Astiri nuk ka shkolla. Bashkia: Do i ndërtojmë

Autor: Aurora Shpataj

Gazmira, nënë e dy vajzave, banon në zonën e Astirit prej më shumë se 20 vitesh. E ardhur në kryeqytet për një jetë më të mirë për fëmijët e saj, ajo tregon për “Sinjalizo” peripecitë  për rritjen e fëmijëve,  sidomos në pjesën e arsimimit.

Unë erdha në kryeqytet para 20 vitesh, së bashku me bashkëshortin nga Puka, për një jetë më të mirë. Aktualisht, unë kam dy vajza, njëra është 14 vjeçe, tjetra është 9 vjeçe. Por, me thënë të drejtën tek pjesa e arsimit po vuaj shumë me vajzat.”

E pyetur se ku arsimohen vajzat e saj, Gazmira, shitëse në një nga supermarketet në këtë zonë,  tregon vështirësitë  që has së bashku me bashkëshortin.

Nuk e di, as vetë si ia dal në fund të muajit me rrogat, që unë e burri marrim. Vajzat i dërgojmë tek shkolla “Dhori Leka” tek fusha e ish-aviacionit, se Astiri edhe pse është bërë si qytet në vete, me pallate nga të gjitha anët, nuk ka menduar askush për ndërtimin e shkollës.”

Nëna e dy fëmijëve tregon  se kostot për familjen e saj janë shtuar, për shkak të mungesës  së  një shkolle në zonën e Astirit.

Unë madje kam porositur fugon për dy vajzat e mia, se kisha frikë ti dërgoja vetëm në këmbë, se kisha frikë mos ndodhte ndonjë gjë, se çfarë nuk po dëgjojmë në lajme. E paguaj fugonin 250 mijë lekë në muaj, imagjinojeni vetë gjysma e rrogës më shkon për ti dërguar vajzat në shkollë. Mos të kaloj tek pjesa e ushqimit, veshjeve, librave, mjete shkollore. Gjithçka është shtrenjtuar.”

Kryetari i bashkisë Tiranë, Erjon Veliaj  ka premtuar disa herë ndërtimin e një shkolle në zonën e Astirit. Në prill të këtij viti,  ai u shpreh nga një shesh  ndërtimi në mes të Astirit, se zona do ketë 5 shkolla të reja.

Kjo do të thotë se kemi pritur për ta rilançuar garën për të ndërtuar shkolla të reja në Yzberisht, në gjithë zonën e Astirit dhe të Kasharit përsëri këtë vit. Ky është vetëm një nga tre terrenet. Në këtë terren do të kemi 9-vjeçaren dhe gjimnazin. Kemi një terren tjetër në Kashar, gjithashtu për 9-vjeçaren dhe gjimnazin dhe kemi gjithashtu, edhe një terren tjetër që është midis Lanës dhe Unazës.”

Ndryshe, nga sa premtoi kryebashkiaku i Tiranës në fushatën elektorale për zgjedhjet vendore të majit 2023,  një zyrtar i Bashkisë së Tiranës, i cili kërkoi të mbetet anonim, u shpreh , se realisht janë planifikuar të ndërtohen 3 godina, prej të cilave  2 godina do jenë  si shkollë 9 vjecare dhe gjimnaz.

“Sinjalizo” verifikoi  në terren  zonat ku është planifikuar ndërtimi i 5 shkollave dhe  akoma nuk nuk është vendosur  “ tulla e parë”.

Bashkia e  Tiranës shprehet për “Sinjalizo” se  në Lotin 2 të studimit të realizuar është parashikuar ndërtimi i 4 shkollave gjithsej;përkatësisht tre shkolla të reja në Lagjen nr. 14 dhe një shkollë e re në Njësinë Administrative 7. Më konkretisht, në Lagjen nr. 14 është parashikuar ndërtimi i dy shkollave të ciklit arsimor bazë të tipit 2 dhe një shkolle të ciklit arsimor të mesëm të lartë, pra e tipit 4. Ndërsa në Njësinë Administrative nr. 7 është parashikuar ndërtimi i një shkolle të tipit 4, pra të ciklit të mesëm të lartë.

