Denada Jushi
Në lindje të Shqipërisë, mes Librazhdit, Prrenjasit dhe kufirit me Maqedoninë e Veriut, Parku Kombëtar i Shebenikut shtrihet në një prej zonave më të pasura të vendit me pyje, burime ujore dhe biodiversitet. Fshatrat përreth kanë qenë tradicionalisht të lidhura me ujin, pyjet, bujqësinë dhe blegtorinë, ndërsa statusi i mbrojtur i zonës kërkon një nivel më të lartë kujdesi ndaj ndërhyrjeve që mund të prekin këto burime.
Pjesa më e madhe e rrjetit ujor të masivit të Shebenik–Jabllanicës i përket pellgut të Shkumbinit. Dy prej lumenjve kryesorë janë Qarrishta, e cila përmes Rrapunit përfundon në Shkumbin, dhe Bushtrica, që derdhet drejtpërdrejt në të. Në këtë sistem përfshihen edhe Luniku, Gjuraj dhe një numër rrjedhash më të vogla që zbresin nga shpatet e masivit.
Pikërisht mbi këtë rrjet ujor janë zhvilluar ndër vite disa projekte hidroenergjetike. Mes tyre janë HEC Gizavesh, HEC Steblevë, HEC Qarrishtë dhe HEC-et Rrapun 1 dhe 2; vepra hidroenergjitike për të cilat vetë Agjencia Kombëtare e Mjedisit i përgjigjet ACQJ që në dosjen përkatëse nuk ndodhen Vlerësimet e Ndikimit në Mjedis. Prania e hidrocentraleve në park dhe në pellgjet ujore përreth tij ka ngritur prej vitesh pikëpyetje për përdorimin e ujit, respektimin e lejeve, ndikimin mbi habitatet dhe pasojat për komunitetet që varen nga këto rrjedha.
Në qendër të kësaj marrëdhënieje mes hidrocentraleve dhe lumenjve qëndron një tregues thelbësor: rrjedha ekologjike.

Në terma të thjeshtë, ajo është sasia e ujit që duhet të mbetet në një lumë edhe pasi një pjesë e prurjes merret apo devijohet, në mënyrë që lumi të vazhdojë të funksionojë si ekosistem. Në një zonë të mbrojtur, ruajtja e kësaj rrjedhe merr një rëndësi edhe më të madhe, pasi ndërhyrjet në ujë ndikojnë drejtpërdrejt te habitatet dhe biodiversiteti që statusi i parkut synon të mbrojë.
Por dokumentet dhe përgjigjet zyrtare të siguruara tregojnë një sistem të fragmentuar. Përgjegjësitë ndahen mes disa institucioneve, monitorimi në terren mbetet i kufizuar, ndërsa të dhënat për prurjet, respektimin e rrjedhës ekologjike dhe ndikimin e disa hidrocentraleve mbi të njëjtin sistem ujor nuk janë gjithmonë lehtësisht të aksesueshme.
Në qendër të kësaj historie qëndron, për rrjedhojë, një pyetje e thjeshtë: kush sigurohet që lumi të mos mbetet pa ujin që i nevojitet për të jetuar?
Eksperti i mjedisit Erjon Kalaja thotë se rrjedha ekologjike nuk duhet parë thjesht si një sasi uji që lihet në shtratin e lumit.
“Lumi nuk përbëhet vetëm nga uji. Ai përfshin energjinë e rrjedhës, sedimentet, gjallesat ujore dhe bimësinë përreth. Nëse i merret një sasi e konsiderueshme uji, një lumë mund të vazhdojë të duket si lumë, por nuk do të jetë më një ekosistem i gjallë”, shpjegon Kalaja.
Sipas tij, shenjat e para të ndryshimit të një rrjedhe mund të dallohen edhe pa matje të specializuara: pakësimi i dukshëm i ujit, mungesa e gjallesave apo sedimenteve, turbullira e pazakontë ose, në të kundërt, një transparencë jonormale e ujit, si dhe erozioni i shtratit dhe brigjeve.
Në lumenjtë malorë, veçanërisht në zona të mbrojtura, ndryshime të tilla mund të grumbullohen me kalimin e viteve. Kur një pjesë e ujit futet në tubacione për prodhimin e energjisë dhe prurjet natyrore bien gjatë muajve të thatë, presioni mbi ekosistemin rritet edhe më shumë.
