Autor: Denis Tahiri
“Jam me qira me shoqet. Zgjohem në mëngjes, shkoj në Universitet, marr pjesë në leksione dhe seminare, pastaj punoj me detyrat që mund të kem”- shprehet për “Sinjalizo” Anjeza Boja, studentja nga Shtërmeni, të cilës për të ndjekur studimet e larta në Elbasan, i është dashur të marrë një banesë me qira.
Shifra e llogaritur në 2021 për jetesën e një studenti në Shqipëri është 324 euro. Për këtë studim të “Qëndresës Qytetare” u anketuan 775 studentë. Shifra prej 324 euro është kostoja mesatare mbi nevojat e tyre bazike si akomodim apo ushqim, pa marrë parasysh tarifat e studimit.
E ndërsa çmimet e jetesës janë rritur ndjeshëm, aktualisht asnjë institucion në vendin tonë, nuk ka një shifër zyrtare për sa i përket shumës që shpenzon një student gjatë një muaji.
Kush shpenzoi më shumë dhe për çfarë?
Universitetet Shqiptare, prej firmosjes së “Paktit për Universitetin” e kanë detyrim që nëpërmjet platformës U-transparenca, të bëjnë transparencë totale të fondeve, çfarë shpenzojnë, për cfarë e shpenzojnë, si edhe të ardhurat e tyre. Por këtë gjë nuk e bëjnë të gjitha institucionet e Arsimit të Lartë në vend, edhe pse duhet të ishin të parat në transparencë. Ndërkohë që një zbërthim të shpenzimeve të tyre e ka bërë QQ, në disa raporte të disa viteve.
Universiteti “Aleksandër Xhuvani”, për vitin akademik 2021-2022 ka shpenzuar 431 944 euro vetëm për siguri godine, 115 985 euro për dieta dhe udhëtime, 29 000 euro për karburant makine dhe 23 479 euro për telefon dhe internet për stafin. Nga ana tjetër, ky institucion ka shpenzuar vetëm 1200 euro për studime dhe kërkime dhe 17 000 euro për libra dhe publikime. Këto shpenzime janë nga totali prej më shumë se 5.5 milionë euro që ky institucion ka shpenzuar në vitin që lamë pas, ku 3 279 430 euro janë shpenzuar vetëm për kategorinë “Shpenzime personeli”.
Ndërkohë, edhe në Universitetin “Luigj Gurakuqi” situata është e ngjashme. Ky universitet për vitin akademik 2021-2022 ka shpenzuar pothuajse 4 milionë euro, ku zërat më të mëdhenj janë shpenzimet e personelit me 2 614 949 euro. Për sigurinë e godinës, ky institucion ka paguar 252 mijë euro, ndërsa ka shpenzuar 64 mijë euro për karburant makine. Nga ana tjetër për kërkime dhe studime janë shpenzuar 4 628 euro, ndërsa për publikime dhe libra 9030 euro.
Në Universitetin e Korçës “Fan Noli” për studime dhe kërkime për vitin akademik që kemi lënë pas, nuk është shpenzuar asnjë lekë, prej totalit te shpenzimeve prej më shumë se 3.2 milionë euro. Ndërkohë janë shpenzuar më shumë se 77 mijë euro për dieta dhe udhëtime dhe 147 mijë euro për paisje zyre.
3.7 mijë euro është shpenzimi që ka bërë Universiteti i Durrësit “Aleksandër Moisiu” për studime dhe kërkime nga totali prej pothuajse 6 milionë euro që ka shpenzuar. Ky universitet ka shpenzuar 195 mijë euro për sigurinë e godinës dhe më shumë se 4.5 milionë euro për shpenzime personeli.
Ndërkohë Universiteti i Tiranës, i cili është edhe më i madhi në vend dhe ka një total shpenzimesh 9-10 milionë euro, për kërkime dhe studime nuk ka shpenzuar asnjë lekë, por për sigurinë e godinës plot 637 454 euro. Nga ana tjetër më shumë se 1.1 milionë euro ky institucion i ka shpenzuar për paisje zyre dhe orendi.
