Paradoksi i financimit të shkollave: Rënia e numrit të nxënësve, taksa e infrastrukturës arsimore dhe roli i PPP-ve

Tirana, si shumë qendra urbane, mbështet përmes një pjese të konsiderueshme të buxhetit të saj financimin e projekteve, që lidhen me arsimin. Bashkia mbledh taksën e destinuar posaçërisht për infrastrukturën arsimore, duke krijuar një lidhje, në dukje logjike, midis të ardhurave nga taksat dhe zhvillimit infrastrukturor. Megjithatë, një ekzaminim më i afërt i të ardhurave të Bashkisë së Tiranës ndër vite përmes taksës së përkohshme për infrastrukturën e arsimit, shpenzimeve dhe projekteve të ndryshme në vitet e fundit zbulon një situatë paradoksale.

Nga njëra anë, bashkia vazhdimisht grumbullon fonde të konsiderueshme nga këto taksa të dedikuara, të cilat synojnë që t`i adresojnë nevojat infrastrukturore të sistemit arsimor dhe, nga ana tjetër, këto projekte nuk financohen kryesisht nga të ardhurat nga kjo taksë, por mbështeten te fondet ndërkombëtare dhe te skemat e partneritetit publik-privat (PPP).

Autore: Marina Zela

“Në vend që të bëjmë 3-4 shkolla në vit, ne do të mundësojmë që në vitin e parë të bëjmë 20 deri në 25 shkolla…”

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj

Më 21 dhjetor 2015, Erion Veliaj tregon për planin buxhetor të vitit 2016. Në këtë plan taksa e gjelbërimit do të kthehej në taksën për infrastrukturën arsimore dhe për ndërtimin e shkollave do të përdorej skema e ndërtimit me anë të PPP-ve, që teorikisht do të thotë se shkollat do të fillojnë të ndërtohen menjëherë, por pagesa për to mund të bëhet pas disa vitesh.

Me vendim të Këshillit Bashkiak kjo taksë nisi të aplikohej në maj të vitit 2016. Asaj i nënshtrohen të gjitha familjet dhe bizneset, që banojnë dhe që ushtrojnë veprimtari ekonomike brenda territorit të Bashkisë së Tiranës. Ky detyrim evidentohet në faturën e konsumit të ujit dhe pagesa bëhet së bashku me faturën e ujit.

“Të ardhurat nga kjo taksë e përkohshme do të përdoren për qëllimin, për të cilin është vendosur, për rikonstruksionin e objekteve arsimore, shkolla e kopshte, si dhe të infrastrukturës arsimore të Bashkisë së Tiranës, e cila e ka të domosdoshme ndërtimin e shkollave dhe të kopshteve të reja, si dhe ndërhyrjet për rikonstruksionin e atyre ekzistuese”, – thuhet në relacionin e Bashkisë së Tiranës.

Më 9 gusht të vitit 2022 Erion Veliaj u shpreh: “Në momentin që ne përfundojmë 7-vjeçarin e planit tonë, afatgjatë për t`i ndërtuar këto 40 shkolla, atëherë nuk do të ketë më taksë për infrastrukturën arsimore.”

Pano Soko, ekspert i ekonomisë, thotë se taksat e përkohshme janë taksa me destinacion, të cilat kanë një mision të caktuar në hapësirë dhe në kohë.

“Një taksë e përkohshme ngrihet për një mision, që ka një fillim dhe një fund dhe është një mekanizëm, që është i parashikuar nga ligji për të tilla raste. Problemi nuk është ligji, por fryma e zbatimit të tij.”

Jemi tashmë në fund të vitit 2023 dhe kjo taksë, që duhet të përfundonte në vitin 2022, vazhdon të aplikohet, duke u shtrenjtuar për taksapaguesit edhe në vitin 2024, si pasojë e ndryshimit të çmimit të referencës së vlerës së pronave dhe Bashkia e Tiranës nuk jep asnjë afat, nëse do të vijë dita, kur taksa e “përkohshme” do të kthehet në të përhershme apo do të pushojë së ekzistuari.