Sipas Kalajës, pikërisht këtu qëndron një nga problemet e mënyrës se si trajtohet rrjedha ekologjike në Shqipëri: ajo nuk mund të reduktohet vetëm në një formulë matematikore. Çdo lumë ka karakteristikat e veta, prurjet, sedimentet, habitatet dhe gjallesat që varen prej tij, dhe për këtë arsye vlerësimi duhet të marrë parasysh funksionimin e të gjithë ekosistemit.
Ligji ekziston, zbatimi mbetet i fragmentuar
Në legjislacionin shqiptar, rrjedha ekologjike përcaktohet duke marrë si pikë reference prurjet minimale të regjistruara në periudha shumëvjeçare. Por, sipas ekspertëve të intervistuar, pikërisht këtu nis një nga problemet: një minimum i regjistruar në kushte të jashtëzakonshme thatësire mund të kthehet në standard për funksionimin normal të lumit.
Eksperti i mjedisit Erjon Kalaja argumenton se një qasje e tillë rrezikon ta vendosë ekosistemin në një gjendje të përhershme stresi.
“Nëse një lumë është vënë në vështirësi nga faktorë natyrorë dhe ne e përdorim atë nivel minimal si standard të përhershëm për rrjedhën ekologjike, atëherë praktikisht po planifikojmë tkurrjen graduale të jetës në atë lumë”, thotë ai.
Çështja merr një peshë edhe më të madhe në kuadër të përafrimit të Shqipërisë me legjislacionin e Bashkimit Europian. Direktiva Kuadër e Ujit kërkon menaxhim të integruar të trupave ujorë dhe synon ruajtjen ose arritjen e një gjendjeje të mirë ekologjike. Këto standarde janë pjesë edhe e detyrimeve që lidhen me Kapitullin 27 të negociatave për anëtarësim, që mbulon mjedisin dhe ndryshimet klimatike.
Në praktikë, megjithatë, kontrolli i ujërave mbetet i ndarë mes disa institucioneve. Të dhënat mbi prurjet dhe përdorimin e ujit nuk janë gjithmonë të përqendruara në një sistem të vetëm, ndërsa një pjesë e informacionit për funksionimin e hidrocentraleve mbështetet në raportimet që vetë operatorët u dorëzojnë institucioneve.
Në Parkun Kombëtar të Shebenikut ekziston edhe një tjetër ndërlikim: koha kur janë miratuar projektet.
Neni 16 i ligjit nr. 81/2017 “Për zonat e mbrojtura” ndalon në parqet kombëtare ndërtimin e infrastrukturës për prodhimin e energjisë, përfshirë hidrocentralet. Por disa prej koncesioneve dhe miratimeve në zonën e Shebenikut janë dhënë përpara hyrjes në fuqi të këtij ligji. Dokumentet për Rrapun 1 dhe Rrapun 2, për shembull, e çojnë koncesionin në vitin 2008, ndërsa një vendim territorial për projektet daton në vitin 2009.
Kjo e zhvendos pyetjen nga fakti nëse një hidrocentral i tillë do të lejohej sot, te një çështje më e ndërlikuar: çfarë statusi kanë projektet e miratuara më herët dhe, mbi të gjitha, si kontrollohen sot ndikimet e tyre në një territor që ndërkohë i nënshtrohet një regjimi më të fortë mbrojtjeje?
Avokatja Irena Dule e sheh problemin që në fazën e vendimmarrjes. Sipas saj, debati nuk është nëse hidrocentralet e vegjël duhet të ekzistojnë si burim energjie, por nëse pasojat e tyre mjedisore shqyrtohen realisht përpara se një projekt të marrë dritën jeshile.
“Si shumë shpesh në legjislacionin shqiptar ndodh që qeveria miraton akte pa u konsultuar dhe pa parë në 360 gradë problemin që mund të sjellë një rregullim i një sektori”, thotë Dule.
Sipas saj, një nga pikat më problematike është procesi i Vlerësimit të Ndikimit në Mjedis, i cili në praktikë rrezikon të shndërrohet nga instrument vendimmarrjeje në formalitet administrativ.
