Studentët votojnë, por nuk zgjedhin

Autore: Dallandyshe Xhaferri

33 vite më parë, Shqipëria realizoi zgjedhjet e para pluraliste demokratike, por sot një Shqipëri në miniaturë brenda strukturave të universiteteve po përballet me procesin e votimit. Universitetet shqiptare këtë vit janë larg konceptit të procesit të zgjedhjeve, ku dy a më shumë kandidatë garojnë me njëri-tjetrin për pozicionin e rektorit, dekanit, shefit të katedres.

Sipas të dhënave të bëra publike në faqet zyrtare të universiteteve, rezulton se në 7 prej 12 universiteteve publike të vendit është shpallur vetëm një kandidat për rektor.

Universiteti i Tiranës, Universiteti Politeknik, Universiteti Bujqësor, Universiteti i Gjirokastrës, Universiteti i Mjesësisë, Universiteti i Elbasanit kanë vetëm një kandidat për pozicionin e rektorit, ndërkohë që mungojnë informacionet për shpalljen e kandidaturës në faqen zyrtare të Universitetit të Sporteve.

Migen Qiraxhiu, përfaqësues i Qëndresës Qytetare thotë për “Sinjalizo” se mungesa e alternativës së zgjedhjes është kthyer në problem madhor kur kemi të bëjmë me faktin se universitetet shqiptare rankohen ulët në vlerësimin e cilësisë në rang botëror apo evropian.

“Të njëjtat emra, të njëjtët individë që duket që kanë një pozitë të fortë brenda universiteteve. Rektorë, dekanë që fillojnë dhe shkëmbejnë, bëjnë rotacion mes njëri-tjetrit”- thotë Qiraxhiu.

Migen Qiraxhiu, përfaqësues i Qëndresës Qytetare

Shqipëria është përfshirë në rankimet e bëra nga Cybermetrics Lab. Grupi spanjoll prej 20 vitesh rendit universitetet në rang botëror, duke u bazuar në punimet akademike dhe shkencore te universiteteve, publikimin e tyre dhe qasja nga studentët ose nga palë të tjera të interesit.

Sipas rankimit të 2023-shit, Universiteti i Tiranës ishte më i miri në Shqipëri por në vendin e 3 972 në botë, duke u ndjekur më pas nga Universiteti Bujqësor që rankohej në vendin e 4379-të.

Universiteti i Elbasanit, vendimi në apelim

Universitetet e Shqipërisë në rankim qëndrojnë shumë mbrapa edhe universiteteve të tjera të rajonit, siç është ai i Beogradit, Nishit, Prishtinës etj. Megjithatë, “lufta” për t’i drejtuar nuk mungon.

Në faqen zyrtare të Universitetit “Aleksandër Xhuvani” në Elbasan është shpallur kandidatura për rektor e Elvira Fetahut, e cila aktualisht mban postin e zëvendësrektorit. Fetahu është kandidatja e vetme për këtë post pas mospranimit të kandidaturës së Majlinda Perriut (Peza) në vendimin e 26 majit, me argumentin se deri më datën 20 të muajit të kaluar Perriu ushtronte detyrën e Prefektit të Qarkut Elbasan.

Perriu apeloi vendimin e Komisionit Institucional të Zgjedhjeve pranë Komisionit të Apelimit në Universitetin e Elbasanit, ku ndër të tjera thuhet se më datë 24 të muajit të kaluar Këshilli i Ministrave ka vendosur lirimin nga detyra e Prefektit.

“Ndaj nga ajo date, pra 24.05.2024 nuk ekziston me asnje pengese ligjore per miratimin e kandidatures sime per rolin e Rektorit ne UE”,- shkruhet në apelimin e bërë nga Perriu.

Megjithatë më 3 Qershor kur Komisioni Institucional i Zgjedhjeve duhet të merrte një vendim për apelimin, kryetarja e Komisionit të Apelimit, Aida Llozana dha dorëheqjen.

Të heshturit, Pedagogë dhe studentë

Mbajtja e prozicionit të rektorit apo dekanit për një hark të gjatë kohor duke bërë rokade, shihet me skepticizëm nga hulumtuesit e veprimtarive të universiteteve.

“Nëse një individ, rektor apo dekan, ka mbajtur pozicionet drejtuese për 20 vjet, për 10 vjet , ai pothuajse ka rekrutuar pjesën më të madhe të stafit, të pedagogëve, të cilët kur vijnë zgjedhjet gjejnë rastin për t’ja shpërblyer”, – thotë Migen Qiraxhiu nga Qëndresa Qytetare.

Ndërkohë, Redi Muçi, pedagog prej 13 vitesh në Fakultetin e Gjeologjisë dhe Minierave në Universitetin Politeknik të Tiranës thotë për “Sinjalizo” se pedagogët “nën ombrellën e lirisë akademike” kryejnë shkelje që lidhen me mungesën totale të llogaridhënies duke përfshirë edhe korrupsionin, për të cilat rektorët “mbyllin sytë”.

“Pra, në vetvete përdoret e njëjta logjikë e asaj ‘unë të mora në punë rrjedhimisht ti do më votosh mua, ose atë që të them unë dhe nga ana tjetër unë do të mbyll një sy’, për plotë mangësi që mund të kenë pedagogët, qoftë nga formimi i tyre, qoftë nga mënyra se si e zhvillojnë orën mësimit”,- thotë Muçi.