Paratë e mbledhura nga taksa dhe numri i nxënësve

Nga informacionet e marra nga bashkia në lidhje me të ardhurat e mbledhura nga kjo taksë duket se çdo vit e më tepër mbledhja e të ardhurave nga taksa e infrastrukturës arsimore ka ardhur duke u shtuar. Nga ana tjetër, nga informacionet e marra nga Ministria e Arsimit dhe Sportit, numri i nxënësve nëpër shkolla është gjithnjë e në zbritje. Sipas shifrave të vëna në dispozicion nga ministria, nga viti 2018, në krahasim me vitin 2023, kemi të regjistruar 2.255 nxënës më pak në shkollat publike dhe ato private.

Informacioni, që bashkia na vuri në dispozicion në lidhje me shpenzimin e parave të mbledhura nga taksa e infrastrukturës arsimore, është i mbushur me shifra, por nuk ka asnjë të dhënë konkrete se ku kanë shkuar specifikisht këto të ardhura.

“Të ardhurat nga taksa e përkohshme e infrastrukturës arsimore janë investuar nga Bashkia e Tiranës për ndërtimin e objekteve të reja, arsimore, si shkolla, kopshte e çerdhe, për rikonstruksionin apo rehabilitimin e atyre ekzistuese, si dhe për mirëmbajtjen e vijueshme të objekteve arsimore. Më specifikisht, gjatë periudhës 2016-2022 është shpenzuar në total vlera prej 4,786,796,301 lekësh për investime në ndërtimin e shkollave të reja, për ndërhyrje rikonstruksioni dhe rehabilitimi në 48 objekte arsimore, për blerjen e pajisjeve dhe mobilieve për mobilimin e strukturave arsimore, si dhe shuma prej 833,185,581 lekësh për mirëmbajtjen e objekteve arsimore”, – shkruhet në përgjigjen e Bashkisë së Tiranës.

Qëllimi kryesor, sipas Bashkisë së Tiranës, i aplikimit të kësaj takse ndër vite ishte pikërisht edhe zhdukja e shkollave, ku praktikohet mësimi me turne, por nga të dhënat e vëna në dispozicion nga Ministria e Arsimit, 3 shkolla zhvillojnë ende edhe sot mësimin me turne; përkatësisht, shkolla 9-vjeçare “Mervete Peza”, shkolla 9-vjeçare “Jeronim De Rada” dhe shkolla 9-vjeçare “Emin Duraku”.

Aranita Brahaj, Drejtoreshë Ekzekutive e AIS, që menaxhon profilin e të dhënave të hapura, Open Data, thotë: “Kjo taksë nuk duhet të ishte vënë asnjëherë. Bashkia mbledh jo pak taksa nga qytetarët, rezidentët, bizneset dhe subjekte të tjera. Një taksë ekstra është një formë ngarkese, që nuk përligjet. Mbi të gjitha, pas shtatë vitesh aplikimi taksa nuk ka shënuar ndonjë moment suksesi në kryeqytet. Jemi ende me kapacitete të munguara dhe me shkolla që punojnë me turne.”

Të ardhurat e mbledhura nga kjo taksë pritet të shtohen edhe më tepër gjatë viteve në vijim. Si rrjedhojë e rritjes së çmimit të referencës kishim rritjen e detyrimit për taksën e ndërtesës dhe kjo ka shtuar edhe vlerën e të ardhurave, që do të grumbullohen nga taksa për infrastrukturën arsimore.

 

Zef Preçi, ekspert i ekonomisë dhe Drejtor Ekzekutiv i Qendrës Shqiptare për Kërkime Ekonomike, shprehet për ACQJ se kjo taksë është e paligjshme.

“Është vendosur si e përkohshme, por po hyjmë në vitin e tetë të vjeljes së saj. Përbën një abuzim, që çon në varfërinë e buxhetit të familjeve në Tiranë. Kjo edhe për faktin se arsimi në të gjithë botën është taksë kombëtare, kështu është edhe në legjislacionin tonë dhe nuk mund të jetë njëkohësisht edhe lokale dhe, e dyta, përfshin të gjitha shtresat e popullsisë.”

Partneriteti publik-privat, edhe në shkolla

Më 27 prill të vitit 2023 Erion Veliaj në emisionin Opinion numëroi 40 shkolla të ndërtuara, sipas tij, nga Bashkia e Tiranës, duke qenë se ndodhej edhe para zgjedhjeve lokale.