“VNM-ja bëhet sa për sy e faqe. Leja jepet paraprakisht ose premtohet të jepet dhe çdo gjë që bëhet më pas është në formë qoke, si ‘hajde qepim dosjen’”, shprehet Dule.
Probleme të ngjashme janë ngritur edhe për mënyrën se si informohen komunitetet. Gazetari Artan Rama, i cili ka ndjekur prej vitesh konfliktet për hidrocentralet në këtë zonë, thotë se në disa raste konsultimi ka ardhur pasi vendimmarrja ishte kryer.
“Shpesh ka ndodhur që komuniteti të jetë njoftuar shumë kohë pasi janë dhënë lejet. Komuniteti është njoftuar pasi lejet kanë qenë dhënë dhe kjo ka ulur mundësinë e reagimit. Shpesh ato që quhen ‘dëgjesa publike’ janë kryer formalisht. Komuniteti nuk ka qenë i informuar dhe nuk e ka kuptuar se si mund të reagonte.”
Presioni mbi rrjetin ujor të Shebenikut nuk është i ri. Eksperti i mjedisit Olsi Nika thotë se që në vitet 2013–2014 organizatat mjedisore kishin evidentuar plane për më shumë se 44 hidrocentrale brenda parkut dhe në rrjetin hidrografik të lidhur me pellgun e Shkumbinit, përfshirë rrjedhat e Rrapunit, Dragostunjës, Rrafqavicës dhe përrenj të tjerë.
Një vlerësim tjetër i publikuar nga Ekolëvizja në vitin 2013 e paraqiste presionin në një shkallë edhe më të gjerë. Organizata raportonte 84 leje ose koncesione për hidrocentrale në zonën e Librazhdit dhe vlerësonte se rreth 75 për qind e tyre preknin Parkun Shebenik–Jabllanicë. Shifra nuk është një total zyrtar i certifikuar dhe i referohet zonës më të gjerë të Librazhdit, jo vetëm territorit fizik të parkut.
“Një pjesë e hidrocentraleve u ndërtuan, edhe pse pati rezistencë, revoltë dhe protesta jo vetëm të banorëve, por edhe të organizatave”, thotë Nika.
Ai veçon veçanërisht Rrapun 3 dhe Rrapun 4, të cilët, sipas tij, kanë fragmentuar rrjedhën e lumit dhe kanë lënë segmente të shtratit me shumë pak ose pa ujë. Ndikimi, thotë ai, nuk kufizohet vetëm te ekosistemi.
Në fshatra si Dorëz dhe Togëz, uji është përdorur tradicionalisht për konsum, ujitje, kopshte, bagëti dhe mullinj. Devijimi i tij drejt hidrocentraleve ndryshon jo vetëm kushtet e habitatit, por edhe mënyrën se si komunitetet përdorin lumin.

“Fauna dhe flora që ndodhen në ujë janë të parat që e vuajnë. Makrovertebrorët, peshqit, shpendët dhe në raste të caktuara edhe gjitarët si lundërza, që janë të lidhur ngushtë me ujin”, shpjegon Nika.
Sipas tij, një digë ose një segment lumi i devijuar mund të ndërpresë atë që ai e përshkruan si një “autostradë natyrore” për gjallesat ujore. Trofta, për shembull, duhet të lëvizë drejt pjesëve të sipërme të lumit për t’u shumuar; kur vazhdimësia e rrjedhës ndërpritet, ndërpritet edhe ky cikël.
Ndryshimet nuk janë vetëm të dukshme në sasinë e ujit. Devijimi dhe reduktimi i prurjeve mund të ndikojnë edhe në temperaturën, turbullirën dhe oksigjenimin e ujit, parametra që përcaktojnë nëse një lumë vazhdon të funksionojë si habitat.
Në këtë pikë, pyetja nuk është më vetëm nëse hidrocentralet kanë leje. Është nëse sistemi që i ka lejuar dhe që sot i mbikëqyr është në gjendje të tregojë, me matje dhe kontrolle të verifikueshme, se lumi po merr ende ujin që i duhet për të mbijetuar.
Pesë HEC-e apo asnjë? Kufiri që ndryshon përgjigjen
Sa hidrocentrale operojnë brenda Parkut Kombëtar të Shebenikut?
Përgjigjja varet nga institucioni që pyet.
