Universitetet drejt boshatisjes. Të rinjtë refuzojnë mësuesinë, as bursa nuk i “josh”

Autor: Ina Allkanjari

Rreth 21 mijë maturantë aplikuan në raundin e parë për vitin akademik 2022-2023 për programet e arsimit të lartë në vend. Prej tyre, rezulton se 5900 nuk kanë arritur të shpallen fitues në asnjë program studimi. Megjithatë u vu re edhe për këtë vit se degët më të pëlqyera dhe për rrjedhim më të synuara ishin inxhinieria, mjekësia, juridiku dhe programet ekonomike.

Sipas të dhënave të institutit të statistikave, evidentohet një rënie drastike e numrit të studentëve në universitetet në vend me rreth 50 mijë studentë më pak krahasuar me 8 vite më parë. Pra rreth 124 mijë të rinj në 2022 nga 176 mijë që ishin në vitin 2014. Ndërkohë në 5 vjeçarin e fundit vihet re një rënie e numrit të studentëve me rreth 8 mijë studentë më pak të regjistruar.

Tabelë e krijuar nga Ministria e Arsimit, numri i studentëve të rregjistruar deri në vitin 2014
Tabelë sipas të dhënave të Instat, studentë të regjistruar në arsimin e lartë sipas fushave të studimit viti 2017-2022

Mateo, një maturant nga qyteti i Librazhdit shkruan për “Sinjalizo” mbi zgjedhjen e degës së preferuar, që do ti ofrojë një ‘pasaportë’ të garantuar për tu larguar nga Shqipëria.

“Ëndrra ime ishte inxhinieria, e kisha preferencë të parë por nuk arrita ta kapja. Më doli infermieria dhe u regjistrova, do vazhdoj studimet për këtë degë pasi më jep një shans për një të ardhmen jashtë Shqipërisë pas përfundimit të studimeve. Kisha frikë të rrezikoja dhe të prisja nëse do mund të kapja inxhinierinë,” shkruan për “Sinjalizo” Mateo, që u shpall fitues për të ndjekur studimet për infermieri në Tiranë.

Anxhela, një tjetër maturante që përmbylli me mesatare të lartë studimet në një prej gjimnazeve të kryeqytetit, tregon për “Sinjalizo” se e sheh të ardhmen e saj drejt Gjermanisë.

“Prej vitesh kam dashur të vazhdoj studimet për informatikë në Gjermani, ndaj dhe i jam përkushtuar mësimit të gjuhës gjermane. Fitova degën që dëshiroja në Dortmund, nuk kam aplikuar në asnjë program studimi në Shqipëri”, shprehet Anxhela.

Universitete bosh

Por përpos rinisë që i ka sytë në vendet e Bashkimit Europian dhe në perëndim, emigracioni masiv dhe plakja e popullsisë ka sjellë një pasojë të dukshme, mbylljen e shumë degëve dhe rrezikimin e shumë programeve të tjera akademike, një fenomen që parashikohet të bëhet akoma më dramatik  në pesë vjeçarin e ardhshëm.

Ministria e Arsimit ka vendosur që për këtë vit të hap dyert e universiteteve për të gjithë nxënësit që nuk arrijnë dot të kapin degën e përzgjedhur brenda 3 raundeve të regjistrimit, duke shtuar një raund të 4, ku në bazë të kuotave të paplotësuara që kanë universitetet, maturantët mund të regjistrohen pa garë ku të dëshirojnë.

Ekspertja e Arsimit Dr. Valbona Nathanaili, tregon për “Sinjalizo” arsyet që sipas saj kanë ndikuar në uljen e numrit të studentëve në universitetet shqiptare. Nathanaili rendit tre arsye, sipas rëndësisë: tregu i punës, procesi i stërgjatë e demotivues i pranimit në universitetet shqiptare dhe cilësinë e arsimit.