Nga informacionet e marra nga bashkia në lidhje me këto shkolla vërejmë:

9 shkolla janë ndërtuar me kontrata PPP;

6 janë rindërtuar në bashkëpunim me ambasada ose organizata ndërkombëtare;

5 shkolla janë rindërtuar/rikonstruktuar përmes fondeve të UNDP-së;

11 janë rindërtime dhe 9 janë ndërtime të kryera nga Bashkia e Tiranës.

Po ashtu, duhet theksuar se, megjithëse është përdorur refreni i vazhdueshëm nga kryetari i bashkisë: “Kemi ndërtuar 40 shkolla të reja për Tiranën”, në fakt 26 shkolla kanë qenë ekzistuese dhe tërmeti i vitit 2019 u kthye në mundësinë e artë për të rikonstruktuar shumicën prej tyre përmes bashkëpunimeve ndërkombëtare, granteve të rindërtimit dhe fondeve të vëna në dispozicion nga donatorë ndërkombëtarë.

Më 19 shkurt 2018, Bashkia e Tiranës shpalli konsorciumin e kompanive “AGI KONS”, “MET ENGENEERING” dhe “ZENIT&CO”, si fitues të kontratës së parë PPP për ndërtimin dhe mirëmbajtjen e pesë shkollave, tri në Njësinë Administrative 11 dhe dy në Njësinë 9. Sipas kontratës, kompania duhet t`i ndërtojë dhe duhet t`i mobilojë shkollat me fondet e veta brenda 18 muajve, më pas bashkia do t’i paguajë kompanisë me këste investimin e kryer plus një interes vjetor prej 6,28%.

Aranita Brahaj shprehet se, vendimmarrja e bashkisë për të argumentuar skemën e ndërtimit të PPP-ve nuk është arsyetuar kurrë sa duhet.

“Po të shohim edhe një herë Planifikimin e Projektit për Institucionet Arsimore, ende sot në dy nga zonat e bashkisë projekti nuk ka startuar, ndërkohë që qytetarët dhe bizneset vijojnë që të paguajnë taksën e solidaritetit. Institucionet e para duhet të inauguroheshin në vitin 2018, por ky proces ka patur gjithashtu vonesa, çka rezulton jo aq i dobishëm, sa u konfirmua fillimisht.”

ACQJ i dërgoi Bashkisë së Tiranës, si dhe Ministrisë së Arsimit dhe Sportit një kërkesë për koment në lidhje me arsyen se përse është vendosur, që ndërtimi/rindërtimi i këtyre shkollave të bëhet me PPP dhe cili është përfitimi i institucioneve shtetërore në lidhje me këtë. Në të njëjtën kohë u kërkuan edhe relacionet shpjeguese në vendimmarrjen e Këshillit Bashkiak për miratimin e kësaj skeme, por deri në momentin e publikimit të këtij artikulli ACQJ nuk mori, as relacionin e kërkuar dhe as koment nga ana e dy institucioneve.

Sipas tabelës së vënë në dispozicion nga Bashkia e Tiranës, shikojmë se për ndërtimin e 9 shkollave në total, që janë ndërtuar me PPP, janë shpenzuar më pak se 5 miliardë lekë, saktësisht 4 414 894 586 lekë. Nga të dhënat, që kemi nga Ministria e Arsimit, rezulton se në total të 9 shkollat e ndërtuara me PPP kanë 1.813 nxënës.