Eksperti i mjedisit Erjon Kalaja thotë se në territorin e lidhur me parkun operojnë pesë hidrocentrale të licencuara, me ndikime që shtrihen si në ekosistemin e mbrojtur, ashtu edhe në rrjedhat poshtë tij.
Agjencia Kombëtare e Burimeve Natyrore jep një tjetër përgjigje. Sipas AKBN-së, aktualisht brenda kufirit zyrtar të Parkut Kombëtar të Shebenikut nuk ka asnjë hidrocentral apo objekt koncesionar aktiv në prodhim. Projekti “Sheja e Librazhdit”, i parashikuar brenda parkut, nuk u përfundua dhe kontrata koncesionare u zgjidh në vitin 2018.
Por e njëjta përgjigje rendit disa hidrocentrale që operojnë në zonat përreth parkut: Rrapun 1–2, Rrapun 3–4 dhe HEC-e në rrjedhën e përroit Sheja e Hotolishtit. Një tjetër projekt mbi Zallin e Qarrishtës, sipas AKBN-së, nuk ka nisur ndërtimin.
Kjo ndarje mes “brenda parkut” dhe “jashtë parkut” është e rëndësishme për administratën, por shumë më pak e qartë për një lumë.
Rrjedhat ujore nuk ndalen në kufirin e vizatuar të një zone të mbrojtur. Uji i marrë në një pikë, i futur në tunel apo tubacion dhe i rikthyer disa kilometra më poshtë mund të ndikojë një segment të tërë lumi, edhe kur centrali fizik ndodhet jashtë vijës administrative të parkut.
“Thuhet se HEC-et janë jashtë parkut, por kjo nuk ka kuptim”, thotë Bashkim Koçi, teknik pyjesh në pension nga Gizaveshi.
Për këtë arsye, vendndodhja e një hidrocentrali nuk mund të përcaktohet vetëm nga koordinata e godinës së centralit. Për të kuptuar ndikimin real duhet të shihen së bashku pika ku merret uji, segmenti i devijuar, tubacioni ose tuneli, centrali dhe pika ku uji rikthehet në shtratin e lumit.
Dosja e lejeve të ujit e zgjeron edhe më shumë këtë pamje. Në basenin e Shkumbinit shfaqen jo vetëm Rrapun 1–2 dhe Rrapun 3/3A/4, por edhe projekte në Gurshpat, Dragostunjë, Stravaj, Lunik, Orenjë dhe rrjedha të tjera. Pyetja ekologjike, për rrjedhojë, nuk është vetëm nëse një HEC ndodhet disa metra brenda ose jashtë parkut, por sa rrjedhë e lirë mbetet në të gjithë sistemin pas ndërhyrjeve të njëpasnjëshme.
Ky është ajo që ekspertët e quajnë ndikim kumulativ: ndërhyrje që, të vlerësuara veçmas, mund të duken të kufizuara, por që së bashku ndryshojnë funksionimin e një lumi.
Një shkelje e konstatuar, por pa sanksion nga institucioni që e gjeti
Përgjigjja e AKBN-së përmban edhe një tjetër element të rëndësishëm.
Institucioni pranon se gjatë monitorimeve janë konstatuar raste të mosrespektimit të rrjedhës ekologjike në HEC Rrapun 1–2.
Por AKBN sqaron se nuk ka kompetencë të vendosë masa ndëshkuese. Konstatimet, sipas saj, i janë përcjellë Autoritetit Kontraktor për veprime të mëtejshme.
Pra, institucioni teknik evidenton problemin, por përgjegjësia për masën kalon te një tjetër institucion.
Dokumentet tregojnë ndërkohë se vlerësimet institucionale ndryshojnë edhe në kohë.
Në qershor 2026, Agjencia e Menaxhimit të Burimeve Ujore informoi se operatorët e HEC Gizavesh, Steblevë, Qarrishtë dhe Rrapun 1–2 dispononin leje për përdorimin e burimeve ujore dhe se verifikimet më të fundit nuk kishin evidentuar shkelje të kushteve të rrjedhës ekologjike.
Dy konstatimet nuk përjashtojnë domosdoshmërisht njëri-tjetrin. Ato mund t’u referohen periudhave të ndryshme, kontrolleve të ndryshme dhe metodave të ndryshme të verifikimit.