“Një treg pune kaotik dhe i paqëndrueshëm, i varfër në mundësi dhe shpërblim, i fokusuar kryesisht në shërbime dhe i paaftë të rritet e të jetë i larmishëm, pa industri e qendra kërkimore-shkencore, nuk mund të kënaqë një rini me ëndrra dhe ambicien për më shumë”,- thotë Nathanaili duke shtuar se çdo profesion i ushtruar në Shqipëri shpërblehet shumë herë më pak krahasuar me vendet e tjera të Europës ndërkohë që jeta shtrenjtohet përditë e më shumë.

“Sa i takon cilësisë së shkollimit që ofrohet në universitetet publike, mund të filloja me grevën e pedagogëve këtë mes shtatori për rritje pagash dhe mjafton. Kemi filluar të flasim për “universitetin 4.0”, por në Shqipëri, me hatër, universiteteve publike nuk u jep dot më shumë se 1.5!”- përfundon ajo.

Universitetet e rretheve në krizë

Përfaqësuesi i sindikatës së Arsimit, Isa Halilaj tregon se rënia e numrit të nxënësve është evidentuar që në arsimin parauniversitar, në kryeqytet edhe në rrethe.

“Një ndër arsyet e uljes së numrit të studentëve është largimi i të rinjve nga Shqipëria duke tentuar të ndjekim studimet në shtete të tjera. Një tjetër arsye mendoj se janë universitetet private. Gjithashtu janë edhe degët e mësuesisë që shënojnë një ulje kërkese, nuk janë më të preferuara”, shprehet Halilaj.

Universitetet me numër më të ulët regjistrimesh të cilat paraqiten problematike për shkak të kërkesave të ulëta të studentëve deri më tani, janë universitetet e rretheve.

Universiteti “Eqerem Çabej” i Gjirokastrës, i ndjekur nga Universiteti “Fan S. Noli” në Korçë dhe “Aleksandër Xhuvani” në Elbasan, shënojnë numrin më të ulët të regjistrimeve në raundin e parë të aplikimeve të maturantëve në vend në kuadër të kuotave që disponojnë për këtë vit të ri akademik 2022-2023. Me një numër të papërfillshëm regjistrimesh një pjesë e programeve mësimore në këto universitete ende nuk plotësojnë një numër minimal prej 5 studentësh të regjistruar për degë.

Tabelë e krijuar nga “Sinjalizo”, raundi i parë i regjistrimeve të ciklit të parë të studimeve në universitetet publike në vend

Universiteti i Gjirokastrës

Me vetem 32% të kuotave të zëna, universiteti i Gjirokastrës shënon një numër të ulët regjistrimesh në pjesën më të madhe të programeve mësimore. Degët e mësuesisë rezultojnë me një numër të papërfillshëm regjistrimesh, ku kryeson Gjuha dhe Letërsia Shqipe me vetëm 1 regjistrim, e ndjekur nga Histori-Gjeografia me 2 regjistrime dhe Biologji-Kimia me 3 regjistrime.

Në këtë universitet, dega më e preferuar rezulton të jetë Infermieria e Përgjithshme me 57 regjistrime që në raundin e parë, nga 70 kuota që disponon në total ky program mësimor.

Universiteti i Korçës

Universiteti “Fan S. Noli” në Korçë disponon në total 1117 kuota dhe vetëm 422 maturantë janë regjistruar në raundin e parë të aplikimeve, pra vetëm 37% e kuotave është plotësuar deri më tani.

Në këtë universitet degët me më pak kërkesa rezultojnë të jetë ato të mësuesisë dhe programet e fakultetit të bujqësisë. Një pjesë e mirë e këtyre degëve rezultojnë vetëm me 3-6 regjistrime.

Ajo çfarë vihet re në këtë universitet është kërkesa më e lartë në disa programe kuotat e të cilave janë plotësuar që në raundin e parë. Bëhet fjalë për Infermierinë e Përgjithshme, Maminë dhe programi Edukim Fizik dhe Sporte.

