Maturë me kopje. Të pakënaqurit, 8 orë kohë për ankim në ditë pushimi

Autor: Dallandyshe XHAFERRI

Pas daljes së tezave të provimeve të maturës në rrjetet sociale, Qendra e Shërbimeve Arsimore,  nëpërmjet një njoftimi në web-in zyrtar, vuri në dijeni maturantët të kërkojnë një kopje të testit të katër provimeve. Çdo maturanti iu ofrua aplikimi online brenda datës 28 Qershor, brenda afatit kohor 08:00-16:00. Megjithatë, data e njoftuar për të hedhur hapin e parë me ankesa mbi rezultatet e provimeve, përkoi ditë pushimi, festa e Bajramit.

“Sinjalizo” u vu në dijeni për mungesën e transparencës mbi këtë proces nga njëri prej maturantëve që akuzon se rezultatet e tij u ndikuan nga teza që u rrodhi pak përpara provimeve.  “Nuk jam në dijeni të njoftimit të Qendrës së Shërbimeve Arsimore. Askush nuk ndoqi një procedurë publike për të na njoftuar ne, të pakënaqurve. E mësova nga një shok, më këshilloi të ankohesha. Patjetër që do ankohem. Por aplikimi në një ditë pushimi për një kërkesë kaq të rëndësishme , siç është kopja e tezës së provimeve  është më tepër procedurë, sesa i jep zgjidhje problemit “-shprehet Anxhelo, maturant në gjimnazin “Halim Xhelo”, në Vlorë.

Burime jo zyrtare për “Sinjalizo” konfirmuan se sygjerimi për maturantët u shpërnda gjatë kësaj të marte dhe ankimimi i të rinjve duhet kryer në portalin e-Albania .

Maturantët: Kopjuam

“Në përgjithësi është kopjuar, mund të them dhe që është abuzuar me nxënësit e mirë, sepse vazhdimisht u kërkohej atyre të tregonin ose të jepnin përgjigje”,- kështu nis sinjalizimin, një prej maturantëve të shkollës “Shote Galica”, në Fushë Krujë, i cili në kushtet e anonimatit pranon se gjatë zhvillimit të procesit të provimeve të maturës, maturantët janë ndihmuar për të kopjuar edhe nga vetë administratorët përgjegjës.

“Në 3 provimet ku administratorët kanë qenë të zonës ka pasur pak tolerancë dhe ndihmesë, ndërsa në provimin ku administratorët kanë qenë të rretheve të tjera, në rastin konkret, të Kamzës, kanë qenë më të rreptë dhe ushtronin presion”,- tregon ai, duke pranuar se “kam konstatuar raste kopjesh por që nxënësit nuk janë përzënë nga provimi. Është kaluar shumë lehtësisht situata, sikur s’ka ndodhur gjë,”- përfundon maturanti duke theksuar se “administratorët ishin përherë aty, por ka pasur momente zhurme që ka ndikuar negativisht te nxënësit më të mirë dhe mund të them që nxënësit e dobët kanë marrë notë më të lartë se nxënësit e mirë”.

Gjithashtu “ndihma” e administratorëve duke i lejuar maturantët të kopjojnë nuk ka munguar as në shkolla të tjera të vendit. Ana Doçi, maturante e shkollës “Ibrahim Rugova” në Kamëz, tregon për “Sinjalizo” se “në disa provime kontrolli ishte shumë i rreptë, ndërsa në disa të tjera jo”.

“Ka pasur komunikim midis nxënësve”,- pranon Doçi duke shtuar,- “nxënësit kishin përgatitur fleta të vogla dhe i nxirrnin teksa shkonin në tualet”. Ndërkohë, Kristo Mjeshtri, maturant i shkollës “Muhamet Kondi” në Poliçan tregon për “Sinjalizo” se në shkollën e tij “Telefonat nuk lejoheshin në mënyrë kategorike dhe kontrolli ndaj tyre ishte shumë i rreptë” .