Por për të kuptuar se çfarë ka ndodhur realisht me lumin mungon elementi më i rëndësishëm: seria e matjeve.
Sa ujë kishte lumi në momentin e kontrollit? Sa u devijua drejt hidrocentralit? Sa mbeti në shtrat? Ku dhe kur u krye matja?
Pa këto të dhëna, formulimi “nuk u konstatuan shkelje” nuk lejon një verifikim të pavarur.
Për të paktën dy hidrocentrale, dokumentet përcaktojnë pragje konkrete. Dokumentacioni mjedisor për HEC Steblevë përcakton një rrjedhë ekologjike prej 243 litrash në sekondë në pikën VM1, në Zallin e Bardhë. Leja e përdorimit të ujit për HEC Qarrishtë, e vitit 2022, përcakton një rrjedhë ekologjike prej 25 litrash në sekondë.
Këto shifra mund të kontrollohen. Por vetëm nëse ekzistojnë dhe bëhen publike matjet e kryera gjatë operimit.
Kush e mat ujin?
Në teori, kushtet mjedisore dhe lejet përcaktojnë parametrat që duhet të respektohen gjatë funksionimit të një hidrocentrali. Në praktikë, një pjesë e monitorimit mbështetet në raportet që përgatitin vetë operatorët.
Erjon Kalaja thotë se këto raporte dorëzohen periodikisht, por problemi është se nuk ka gjithmonë informacion të qartë se sa prej tyre kontrollohen në terren.
“Një nga sfidat kryesore të institucioneve shqiptare mbetet pikërisht ndjekja dhe verifikimi i këtyre raporteve të vetëmonitorimit”, thotë ai.
Raportet mjedisore depozitohen pranë institucioneve përgjegjëse, ndërsa inspektimet dhe masat administrative ndahen mes disa strukturave. Pikërisht në këtë ndarje kompetencash shfaqen boshllëqet.
Inspektorati Kombëtar i Mbrojtjes së Territorit, për shembull, thotë se Parku Kombëtar i Shebenikut monitorohet kryesisht nga AKZM dhe Administrata Rajonale e Zonave të Mbrojtura dhe se IKMT ndërhyn kur merr njoftim ose referim prej tyre.

Sipas përgjigjes zyrtare të IKMT-së, gjatë periudhës 2018–2026 nuk ka pasur asnjë kërkesë nga AKZM ose ADZM për bashkëpunim apo ndërhyrje në park në zbatim të legjislacionit për mbrojtjen e mjedisit.
Nga ana tjetër, Agjencia Kombëtare e Zonave të Mbrojtura deklaron se Parku Kombëtar i Shebenikut menaxhohet mbi bazën e një plani të miratuar në vitin 2018 dhe se gjatë periudhës 2018–2025 janë kryer gjithsej gjashtë kontrolle në terren lidhur me aktivitetet e hidrocentraleve në park dhe zonat përreth.
Në shtatë vjet, kjo përkthehet në më pak se një kontroll në vit.
AKZM thotë se nga këto kontrolle nuk rezultojnë raste të ndërprerjes së plotë ose të mosrespektimit të rrjedhës ekologjike brenda territorit të parkut. Institucioni shton se nuk ka dhënë vetë leje apo autorizime për ndërhyrje në burimet ujore dhe se hidrocentralet ekzistuese janë pajisur me dokumentacion përpara krijimit të AKZM-së dhe përpara hyrjes në fuqi të legjislacionit aktual për zonat e mbrojtura.
Kjo ngre një pyetje që nuk lidhet vetëm me të shkuarën: kush i rivlerëson sot ndikimet e projekteve të miratuara nën një regjim tjetër ligjor?
Dhe një tjetër: a mjaftojnë gjashtë kontrolle në shtatë vjet për të garantuar respektimin e rrjedhës ekologjike në një sistem ujor të ekspozuar ndaj disa hidrocentraleve?
“Nuk kemi ankesa”
Bashkia Librazhd thotë se administrimi i lumenjve dhe përrenjve brenda parkut nuk është në kompetencën e saj dhe e orienton informacionin drejt Administratës së Zonave të Mbrojtura Elbasan.
Bashkia deklaron gjithashtu se nuk ka marrë ankesa nga banorët për mungesë uji për vaditje apo tharje lumenjsh në zonë.
