Autore: Dallandyshe Xhaferri
Një dekadë pas reformës në arsimin parauniversitar, pedagogët dhe ekspertët e arsimit raportojnë se rezultatet e synuara nuk janë arritur. Konkretisht, ekziston shqetësimi për një rënie të nivelit të njohurive të studentëve, veçanërisht në matematikë.
Një studim i kryer nga Akademia e Shkencave të Shqipërisë krahasoi kurrikulën aktuale me atë britanike dhe zbuloi se, pavarësisht se ka tema të ngjashme, Shqipëria mbulon vetëm 30-40% të kurrikulës britanike në orët e disponueshme të mësimit.
Problemi shtrihet përtej matematikës në lëndë të tjera.
Agjencia e Sigurimit të Cilësisë së Arsimit Parauniversitar pranon 52 tekste pa gabime nga 400 të shqyrtuara.
Në vitin 2014 Ministria e Arsimit dhe e Sporteve ndërmorri Reformën Arsimore, e cila ndryshe nga ajo e mëparshmja, e cilësuar si e mbingarkuar dhe që nuk i përshtatej zhvillimit të nxënësve, u konceptua si reformim i kurrikulës të arsimit parauniversitar me bazë kompetencash.
Kurrikula e re, e cila u përfshi në sistemin arsimore për herë të parë në vitin shkollor Shtator 2015-Gusht 2016 synon të zhvillojë të menduarit kritik tek nxënësit. Gjatë viteve të mëpasshme ka vijuar procesi i zbatimit të kurrikulës, si dhe korrektimi i nevojshëm i saj.
Dhjetë vite më pas, në vitin 2024 mësuesit dhe ekspertët e arsimit thonë për “Sinjalizo” se reforma e vitit 2014 dhe hapat e ndërmarra në vazhdim nuk kanë dhënë rezultatet e pritura në procesin e të nxënurit tek nxënësit në sistemit parauniversitar, madje në gamën e njohurive të tyre është shënuar tkurrje e dijeve çka është reflektuar dhe në momentin kur gjimnazistët janë përballur me bangat e universitetit.
Mendimi kritik…me dije të cunguara
Ardian Naço, pedagog në Universitetin e Politeknikut të Tiranës, njëkohësisht edhe anëtar i Komisionit të Matematikës në Akademinë e Shencave, thotë për “Sinjalizo” se gjatë studimit të bërë nga Akademia e Shkencave (ende i papublikuar) lidhur me kurrikulën arsimore të sistemit parauniversitar në fushën e matematikës, rezulton se informacioni i marrë nga nxënësit shqiptarë gjatë orëve mësimore vjen i cunguar.
Në këtë studim të Akademisë së Shkencave kurrikula arsimore aktuale është krahasuar me kurrikulën angleze, mbi të cilën është mbështetur ndërtimi i saj. Gjithashtu, kurrikula aktuale është krahasuar edhe me kurrikulën arsimore të mëparshme dhe me atë të vendeve të Ballkanit Perëndimor.
“Nga ky studim kemi dalë në përfundimin se duke krahasuar, sidomos në mënyrë absolute me orët që kemi në dispozicion për lëndën e Matematikës për ciklin e maturës, ne mund të themi që zhvillojmë 30% të orëve në dispozicion, të cilat janë ekuivalente me 30 %, maksimumi 40%, të kurrikulës britanike që zhvillojmë ne në vendin tonë”,- thotë pedagogu Ardian Naço.
Sipas akademikut Naço, problematika qendron në implementimin e kurrikulës britanike e cila prek fillimisht klasat e dhjeta dhe të njëmbëdhjeta, të cilat korrespondojnë me kurrikulën arsimore që në Britaninë e Madhe u mësohen nxënësve në klasat e teta dhe të nënta. Ndërkohë, ndonëse në Britaninë e Madhe matura shtrihet në harkun kohor të dy viteve shkollore, në Shqipëri matura shtrihet vetëm në klasën e dymbëdhjetë çka ka ndikuar drejtpërdrejt në sasinë e orëve mesimore ku nxënësit njihen me tematikat e lëndës së matematikës.
“Orët në dispozicion janë pothuajse ¼ (ndryshe 25%) e orëve që duhet të ketë në dispozicion të paktën lënda e Matematikës, ajo bërthamë dhe matematika e avancuar. Pra, mund t’ju them se jemi mbështetur mbi kurrikulat britanike, jemi mbështetur mbi tekstet e tyre por nuk kemi implementuar në terësi këtë kurrikul ose kemi implementuar 35-40% të njohjeve.”,- thotë Naço.
