Mësuesit të painformuar, “ngelin” pa hyrë ende në provimin e portalit

Autor: Dallandyshe Xhaferri

L. K. një mësuese e arsimit special, denoncon në platformën “Sinjalizo“se u pengua për t’u regjistruar, ndonëse ka ndjekur të gjitha udhëzimet e Ministrisë së Arsimit.

“Pasi dosja u ngarkua në sistem dhe më thanë që u procesua me sukses, nuk u shkarkua “SHTOJCA 4“me arsyetimin absurd dhe të jashtëligjshëm se duhej aplikuar jo më me kartë ID, por me numër Letërnjoftimi…!!??”,- shkruan arsimtarja për “Sinjalizo”. Dhjetëra kolegë të saj kanë dërguar ankesat pranë DRAP-eve përkatëse për problematikat të lidhura me Shtojcën 4.

Sipas të dhënave të Ministrisë së Arsimit, 11 895 mësues u regjistruan në portalin “Mësues për Shqipërinë” midis  datave 15 deri më 21 qershor. Por qindra prej tyre u skualifikuan  për mungesë dokumentacioni që në fazën e parë të garës, që do t’i hapte rrugë ushtrimit të profesionit.

Shtojca 4

Në kushtin e anonimatit, një tjetër arsimtare nga  qyteti i Fierit tregon se prej shtojcës 4 u shpall e skualifikuar në fazën e parë të konkurimit, ndërkohë që nuk rezulton e tillë në listën e publikuar për së dyti.

“Konkurrova për DRAP Fier ku kam 3 vite që mbaj pikë dosje dhe pikë testimi. Pashë që në listat e para isha skualifikuar. Arsyeja: Mungon ‘Shtojca 4’, por ndërkohë kanë nxjerrë dhe informacionet e shtojcës 4 që dua të mbaj dhe pikë dosjeje dhe pikë testimi”,- tregon ajo, duke shtuar-“Bëra ankim dhe dërgova shtojcën 4. Tek lista e datës 25 qershor isha skualifikuar, te lista e dytë e skualifikimeve nuk ishte emri im. Tani, si ta marrë këtë? Pse na bëjnë për idiotë sepse duke qenë se kemi vite me portalin, besojmë se i dimë mjaft mirë se çfarë duhet dhe s’duhet të dërgojmë?”- shprehet për “Sinjalizo” mësuesja.

Denoncimi i mësueses në plaftormën “Mësuesi për Mësuesin”

Drejtoria Rajonale e Arsimit Parauniversitar Fier (DRAP) nëpërmjet përgjigjes zyrtare të kërkesës për informacion thotë për “Sinjalizo” se vetëm në këtë drejtori “janë evidentuar 690 raste me mungesa të dokumentacionit që duhet të dorëzonin online”,– duke shtuar se,-“nga numri i aplikantëve të skualifikuar, rreth 28% kanë dërguar ankimimet e tyre”. Thënë ndryshe, nga 690 mësues të skualifikuar, vetëm 193 kanë bërë ankim, ndërkohë që numri total i aplikuesve për DRAP Fier është 2 678.

Ministria: Kemi marrë masa

Ministria e Arsimit zyrtarisht ka bërë të ditur për “Sinjalizo” se “nga instancat përkatëse (Drejtoritë Rajonale Arsimore) janë marrë të gjitha masat që çdo ankesë apo kërkesë të trajtohet dhe të marrë përgjigje në kohën më të shkurtër të mundshme”,- duke shtuar, se kjo mënyrë shmang penalitetet për mësuesit e interesuar,“nëse kjo mund të ketë ardhur për shkak të punonjësve të institucioneve tona.”

Ndërkohë DRAP Fier ka bërë të ditur se “për vazhdimin e procedurës së kualifikimit të kandidatëve, KVD ka marrë në shqyrtim të gjitha ankesat e regjistruara në DRAP Fier”,- duke shtuar se nga 690 ankesa, “vetëm 98 kandidatë ose 4% e tyre janë skualifikuar në përfundim të procesit, për mosrespektim të detyrimeve që burojnë nga aktet ligjore dhe nënligjore në fuqi”,- thuhet në përgjigjen e dhënë në kërkesën e informacionit për “Sinjalizo”. Ndër problematikat kryesore të hasura në aplikimet e mësuesve DRAP Fier ka nënvizuar faktin “që ka kandidatë që nuk janë kualifikuar për shkak të mungesës së provimit të shtetit, pasi disponojnë diplomë para vitit 2009 dhe  në sistem nuk kanë ngarkuar dokumentacion për të provuar vjetërsinë në zbatim të Ligjit Nr.10171”–  në të cilin  përcaktohet, se përjashtohen nga detyrimi për të dhënë provimin e shtetit: profesionisti që,  në çastin e hyrjes në fuqi të këtij ligji, ushtron ose ka ushtruar një profesion të rregulluar.

Profesionistët pyesin : përse duhet dhënë provim çdo vit?

