UT, 160 milionë lekë për një sistem që nuk funksionon. Studentët, pa akses në të dhënat digjitale

Autor: Elsa Dautaj

Universiteti i Tiranës ka instaluar që prej vitit 2012 sistemin informatik me të dhënat e studentëve, personelit akademik dhe administrativ të institucionit. Ky sistem duhet të ofronte për studentët një sërë shërbimesh online, si regjistrimi në provime, publikimi i notave, regjistrimi për provimet e mbartura apo ato për përmirësim, llogaritja e mesatares dhe e krediteve.

Sistemi ka bërë të mundur administrimin elektronik të studentëve, menaxhimin e punës së sekretarive arsimore, burimeve njerëzore dhe financës për 6 fakultete, Fakultetin e Ekonomisë, Drejtësisë, Shkencave të Natyrës, Gjuhëve të Huaja, Shkencave Sociale dhe Fakultetin e Histori-Filologjisë. 

Ky progres kaq i madh, i cili e zhvendosi punën nga regjistrat manualë te sistemi i të dhënave online, ka funksionuar deri më 14 korrik 2017 dhe që prej kësaj date puna e sekretarive i është kthyer metodës manuale që është përdorur para vitit 2012.

Prej më shumë se tre vitesh Universiteti i Tiranës e ka vetëm në letër sistemin digjital të të dhënave dhe asnjë nga drejtuesit nuk e ka parë të arsyeshëm riparimin e tij. Mosfunksionimi i këtij sistemi ka sjellë pasoja të drejtpërdrejta për studentët, po ashtu dhe për sekretaritë e Universitetit të Tiranës.

Një përfaqësuese e një sekretarie mësimore, e cila nuk ka dashur të identifikohet, shprehet se “fluksi i studentëve është i jashtëzakonshëm; i jemi kthyer një metode manuale pune. Duhet të shohim regjistrat 100 herë.” Ajo tregon se “sezoni i vjeshtës është më i lodhshmi, sepse do përpunosh, kush ka kaluar dhe kush jo”.

Pavarësisht problematikës, me të cilën përballen sekretaritë, ngarkesën dhe gjithë volumin e punës për shkak të mosfunksionimit të sistemit të të dhënave digjitale prej më shumë se tre vitesh, në Universitetin e Tiranës nuk e shohin këtë si një problem që u ka penguar punën.

Koordinatorja për të Drejtën e Informimit për UT, Erolda Tarelli, shprehet se “mosfunksionimi i këtij sistemi nuk e ka penguar dhe ngadalësuar dhënien e informacionit për studentët për sa i përket notave, regjistrimit nëpër provime, krediteve etj.” Por realiteti paraqitet krejt ndryshe. Për drejtuesit e universitetit ky mund të mos jetë një problem parësor, por për studentët, po. Studentët ndihen të lodhur nga pritjet e gjata nëpër sekretari.

Ne kontaktuam shumë të rinj, të cilët, jo vetëm që ndjehen të penalizuar, por tregojnë probleme nga më të ndryshmet, me të cilat ata janë të detyruar të përballen, me kosto madje edhe për notat.

Një student, me inicialet G. H., tregon se pritja i shoqëron për çdo kërkesë që i drejtohet sekretarive. “Kërkohet një kohë pas shpalljes së notave që sekretaret t’i shkruajnë ato në regjistra dhe më pas, nëse të duhet një listë notash, do duhet të presësh dhe dy javë të tjera. Në fillimet e vitit akademik dhe në mbyllje të sezonit sekretaria është shumë pak funksionale, për shkak të angazhimeve të shumta që kanë me hedhjen manuale të notave të qindra studentëve”, – thotë ai.

Një tjetër studente, me të cilën ne biseduam, me iniciale S. T., na tha se për të marrë përgjigjen e notave pas sezonit të provimeve i duhet të udhëtojë nga Elbasani drejt Tiranës dhe, kur nuk arrin në kohë, iu drejtohet sekretarive, ku për të marrë përgjigje duhet të presë akoma.

“Pedagogu na lajmëron dhe duhet të shkojmë në fakultet për të marrë notën. Kjo gjë na penalizon, sidomos për studentët që vijnë nga rrethet, për më tepër që pedagogët lajmërojnë vetëm disa orë përpara. Këtë sezon, për shembull (mars 2020), nuk kam arritur t`i marr të gjitha notat, për shkak se isha në Elbasan. Duhet të shkoj në sekretari për të tërhequr notën. Pyeta dhe me thanë që notat nuk kanë kaluar në regjistra, kështu që duhet të pres.”