Alma Lama, mësuese e Biologjisë dhe Kimisë, njëkohësisht kryetare e Sindikatës Arsimi i Pavarur- dega Tiranë, thotë për “Sinjalizo” se edhe në lëndën e Kimisë orët mësimore rreth koncepteve bazë janë të cunguar.
“Kemi tekste ku në një orë mësohen Oksidet, Bazat, në një orë Kripërat dhe një orë Acidet. Mësuesit me eksperiencë mund ta gjejnë një zgjidhje për në klasë, por në shtëpi nxënësi ka librin. Nuk kemi alternativën më të mirë të librave”,- përfundon Lama.
Shpërndarja e orëve mësimore nuk është problematike vetëm në lëndët e shkencave ekzakte. Nxënësit e ciklit të ulët (9-vjeçarja) dhe në gjimnaze përballen me njohuri të jo të plota edhe në lëndën e Historisë, sipas një studimi të Dr. Vojsava Kumbulla.
Florenca Stafa, pedagoge pranë Universitet të Elbasanit me një eksperiencë gati 20-vjeçare edhe në sistemin arsimor parauniversitar thotë për “Sinjalizo” se pavarësisht saktësimit shkencor të teksteve mësimore ndër vite, shpërndarja e orëve mësimore për tematika apo ngjarje të caktuara historike nuk është në të njëjtën linjë me kurrikulën arsimore me bazë të kompetencave që synon formësimin e nxënësit duke i nxitur atij të menduarit kritik.
“Konkretisht, do t’i referohem këtu gjatë një studimi dhe rishikimi të teksteve të Historisë së klasës së njëmbëdhjetë (11) janë parashikuar 12 orë mësimore për periudhën e diktaturës komuniste dhe nga këto 12 orë të planifikuara vetëm një orë është planifikuar me titullin “Tiparet e Represionit komunist 1945-1990”,- thotë Stafa duke shtuar se tematikat e trajtuara në tekstet mësimore nuk përbëjnë aspektet kulmore të dhunës, ndërkohë që numri i orëve mësimore nuk është i shpërndarë në mënyrën e duhur krahasuar me periudhat e tjera historike.
“Po ta krahasojmë me periudhën zogiste, nga 1912 deri më 1939, që është as sa gjysma e periudhës së diktaturës, në shtrirjen kohore është 12 orë mësimore. Pra, e njejtë me Shqipërinë në regjimin komunist. Pra, periudha komuniste, sipas mendimit tonë, duhet të ishte shtrirë të paktën në 15 orë në program”,- përfundon Florenca Stafa.
Mungesa e pasqyrimit të represionit të sistemit komunist në Shqipëri shfaqet problematike edhe tek tekstet mësimore në klasat e nënta (9-ta). Në kurrikulën mësimore ngjarjet në sistemin komunist trajtohen në mënyrë kronologjike, ndërkohë që e vetmja temë rreth represionit, dhunës dhe terrorit të sistemit të kaluar është e sugjeruar për t’u realizuar nga mësuesi në formën e veprimtarisë praktike.
Nxënësit në shkolla kanë pak hapësirë për t’u njohur edhe me historinë lokale. Përpara disa vitesh nxënësit e klasës së 5-të në çdo rajon njihnin historinë lokale me anë të lëndës “Vendlindja” e cila aktualisht nuk është më pjesë e kurrikulës mësimore.
300 tekste mësimore nga 16 shtëpi botuese, vetëm 52 pa gabime
Ndryshimi i kurrikulës mësimore është shoqëruar edhe me gabime të teksteve mësimore, të cilat nisin që nga gabimet shkencore, gabimet drejtshkrimore, përkthimet jo të sakta në tekstet e lëndëve shkencore e deri tek jopërputhshmëria e plotë e materialit teorik me temën mësimore, sipas përgjigjes zyrtare të dhënë për “Sinjalizo” nga Agjencia e Sigurimit të Cilësisë së Arsimit Parauniversitar (ASCAP).
Në vendin tonë janë 16 shtëpi botuese të cilat hartojnë tekste mësimore, ndërkohë për 400 tekste mësimore dhe fletore punë në grupet e rishikimit ishin të përfshirë vetëm 1 ose 2 mësues.
“Nga rishikimi i 400 teksteve dhe fletoreve të punës në arsimin parauniversitar, 52 tekste nxënësi dhe fletore pune kanë rezultuar pa vërejtje”,- shkruan në përgjigjen e kërkesës për informacion ASCAP.