Objekte arsimore
Nr. Objekte arsimore Nj/A Fondi Statusi Vlera e kontratës Monedha Viti i mbarimit
1 Shkolla 9-vjeçare “Lasgush Poradeci” 6 BT-Qatar Fund Përfunduar 423,249,627.00 $ 2021
2 Shkolla 9-vjeçare “16 Shtatori” Pezë e Madhe BT-Qatar Fund Përfunduar 2,020,586.00 $ 2021
3 Shkolla 9-vjeçare “Mervete Peza” Pezë Bashkëfinancim me fondin sllovak Përfunduar 67,742,081.00 Lekë 2021
4 Shkolla 9- vjeçare “Jeronim De Rada” 9 BT-Qatar Fund Përfunduar 11,092,494.00 $ 2021
5 Shkolla 9- vjeçare, Lalm Vaqar BT-Ambasada Çeke Përfunduar 43,502,047.00 Lekë 2021
6 Shkolla 9-vjeçare “Vaçe Zela” 9 BT (PPP) Përfunduar 2,328,747,087.00 Lekë 2022
7 Shkolla 9-vjeçare “Kristo Frashëri” 9 BT (PPP) Përfunduar Lekë 2022
8 Shkolla 9-vjeçare “Andrea Stefani” 11 BT (PPP) Përfunduar Lekë 2022
9 Shkolla 9-vjeçare “Nënë Tereza” 11 BT (PPP) Përfunduar Lekë 2022
10 Shkolla e mesme “John Kennedy” 11 BT (PPP) Përfunduar 2,086,147,499.00 Lekë 2022
11 Shkolla 9-vjeçare “Bashkim Fino” 2 BT (PPP) Përfunduar Lekë 2022
12 Shkolla 9-vjeçare “Kiço Blushi” 8 BT (PPP) Përfunduar Lekë 2022
13 Shkolla e mesme “Sevasti Qiriazi” 8 BT (PPP) Përfunduar Lekë 2022
14 Shkolla e mesme “Luan Hajdaraga” Lagjja 12 BT (PPP) Përfunduar Lekë 2022
15 Shkolla 9-vjeçare “Ardian Klosi” 4 BE-IPA Përfunduar Lekë 2017
16 Shkolla 9-vjeçare “Musine Kokalari” 6 UNDP Përfunduar 179,839,899.00 Lekë 2023
17 Shkolla 9-vjeçare “26 Nëntori” 5 UNDP Përfunduar 75,564,233.00 Lekë 2023
18 Shkolla 9-vjeçare “Asim Vokshi” 9 UNDP Përfunduar 157,852,253.00 Lekë 2023
19 Shkolla 9-vjeçare “Emin Duraku” 5 UNDP Përfunduar 368,016,858.00 Lekë 2023
20 Shkolla 9-vjeçare “Xhezmi Delli” 3 UNDP Proces 99,804,853.00 Lekë 2023
21 Shkolla e mesme “Sami Frashëri” 9 Rindërtimit Përfunduar 567,492,069.00 Lekë 2022
22 Shkolla 9-vjeçare “17-Shkurti” Qesarakë e Vjetër Dajt Rindërtimit Përfunduar 191,167,917.00 Lekë 2021
23 Shkolla 9-vjeçare “Hasan Vogli” 9 Rindërtimit Përfunduar 253,492,727.00 Lekë 2021
24 Shkolla 9-vjeçare, Mangull Petrelë Rindërtimit Përfunduar 101,800,000.00 Lekë 2021
25 Shkolla 9-vjeçare “Murat Toptani” 5 Rindërtimit Përfunduar 180,549,814.00 Lekë 2021
26 Shkolla Cikli i Ulët, Pajan Pezë Rindërtimit Përfunduar 62,500,000.00 Lekë 2021
27 Shkolla 9-vjeçare, Pezë e Vogël Pezë Rindërtimit Përfunduar 110,068,839.00 Lekë 2021
28 Shkolla 9-vjeçare “Qazim Turdiu” 9 Rindërtimit Përfunduar 362,713,599.00 Lekë 2021
29 Shkolla 9-vjeçare “Bedri Llagami” Vaqarr Rindërtimit Proces 196,084,800.00 Lekë Proces
30 Shkolla 9-vjeçare “Lek Gjiknuri” 8 Rindërtimit Proces 139,200,124.00 Lekë Proces
31 Shkolla 9-vjeçare “Dritas” Zall Herr Rindërtimit Përfunduar 174,360,646.00 Lekë 2022
32 Shkolla e mesme “Qemal Stafa” 10 Bashkia, Tiranë Përfunduar 170,693,761.00 Lekë 2016
33 Shkolla 9-vjeçare “Betim Muço” 6 Bashkia, Tiranë Përfunduar 231,893,319.00 Lekë 2017
34 Shkolla 9-vjeçare “Hoxha Tahsin” 2 Bashkia, Tiranë Përfunduar 187,247,262.00 Lekë 2017
35 Shkolla 9-vjeçare “Dora D’Istria” 7 Bashkia, Tiranë Përfunduar 81,007,083.00 Lekë 2018
36 Shkolla e mesme “Andon Zako Çajupi” 3 Bashkia, Tiranë Përfunduar 143,721,579.00 Lekë 2018
37 Shkolla 9-vjeçare “Kosova” 2 Bashkia, Tiranë Përfunduar 260,073,374.84 Lekë 2018
38 Shkolla 9-vjeçare “Servete Maçi” 8 Bashkia, Tiranë Përfunduar 326,313,182.00 Lekë 2019
39 Shkolla e mesme “Partizani” 8 Bashkia, Tiranë Proces 193,202,600.00 Lekë Proces
40 Shkolla e mesme “Besnik Sykja” 5 Bashkia, Tiranë Proces 145,128,782.19 Lekë Proces