Redi Muçi, pedagog prej 13 vitesh në Fakultetin e Gjeologjisë dhe Minierave

Për vitin akademik 2023-2024, në institucionet publike dhe private të arsimit të lartë kanë ushtruar veprimtarinë akademike me titull “Profesor” 915 pedagogë, ndërkohë që 3 248 prej tyre mbajnë me gradën shkencore “Doktor”, sipas informacioneve që Ministria e Arsimit dhe e Sporteve ka vendosur në dispoziocion të “Sinjalizo” në kërkesën për informacion.

Nga informacionet e dhena nga Universiteti “Aleksandër Xhuvani” në Elbasan dhe ai i Tiranës rezulton se numri i stafit dhe pedagogëve qe janë bërë pjesë e shkëmbimeve Erasmus+ gjatë periudhës parazgjedhore në këto universitete ka qenë më i lartë se në 4-mujorin e pare të vitit të kaluar.

Gjatë periudhës 1 janar 2023- 31 dhjetor 2023 janë bërë pjesë e shkëmbimeve “Erasmus+” 180 personel akademik të Universitetit të Tiranës, ndërkohë vetëm në periudhën 1 janar 2024-16 maj 2024 janë përfshirë në këto shkëmbime 108 personelë të UT-së.

Prej këtij personeli 92 janë pedagogë dhe 16 personel ndihmës akademik me karakter administrative, sipas përgjigjes që Universiteti Tiranës ka dhënë për “Sinjalizo”.

Në universitetin “Aleksandër Xhuvani” janë përfshirë në shkëmbimet e “Erasmus+” gjatë periudhës 1 janar 2023- 31 dhjetor 2023 vetëm 44 pedagogë, ndërsa gjatë periudhës 1 janar 2024-16 maj 2024 38 pedagogë dhe 15 staf administrative dhe ndihmësakademik.

Probleme që në…fushatë

Në këtë vit problematikat e zgjedhjeve kanë nisur që në fushatë, nisja e së cilës nuk është e qartë.

“Vetëm pak ditë më parë universiteti i Gjirokastrës doli me kandidatët e vet, ndërkohë që disa universitete dalin katër javë para, për disa universitete 3 javë para, duke bërë të kuptohet kush është periudha e fushatës zgjedhore, sa ditë është fushata”- thotë Qiraxhiu, sipas të cilit krahas këtyre paqartësive dhe mungesës së alternativave për zgjedhjeve, pesha e votës së studentëve e përcaktuar në ligjin e ri të reformës mbetet gati e papërfillshme, vetëm 10%.

“Ne mendojmë se është shumë pak dhe do të duhet të jetë 20%-30%. Në qëndrimin tonë duhet të jetë më i madh për dy arsye: rrit angazhimin e studentëve brenda universiteteve dhe studentët kuptojnë që kanë një peshë të caktuar në universitet”,- përfundon Qiraxhiu.

Redi Muçi, thotë se pesha e votës së studentëve është vetëm simbolike, por megjithatë organizimi studentor ka ende shumë rrugë për të bërë.

Organizimi studentor do të duhej të bazohej mbi kërkesën e llogaridhënies, jo vetëm me tarifat e larta, por edhe me abuzimet që pedagogët kryejnë me orën e mësimit, me shumëçka që ka të bëjë me jetën universitare”,- thotë Muçi, sipas të cilit heshtja e studentëve përgjason me atë të gjithë shoqërisë shqiptare, ku njerëzit që përballen me vështirësi vendosin të largohen nga vendi dhe jo të ngrejnë zërin.

“Studentët po i braktisin masivisht për fat të keq sallat e universiteteve dhe zgjedhin ose të largohen jashtë shtetit për të studjuar, që është edhe e logjikshme duke parë edhe tarifat, edhe cilësinë në Shqipëri. Ose pastaj zgjedhin thjesht të hyjnë në universitet vetëm me shpresën për të marrë një diplomë, pa u shqetësuar për formimin e tyre profesional”- thotë  Muçi.

Procesi aktual i zgjedhjeve universitare në Shqipëri është larg nga standardet demokratike dhe transparente të cilat duhet të karakterizojnë institucionet akademike. Mungesa e konkurrencës reale, me kandidatë të vetëm në shumë universitete, nxjerr në pah problemet strukturore dhe kulturore që pengojnë zhvillimin e një mjedisi akademik të shëndetshëm. Për më tepër, rankimi i ulët i universiteteve shqiptare në nivel ndërkombëtar reflekton pasojat e kësaj situate, duke treguar se cilësia e arsimit mbetet problem i madh.

Ky artikull u krijua bazuar në të dhëna të siguruara nga individë që kanë zgjedhur të ngrenë zërin. Ndani historinë tuaj, fuqizojini të tjerët dhe bëhuni faktor për ndryshim. Vizitoni faqen: www.acqj.al/sinjalizo-dhe-ti/

What's your reaction?
0Smile0Lol0Wow0Love0Sad0Angry
Qendra Shqiptare për Gazetari Cilësore
Rruga Pjetër Budi, 69

Tiranë, ALBANIA


Telefon: +355 (0) 6 8856 3686
Email: info@acqj.al

Investigative Network Albania

Teksti zyrtar është versioni në shqip i faqes së internetit. Kjo faqe përdor përkthim automatik përmes mjeteve të inteligjencës artificiale. Pavarësisht se ky përkthim është i një cilësie të lartë, rastis që të ketë dhe gabime dhe keqkuptime në kontekstin e produkteve. Duke qenë se është një teknologji e cila përmirësohet me kalimin e kohës, shpresojmë të qendroni me ne ndërkohë që perfeksionojmë këtë shërbim.

Copyright © 2024 Giljana Limani.  All Rights Reserved.

Copyright © 2024 Giljana Limani.  All Rights Reserved.

Newsletter