Rektori i Universitetit “Fan S. Noli” në Korçë, Dhimiter Bello tregon për “Sinjalizo” se universitetet e rretheve tërheqin më së shumti kontigjent brenda qarkut.

“Programet më të kërkuara në Universitetin e Korçës janë Infermieria, Mamia, Financë Kontabilitet, Edukimi Fizik dhe Sporte. Ndërsa më pak të kërkuara janë të gjithë programet e fakultetit të bujqësisë ndonëse ky universitet është themeluar në bazë të Institutit të Lartë Bujqësor që ka qenë dikur, dhe programet e mësuesisë siç është gjuhë-letërsi, gjeografi, përjashto anglishten e cila i realizon gjithmonë kuotat e saj. Në programet e mësuesisë ka pasur rreth 4-5 kërkesa për program studimi, pra nuk arrijnë as deri te 10.  Më keq është matematikë-fizika që nuk ka asnjë regjistrim, pasi edhe 3 regjistrime që kishim u çregjistruan”, u shpreh rektori Bello.

Universiteti i Elbasanit

Një tjetër universitet i cili rezulton me numër të ulët regjistrimesh është ai i Elbasanit. Konkretisht në raundin e parë rezultojnë 924 regjistrime nga 2386 kuota që disponon në total universiteti “Aleksandër Xhuvani”.

Edhe në këtë universitet degët më problematike figurojnë ato të mësuesisë, ku në përfundim të raundit të parë programet mësimore si Gjuhë Shqipe dhe Letërsi, Histori dhe Gjeografi, Gazetari, Biologji-Kimi dhe Gjuhë Gjermane kanë një numër të papërfillshëm regjistrimesh 1-5 studentë për degë. Pra nga 166 kuota në total që disponojnë programet e sipërpërmendura, janë plotësuar në raundin e parë vetëm 7 kuota.

Sërish edhe në këtë universitet kërkesat më të lartë shihen drejt programeve mjekësore, si infermieria, mamia, fizioterapia etj.

Universiteti i Shkodrës

Në universitetin “Luigj Gurakuqi” në Shkodër, situata e regjistrimeve në raundin e parë figuron me shifra më të larta ku janë plotësuar rreth 45% e kuotave. Konkretisht në përfundim të raundit të parë nga 1660 kuota në total që disponon ky universitet janë regjistruar 749 studentë.

Zv. Rektorja e Universitetit të Shkodrës, Paulina Hoti tregon për “Sinjalizo” se numri i aplikantëve për këtë universitet ka qenë i lartë, teksa thekson se preferencat më të larta kanë qenë drejt programeve të shkencave mjekësore.

“Sipas të dhënave lidhur me numrin e aplikimeve në USH, ka patur një numër të lartë preferencash për programet e studimit që ofron Universiteti i Shkodres “Luigj Gurakuqi”, mbi 6500 aplikantë për një numër kuotash rreth 1500 për të gjitha programet e ciklit të parë të studimeve. Numri i regjistrimeve ka pak a shumë të njëjtin trend me regjistrimet në universitetet e tjera publike. Disa programe janë më shumë të preferuara, p.sh programet e shkencave mjekësore apo ato ekonomisë”, deklaroi zv. Rektorja Hoti.

Situata në kryeqytet

Raundi i parë i regjistrimeve për ciklin e parë të studimeve Bachelor në universitetet publike në kryeqytet paraqitet me shifra më optimiste në krahasim me universitetet publike në qytetet e tjera të vendit. Ndonëse numri i maturantëve aplikues këtë vit të ri shkollor 2022-2023 është rreth 21 mijë, një shifër që shënohet më e ulët se një vit më parë, universitetet kryesore ruajnë përgjithësisht të njëjtin trend përsa i përket preferencave të të rinjve drejt programeve studimore. Edhe këtë vit në raundin e parë vihet re një kërkesë e lartë drejt programeve të mjekësisë, të inxhinierisë si dhe degët ekonomike.