Një përgjigje të ngjashme jep edhe Bashkia Prrenjas, e cila thotë se nuk ka marrë ankesa për mungesë uji ose tharje lumenjsh në territorin e parkut.
Por mungesa e një ankese të regjistruar administrativisht nuk është e njëjtë me mungesën e shqetësimit në terren.
Bashkim Koçi, i cili thotë se ka punuar për 25 vjet si teknik pyjesh në zonën e Gizaveshit, e krahason lumin e sotëm me atë që ka njohur disa dekada më parë.
“Në vitin 1977 ishim aty ushtarë, në Rrapun. Vinte ambasadori francez dhe gjuante troftë me grep. Edhe Demir Hyska, që ka qenë aktori i madh i Elbasanit, vinte aty. Domethënë, kishte ujë gjatë gjithë vitit. Ndërsa tani ujin që marrin aty e çojnë përsëri dhe e fusin në HEC-in tjetër matanë, në Zallin e Qarrishtës. Nuk e lënë të paktën të shkojë në rrjedhë të lirë dhe të bashkohet me Shkumbinin. Kjo është ajo që më bën më shumë përshtypje. Pasi e marrin HEC-et ujin atje, lumi i Rrapunit thahet plotësisht deri te ura e trenit në Librazhd. Është gjynah. Nuk e di se si do të shkojë kjo punë.”
Kjo është dëshmi e një banori, jo matje hidrologjike. Por ajo tregon hendekun mes asaj që regjistrohet si “ankesë” dhe mënyrës se si ndryshimi i lumit perceptohet nga njerëzit që jetojnë pranë tij.
Lyto Alliu e lidh reduktimin e rrjedhës edhe me burimet ujore që përdorin banorët.
“Pastaj është edhe çështja e ujit të pijshëm. Kur lumi kalon në shtratin e vet, ai ushqen dhe freskon damarët nëntokësorë të ujit. Kur rrjedha pakësohet, fatkeqësisht pakësohen edhe burimet e ujit të pijshëm.”
Edhe kjo mbetet një dëshmi që kërkon krahasim me të dhëna hidrologjike dhe hidrogeologjike. Por është pikërisht ky lloj krahasimi që vështirësohet kur të dhënat e plota nuk janë publike ose nuk mblidhen në mënyrë të vazhdueshme.
“Një nga problematikat më serioze është se njerëzit mësohen me humbjen dhe, në shumë raste, me vdekjen graduale të lumenjve”, thotë Kalaja.
Të dhënat që mungojnë
Për të përcaktuar rrjedhën ekologjike duhet të dihet fillimisht sa ujë ka lumi.
Të dhënat hidrometrike administrohen nga institucionet përgjegjëse për monitorimin e ujërave, por ekspertët e intervistuar thonë se rrjeti i stacioneve matëse është reduktuar krahasuar me periudhën para viteve ’90 dhe se të dhënat e viteve të fundit nuk janë gjithmonë lehtësisht të aksesueshme.
Për pasojë, në dokumentacionin teknik mund të përdoren edhe seri historike.
Avokatja Irena Dule thotë se kjo bëhet veçanërisht problematike kur një Vlerësim i Ndikimit në Mjedis duhet të mbështetet në gjendjen reale të një lumi.
“Këtë duhet ta matësh në një periudhë kohore prej një viti, sepse duhet të shohësh ditën me më shumë reshje. Ka një metodologji të vetën se si matet kjo rrjedhë. Kur mungojnë të dhënat zyrtare, kjo gjë do të prodhohet dhe prodhimi i tyre është formal dhe nuk korrespondon me realitetin”, thotë Dule.
Edhe AKBN pranon se nuk disponon të dhënat teknike për prurjet dhe sasitë e ujit të lejuara për shfrytëzim, pasi ato administrohen nga institucionet që japin lejet për përdorimin e burimeve ujore.
Kështu, institucioni që ndjek anën energjetike nuk administron domosdoshmërisht të dhënat kryesore hidrologjike. Institucioni i zonave të mbrojtura thotë se nuk ka dhënë lejet e ujit. IKMT thotë se nuk ka marrë referime. Bashkitë thonë se nuk kanë kompetencë ose ankesa.
Përgjegjësia ndahet mes disa dyerve.
