësve në arsimin parauniversitar, përfshirë edhe fëmijët e arsimit parashkollor, ka pësuar një rënie prej 9,6%, krahasuar me vitin 2020. Në Arsimin Parashkollor rënie është 11%; Në arsimin bazë (arsimi i detyruar, klasa 1 – 9), rënia është 7%; Në arsimin e mesëm të lartë (klasa 10 – 13), rënia është 14%. Numri më i madh i rënes së nxënësve është në zonat rurale.
Drejtoria Rajonale e Arsimit Parauniversitar Durrës
DRAP Durrës është ndër drejtoritë kryesore të vendit tonë, në të cilën përfshihen 12 zyra arsimore: Bulqizë, Dibër, Durrës, Kamëz, Kavajë, Klos, Krujë, Mat, Rrogozhinë, Shijak, Tiranë dhe Vorë.
Zyra Vendore arsimore e Kavajës, Kamzës, Krujë, Matit dhe Durrësit kanë numrin më të lartë të rënies së nxënësve që varion nga 5310 në Durrës deri në 2288 në Krujë, ndërsa numri i nxënësve në zyrat e tjera vendore është poshtë shifrës 1000.
Por kjo zyrë arsimore ndër të tjera ka edhe një faktor pozitiv, i cili ishte i pritshëm duke qenë se pjesë e tij është edhe kryeqyteti, Tirana. Zyra arsimore Tiranë, ka një rekord pozitiv për vitet 2018-2021, pasi ndryshe nga drejtoritë e tjera numri është rritur me 7788 nxënës më shumë.
Drejtoria Rajonale e Arsimit Parauniversitar Lezhë
DRAP Lezhë është drejtoria e rradhës pas Korçës sdhe Durrësit e cila ka rënien më të madhe të nxënësve, mësuesëve dhe mbylljen e institucioneve arsimore. Në drejtorinë rajonale të Lezhës përfshihen: Lezhë, Kurbin, Mirditë, Shkodër, Malësi e Madhe, Vau i Dejës, Pukë-Fushë-Arrëz, Kukës, Has dhe Tropojë.
Edhe kjo drejtori ka njohur një shpopullim të madh të shkollave, ku pasojat më të mëdha vihen re në Shkodër, Kurbin dhe Kukës. Në këto zyra vendore arsimore, numri i nxënësve të regjistruar nga vitin shkollor 2021- 2022 është disa mijë më i ulët krahasuar me vitin shkollor 2018-2019, ku kryesimin e mban Shkodra me 2173 nxënës më pak.
Një fenomen që vërehet re nga të dhënat e vëna në dispozicion nga DRAP Lezhë është se edhe pse në disa zyra vendore si Lezhë, Kukës, Has dhe Malësi e Madhe ka pasur rënie të nxënësve, numri i mësuesëve ka ardhur në rritje.
Sipas informacion të vënë në dispozicion nga DRAP Lezhë, nuk mund të saktësohet nëse rënia e numrit të nxënësve është në shkollat 9-vjeçare apo në gjimnaze, kjo pasi në varësi të zyrave vendore, këto statistika ndryshojnë.
Drejtoria Rajonale e Arsimit Parauniversitar Fier
DRAP Fier, në hartën e saj përfshin 13 njësi vendore arsimore: Fier, Lushnje, Vlorë-Himarë, Divjakë, Patos, Roskovec, Mallakastër, Selenicë, Përmet-Këlcyrë, Tepelenë-Memaliaj, Gjirokastër-Libohovë, Sarandë-Delvinë-Konispol dhe Dropull-Finiq.
Edhe kjo drejtori rajonale ka një rënie të numrit të nxënësve në arsimin parauniversitar, ku zyrat vendore më të prekura janë Lushnja me 2166 nxënës më pak në vitin 2021 krahasuar me vitin 2018, ndjekur nga zyra vendore Vlorë-Himarë me 1078 më pak nxënës.
Gjatë 4 viteve në DRAP Fier janë mbyllur rreth 78 institucione arsimore, por ndryshe nga zyrat e tjera vendore edhe pse Vlorë-Himarë ka rënie të nxënësve nga viti 2018-2021 (1078 nxënës më pak), numri i shkollave nuk është ulur.
Ky fenomen ka dhe një shpjegim nga DRAP Fier, klasat kolektive. “Në zonat rurale të disa bashkive funksionojnë shkolla me numër tepërtë ulët nxënësish, të cilët studiojnë në klasa të bashkuara apo të quajtur ndryshe klasa kolektive. Për arsye të përqëndrimit të shkollave të tilla të në shkolla më të mëdha, duke siguruar një arsim cilësor në klasa të veçanta për nxënësit e tyre, disa shkolla kanë vazhduar funksionimin vetëm me cikël parashkollor. Këto shkolla dhe të tjera që nuk kanë pasur asnjë nxënës, nuk konsiderohen zyrtarisht të mbyllura”, thuhet në përgjijen e kësaj zyre.