Studentja B. D., tregon që mosfunksionimi i këtij sistemi shkakton shumë stres, pasi i duhet të përplaset shumë shpesh te sekretaritë, kur ndonjëherë edhe konfrontohet me to.

“Kur funksiononte sistemi, e kontrollonim lehtësisht notën dhe mesataren tonë, nuk na duhej të përplaseshim me sekretaret për një notë. Tani duhet të takojmë, ose pedagogët në rastin më të mirë, ose sekretaret, të cilat mund të refuzojnë të përgjigjen dhe kthehen në një stres më vete”.

Studentët tregojnë se pas çdo sezoni sezoni provimesh rezultatet komunikohen nga pedagogët dhe afishohen në lista në një pjesë të dukshme në universitet, ku edhe leximi i rezultatit shkakton një konfuzion më vete për studentin G. H., i cili thotë se “të gjesh kodin tënd mes atyre qindra kodeve është disi e vështirë. E lexoj 100 herë kodin që të sigurohem dhe prapë kam pasiguri. Ka raste që kthehem 2-3 herë, pasi druaj se e kam lexuar gabim”.

Një nga arsyet pse studentët iu drejtohen sekretarive është se kërkojnë listë notash për të parë nëse ato janë reflektuar saktë, por nga kjo hedhje manuale e notave ndodh që mund të bëhen edhe gabime. G. H., na tregon eksperiencën që mund të hasin studentët. “Mund të ndodhë që pas çdo sezoni studentët të kërkojnë listë notash, sepse duan të shohin sesi janë hedhur ato, sepse ka nga ata studentë që kanë shkuar për rishikim të notës dhe kanë parë që mund të ketë pasur gabime në korrigjim dhe në këtë situatë ata duan të shohin sesi është hedhur nota në sistem, a janë reflektuar korrigjimet që ata kanë patur etj. Siç më ndodhi mua. Më kishin vendosur 8 dhe mora 9, sepse nuk më kishin llogaritur shumë pikë. Mund të duan t`i shohin notat thjesht për qejf, duan të shohin mesataren, a e kanë brenda pritshmërive të tyre ose janë studentë, të cilët synojnë mesataren për të përfituar bursë, prandaj edhe kërkohen listat e notave dhe në njëfarë mënyre është shumë e lodhshme për sekretaritë. Domethënë, në çdo sezon sekretaret, përpos hedhjes së notave, kanë për të nxjerrë edhe listat e notave, sepse pothuajse çdo student i kërkon”.

Studenti G. H., tregon se, edhe pse nuk ka qenë asnjëherë përdorues i sistemit digjital të të dhënave, në vitin 2018 është pajisur me një kod, i cili garantonte aksesimin e të dhënave personale si student në sistem. “Në momentin që u regjistrova në fakultet në shtatorin e vitit 2018, u pajisëm me një kod që supozohej se ishte kodi ynë personal që do të përdorej për të aksesuar të dhënat tona si studentë, notat tona dhe po ashtu regjistrimin për ri-dhënien e provimeve të mbartura apo për përmirësime, por, pasi provova të hyja, vura re që sistemi nuk punonte. I shqetësuar për faktin se mund të kishte ndodhur një gabim në regjistrimin tim, pyes disa studentë të fakultetit, të cilët më përgjigjen se edhe ata e kanë të pamundur të hyjnë në sistemin studentor. Pra, jo vetëm një problem personal, por i të gjithë studentëve të fakultetit tim”.

Duket sikur i gjithë projekti i sistemit digjital është realizuar për t`i dhënë studentëve një kod, të cilin nuk e përdorin asnjëherë, përveçse në sekretari, atje ku nuk duhej të shkonin, nëse sistemi do të funksiononte dhe për këtë nuk janë shpenzuar pak parà, por rreth një milion e gjysmë euro.

Ku qëndron konflikti me sistemin informatik

Ne iu drejtuam me një kërkesë për të drejtën e informimit znj. Erolda Tarelli, e cila na bëri me dije se, Universiteti i Tiranës, më datë 17 shkurt 2011, ka blerë sistemin informatik nga BNT Electronics sh. p. k., me vlerë 160.769.512 (njëqind e gjashtëdhjetë milionë e shtatëqind e gjashtëdhjetë e nëntë mijë e pesëqind e dymbëdhjetë) lekë (me TVSH).

Administratori i UT, Skerdi Dafa, sqaron se në muajin shkurt 2017 çelësat e dhomës së serverit janë marrë nga Rektori i UT-së.