Rektori i Universitetit të Tiranës, Artan Hoxha, tregon për “Sinjalizo” se janë rreth 15 mijë aplikime ose 67.3% e nxënësve të cilët kanë aplikuar në programet e Universitetit të Tiranës.

“Në raundin e parë, ne kemi regjistruar rreth 60% të aplikantëve. Për këtë vit të ri shkollor degët më të kërkuara në UT janë Drejtësia, degët e Ekonomikut. Te Shkencat Natyrore degët më të kërkuara janë Shkencat Informatike, te Shkencat Sociale është Psikologjia, te Gjuhët e Huaja është Anglishtja dhe Frëngjishtja, te Histori-Filologjiku është me regjistrim të lartë dega Gjuhë-Letërsi”.

Më tej rektori i UT shprehet se ka besim që nuk do të ketë programe mësimore që rrezikojnë pezullimin, ndonëse edhe në këtë universitet disa prej degëve figurojnë me regjistrime të ulëta në raundin e parë.

“Degët me më pak regjistrime, pra të paregjistruar për fazën e parë kemi në gjuhën Ruse dhe në gjuhën Greke ku u regjistruan 3 nxënës por u çregjistruan sërish. Gjithashtu kemi pak regjistrime te Fizika te Shkencat e Natyrës, ndërkohë Shkencat Sociale janë mirë përgjithsisht, kanë kapur 60% në raundin e pare”.

Pranë sekretariatit të Fakultetit të Histori-Filologjisë në Universitetin e Tiranës na vendosin në dispozicion të dhënat rreth aplikimeve dhe regjistrimeve në raundin e parë për programet mësimore të këtij fakulteti. Mësojmë se janë rreth 4000 aplikantë që dëshirojnë të ndjekin studimet në këtë fakultet.

“Kemi një realizim rreth 50% të kuotave deri më tani që ka përfunduar faza e parë e aplikimeve. Pra, më konkretisht, janë plotësuar rreth 50% e kuotave në degët Gjuhë-Letërsi, kemi një realizim të kënaqshëm për degët Gazetari dhe Gjeografi dhe diçka më dobët paraqitet drejtimi Arkeologji dhe Histori me rreth 20 regjistrime secila. Në këto degë kemi pasur të njëjtën dinamikë si në çdo vit, vetëm Historia ka pak rënie. Por duke u bazuar në vitet që kemi lënë pas, mendoj se nuk do të ketë problematika pasi kemi përmbyllur vetëm fazën e parë të regjistrimeve”, tregojnë për “Sinjalizo” përfaqësues të sekretariatit të Fakultetit të Histori-Filologjisë në UT.

Profesoreshë Drita Rira, zv. dekane në Fakultetin e Gjuhëve të Huaja shprehet për “Sinjalizo” se degët që kanë pasur më shumë kërkesa janë Anglishtja dhe gjuha Gjermane. Sipas saj, këto mbeten gjuhët më të kërkuara edhe për shkak të gjendjes gjeopolitike.

“Përderisa tregu ndërkombëtar ka ndikim në arsimin parauniversitar ne dëgjojmë lajme që shkollat po mbyllen. Rënia e numrit të popullsisë, emigrimi që jo gjithnjë është për arsye ekonomike, pra, bota po bëhet edhe më e hapur. Kështu që, është në interesin e gjithëkujt që të shkojë e të kthehet. Ashtu siç kemi dhe kërkesa në master që na vijnë nga fëmijë emigrantësh, që e kanë kaluar statusin e emigrantit, që janë integruar dhe që duan të kthehen në Shqipëri për të vazhduar studimet e tyre”.

