Krimi i shitjes së diplomës dhe plagjiaturës, asnjë filtër dhe asnjë i ndëshkuar

Autor: Aurora Shpataj

I shqetësuar për fenomenin e shitblerjes së temave të diplomave, akademiku Artan Fuga përsërit se ky fenomen është krim. I kontaktuar nga “Sinjalizo” profesor Fuga këmbëngul tek dëmi që i shkaktohet arsimit.

Përgjithësisht këto faqe në web që ofrojnë këtë lloj shërbimi janë aktori i parë që e bën të mundur procesin, mua më duket se janë biznes i paligjshëm, duhet konsideruar një biznes i paligjshëm. Një biznes i cili shkon në kundërshtim me interesat publike, me formimin, me shkollën. Është njësoj sikur në web të ketë tutoriale se si të grabitesh një bankë, si të vrasim një njeri, si të shkatërrojmë një të mirë private apo publike. Është e njëjta gjë, pra le ta themi janë biznese keqbërëse.”

Ajo për të cilën profesor Fuga nuk kursehet tu bjerë këmbanave lidhet me një fenomen i cili nuk ndalet. Megjithëse, denoncimet kanë qenë të shumta e njëherazi edhe investigimet. Lulëzimi online i ofrimit të diplomave në cdo fushë dhe niveli arsimor, kryhet kundrejt pagesës. Filtrat e kontrollit janë pothuajse inegzistente.

Akademiku Artan Fuga
Akademiku Artan Fuga

 “Sinjalizo” nisi gjurmimin e këtyre faqeve, duke u prezantuar si një studente që kërkon një diplomë të niveleve të ndryshme. Si fillim u kontaktua me një faqe që ofronte tema diplome, të cilës iu kërkua një diplomë e nivelit master shkencor. Pas disa orësh, përgjigjja ishte; “Nëse keni ndonjë ide ju ok, nëse doni mundemi të sugjerojmë ne.”

Pas hyrjes në bisedë me faqen, ne pyetëm dhe sa kushton diploma. Oferta nga ana tjetër ishte edhe për temë në anglisht edhe në shqip.

Cmimi i një diplome në gjuhën shqipe është 200 mijë lekë, ndërsa në anglisht 250 euro.”

Lundrimi në internet për të blerë dijen vazhdoi edhe në një website tjetër, por kësaj radhe për një diplomë të nivelit bachelor.

Përgjigja që na u kthye nga faqja ishte: “Tema e diplomës bachelor me 35-40 faqe kushton 150 euro.”

Kur mëson se të kanë vjedhur!

Por plagjiatura ose marrja e diplomave të punuara nga të tretët ka filluar të dëmtojë dhe studentët e mirë. Ky ishte rasti i Fatjonës që ka studiuar Marrëdhënie me Publikun në Universitetin e Tiranës. Ajo na tregon sesi ra në kontakt me personin që i kishte vjedhur temën e diplomës.

Fatkeqësisht ky fenomen është kthyer shqetësues për studentët që e kryejnë vetë temën e diplomës. Mua personalisht më ka ndodhur që një i njohuri im më nisi aksidentalisht temën time të diplomës.”- tregon Fatjona, një ish-studente e Universitetit të Tiranës. Ajo rrëfen për “Sinjalizo” se si ka arritur që të ndalojë që studenti të mos përfaqësohet në komision me temën e saj.

Në fillim u shtanga dhe direkt e pyeta se nga e kishte marrë, por nuk më dha asnjë informacion. Pastaj i kam kërkuar të heqë dorë nga prezantimi i një diplome plagjiaturë ose përndryshe do e bëja problem në rektorat dhe në komision. Vetëm pas kërcënimit nëse do mund të shprehesha kështu, ai ka hequr dorë.”

Profesori Artan Fuga e konsideron këtë proces si penalizues për studentët e mirë.

Këtu ka një problem, sepse duke i vendosur 9 apo 10 atyre që i marrin të gatshme, ne penalizojmë ata student që punojnë. Sepse ata që punojnë, ndoshta i sjellin me një cilësi më të dobët se ata që i blejnë. Sepse këta të fundit i blejnë nga një njeri që mund të jetë doktor, ndërsa ky që i bën vet, mund të jetë një student i cili ka defektet e veta, ka kufizimet e veta, por ka bërë një punë më të mirë se sa ai tjetri. Këtu përmbyset i gjithë sistemi i vlerave. Studentit unë nuk kam cfarë ti kërkoj; ai thjesht duhet të punojë për veten e vet për të trokitur në treg, duhet të shtojë kërkesën ndaj pedagogëve.”

Universiteti hesht

Sinjalizo dërgoi një kërkesë zyrtare për informacion edhe Universitetit të Tiranës ku kërkuam të na vihej në dispozicion informacion për pyetjet e tilla si: sa diploma plagjiaturë kanë arritur të identifikojnë përgjatë 5 viteve të fundit, në çfarë niveli studimi i kanë kapur studentët me plagjiaturë, në bachelor, master, me çfarë formule i identifikojnë që diplomat janë plagjiaturë si dhe cfarë ndodh me studentët që kapen me plagjiaturë. Universiteti i Tiranës nuk dha të dhëna se sa shkelje janë gjetur në pesë vjet .

