Autor: Aurora Shpataj
Mungesa e mësuesve në sistemin arsimor është një ndër problemet kryesore të arsimit shqiptar. Përgjatë një video-publikimi në rrjetet sociale Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Evis Kushi deklaroi që tanimë të diplomuarit në fusha të përafërta me fushën e mësuesisë mund të ushtrojnë profesionin e mësuesit.
“Të diplomuarit në një fushë të ngjashme ose të përafërt me fushën e mësuesisë, si inxhinieri, ekonomi, arte, gjuhësi, përkthim, etj do të kenë mundësi që të ushtrojnë profesionin e mësuesit pasi të kenë kryer formimin e nevojshëm psiko-pedagogjik, i cili do të mundësohet nga fakultetet e edukimit në institucionet e arsimit të lartë.”- u shpreh ministrja Kushi, me datë 17 shkurt të këtij viti.
Ndërkohë profesori Qerim Doko, i dalë tanimë në pension pohon se reformat e reja kaq të shpeshta tregojnë dështim.
“Vetë termi `reformë` domethënë formë e re. Por kjo formë e re, këto format e reja kaq të shpeshta dhe që nuk kanë dhënë rezultatin e duhur, nuk duhet të përsëriten më. Kështu që kur të bësh një reformë, duhet të jetë një reformë e studiuar, ashtu sic bëhej dikur me klasat pilot, që jep rezultat apo jo.”
Ekspertët: Udhëzimi i ri është kaos dhe paqartësi
Profesori Doko tregon për “Sinjalizo”, që kjo reformë n`a kthen 50 vite pas.
“Sigurisht që ky ligj e kthen arsimit shumë vite pas, 40-50 vite. Kjo puna e kurseve është si ato kurset te `Plepat e Durrësit`, sa për të mbaruar punë. Nuk riparohen gjërat kështu pa bërë një studim të mirë. Nuk e di cfarë programi do të ketë një mësues i tillë me këto kurse. Duhet ta ketë me patjetër pedagogji të mësuesisë apo psikologji, pasi ke të bësh me mosha të reja. Gjithashtu duhet të dijë metodikat, pasi janë të rëndësishme. Unë mendoj se kjo është një zgjidhje emergjente, jo afatgjate. Afatgjate janë fakultetet e specializuara për këtë qëllim, që përgatisin mësuesit e ardhshëm”- përfundon profesori Doko.
Ky udhëzim, profesorit i kujton periudhën e komunizmit e që nuk sjell më asnjë vlerë për shoqërinë.
“Kur më bëni këtë pyetje, mua më shkon mendja në vitet 70’, atëherë kur unë kam filluar punë për herë të parë. Në ato vite ndodhte që studentët që ngelnin apo duhej të përsërisnin vitin, i kalonin direkt në provim dhe për mungesë kuadri, këta i kalonin direkt mësues. I dërgonin mësues në fshatra sepse nuk kishte mësues. Gjithsesi këta nuk ishin mësues, këta ishin mësimdhënës që dinin tabelën e shumëzimit apo dicka tjetër. Për mua kjo puna e kurseve, nuk e di cfarë të them, por që të dalë një mësues i mirë, nuk është zgjedhja e duhur.”
Të njëjtin qëndrim mban edhe eksperti i arsimit Ndricim Mehmeti, i cili shprehet se ky udhëzim është në kundërshtim me ligjin.
“Udhëzimi i nxjerrë nga Ministri i Arsimit, shkel ligjin 69/2012, “Për arsimin Parauniversitar në Republikën e Shqipërisë”, pasi Neni 57, pika 1, 2 dhe 3 përcaktojnë fare saktësisht, se: `Mësuesi në institucionin arsimor duhet të ketë fituar diplomën e mëposhtme në fushën e edukimit ose diplomë të njëvlershme me të: a) Mësuesi i arsimit parashkollor: diplomë universitare të ciklit të parë të studimeve universitare “Bachelor”; b) Mësuesi i arsimit fillor, mësuesi i arsimit të mesëm të ulët dhe mësuesi i gjimnazit: diplomë e ciklit të dytë të studimeve universitare. Pra nuk flitet askund për diploma të përafërta, por në fushën e edukimit ose të njëjat me të.”
Zoti Mehmeti shprehet për “Sinjalizo”, se udhëzimi është diskriminues për mësuesit si dhe studimi i bërë nga ministrja del pa asnjë të dhënë se cilat janë nevojat për mësues në vitet e ardhshme.
“Udhëzimi është diskriminues.Pasi një mësuesi i është dashur që të bëj 3 vite studime Bachelor, 2 vite Master dhe 1 vit praktikë dhe një mësues tani apo në të ardhmen i duhet një diplomë Bachelori 4 vjeçari, 3 muaj kurs psiko-pedagogjik, 3 muaj praktike dhe bëhet mësues. Së fundi, ky studim del pa asnjë të dhënë shtesë, që në këtë rast do të ishte një studim për nevojat për mësues sot e në një periudhë, 10, 20, 30 apo edhe 40 vite e ardhshme, për të kuptuar sesa mësues prodhojmë e sa na nevojiten, dhe sa nxënës do të kemi, pasi Shqipëria po braktiset me shpejtësi marramendëse, pikërisht prej politikave të gabuara të qeverisë në të gjitha fushat e në veçanti në arsim.”
