Autor: Dallandyshe XHAFERRI
“Po udhëtoja në autostradën ‘Durrës-Tiranë’ drejt kryeqytetit ku më ndaloi një makinë policie duke ndezur sirenat. Nuk po e kuptoja ç’po ndodhte. Më kërkuan leje qarkullimi, patentën dhe nisën procedurat që ndjekin në raste ndalimi”,- kështu shkruan mes të tjerash në platformën “ Sinjalizo” Marjus Merhori. I riu nga Kavaja, që dy muaj më parë pati ‘suprizën’ policore, nuk është i shqetësuar për ndalesën, por për atë që erdhi më pas. U vu në dijeni nga policia, se nuk kishte paguar një gjobë për të cilën nuk dinte asnjë gjë, nuk ishte informuar askund, as në sistemin “E-gjoba”.
“Më thanë se në bazë të aplikimit të targës sime në sistem, rezultoja se kisha marrë një gjobë para një viti dhe unë nuk isha në dijeni të saj. Më thanë se makina do të sekuestrohej, por unë e refuzova një vendim të tillë duke kërkuar shpjegim se ku dhe kur e kisha marrë këtë gjobë,”- vazhdon rrëfimin 25-vjeçari, duke shtuar se iu tregua se “gjoba ishte marrë nga makina inteligjente dhe rezultonte para një viti duke mos më thënë specifikisht se çfarë kishte ndodhur”.
Ende i paqartë dhe i painformuar për masën administrative, Marjusi tregon për “Sinjalizo” se për të mos lejuar sekuestrimin e padrejtë të makinës iu drejtua Policisë së Tiranës. Aty iu komunikua se gjoba ishte vendosur në qytetin e Kavajës, por sërisht askush nuk i dha përgjigje rreth arsyes përse ishte gjobitur.
“Nuk e di ende ku e kam marrë këtë gjobë, pasi i zbatoj shumë rregullat e qarkullimit rrugor për faktin se e shoh si ndërgjegjje qytetare për të mbrojtur veten time, të tjerët dhe për t’u privuar nga një aksident rrugor”,- rithekson qytetari, ndërkohë që bën të ditur se, një ditë pas ngjarjes “policët thanë se gjoba ishte hequr nga sistemi”.
“Unë kam kontrolluar shpesh sistemin e gjobave dhe nuk më rezultonte asnjë gjobë”,- thotë ai, duke shtuar,- “Nga komunikimi që pata me efektivët e policisë më thanë se gjoba mund të ishte vendosur dhe si rezultat i sulmeve kibernetike iraniane dhe mund të jetë vendosur gabimisht,”– tregon denoncuesi, duke shtuar se mungesa e dokumentimit të gjobës përbën problem për shoferët.
Digjitalizim milionerësh, por vetëm në teori
Por, ndonëse qytetarit i është dhënë si shpjegim për gjobitjen e pamerituar sulmi i sistemit nga hakeruesit iranianë, nëpërmjet përgjigjes së kërkesës për informacion Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit (AKSHI) tregon se “Fondi limit i miratuar për E-gjoba është 357,428,000 lekë pa TVSH, ku fondi për vlerën e Implementimit është 262,228,000 lekë pa TVSH dhe fondi për vlerën e mirëmbajtjes është 95,200,000 lekë pa TVSH”,- bën të ditur AKSHI në përgjigje.
Ndërkohë, Ministria e Financës dhe Ekonomisë sqaron për “Sinjalizo” se në fondin e miratuar për projektin e digjitalizimit të sistemit të gjobave, “Përmirësimi i sistemit të gjobave, integrimi me pajisjet mbështetëse radar, dhe plotësimi me tableta për Policinë e Shtetit”, në vitin 2022 është planifikuar 130 milionë lekë dhe realizuar 128.8 milionë lekë “dhe planifikuar 90 milionë lekë dhe për vitin 2023,”- shkruhet në përgjigjen e Ministrisë së Financave.
Problem jo vetëm E- gjoba
Por, E-gjoba nuk është i vetmi rast ku digjitalizimi i sistemit nuk ka rezultuar i suksesshëm. Në muajin maj “Sinjalizo” publikoi artikullin ku mësuesit denonconin mosfunksionimin e duhur të regjistrit online të nxënësve SMIP. Ky sistem ka vazhduar të shfaqë problematika të vazhdueshme në fshirjen e notave ose në ndryshimin e tyre për lëndë të ndryshme.
Gjergji M, prind i një prej nxënësve të gjimnazit “Naim Frashëri” në Durrës tregon për “Sinjalizo” se jo të gjitha notat e vajzës së tij pasqyroheshin në fund të semestrit të tretë në regjistrin online. “Unë i komunikoja vazhdimisht mësueses së vajzës pas mbylljes së semestrit të tretë nuk dilnin notat në regjistër. Ajo me thoshte se i hidhte, ndërkohë kur hyja njëherë i shihja, herës tjetër ishte lista e notave bosh”,- përfundon ai. Pavarësisht problematikave që kanë shoqëruar këtë sistem gjatë këtij viti shkollor AKSHI në përgjigjen për “Sinjalizo” bën të ditur se nga buxheti i shtetit “fondi limit i miratuar për mirëmbajtjen e SMIP është 53,467,200 lekë pa TVSH”.
Votimi online
Ndërkohë, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve pyetjes së “Sinjalizo” se sa ishte fondi i miratuar për blerjen e pajisjeve të votimit online në zgjedhjet lokale të 14 Majit, i është përgjigjur se vlera totale shkonte deri në 929,187,443 lekë. Gjithashtu, ky institucion shton: “Nuk kemi fond të miratuar për mirëmbajtjen e këtyre pajisjeve”. Gjatë zgjedhjeve lokale të 14 Majit, pajisjet elektronike shfaqën probleme të shumta në procesin e votimit, duke mos i njohur mjetet e identifikimit të votuesve.
Eksperti i ekonomisë: Blihen shtrenjtë mallrat e lira
Pano Soko, ekspert i ekonomisë thotë për “Sinjalizo” se çdo investim i realizuar në funksion të digjitalizimit është pozitiv, por çështja ‘çalon’ në cilësinë e tyre.
“Duhet bërë ndarja në dy pjesë, makrostrukturë dhe në mikrostrukturë . Në makrostrukturë pyetja është: a duhen këto shpenzime, a janë të nevojshme? Dhe përgjigjja është po. Natyralisht çdo gjë që i përket digjitalizimit është progres dhe ne kërkojmë që të gjitha proceset që sot kryhen në formë analoge të digjitalizohen, sepse ky është realiteti në të cilin ndodhemi dhe shumë shpejt do të na duhet të përqafojmë një realitet të ri, që do të jetë edhe më digjital se ky. Kështu që çdo investim i bërë në fushën e digjitalizimit është i nevojshëm”,- shprehet Soko, duke shtuar se “paratë publike që shpenzohet duhet të ruajnë cilësinë e investimit. Të shpenzohen aq para sa duhen per investimin. Ky ndoshta është problemi që kemi ne”,- tregon eksperti i ekonomisë, duke shtuar se “investimet nuk janë cilësore sepse diku ka rrjedhur paraja”.
Ky artikull u krijua bazuar në të dhëna të siguruara nga individë që kanë zgjedhur të ngrenë zërin. Ndani historinë tuaj, fuqizojini të tjerët dhe bëhuni faktor për ndryshim. Vizitoni faqen: www.acqj.al/sinjalizo-dhe-ti/