Universiteti i Tiranës bazuar në ligjin nr. 80/2015, “Për Arsimin e Lartë dhe Kërkimin shkencor në institucionet e arsimit të lartë në Republikën e Shqipërisë”, në aktet nënligjore të dala në zbatim të tij, Statutin dhe Rregulloren e UT-ës, Kodin e Etikës, si dhe rregulloret për diplomimin në Ciklin e Parë, të Dytë dhe të Tretë të studimeve “Master Ekzekutiv”, ka të parashikuar si shkelje fenomenin e plagjiaturës ose të “pandershmërisë akademike”.”

Por ndërsa plagjatura është e pa pranueshme nuk hidhet dritë edhe ndaj këtij fenomeni si zbulohet nga organet kompetente.

 “Të gjitha punimet e diplomës, bëhen nën drejtimin e një personeli akademik si udhëheqës shkencor i temës. Punimi i diplomës përmban një sërë kërkesash e kriteresh të formës dhe përmbajtjes. Punimi i diplomës respekton kërkesat e formatit, rregulloreve dhe rregullat e etikës akademike që zbatohen në UT, ku ndalohet plagjiatura. Nëse punimi nuk prezantohet sipas formatit të kërkuar, ai nuk pranohet, deri sa të plotësohen të gjitha kërkesat e formatit.”

Mënyra e vetme për identifikimin e studentëve në plagjaturë për Universitetin gjendet në dorën e udhëheqësit të diplomës. Kjo do të thotë se nuk ka asnjë formulë specifike për të kryer zbulimin e shkeljes.

 “Përsa i takon mënyrës se si mund të identifikohen raste të mundshme të plagjiaturës, kjo së pari lidhet me personelin akademik udhëheqës, i cili orienton dhe ndihmon studentët në përzgjedhjen e literaturës dhe shkrimin e punimit të diplomës, asiston studentin në nxjerrjen e rezultateve, përpunimin e tyre, si dhe punimin e diplomës sipas udhëzuesve të miratuar. Udhëheqësi garanton cilësinë e rezultateve dhe miraton ose jo, nëse punimi është i plotë për t’u paraqitur para komisionit përfshirë këtu edhe plagjiaturë.”

Ky vakum konfirmohet edhe nga akademiku Fuga.

Nuk jam shumë në dijeni për këtë nivel universitet,i unë di që gjithsesi nuk është aq e lehtë që të konstatohet plagjiatura, nuk është e pamundur, por as e lehtë. Kjo duhet të kuptuar. Gjithsesi janë disa mekanizma që mund ti gjesh në google ose në web që mund ti kërkosh. Nga metoda më e thjeshtë që merret një tekst ose pjesë të ndryshme teksti nëse ato fraza, ai tekst ose pjesë teksti ka ngjashmëri ose kopje e ndonjë tekst tjetër. Kjo është detyre etike është në rregulloren etike të UT edhe të kërkimit shkencor. Por që mesa di unë të ketë automatizëm, një program digjital që të jetë i rekomanduar që këtë të përdorim unë nuk kam dijeni që ka.

Fuga thotë që pedagogët nuk duhet të kenë asnjë ankesë për këtë situatë, për shkak se kanë në dorë ta parandalojnë atë.

Pra, sugjerimi i parë është; asnjë ankesë. Ato biznese janë të paligjshme, atëherë duhet të shpallen si të paligjshme. Ne si pedagog nuk kemi punë fare me ato. Po shkoj studenti dhe bën atë gjë, dhe ma kalon mua si një punë origjinale, faji është i imi si pedagog.”

 Por universiteti ka një tjetër këndvështrim në përgjigjjen e dërguar për “Sinjalizo”.  “Udhëheqësi ka përgjegjësinë të ndërgjegjësojë studentin për rrezikun dhe pasojat në rastet e konstatimit të mashtrimit, falsifikimit dhe plagjiaturës. Në momentin e dorëzimit të temës së diplomës, nëse konstatohet plagjiaturë, udhëheqësi ka të drejtë të mos japë miratimin e mbrojtjes së punimit.”

 

Ky artikull u krijua bazuar në të dhëna të siguruara nga individë që kanë zgjedhur të ngrenë zërin. Ndani historinë tuaj, fuqizojini të tjerët dhe bëhuni faktor për ndryshim. Vizitoni faqen: www.acqj.al/sinjalizo-dhe-ti/
What's your reaction?
0Smile0Lol0Wow0Love0Sad0Angry
Qendra Shqiptare për Gazetari Cilësore
Rruga Pjetër Budi, 69

Tiranë, ALBANIA


Telefon: +355 (0) 6 8856 3686
Email: info@acqj.al

Investigative Network Albania

Teksti zyrtar është versioni në shqip i faqes së internetit. Kjo faqe përdor përkthim automatik përmes mjeteve të inteligjencës artificiale. Pavarësisht se ky përkthim është i një cilësie të lartë, rastis që të ketë dhe gabime dhe keqkuptime në kontekstin e produkteve. Duke qenë se është një teknologji e cila përmirësohet me kalimin e kohës, shpresojmë të qendroni me ne ndërkohë që perfeksionojmë këtë shërbim.

Copyright © 2024 Giljana Limani.  All Rights Reserved.

Copyright © 2024 Giljana Limani.  All Rights Reserved.

Newsletter