Bashkia Tiranë në përgjigjen e saj konfirmon se kërkesa për objekte arsimore ka qenë e vazhdueshme nga ana e banorëve të Astirit.

Peripecitë për regjistrimin e fëmijëve në kopshte

Problem për zonën e Astirit mbetet edhe arsimi parashkollor. Kjo sepse Astiri nuk ka një kopësht publik, përveç atij tek shkolla “Andrea Stefani”, në zonën e quajtur ish-sheshi Shqiponja. Pengesat vazhdojnë edhe me regjistrimin e fëmijëve në kopësht. Sipas stafit të këtij kopshti, dokumentat që duhen për regjistrimin të fëmijëve janë bazike.

Vërtetim banor lagje ku banon, çertifikatë e fëmijës, analizë shëndetësore e lëshuar nga instituti i higjenës, vërtetim vaksine.”

Ndërsa për prindërit që regjistrojnë fëmijët në lagje të tjera, për shkak të mbingarkesës së kopshtit në lagjen ku jetojnë, kërkohet vërtetim nga puna ose te drejtoria e kopshteve.

Unë punoj në të zezë, në ndërtim, sot punoj, për 2 javë nuk punoj, pastaj se aq e kam punën e ku ta marr vertetimin që unë jam në punë pastaj. Pra, i bie që unë se regjistroj djalin dot në kopësht vetëm për këtë dokument që gjoja këto i quajnë elementare. Se për çfarë ju shërben vërtetimi nëse unë jam në punë apo jo, Zoti po e merr vesh.”- përfundon së treguari  për “Sinjalizo”, Iliri.

Por, sa kushton të rrisësh një fëmijë në ditët e sotme?

Anila, nëna e një djali 2 vjeçar, me profesion farmaciste tregon për “Sinjalizo” që kostot janë trefishuar në ditët e sotme. Sipas saj, rrogat në krahasim me shpenzimet kanë një hendek të jashtëzakonshëm.

Unë djalin, Sorelin e kam 2-vjeç. E dërgoj në kopësht privat që kushton 60 mijë lekë në muaj. Një pako pelena kushtojnë nga 25 – 40 mijë lekë, pudra, kremrat që shkojnë diku tek 130 mijë lekë në muaj. Vizitat shëndetësore, ilaçet, kontrollet mjekësore diku tek 150 mijë lekë. Mos harrojmë pastaj veshjet, karrocat për bebin që kanë çmime nga më të ndryshmet, por unë po të marr më të lirën diku tek 400 mijë lekë. Pra, në total në muaj më shkon rritja e vajzës sime 650 mijë lekë të vjetra.”- përfundon Anila.

 

Ky artikull u krijua bazuar në të dhëna të siguruara nga individë që kanë zgjedhur të ngrenë zërin. Ndani historinë tuaj, fuqizojini të tjerët dhe bëhuni faktor për ndryshim. Vizitoni faqen: www.acqj.al/sinjalizo-dhe-ti/
What's your reaction?
0Smile0Lol0Wow0Love0Sad0Angry
Qendra Shqiptare për Gazetari Cilësore
Rruga Pjetër Budi, 69

Tiranë, ALBANIA


Telefon: +355 (0) 6 8856 3686
Email: info@acqj.al

Investigative Network Albania

Teksti zyrtar është versioni në shqip i faqes së internetit. Kjo faqe përdor përkthim automatik përmes mjeteve të inteligjencës artificiale. Pavarësisht se ky përkthim është i një cilësie të lartë, rastis që të ketë dhe gabime dhe keqkuptime në kontekstin e produkteve. Duke qenë se është një teknologji e cila përmirësohet me kalimin e kohës, shpresojmë të qendroni me ne ndërkohë që perfeksionojmë këtë shërbim.

Copyright © 2024 Giljana Limani.  All Rights Reserved.

Copyright © 2024 Giljana Limani.  All Rights Reserved.

Newsletter