“Nga verifikimi i dokumenteve në lidhje me këtë problematikë (dokumente që disponohen nga zyrat e strukturave në varësi të Administratorit, pasi për shkak të problematikave me Zyrën e Arshivës nuk na vihen në dispozicion dokumente nga arkivi i institucionit, me urdhër të Rektorit), rezulton se nga procesverbali Nr. 1, i datës 15.02.2017, i mbajtur midis Kancelarit të UT-së në atë periudhë, Robert Skënderi, Drejtoreshës së IT-së në atë periudhë, Suela Maxhelaku, si dhe Dorina Panaritit, Drejtoreshë e Burimeve Njerëzore, “çelësat e dhomës së serverit” kanë qenë te Rektori”, – shprehet z. Dafa, fakt që është pohuar edhe nga znj. Maxhelaku.

Më datë 12.04.2019, Rektori i Universitetit të Tiranës pezullohet nga detyra nga ministrja e Arsimit, Besa Shahini, me akuzën “Për shkak të shkeljeve të rënda të ligjit gjatë ushtrimit të detyrës”, bazuar në kontrollet e ushtruara në UT. Rektori i Universitetit shkeli kompetencat e tij, duke dashur të mbajë, jo vetëm kompetencat akademike, por edhe kompetencat administrative, të cilat me ligj nuk i takonin.

Edhe pse ligji ishte shkelur, tri javë më pas Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta, e rrëzoi pezullimin e Ministrisë së Arsimit duke e kthyer Rektorin e UT-së në detyrë. Këto përplasje politike mes qeverisë, rektorit dhe Presidencës nuk duhej t’iu interesonin studentëve, por, me sa shihet, ato kanë qenë edhe arsyet e dështimit të Universitetit të Tiranës që t’iu ofrojë të rinjve përveç të tjerave edhe lehtësitë më se normale të jetës studentore, aq më tepër kur jemi në erën digjitale.

Sipas një raporti që kemi siguruar nga Universiteti i Tiranës, rezulton se UT ka kërkuar ndihmën e Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit (AKSHI), për të kryer auditimin e sistemit informatik dhe për ta vënë në funksion sërish me anë të specialistëve. Sipas raportit, auditimi është ndërmarrë nga specialistët e AKSH-it në vitin 2019 dhe ka rezultuar i pasuksesshëm, sepse Drejtoria e Kërkimit Shkencor dhe IT-së në rektoratin e UT-së në varësi të drejtpërdrejtë të Rektorit të UT-së nuk iu vuri në dispozicion kredencialet e sistemit.

Administratori, Skerdi Dafa, sqaron se i është drejtuar kompanisë së mirëmbajtjes, e cila është treguar e gatshme të mundësojë fjalëkalimet dhe kredencialet e sistemit dhe më pas i janë drejtuar sërish AKSHI-t më datë 16.04.2020 për kthimin e grupit të auditimit.

Universitetet e tjera publike në Shqipëri, si Universiteti Bujqësor i Tiranës, Universiteti i Elbasanit, Universiteti i Vlorës etj., kanë një sistem online, nga ku mund të marrin shërbime, të cilat deri në vitin 2017 i ofronte edhe Universiteti i Tiranës.

Mungesa e sistemit informatik ka krijuar një ngërç të madh në mbarëvajtjen e punës në sekretaritë arsimore dhe është kthyer në një stres të pazgjidhshëm për studentet e fakulteteve në UT.

Ndërsa Universiteti i Tiranës pret që të hapë vitin e ri akademik, deri në momentin kur është shkruar ky artikull studentët ende nuk kanë akses online në sistemin e tyre të të dhënave.

What's your reaction?
0Smile0Lol0Wow0Love0Sad0Angry
Qendra Shqiptare për Gazetari Cilësore
Rruga Pjetër Budi, 69

Tiranë, ALBANIA


Telefon: +355 (0) 6 8856 3686
Email: info@acqj.al

Investigative Network Albania

Teksti zyrtar është versioni në shqip i faqes së internetit. Kjo faqe përdor përkthim automatik përmes mjeteve të inteligjencës artificiale. Pavarësisht se ky përkthim është i një cilësie të lartë, rastis që të ketë dhe gabime dhe keqkuptime në kontekstin e produkteve. Duke qenë se është një teknologji e cila përmirësohet me kalimin e kohës, shpresojmë të qendroni me ne ndërkohë që perfeksionojmë këtë shërbim.

Copyright © 2024 Giljana Limani.  All Rights Reserved.

Copyright © 2024 Giljana Limani.  All Rights Reserved.

Newsletter