Uljen e numrit të nxënësve e konfirmon dhe një raport i INSTAT-it për vitin shkollor 2021-2022, ku raportohet që ka një ulje prej 2,0 %, krahasuar me vitin shkollor 2020-2021. Specifikisht në arsimin e mesëm ka një ulje prej 4,2 %, krahasuar me vitin e kaluar shkollor, në arsimin parauniversitar, një ulje prej 2,5 %, në arsimin 9-vjeçar 2,9 % më pak nxënës. Po sipas këtij raporti për vitin 2021-2022 në arsimin fillor, të mesëm, të lartë janë 28.809 mësues.
Eksperti i arsimit, Mehmeti konstaton se udhëzimi i ri nuk sjell asgjë tjetër përveçse kaos dhe paqartësi. Ai sugjeron se nëse kemi një nevojë shumë të madhe për mësues duhet që ministrja së bashku me kryeministrin të kërkojë falje e të fillojnë të ndërrmarin reforma që japin rezultat.
“Është e vështirë të parashikohet, por një gjë është e sigurt: kaos dhe paqartësi. Nuk dihet se kush do të diplomohet si mësues, si do të liçensohet, dhe sikundër përmenda, ne kemi shumë mësues në sistem që presin të famshmin portal “Mësues për Shqipërinë” ose siç e kam quajtur që në krye të herës, portalin “Mësues për Partinë”, kemi të rinj që janë duke studiuar në programe studimi mësuesie dhe nuk besoj se kemi një nevojë të madhe. Nuk duhen ndërmarrë reforma, se dikush i pa në ëndërr, apo shkoi 4-5 ditë vizitë diku dhe kërkon të përshtasim modelin e vendit ku shkojmë. Nëse kemi vërtet nevoja kaq shumë për mësues, atëherë Ministria e Arsimit e më shumë kryeministri i vendit, duhet të pranojë e kërkojë ndjesë për politikat e gabuara dhe braktisjen e programeve të studimit nga të rinjtë.”
E pyetur nga “Sinjalizo” për numrin e kandidatëve që kanë aplikuar në portal, Ministria e Arsimit shprehet; “Për vitin 2022-2023 në Portalin “Mësues për Shqipërinë”, kanë aplikuar 10394 kandidatë të cilët plotësojnë kriteret ligjore për tu punësuar pranë institucioneve të arsimit parauniversitar“.
Ministria e Arsimit: Vende vakante në profilet gjuhe angleze, arsim fillor
Zoti Mehmeti tregon se cilat janë arsyet që kemi gjithnjë e më pak student që vazhdojnë mësuesinë.
“Një student që të bëhet mësues do 6 vjet, pastaj do të presë Portalin dhe kur mendon se kalvari i vuajtjeve, ka përfunduar e ka të pasigurt vendin e punës. Paga e mësuesit është mjerane dhe statusi i tij social i nëpërkëmbur. Mësuesi ynë paguhet nga 20-40% më pak se kolegu i tij në Kosovë, Mal të Zi, Serbi, e Bosnjë. Ai barazohet vetëm me mësuesin e Maqedonisë së Veriut. “
Të njëjtën qëndrim mban dhe profesori Doko.
“Një profesion tjetër paguhet më mirë se sa mësuesi dhe që këtu duket që ai ka një reputacion më të mirë se sa mësuesi. Në fakt figura e mësuesit duhet të rritet me vlerën e mësuesit, që dmth të paguhet sic paguhet një inxhinier i IT apo një ekonomist, që e kanë rrogën rreth 1 mijë euro. Nëse nuk vijmë deri këtu, edhe përzgjedhja që do të kenë studentët apo maturantët për të zgjedhur degët e studimit, nuk do ta pëlqejnë, sepse janë degë të tjera si mjekësia apo IT, që i thithin dhe preferohen nga të rinjtë.”
Një fenomen tjetër është se shumë mësues që kanë dalë në pension vazhdojnë të japin mësim. Këtë e pranon dhe profesor Doko, i cili edhe pas daljes në pension vazhdon të japë mësim në një shkollë private.
“Në përgjithësi ka shumë mësues të cilët janë rikthyer në shkollat private, natyrisht ata që pranohen. Arsyeja kryesore është pensioni i ulët. Konkretisht unë marr 300 euro pension. Mua më ka dalë kaq, sepse kam shumë vite eksperiencë mbi 48 vite në arsim, por të tjerë që marrin 200 euro apo më pak. Çfarë mund të bësh me një shumë të tillë. Kjo i detyron ato që të rifillojnë sërish punë.”
Por pavarësisht se ka mbi 48 vite punë, profesori nuk jua sugjeron si profesion të rinjve sot.
“Unë kam 4 fëmijë dhe asnjë nuk kam bërë mësues. Kjo për shkak se niveli dhe figura nuk është në lartësinë e duhur. Gjithsesi dicka e tillë varet. Nëse vlerësimi do të jetë në këto nivele, nuk do ua sugjeroja.”
“ Sinjalizo” iu drejtua me një kërkesë për informacion Ministrisë së Arsimit, se në cfarë profili janë mungesat për mësues. Në përgjigjen e saj, ministria tregon se mungesat janë në arsimin fillor, special, gjuhë angleze.
“Referuar të dhënave të dërguara dhe vendeve vakante të shpallura në muajin shtator 2022, konstatohet se numrin më të madh të vendeve vakante sipas profileve apo lëndëve rezulton në pjesën më të madhe të tyre në profili: arsim special, gjuhe angleze, arsim fillor.”