Alma Lama, Kryetare e SPASH (Sindikata e Pavarur e Arsimit të Shqipërisë) për degën Tiranë shpjegon për “Sinjalizo” se “Kjo mënyrë punësimi e përsëritur gati përvit e stërmundon mësuesin, pasi numri i mësuesve aplikantë është shumë më i madh sesa numri i vendeve të lira të punës. Një numër mësuesish shprehen se kanë gjithmonë e më pak besim në punësim”,- tregon Lama, ndërkohë që shpjegon se pjesë e portalit janë “edhe mësuesit që duan të bëjnë lëvizje paralele brenda Zyrave Vendore Arsimore përkatëse.”

Gjithashtu, ajo shprehet skeptike përsa i përket rekrutimit të mësuesve nëpërmjet portalit, duke shtuar se “kjo mënyrë ka shumë burokraci letrash dhe transparencë të ulët”. Por sipas MAS, këtë vit shihet një interes i shtuar i mësuesve, pasi  krahasuar me vitin e kaluar ku aplikuan 10 394 kandidatë, thënë ndryshe këtë vit aplikuan 1 501 aplikantë më shumë.

Alma Lama, Kryetare e SPASH (Sindikata e Pavarur e Arsimit të Shqipërisë)

Ndërkohë, Alma Lama thekson se “gara është e pabarabartë midis mësuesve duke qenë se favorizon disi mësuesit me më shumë eksperiencë në arsim”.

Ministria e Arsimit ka listuar për “Sinjalizo” problematikat më të shpeshta të hasura në ankesat apo kërkesat e realizuara prej mësuesve gjatë aplikimit në portal. Mes tyre përmendet  edhe fakti se “Kandidatët janë skualifikuar për shkak të mungesës së provimit të shtetit, apo për mosplotësim të kritereve ligjore”. Ndërkohë, sipas MAS nuk kanë munguar as rastet ku kandidatët nuk kanë qenë të pajisur me licencën e provimit të shtetit, ose nuk kanë qenë të informuar dhe kanë harruar ID e mësuesit etj.

Probleme me informimin. Mësuesit nisin “shkollën”

Gjatë hulumtimit “Sinjalizo” ra në kontakt me një grup prej 25 mësuesish, të cilët për të kaluar me sukses provimin e portalit, pyetjet e të cilit nuk mund të aksesohen më parë siç ndodh me licencën, kanë nisur trajnime nga ekspertë të fushës kundrejt pagesës. Ata kanë pranuar për “Sinjalizo” se nuk janë trajnuar ose informuar nga drejtoritë e shkollave sa duhet rreth provimit në portal, duke marrë si përgjigje vetëm se udhëzimet ndodhen në faqen zyrtare të MAS.

Në grupin që këta mësues kanë në ëhatsapp sqarohen se 2 seanca që kanë një kohëzgjatje 3 orë secila kushtojnë 30 mijë lekë të vjetra, ndërkohë që pagesa mund të bëhet fizikisht ose online. Për të provuar pagesën ata dërgojnë fotografitë e mandatit të paguar në bankë.

Foto nga biseda në whatsapp
Foto nga biseda në whatsapp

Alma Lama lidhur me këtë çështje thotë se “disa qendra të akredituara për trajnime duke parë nevojën për orientim në programin e Portalit  ‘Mësues për Shqipërinë’ kanë angazhuar mësuese novatore në sistem”,- thotë ajo, duke  treguar se mësuesit paguajnë në mënyrë private këto trajnime për të marrë shërbim “që udhëzojnë ,krijojnë,aplikojnë pyetje të mundshme rreth, dokumentacionit shkollor, teknikave dhe metodave të mësimdhënies, standardeve profesionale të mësueseve si dhe nganjëherë sipas nevojës edhe pyetje të programit shkencor…sidomos për mësuesit e rinj ,të cilët nuk e kanë kaluar programin”,- përfundon kryetarja e SPASH, duke shtuar se regjistrimi në portalin ʻe Mësuesitʻ është i vështirë, por jo i paarritshëm, “mjafton të rritet kultura e leximit të manualit për aplikim si dhe të punohet/lexohet me vëmendje dhe të kuptohet udhëzimi nr. 12 i Portalit”.

 

 

Ky artikull u krijua bazuar në të dhëna të siguruara nga individë që kanë zgjedhur të ngrenë zërin. Ndani historinë tuaj, fuqizojini të tjerët dhe bëhuni faktor për ndryshim. Vizitoni faqen: www.acqj.al/sinjalizo-dhe-ti/
What's your reaction?
0Smile0Lol0Wow0Love0Sad0Angry
Qendra Shqiptare për Gazetari Cilësore
Rruga Pjetër Budi, 69

Tiranë, ALBANIA


Telefon: +355 (0) 6 8856 3686
Email: info@acqj.al

Investigative Network Albania

Teksti zyrtar është versioni në shqip i faqes së internetit. Kjo faqe përdor përkthim automatik përmes mjeteve të inteligjencës artificiale. Pavarësisht se ky përkthim është i një cilësie të lartë, rastis që të ketë dhe gabime dhe keqkuptime në kontekstin e produkteve. Duke qenë se është një teknologji e cila përmirësohet me kalimin e kohës, shpresojmë të qendroni me ne ndërkohë që perfeksionojmë këtë shërbim.

Copyright © 2023 Giljana Limani.  All Rights Reserved.

Copyright © 2023 Giljana Limani.  All Rights Reserved.