Kalendari i aplikimit universitar 2022

Degët e mësuesisë rrezikojnë pezullimin

Në një takim të zhvilluar me maturantë të shkollave të kryeqytetit, në fund të vitit shkollor 2021-2022, Ministrja e Arsimit dhe Sportit, znj. Kushi, shpalli disa programe studimi në Arsimin e Lartë publik si prioritet kombëtar dhe të gjithë maturantët me mesatare minimumi 8.5 që zgjidhnin një prej tyre, përfitonin një mbështetje financiare rreth 320 mijë lekë të vjetra. Në përfundim të raundit të parë të parë të regjistrimeve në universitete vihet re se bursa e ofruar nuk i ka joshur studentët që të zgjedhin degët prioritare të shpallura nga qeveria. Nga rezultatet e marra për raundin e parë vihet re se disa prej programeve të mësuesisë kanë regjistrime tejet të ulëta, duke përjashtuar gjuhën angleze.

E pyetur si e vlerëson një nismë të tillë, ekspertja e arsimit Dr. Valbona Nathanaili shprehet se pritshmëritë janë që një politikë e tillë të rezultojë e dështuar. Sipas saj, shqetësimi kryesor është se me këtë politikë arsimore, edhe pas dy e tre vitesh do të marrim të njëjtin rezultat.

“Me një skemë të tillë, ashensori social mbetet në katin zero, nuk funksionon. Ekselentët rrallë gjenden jashtë modeleve të paracaktuara sociale: prindër intelektualë dhe mjedis inkurajues. Përgjithësisht prindër të tillë zgjedhin t’i shkollojnë fëmijët jashtë. T’u ofrosh 30,000 lekë në muaj në këmbim të rregjistrimit të fëmijëve të tyre në programe shumë specifikë studimi në universitet publike shqiptare, ndërkohë që kanë paguar dyfishin e trefishin për edukim, për pesëmbëdhjetë vjet rresht, që kur i kanë rregjistruar për herë të parë në çerdhe e kopshte private është pak të thuash që po rreh ujë në havan”, deklaron ekspertja, ndërsa tregon se në turet që kanë realizuar në kuadër të ditëve të zhvillimit të karrierës, në shumë qytete të vendit, jo më shumë se dy deri në tre maturantë për çdo qytet shprehnin dëshirën për të vazhduar për mësuesi.

Nathanaili shton se kërkesat drejt degëve të mësuesisë vijnë gjithnjë duke u zvogëluar, me rrezik mbylljen, duke marrë shembullin e fizikës dhe matematikës. Sipas saj, shumë shpejt nuk do të diplomojmë mësues në këto profile duke renditur disa arsye:

Rreziku i pezullimit të disa programeve të mësuesisë, arsyet e renditura nga ekspertja e arsimit Dr. Valbona Nathanaili

Përfaqësuesi i sindikatës së Arsimit, Isa Halilaj shprehet se degët e mësuesisë kanë mungesë kërkese nga rinia, sepse mësuesia nuk shikohet më si një profesion i dëshiruar pasi nuk i siguron të mirat materiale kur dalin në tregun e punës.

“Vetë mësuesit nuk i dërgojnë më fëmijët e tyre për të ndjekur studimet për mësuesi. Kjo vjen pasi rrogat e mësuesve janë të ulëta, profesioni i arsimit duhet të bëhet i pëlqyeshëm,”-  thotë ai duke shtuar se për të nisur punën si mësues duhet të realizosh pas studimeve praktikën, të presësh një vit për marrjen e licensës dhe më pas të presësh sërisht në përzgjedhjen si mësues në portal”,- dhe si përfundim merr një pagesë mujore prej 500 mijë lekësh të vjetra”,- përfundon Halilaj.

Rektori i Universitetit “Fan S. Noli” në Korçë, Dhimiter Bello tregon se të rinjtë ende nuk janë ndërgjegjësuar rreth asaj çfarë ofrojnë programet prioritare.

“Këtë vit kishim edhe programet prioritare por nuk është kuptuar në kohë pavarësisht se ne u përpoqëm të sensibilizonim të rinjtë, nga një pjesë nuk është kuptuar mirë. Kush zgjidhte programet e mësuesisë dhe kishte një mesatare të mirë përfitonte një bursë rreth 300 mijë lekë të vjetra, e cila do ndihmonte studentët të përballonin edhe koston e studimit”, tregon Bello.

