Klasat digjitale, investime marramendëse, rezultate modeste

Projekti për klasat digjitale nisi me entuziazëm në vitin 2014. Fondi prej 3 milionë dollarësh u trefishua gjatë këtyre 8 viteve, por gjendja faktike është shumë larg synimeve të shpallura. Në një kohë kur e gjithë bota po digjitalizohet dhe çdo shërbim apo veprimtari po kalon në botën digjitale, në shkolla, kryesisht në rrethe, ende nuk ka laboratorë të Teknologjisë së Informacionit dhe Komunikimit.

Autore: Eleni Zere

“Lënda e Teknologjisë së Informacionit dhe Komunikimit sikur nuk ka ekzistuar kurrë në gjimnazin tim, madje edhe në 9-vjeçare nuk kemi bërë asnjë orë mësim”, – thotë Elizabeta Bregasi, nxënëse në gjimnazin “Skënderbeu” në Maliq.

Ajo më tej tregon se nuk kanë patur ndonjëherë mësuese informatike.

“Në gjimnaz e bënim mësimin si orë muhabeti me mësuesen e fizikës, ndërsa tani mësojmë me mësuesen e matematikës. Është shumë kot, se ne as nuk na shtyhet, por mësuesja merr mungesa, madje na detyrojnë që ta blemë librin kot”, – thotë Elizabeta, duke treguar nota mërzie dhe pakënaqësie.

Nisma për digjitalizimin e shkollave ka nisur që në vitin 2015, me synimin për të patur klasa digjitale fillimisht në 60 shkolla, për të cilat është kërkuar një fond fillestar prej 3.5 milionë dollarësh. Me këtë fond u blenë 5.800 tablete.

Kryeministri, Edi Rama, u shfaq në atë kohë entuziast në gjimnazin “Sami Frashëri”, në Tiranë dhe deklaroi se deri në vitin 2018 çdo klasë gjimnazi në Shqipëri do të pajisej me tablete.

“Jam i bindur që me përfundimin e këtij projekti, në tri vitet e ardhshme, ne do të kemi mundësinë të themi se jemi në kushtet e një transformimi të pandodhur më parë, përmes së cilit pa asnjë dyshim do të kemi mundësi të shohim më tutje dhe të sjellim transformime, që sot mbase as që mund t’i imagjinojmë”.

Ndriçim Mehmeti, ekspert i arsimit dhe pedagog në Universitetin e Tiranës, tregon odisenë e tableteve për klasat digjitale në Shqipëri.

“Unë kam qenë në Ministrinë e Arsimit, ne kemi bërë një marrëveshje me Austrinë. Ministri i atëhershëm, z. Tafaj, (viti 2013) lidhi një marrëveshje me dy banka austriake, të cilat sollën një investim fillestar, pikërisht për klasat inteligjente, prej 2.4 milionë eurosh, ndërsa ministrja e Arsimit, që erdhi, i këputi dhe një 1 milionësh tjetër dhe e prezantoi projektin në shkollën “Sami Frashëri”, – thotë ai.

Ai tregon më tej se rrugës kësaj shifre iu shtuan edhe rreth 4.5 milionë euro dhe shkoi në 9 milionë euro në total.

“Erdhi pandemia. Ne tablete nuk kishim. Zonja Shahini (ministrja e Arsimit) tha që tabletet nuk karikohen jashtë shkolle. Shkolla “Sami Frashëri” u shkatërrua. Shkolla u ndërtua sërish, ndërsa tabletet u varrosën. Sot dikush duhet të na thotë se ku vajtën 5.800 tablete. Ku janë? Ku shkoi ky investim?”, – pyet z. Mehmeti.

Në vitin 2017 Partia Socialiste në platformën elektorale premtoi se do të krijonte një infrastrukturë të qëndrueshme, gjerësisht të përdorshme, si të burimeve digjitale në shkolla, po ashtu edhe të zhvillimit të aftësive pedagogjike të mësuesve për përdorimin e Teknologjisë së Informacionit dhe Komunikimit.

Ndërkohë, ende këtë vit vazhdon të jetë aktiv projekti që u bë i njohur në vitin 2015. Kjo nismë më tej u prezantua në formën e një projekti për digjitalizimin e shkollave shqiptare, me qëllim të integrimit të teknologjisë në arsimin e mesëm.

Fillimisht 60 shkolla të mesme u zgjodhën për procesin e digjitalizimit. Deri në fund të vitit 2018 pritej që në këtë projekt të përfshiheshin të gjitha shkollat e mesme.

Ministrja e Arsimit e kohës, Lindita Nikolla, theksoi se klasa digjitale është një angazhim i qeverisë, i cili lejon që 60 shkolla dhe 120 klasa të komunikojnë mes tyre dhe të japin informacion në kohë reale për prindërit. Ajo shtoi se teknologjia nuk do t`i zëvendësonte mësuesit, por do t’i ndihmonte ata që të përmirësonin aftësitë e mësimdhënies përmes ilustrimeve online, testeve dhe prezantimeve, sipas standardeve globale.