Arsyet që kanë çuar në rënien e nxënësve dhe shqetësimet për të ardhmen
Presidenti i Sindikatës së Pavarur të Arsimit të Shqipërisë, z. Nevrus Kaptelli, shpjegon se rënia e numrit të nxënësve mbetet një nga shqetësimet kryesore të kësaj sindikate, të cilat janë ngritur edhe në takimet që kjo sindikatë ka zhvilluar me Ministrinë e Arsimit.
“Nga informacionet e strukturave tona të bazës jemi informuar se nga viti në vit numri i nxënësvë që regjistrohen në klasat e para është në rënie të vazhdueshme, ku në disa ZVA regjistrohen më pak se 50 % e atyre që figurojnë në regjistrat e regjistrave civile. Fenomeni i shpopullimit të shkollave vitet e fundit vihet re edhe në Tiranë, ku çdo vit mbyllen klasa. Duke qenë se kërkesat tona për rritje të buxhetit të arsimit nga 3 % e GDP në 5 % , të bëra vazhdimisht që para 9 viteve nuk janë marrë në konsideratë nga qeveria, zgjidhja e problemit është bërë më e vështirë tani. Për arsye të investimeve të pamjaftueshme në arsim, në pajisjen e shkollave me mjetet bashkëkohore, në rritjen e pagave të mësuesve etj, profesioni i mësuesit është bërë një nga profesionet më të pakërkuara nga studentët. Tregues për këtë është rënia e vazhdueshme e numrit të studentëve në degët e mësuesisë dhe në disa fakultete mbyllja e tyre”, thotë Kaptelli.
Ai sqaron se numri në rënie i nxënësve në arsimin parauniversitar, shoqërohet edhe me mbetjen jashtë sistemit të mësuesve të cilët për të përballuar uljen e ndjeshme të nxënësve duhet të shkurtojnë orët e mësidhënies ose detyrohen të lëvizin nga një shkollë në shkollën tjetër për të plotësuar orarin e punës.
Ashtu siç e përmendëm edhe në fillim të këtij shkrimi, një nga fenomenet kryesore të tkurrjes së numrit të nxënësve në arsimin parauniversitar është emigrimi jashtë vendit i familjeve shqiptare, por sipas ekspertes së arsimit, Irsa Ruçi qëndrojnë edhe disa faktorë të tjerë që kanë ndikuar në uljen e numrit të nxënësve.
“Besoj se ka dhe shkaqe që lidhen drejtpërdrejt me cilësinë e arsimimit, kjo reflektohet sepse gjithnjë e më tepër po zhvlerësohet dija dhe po merr vlerë “kartoni”, si instrument certifikimi. Prindërit ndjejnë pasigurinë të dërgojnë fëmijët e tyre në institucione të arsimit parashkollor me të diplopmuar të pakualifikuar, të patrajnuar dhe me mungesë njohurish, aq më tepër pas disa fatkeqësive që janë shfaqur dhe në media, që dëshmojnë mospërgatitjen e stafit edukativ me komponentët e mevojshëm për të menaxhuar situatat e vështira. Mungesa e institucioneve të edukimit në zonat rurale është problematikë, pasi një familjeje mund t’i duhen disa orë ecje në këmbë derisa ta dërgojë fëmijën tek kopështi më i afërt’, thotë ajo.
Ruçi thotë se ka edhe shkaqe sociale të cilat ndikojnë dhe për këtë, sugjeron ajo, duhet të ketë një koordinim mes institucioneve shtetërore, për të ndihmuar me shkollimin e fëmijëve në ato familje që kanë vështirësi ekonomike dhe pamundësi për t’i pajisur fëmijët me mjetet e nevojshme të shkollimit.
Veç të tjerash, një problem kryesor në arsimin parauniversitar është mbyllja e institucioneve në zonat rurale dhe përqëndrimi i nxënësve në zonat urbane.
Edhe ky fenomen sipas mësueses Arjola Alla, shoqërohet me performancë më të ulët të nxënësve që vijnë nga zonat rurale, të cilët shpesh herë e kanë të vështirë përshtatjen në mjedisin e ri.
“Nxënësit që vijnë nga zonat rurale reflektojnët vështirësi ekonomike, një pjesë e mirë punojnë që të mbulojnë shpenzimet e shkolles, vështiresi në përshtatje muajt e parë. Disa paraqiten me vonesë orën e parë sepse jetojnë larg dhe s’kanë me se të vijnë, shprehin vetëvlerësim i ulët në krahasim me nxënësit e tjerë”, shpjegon ajo.
Në provimet e maturës shtetërore të vitit shkollor 2021-2022 morën pjesë 33 mijë maturantë. Ajo që u evidentua në përfundim të provimeve ishte numri i ulët i maturantëve me notë maksimale ( 4 ekselentë në provimin e gjuhë-letërisë; 234 ekselentë në provimin e matematikës, 611 ekselentë në provimin e gjuhës së huaj) dhe numri i lartë ngelësve në të paktën një nga katër provimet e detyruara.
Ministrja e Arsimit, Evis Kushi propozoi se vitin tjetër, për herë të parë të futet si praktikë rivlerësimi i provimeve të maturës shtetërore, ndërsa maturantët që synojnë degët e mjekësisë dhe stomatologjisë do t’i nënshtrohen në Tiranë testit elektronik.