Teksa ndalet te vendimi i uljes së notës mesatares nga 7.5 në 6.5 për të gjithë maturantët që synojnë një profesion si përkthyes, psikolog, punonjës social, historian, gjeograf etj që përfshihen në degët e mësuesisë, rektori shprehet se deri më tani nuk ka pasur rritje kërkese drejt këtyre programeve.

Rektorati i Tiranës: Ka përmirësime

Ndërkohë rektori i Universitetit të Tiranës, Artan Hoxha veçon disa programe mësuesie që sipas tij kanë pasur përmirësim.

“Për degët e mësuesisë këtë vit ka një përmirësim që ndjehet te Shkencat Sociale, te Filologjiku dhe te Shkencat e Natyrës,”- thotë Hoxha, duke theksuar se çdo student me mesataren e gjimnazit mbi 8.5 që vazhdon një degë të mësuesisë ka të drejtën të marrë një bursë prej 320 mijë lekësh dhe tarifa e studimit mbulohet nga Këshilli i Ministrave.

A do të ketë përmirësim situata e krijuar në arsim?

Një pjesë e universiteteve në rrethe rrezikojnë pezullimin e disa prej programeve studimore. I pyetur rreth kësaj problematike rektori i Universitetit “Fan S. Noli” në Korçë, Dhimiter Bello tregon se si duhet vepruar për të përmirësiuar këtë situatë të krijuar.

“Programet e caktuara nuk mund të jenë në të gjitha universitetet, kjo është tejngopje e tregut. Duhet të ketë një gjeografi të caktuar. Për shembull nuk është e nevojshme që dega e Infermierisë të jetë në të gjitha universitetet, pasi ne vërtet nxjerrim shumë por shumica janë për tregun e jashtëm,”,-  thotë Bello, duke shtuar se duhet të ketë një shpërndarje gjeografike të programeve të studimit, sipas performancës së çdo universiteti.

Ndërkohë profesoreshë Drita Rira, zv. Dekane në Fakultetin e Gjuhëve të Huaja ndalet te mundësitë dhe bashkëpunimet me tregun ndërkombëtar që ofron ky fakultet për studentët e tyre, si një mënyrë për të përmirësuar dhe rritur numrin e regjistrimeve dhe kërkesave drejt gjuhëve të huaja.

“Çdo student që regjistrohet në Fakultetin e Gjuhëve të Huaja është përfitues i një numri shumë të madh marrëveshjesh të cilat janë lidhur nga Universiteti i Tiranës dhe nga përpjekje të bëra nga kolegë të departamenteve të ndryshëm, të fakultetit të Gjuhëve të Huaja. Pavarësisht mundësive që do t’u jepen maturantëve si në kuadrin e brendshëm, të zhvillimit të talenteve të tyre me bursat ndërkombetare, doja të theksoja që të studiosh një gjuhë të huaj është në themel të ndërmjetësimit”, shprehet zv.dekania e Fakultetit të Gjuhëve të Huaja në Universitetin e Tiranë.

What's your reaction?
0Smile0Lol0Wow0Love0Sad0Angry

Leave a comment

Qendra Shqiptare për Gazetari Cilësore
Rruga Pjetër Budi, 69

Tiranë, ALBANIA


Telefon: +355 (0) 6 8856 3686
Email: info@acqj.al

Investigative Network Albania

Teksti zyrtar është versioni në shqip i faqes së internetit. Kjo faqe përdor përkthim automatik përmes mjeteve të inteligjencës artificiale. Pavarësisht se ky përkthim është i një cilësie të lartë, rastis që të ketë dhe gabime dhe keqkuptime në kontekstin e produkteve. Duke qenë se është një teknologji e cila përmirësohet me kalimin e kohës, shpresojmë të qendroni me ne ndërkohë që perfeksionojmë këtë shërbim.

Copyright © 2023 Giljana Limani.  All Rights Reserved.

Copyright © 2023 Giljana Limani.  All Rights Reserved.