Gevio Tabaku, aktivist pranë “Qëndresës Qytetare” thotë për “Sinjalizo” se nga komunikimet që ata kanë bërë me maturantët rezulton “se në disa raste ka pasur thyerje të rregullores qoftë nga maturantët apo edhe nga vetë administratorët, të cilët ndihmojnë maturantët duke u dhënë kopje”.

Gevio Tabaku, aktivist i “Qëndreses Qytetare”

Gjithashtu, Tabaku shton se sipas të dhënave që “Qëndresa Qytetare” ka siguruar, jo të gjitha qendrat e provimeve ishin nën monitorimin e kamerave. “Në rreth 30% të qendrave të provimeve nuk ka pasur kamera sigurie, çka e bën procesin të padrejtë, pasi maturantët duhet të trajtohen në mënyrë uniforme përgjatë gjithë vendit”,- përfundon Tabaku.

Por ministria nuk kapi asnjë me kopje

Pavarësisht pohimeve nga maturantët, Ministria e Arsimit ka bërë të ditur për “Sinjalizo” nëpërmjet një përgjigjeje të kërkesës për informacion se gjatë zhvillimit të provimeve të maturës “nuk ka nxënës të kapur me kopje” si rrjedhojë ndaj asnjë maturanti nuk janë marrë masa. Sipas të dhënave zyrtare, këtë vit u angazhuan 3500 punonjës arsimor për secilin provim, por asnjëri prej tyre nuk është cilësuar përgjegjës për publikimin e tezave në internet gjatë kohës që maturantët realizonin provimin.

Ministria e Arsimit thotë për “Sinjalizo” se asnjëri prej tyre nuk është përgjegjës pasi “në provimet e Maturës Shtetërore 2023, nuk ka dalë në asnjë provim teza përpara fillimit të provimit”,- duke shtuar se  “MAS në bashkëpunim me QSHA(Qendra e Shërbimeve Arsimore) ka marrë të gjitha masat e sigurimit që nga momenti i hartimit të tezave, shumëfishimit dhe shpërndarjes së tyre në masa të rrepta sigurie, të ndihmuar dhe nga Posta Shqiptare dhe Policia e Shtetit”,- thuhet në përgjigje.

Ndërkohë, Gevio Tabaku rithekson për “Sinjalizo”se “Problematikat kryesore që janë hasur kanë të bëjnë kryesisht me administrimin e procesit, çka ka lënë për të dëshiruar”, shprehet ai, duke pohuar se “Të gjitha provimet janë publikuar në rrjete sociale pak minuta pas fillimit të tyre, çka nënkupton prezencën e celularëve nga vetë maturantët ose administratorët”.

Maturantët lakmojnë degët me shumë pikë

Për eksperten e arsimit, Irsa Ruçi publikimi i tezës nuk është aq shqetësuese se sa vetë procesi i Maturës Shtetërore për të cilin shprehet se e gjykon “si një instrument të rëndësishëm për mbylljen e ciklit 12 vjeçar të studimit, por jo të nevojshme për të shërbyer si trampolinë që nxit burokracinë e depërtimit në universitet.”

Sipas Ruçit, maturantët nuk janë të orientuar rreth tregut të punës, ndërkohë që lakmojnë degët të cilat kërkojnë mesatare të lartë.

Irsa Ruçi, eksperte e arsimit

“Ka disa degë, të cilat për nga numri i lartë i pikëve që nevojiten për të depërtuar në to, duken si “degë mode” dhe për një të ri shihen si “molla e ndaluar” e cila lakmohet edhe më shumë, duke besuar se kjo lidhet me gjetjen e një vendi pune pas disa viteve”,- shprehet ajo, duke shtuar se “në të vërtetë nuk ndodh kështu, pasi ne nuk kemi një studim të qartë të tregut të punës, për të ditur si realisht funksionon”.

Për eksperten tjetër të arsimit, Valbona Nathanaili nota mesatare nuk duhet të jetë e ndryshme, në degë të ndryshme pasi “Të gjitha degët janë njësoj të rëndësishme. Një i diplomuar si mësues është po aq i rëndësishëm sa një ekonomist që nesër mund të jetë në nivelin e hartimit të politikave ekonomike”,- shprehet ajo, ndërkohë që prej ditësh pritet miratimi i VKM-së për heqjen e mesatares 8.5 nga degët e cilësuara “me prioritet kombëtar”.