“Na i sollën tabletet dhe na i morën prapë. Jemi të pashpresë, se ka humbur edhe fryma e kundërshtimit dhe e protestës, si këtu në Tiranë, po ashtu edhe në rrethe”, – thotë një student pranë gjimnazit “Sami Frashëri” në Tiranë.

Viti 2018 duhet të shënonte edhe përfundimin e agjendës ndërsektoriale mbi digjitalizimin dhe krijimin e klasave të Teknologjisë së Informacionit dhe Komunikimit, por projekti smart schools, që nisi në vitin 2014, nuk e arriti dot qëllimin për pajisjen e shkollave me teknologji moderne, duke përfshirë tabela të bardha, interaktive, kompjuterë dhe lidhje interneti. Synimi ishte krijimi i një mjedisi mësimor, interaktiv dhe promovimi i shkrim-leximit digjital midis studentëve dhe mësuesve.

“Kompjuterët që kemi ne, janë të vjetër… Maksimumi ynë në lëndën e Teknologjisë së Informacionit dhe Komunikimit është të bëjmë ndonjë lojë me atë figurën që del, kur nuk ka internet, se ne nuk kemi internet, pa jo për gjë”, – thotë një nxënës i gjimnazit “Raqi Qirinxhi” në Korçë.

Efektet e pandemisë dhe vijimi

Shqipëria në vitin 2019 bëri përpjekje për t`i digjitalizuar materialet dhe burimet arsimore. Kjo përfshinte krijimin e teksteve digjitale, krijimin e platformave të mësimit elektronik dhe burimeve në internet për të mbështetur studentët dhe mësuesit në aksesin e përmbajtjes arsimore. Por, e gjithë kjo përpjekje hasi një pengesë kolosale në vitin 2020, kur, si shumë vende të tjera, vendi ynë u përball me sfida të rëndësishme për shkak të pandemisë COVID-19, e cila bëri të nevojshme një zhvendosje drejt mësimit në distancë dhe përdorimit të teknologjisë në arsim.

Kjo periudhë kohore detyroi çdo individ që të përshtatej me internetin dhe botën e teknologjisë online, për shkak se çdo aspekt i jetës sociale kaloi në rrjet. Pikërisht në këtë kohë nevoja për tablete dhe kompjuterë u rrit shumë, sepse jo të gjithë nxënësit kishin kompjuterë në shtëpi. Por, a morën ndihmë nga shteti këta studentë?

“Sipas të dhënave nga Ministria e Arsimit, sot 1 kompjuter është i disponueshëm për 27 nxënës në shkollat shqiptare, që do të thotë se jemi shumë larg standardit digjital dhe koha e pandemisë tregoi se institucionet tona, arsimore ishin të papërgatitura për një transformim të tillë të mësimit”, – thotë Rigels Xhemollari, Drejtor Ekzekutiv i Qëndresës Qytetare, një organizatë e shoqërisë civile, e cila ka monitoruar procesin e digjitalizimit të shkollave në vend.

Për sa iu përket shifrave, që janë shpenzuar mes viteve 2018 dhe 2022, sidomos në shkollat në rrethe, është pothuajse e pamundur të gjesh një informacion të saktë.

Në një kërkesë për informacion drejtuar Drejtorisë Rajonale të Arsimit, Korçë, ACQJ pyeti:

Sa është investuar në dy vitet e fundit për klasat digjitale? Sa shkolla i kanë funksionale këto klasa dhe sa mësues të profilizuar ka në këtë rajon?

Drejtoria Rajonale e Arsimit në Korçë u përgjigj, duke theksuar se janë 13 shkolla 9-vjeçare, 3 gjimnaze dhe dy shkolla të mesme, të bashkuara, të cilat kanë laboratorë të dedikuar për këtë lëndë, por pa vënë në dispozicion asnjë shifër dhe adresë konkrete.

“Janë 27 mësues TIK-u gjithsej, ku 19 prej tyre janë të profilizuar. Për vitin shkollor 2022-2023 është investuar në 4 shkolla në arsimin bazë në kuadër të projektit Implementimi i Laboratorëve TIK në Shkolla”, – shprehet DAR, Korçë. Për pyetjen për mungesat dhe problematikat potenciale ky institucion ka zgjedhur të heshtë.

“Ecuria e klasës është e dobët, sepse programin, që bëjnë në shkollë nxënësit, nuk ua favorizon laboratori i TIK-ut. Kompjuterët, që ne kemi në laborator, të japin mundësinë e paketës Office, por jo të programeve Python, Java Script, C+ etj., që ata kanë në programin mësimor. Më e rëndësishme është që mësuesit, që japin lëndën e TIK-ut, janë mësues të lëndëve të ndryshme dhe me këtë lëndë ne, mësuesit, plotësojmë orët, ndërsa studentët bëjnë muhabet”, – thotë Zamira Mulla, mësuese matematike në gjimnazin “Raqi Qirinxhi” në Korçë.