 

Nga ana tjetër kemi gjimnazin “Sami Frashëri”, i cili ka 1.274 nxënës dhe për të janë shpenzuar gjysmë miliardi lekë, pra ekzaktësisht 567 492 069 lekë. Shkollat e financuara nga Bashkimi Europian, që u rikonstruktuan nga UNDP Albania, kanë në total 2.848 nxënës dhe janë shpenzuar për to më pak se 1 miliard lekë. Dyshimi, që lind, është në faktin se përse zgjidhet një skemë PPP, e cila sigurisht ka më shumë shpenzime për bashkinë, pasi duhet të paguajë edhe interesin, kur në fakt i vetmi përfitim i dukshëm nga këto skema është koha dhe këto shkolla nuk janë ndërtuar në kohë, sipas afatit të kontratës.

Eksperti i ekonomisë, Pano Soko, shprehet se problemi qëndron në mosrespektimin e ligjit dhe të rregullave.

“Problemi është se në projektin e shkollave, ashtu sikundër në të gjitha projektet PPP në Shqipëri, rregullat nuk janë zbatuar. Pse nuk janë zbatuar? Sepse është përdorur paraja publike, për të kompensuar ndërtimin, pa u marrë në dorëzim objekti, pra pa u kryer investimi. Kjo do të thotë që shteti ka filluar t’i paguajë, që përpara se të mbarojë investimi, që do të thotë në fakt se këto investime nuk është se janë bërë me paratë e privatit, por janë bërë me paratë e publikut, pra këto nuk janë projekte PPP, por janë tenderë.”

Zef Preçi nga ana tjetër shprehet se ka disa probleme me skemën e financimit të PPP-ve për shkollat. Një ndër këto probleme ka të bëjë me përzgjedhjen e kompanive fituese.

“Përzgjedhja e kompanive bëhet kryesisht në mënyrë jokonkurruese, që do të thotë se shmanget gara, që do të ishte kërkuar në rastin e prokurimeve të zakonshme dhe krijohen mundësi potenciale për të investuar pará, që e kanë origjinën nga krimi i organizuar dhe nga korrupsioni i zyrtarëve të lartë. Pra, dashur padashur lejet e ndërtimit shndërrohen në një mjet, që këto pará i zbardh dhe njëkohësisht i shton në dëm të së përbashkëtës, në dëm të buxhetit të shtetit”.

PPP-të, nevojë apo dëshirë, kur kemi taksën e infrastrukturës arsimore?

Aranita Brahaj thekson nevojën për një shfrytëzim të drejtpërdrejtë të taksave të mbledhura për të dhënë rezultate më të prekshme. Ajo thotë: “PPP-të dhe taksa u vendosën njëkohësisht si pjesë e së njëjtës vendimmarrje. Nëse taksa e mbledhur do të përdorej drejtpërdrejt, do të kishim më shumë rezultate. Potenciali i bashkisë në infrastrukturë për shkak të dy taksave të drejtpërdrejta për infrastrukturën është i shpërdoruar. Bashkia në këto vite ka mbledhur më shumë taksa nga infrastruktura arsimore dhe nga infrastruktura e ndërtimeve të reja, por nuk i ka përdorur këto lloj të ardhurash për investime publike, duke shënuar kështu një keqpërdorim financiar”.

Pano Soko thellohet në ndërlikimet e shpërndarjes së taksave, duke theksuar në mënyrë specifike keqdrejtimin e fondeve. “Taksa e infrastrukturës arsimore u bë pikërisht për të siguruar një fond të posaçëm për të shlyer PPP-të. Pra, shlyerjet e PPP-ve do të bëheshin nga të ardhurat, që do të siguroheshin nga taksa dhe ky mund të qëndrojë si argument, si logjikë, por problemi është se ato fonde nuk shkuan kurrë aty ku ishin destinuar për të vajtur dhe nuk u arrit gjë; përveçse u mblodhën ca pará nga qytetarët, pra që rënduan jetën e qytetarëve, jetën e familjarëve apo bizneseve, produkti që morën mbrapsht kishte goxha probleme.”