Procesi i rishikimit të teksteve mësimore nga ASCAP ka kaluar në dy faza, ku në të parën grupet e punës të përbëra nga drejtues të rrjeteve profesionale, mësues dhe specialistë të kurrikulës rishikuan tekste shkollore, pjesë e katalogut zyrtar të MAS-it, dhe përcaktuan vërejtjet dhe sugjerimet për këto tekste shkollore. Në fazën e dytë shtëpitë botuese, pas vërejtjeve dhe sugjerimeve të marra nga ASCAP deklarojnë përgjegjësinë e tyre rreth çdo gabimi të bërë në tekst. Por, verifikimet e mënyrës se si vërejtjet e kësaj agjencie janë reflektuar në prodhimin e teksteve mësimore nga shtëpitë botuese janë kryer në muajin Prill të vitit 2022, pra, thuajse në përfundim të vitit shkollor 2021-2022.
Për pedagogen Florenca Stafa, trajnimi i vazhdueshëm i mësuesve të sistemit parauniversitar me qëllim përfshirjen e metodologjive të reja mësimdhënëse, me qasje të re siç kërkohet edhe nga Bashkimi Evropian përbën një tjetër sfidë që i bashkangjitet kurrikulës arsimore.
“Duhet të jemi të vetëdijshëm që jo të gjithë mësuesit kanë formimin e duhur. Kjo për shumë arsye, edhe për shkak të asaj që ka krijuar në vite sistemi arsimor”,– përfundon Stafa.
Ndryshimet në kurrikul, pasojat ndihen në universitet
Ministria e Arsimit dhe e Sporteve në përgjigjen zyrtare për “Sinjalizo” thotë se kurrikula arsimore parauniversitare dhe implementimi i saj konkretisht në lëndët shkencore garanton sukses në arsimimin e mëtejshëm në përmbushje të kërkesave të tregut të punës.
“Tekstet e matematikës dhe të shkencave të natyrës janë përshtatje e teksteve të shtëpive botuese ‘Cambridge’, ‘Pearson’ dhe ‘Oxford’, që janë të njohura ndërkombëtarisht për cilësi në fushën e teksteve shkollore”,- thuhet në përgjigje, ndërkohë në universitetet e vendit pedagogët hasen me vështirësinë e mungesës së njohurive të nevojshme të studentëve në degë të caktuara.
Heqja e mundësisë për të dhënë provim në Maturën Shtetërore Matematikën e Avancuar, si dhe mos zgjedhja e saj si “lëndë me zgjedhje” gjatë klasës së dymbëdhjetë (12-të) ka bërë që tek studentët e degëve të inxhinierisë, apo të degëve të Teknologjisë së Informacionit pavarësisht talentit që mund të kenë, informacioni i marrë nga Matematika Bazë të jetë i thjeshtëzuar dhe I pamjaftueshëm për t’u ulur në bangat e universitetit.
“Kjo do të thotë që edhe në degët inxhinierike që kërkohet patjetër që të ketë një formim jo vetëm bazë të matematikës, por edhe të matematikës së avancuar, sistemi vetë ka hequr mundësinë që nxënësit nga shkolla e mesme të vijnë me një background ose me njohuri më të thelluara dhe ky është një hendek që duhet patjetër të rikuperohet”,- thotë Ardian Naço, i cili pranon se kjo problematikë është bërë pjesë e diskutimeve akademike të pedagogëve duke bërë të mundur “marrjen e masave” nga universitetet për të rikuperuar mungesesën e formimit të studentëve.
“Mirë po ky hendek, edhe pse ne jemi të interesuar që ta plotësojmë nuk mund ta kryejmë aq mirë sa mund ta kryej sistemi I edukimit parauniversitar”,- thotë Naço.
Tkurrja e dijeve të nxënësve shqiptarë u pasqyrua edhe në Programin e Vlerësimit Ndërkombëtar të Nxënësve “PISA 2022” për nxënësit 15-vjeçarë, ku Shqipëria renditej në vendin e 62-të mes 80 vendeve pjesëmarrëse në vlerësim.
Ky artikull u krijua bazuar në të dhëna të siguruara nga individë që kanë zgjedhur të ngrenë zërin. Ndani historinë tuaj, fuqizojini të tjerët dhe bëhuni faktor për ndryshim. Vizitoni faqen: www.acqj.al/sinjalizo-dhe-ti/