“Lënda e Teknologjisë së Informacionit dhe Komunikimit është një barrë për më vonë për nxënësit, sepse ata ndeshen në shumë degë të universitetit me këtë lëndë dhe aty dështojnë, sepse nuk kanë marrë asnjë dije bazë, në 9-vjeçare jo e jo, por as në gjimnaz”, – thotë ajo.

Ndriçim Mehmeti thotë: “Janë hedhur pará dhe nuk dihet se ku kanë shkuar. Nuk është bërë investimi i duhur dhe në fund, ajo që është më e rëndësishme, ne nuk kemi një vizion, një plan afatgjatë veprimi se çfarë do të bëjmë në të gjitha fushat në këtë drejtim. Do të na mungojnë profesionistët, do të na mungojnë edhe studentët dhe në fund do të duhet ta importojmë trurin, që në këtë fushë është tepër i shtrenjtë dhe ne nuk kemi këllqe për ta paguar.”

Por, përtej reklamës që i bëhet nismës së klasave inteligjente në Tiranë dhe në rrethe, janë vetë nxënësit, të cilët me dëshpërim e shohin këtë nismë vetëm si një mundësi të mirë për të bërë propagandë.

“Klasa e informatikës nuk është në nivelin e duhur, megjithatë nuk është as poshtë fare”, – thotë Leana Duge, nxënëse e gjimnazit “Ismail Qemali”.

“Ne s’kemi internet. Gjysma e kompjuterëve nuk ndizet, por ka edhe nga ata që ngecin. Nuk besoj se iu bën përshtypje, se dhe motra ime ka mbaruar po këtu para tri vitesh dhe edhe ata në të njëjtën gjendje i kanë patur kompjuterët. Pra, dhe atëherë s’është bërë fare lënda e TIK-ut”, – thotë ajo.

Edlir Spaho, pedagog i Informatikës, thotë se fatkeqësisht niveli i të nxënit për klasën e Informatikës është maksimalisht mesatar, për arsye se kurrikula dhe trajtimi i saj shpeshherë përfshin gabime konceptuale në tematikat që trajton; ka një pamundësi për trajtimin e duhur të temave nga ana e mësuesve të TIK-ut; si dhe për arsye të numrit të paktë të kompjuterëve në laborator.

“Për klasa me 35-40 nxënës ka 20-25 kompjuterë dhe nuk janë të gjithë funksionalë, – thotë ai,  duke shtuar se, – pavarësisht zhvillimeve, kurrikula e TIK, që zhvillohet në vendin tonë, nuk i afrohet ende standardeve ndërkombëtare”.

Në pothuajse një dekadë investimesh në teknologjinë e informacionit dhe në klasat digjitale, ku drejtues të Ministrisë së Arsimit dhe vetë kryeministri në daljet publike i kanë dhënë rëndësi të vazhdueshme nevojës që shkollat t`i përgatisin më mirë nxënësit për të marrë pjesë në shoqërinë e informacionit dhe që të rinjtë t`i përmirësojnë aftësitë e tyre për njohuritë digjitale, me qëllim që të marrin pjesë në botën digjitale, zhvillimi real i kësaj nisme lë për të dëshiruar.

Miliona euro investime dhe plane veprimi afatgjata dhe afatshkurtra janë vënë në dispozicion, që arsimimi i nxënësve dhe i studentëve të jetë në nivele sa më të larta, ndërkohë vetë nxënësit thonë se në shumicën e rasteve këto klasa thjesht mbeten në letër. Nxënësit ende nuk njihen me lëndën e TIK, nuk kanë kompjuterë apo tablete funksionale, madje në disa shkolla mungon edhe mësuesi.

Ministria e Arsimit u pyet nga ACQJ mbi mangësitë e theksuara në zbatimin e kësaj strategjie, por deri në momentin e publikimit të këtij shkrimi nuk ka kthyer përgjigje.

Ky shkrim është pjesë e projektit Laboratori i Gazetarisë Investigative, që mbështetet financiarisht nga Zyra e Mardhënieve me Publikun e Ambasadës së SH.B.A. në Tiranë. Opinionet, gjetjet, konkluzionet dhe rekomandimet e shprehura janë te autor-it/ve dhe nuk përfaqesojnë domosdoshmërisht ato të Departamentit të Shtetit.

What's your reaction?
0Smile0Lol0Wow0Love0Sad0Angry
Qendra Shqiptare për Gazetari Cilësore
Rruga Pjetër Budi, 69

Tiranë, ALBANIA


Telefon: +355 (0) 6 8856 3686
Email: info@acqj.al

Investigative Network Albania

Teksti zyrtar është versioni në shqip i faqes së internetit. Kjo faqe përdor përkthim automatik përmes mjeteve të inteligjencës artificiale. Pavarësisht se ky përkthim është i një cilësie të lartë, rastis që të ketë dhe gabime dhe keqkuptime në kontekstin e produkteve. Duke qenë se është një teknologji e cila përmirësohet me kalimin e kohës, shpresojmë të qendroni me ne ndërkohë që perfeksionojmë këtë shërbim.

Copyright © 2024 Giljana Limani.  All Rights Reserved.

Copyright © 2024 Giljana Limani.  All Rights Reserved.

Newsletter