Rezultatet e provimeve, mijëra maturantë vlerësohen me notën 5 dhe 6

Sipas të dhënave të bëra publike në portalin e Maturës Shtetërore rezulton se në provimin e Gjuhës Shqipe dhe Letërsisë këtë vit kanë rezulltuar mbetës 444 maturantë. Ministria e Arsimit bën të ditur për “Sinjalizo” se numri i saktë i maturantëve pjesëmarrës në këtë provim shtetëror është 27 270, thënë ndryshe, 497 më pak se nga numri real i nxënësve që duhej të ishin të pranishëm.

Nga llogaritjet e “Sinjalizo”, në bazë të notave të rrumbullakosura nga QSHA në provimin e Gjuhës Shqipe dhe Letërsisë, 6 724 nxënës kanë marrë vlerësimin me notën 5 dhe 6. Thënë ndryshe, rreth 24,6% e nxënësve pjesëmarrës në provim u vlerësuan me notat kaluese 5 dhe 6.

Ndërkohë, në provimin e gjuhës së huaj kanë marrë pjesë 27 236 maturantë, 496 nxënës më pak se sa duhej të ishin të pranishëm. Në provimin e gjuhës së huaj rezultuan mbetës 384 maturantë, ndërkohë notë kaluese 5 dhe 6 kanë marrë 5857 nxënës. Thënë ndryshe, 21.5% prej tyre kanë marrë notë kaluese jo të lartë.

Numri më i madh i mbetësve është regjistruar në provimin e matematikës, në të cilin kanë ngelur 1549 maturantë, ndërkohë që nota maksimale është marrë nga 238 nxënës.

Thënë ndryshe, 5,6% e 27 500 maturantëve pjesëmarrës në provimin e matematikës janë vlerësuar me notën 4.

Irsa Ruçi, eksperte e arsimit thotë për “Sinjalizo” se problemi nuk qëndron vetëm tek teza “mënyra sesi teza strukturohet dhe procesi shterpë që e ndjek”

Fëmijët dhe të rinjtë tanë studiojnë me tekste të cilat kanë mangësi logjike dhe drejtshkrimore. Mësojnë me tekste të cilat janë të përkthyera e jo të shqipëruara. Me tekste të cilat i ndjejnë të huaja e nuk i përthithin dot”,- shprehet Ruçi, duke theksuar se “në tekstet tona mësimore mungon baza teorike e shpjeguar në mënyrë të hollësishme dhe të kuptueshme. Ndaj, duhet të nisë puna që nga tekstet mësimore për t’i kthyer në funksion të dijes, për të vazhduar më tej me testet e kontrollit”- përfundon ajo.

 

 

Ky artikull u krijua bazuar në të dhëna të siguruara nga individë që kanë zgjedhur të ngrenë zërin. Ndani historinë tuaj, fuqizojini të tjerët dhe bëhuni faktor për ndryshim. Vizitoni faqen: www.acqj.al/sinjalizo-dhe-ti/
What's your reaction?
0Smile0Lol0Wow0Love0Sad0Angry
Qendra Shqiptare për Gazetari Cilësore
Rruga Pjetër Budi, 69

Tiranë, ALBANIA


Telefon: +355 (0) 6 8856 3686
Email: info@acqj.al

Investigative Network Albania

Teksti zyrtar është versioni në shqip i faqes së internetit. Kjo faqe përdor përkthim automatik përmes mjeteve të inteligjencës artificiale. Pavarësisht se ky përkthim është i një cilësie të lartë, rastis që të ketë dhe gabime dhe keqkuptime në kontekstin e produkteve. Duke qenë se është një teknologji e cila përmirësohet me kalimin e kohës, shpresojmë të qendroni me ne ndërkohë që perfeksionojmë këtë shërbim.

Copyright © 2024 Giljana Limani.  All Rights Reserved.

Copyright © 2024 Giljana Limani.  All Rights Reserved.

Newsletter