Hije korrupsioni në Universitete
Në shtator të 2022, Prokuroria e Tiranës, kërkoi arrestimin e katër personave, staf të Universitetit Bujqësor të Tiranës, për një tender prej 10.5 milionë lekë. Çështja nisi pas kallëzimit të A.Ç, i punësuar prej 10 vitesh në Universitetin Bujqësor të Tiranës. E gjithë çështja pas përfundimit të hetimeve të prokurorisë, rezultoi të ishte një lojë me dokumentacionin, ku një pjesë e mallit që duhet të kishte hyrë në magazinë, nuk hyri kurrë.
“Sipas fletëhyrjes në magazinë, vlera e mallit ishte 10.5 milionë. Kallëzuesi në mirëbesim ka nënshkruar fletëhyrjen dhe ka deklaruar se malli për shumën 3.7 milionë lekë nuk është bërë asnjëherë hyrje në magazinë dhe nga kjo shumë, kallëzuesi, po në mirëbesim, ka nënshkruar një fletëdalje për shumën e mallit 1.958.500 lekë. Dalja për këtë vlerë malli, sipas kallëzuesit është bërë nën trysninë e vazhdueshme të shtetasit A.R”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë së Tiranës. Por rastet kur prokuroria kryen hetime mbi shpenzimet e Universiteteve në vend, janë të rralla.
Rigels Xhemollari nga Qëndresa Qytetare shprehet se ka një praktikë ku bëhet sikur blehen gjërat dhe realisht nuk ekzistojnë fizikisht. “Për shembull, në Universitetin e Durrësit janë blerë 100 kompjutera ta zëmë nëpërmjet një kontrate dhe studentët e pedagogët thonë skemi kompjutera, nuk ekzistojnë”, thotë ai, duke shtuar se e njëjta gjë ndodhi me Universitetin Bujqësor që bleu pleh kimik për pemët në shifrën 100 mijë euro, por nga hetimi i prokurorisë doli që kishte hyrë e dalë vetëm me letra.
Për Xhemollarin, praktika e parë që bie më shumë në sy në Universitetet Shqiptare është buxheti për rojet, ku buxheti tenderohet dhe duke u tenderuar harxhohet shumë më shumë para se sa do të harxhohej nëse do të ishte një roje që do të paguhej nga rektorati ose fakulteti ku ndodhet.
“Mendoj se këtu disafishohet buxheti për rojet dhe mendoj se këtu fshihet një kontratë abuzive, korruptive duke parë edhe pagat që marrin rojet”, thotë ai, duke shtuar se pedagogët të cilët paguajnë nga rroga e tyre për të bërë kërkime, janë të pafuqishëm për tu bërë pjesë e vendimmarrjes dhe demokracisë. “Ata nuk dinë se sa para hynë e sa dalin, që do të thotë që niveli i demokracisë, transparencës, pjesëmarrjes është 0 brenda, imagjino pastaj jashtë”, përfundon ai.
E ndërsa në shumë vende të botës, universitetet janë një model i transparencës dhe demokracisë në funksionimin e tyre, duke kultivuar kështu te studentët e tyre një kulturë që përmirëson shoqërinë, sipas Xhemollarit në Shqipëri ata janë duke luajtur rolin e kundërt. “Janë duke mësuar studentët se si mund të korruptohesh, si të marrësh diplomën duke kopjuar, janë duke luajtur rolin dhe duke dhënë një model shumë negativ për mënyrë se si një autoritet publik duhet të bëjë transparencë”, thotë ai.
Ndërkohë një tjetër pikë që Xhemollari thekson janë edhe këshillat etik në universitete. “Në universitetin e Tiranës u bënë zgjedhjet për anëtare të rinj. Nuk ka asnjë vendim këshilli i etikës, imagjinoni në 10 vitet e fundit nuk ka asnjë shkelje, asnjë plagjiaturë, asnjë ankesë e ardhur nga studentët, imagjinoni se sa konflikte interesash ka aty brenda se sa e pafuqishme është kjo armatë për të gjykuar veten dhe pastaj për të dhënë atë modelin që shoqëria kërkon”, përfundon ai.