Shumë pará, por jo shkolla

Një problem tjetër në të gjithë rrëmujën e shifrave dhe skemës së PPP-ve janë dhe zonat, që nuk kanë shkolla. Zona e Astirit dhe zona e Liqenit të Thatë kanë vite tashmë që e vuajnë këtë problem, po ashtu edhe zona e 5 Majit, Kodra e Diellit dhe zona të tjera, periferike të Tiranës.

Anila Çela, prind i 2 fëmijëve, të cilët janë në kopsht dhe në parashkollor, shprehet për ACQJ se i dërgon fëmijët në kopshtin “Dhora Leka” në Fushën e Aviacionit. Ajo shprehet se këtë kanë parë si zgjidhje të vetme, pasi në Astir nuk ka kopshte apo shkolla, ku t`i dërgojë fëmijët.

“Duke qenë se nuk kemi kopshte të tjera afër, këtë kemi parë si mundësi të vetme. Është e lodhshme dhe e vështirë, si për ne prindërit, edhe për fëmijët, po ashtu.”

Të njëjtin problem kanë edhe prindërit, që jetojnë në zonën e Liqenit të Thatë. Në këtë zonë shkolla më e afërt është “11 janari” dhe prindërit shprehen se, i vetmi kopsht, ku i dërgojnë fëmijët, është në Sauk dhe kushtet në këtë kopsht, që është si më afër, nuk janë aspak të përshtatshme.

Zef Preçi thotë se “sistemi duhet të përdoret për mirë-menaxhimin e taksave, pra të ketë sa më pak korrupsion, të përdoret në mënyrë eficiente dhe e mira më e madhe t`i bëhet shumicës. Këto janë konceptet bazë dhe, fakti, që jemi në këtë situatë, tregon nga njëra anë mosfunksionimin si duhet të Këshillit Bashkiak dhe abuzimin nga qeveria me burimet shtesë, që i krijohen Bashkisë së Tiranës.”

Ende nuk dihet, nëse taksa për infrastrukturën arsimore do të ketë një datë mbarimi, po ashtu edhe ndërtimi me skemën e PPP-ve, ku teorikisht nuk ka asgjë të gabuar, por praktikisht shohim se ka abuzim. Për momentin Bashkia e Tiranës është krenare për faktin se ka ndërtuar 40 shkolla të reja, pavarësisht se shumica prej tyre nuk janë ndërtuar prej saj dhe nuk janë as të reja, por pikëpyetje ngrihen për faktin se kur kostot e ndërtimit të bashkisë do të jenë në të njëjtin nivel me partnerët ndërkombëtarë apo se kur ndërtimi i shkollave të reja do të mbulojë edhe zona të tëra, ku mungon çdo shërbim në fushën e edukimit.

Ky shkrim është pjesë e projektit Laboratori i Gazetarisë Investigative, që mbështetet financiarisht nga Zyra e Mardhënieve me Publikun e Ambasadës së SH.B.A. në Tiranë. Opinionet, gjetjet, konkluzionet dhe rekomandimet e shprehura janë te autor-it/ve dhe nuk përfaqesojnë domosdoshmërisht ato të Departamentit të Shtetit.

What's your reaction?
0Smile0Lol0Wow0Love0Sad0Angry
Qendra Shqiptare për Gazetari Cilësore
Rruga Pjetër Budi, 69

Tiranë, ALBANIA


Telefon: +355 (0) 6 8856 3686
Email: info@acqj.al

Investigative Network Albania

Teksti zyrtar është versioni në shqip i faqes së internetit. Kjo faqe përdor përkthim automatik përmes mjeteve të inteligjencës artificiale. Pavarësisht se ky përkthim është i një cilësie të lartë, rastis që të ketë dhe gabime dhe keqkuptime në kontekstin e produkteve. Duke qenë se është një teknologji e cila përmirësohet me kalimin e kohës, shpresojmë të qendroni me ne ndërkohë që perfeksionojmë këtë shërbim.

Copyright © 2024 Giljana Limani.  All Rights Reserved.

Copyright © 2024 Giljana Limani.  All Rights Reserved.

Newsletter