Lejet tregojnë minimumin, por jo gjithmonë si është llogaritur
Dokumentet e siguruara nga AMBU nxjerrin në pah një nga problemet kryesore të vërejtura: ligji kërkon që çdo hidrocentral të lërë në shtratin natyror të lumit një rrjedhë minimale ekologjike, por për disa nga projektet e analizuara nuk është e qartë se mbi çfarë të dhënash është përcaktuar kjo sasi dhe si verifikohet sot respektimi i saj.
Ligji përcakton se rrjedha ekologjike nuk mund të jetë më e vogël se Q355, një tregues që llogaritet mbi bazën e prurjeve ditore të lumit. Për të kontrolluar nëse ky kufi respektohet duhen, të paktën, studimi hidrologjik, seria e prurjeve dhe vetë vlera e Q355.
Për HEC Gizavesh, leja e vitit 2024 përcakton një prurje mesatare vjetore prej 3.28 m³/s dhe një rrjedhë ekologjike prej 0.53 m³/s, rreth 16 për qind e mesatares. Por dokumentacioni i vënë në dispozicion jep vetëm shifrën përfundimtare, pa treguar metodologjinë dhe të dhënat mbi të cilat është llogaritur.
Te HEC Qarrishtë, diferenca është edhe më e fortë. Prurja mesatare vjetore është përcaktuar në 420 litra në sekondë, ndërsa rrjedha ekologjike në vetëm 25 litra në sekondë, ose rreth 5.95 për qind të mesatares. Kjo nuk do të thotë automatikisht se leja shkel ligjin, pasi kriteri ligjor nuk është një përqindje fikse, por Q355. Megjithatë, pa vlerën e Q355 dhe pa studimin hidrologjik, nuk mund të kontrollohet në mënyrë të pavarur nëse 25 litra në sekondë janë vërtet minimumi i ligjshëm për këtë lumë.
Për HEC Steblevë, dokumentet e vitit 2008 të vëna në dispozicion nuk përmbajnë vlera të plota për prurjen mesatare, rrjedhën ekologjike apo sasinë e ujit të autorizuar për shfrytëzim. Për Rrapun 1–2 dokumentet përmbajnë të dhëna për prurjet, por nuk përcaktojnë një vlerë të qartë të rrjedhës ekologjike.
Kjo nuk do të thotë se këto hidrocentrale janë sot të përjashtuara nga detyrimi për të lënë ujë në lumë. Ligji aktual e vendos këtë detyrim për çdo përdorues të ujit.
Por pikërisht këtu lind pyetja që dokumentet nuk e zgjidhin: me çfarë vlere konkrete kontrollohen sot HEC-et e licencuara përpara se rrjedha ekologjike të përcaktohej qartë në legjislacion?
Kjo pyetje bëhet edhe më e rëndësishme për Rrapun 1–2, ku AKBN ka raportuar raste të mëparshme të mosrespektimit të rrjedhës ekologjike, ndërsa AMBU thotë se kontrollet më të fundit nuk kanë evidentuar shkelje.
Për të kuptuar se cila tablo është e saktë, nuk mjafton përfundimi “u respektua” ose “nuk u respektua”. Duhen matjet: sa ishte prurja e lumit, sa ujë mori hidrocentrali, sa mbeti në shtrat dhe me çfarë vlere ligjore u krahasua.
Ligji përcakton se lumi duhet të ketë një minimum uji. Por për disa prej HEC-eve të Shebenikut, dokumentet e siguruara nuk e bëjnë ende të mundur të verifikohet qartë se si është përcaktuar ky minimum dhe si kontrollohet ai në terren.
Katër HEC-e dhe një boshllëk në dokumentacion
Një tjetër pikëpyetje del nga përgjigjja e Agjencisë Kombëtare të Mjedisit.
AKM konfirmon se ka kryer kontrolle në katër hidrocentrale që operojnë në zonën e Shebenikut: HEC Gizavesh, HEC Steblevë, HEC Qarrishtë dhe HEC Rrapun 1–2.
Institucioni thotë se respektimi i rrjedhës ekologjike është pjesë e inspektimeve të ujërave dhe se, kur evidentohen shkelje, ato duhet të pasqyrohen në aktet përfundimtare të kontrollit.
Por sipas verifikimit të AKM-së në sistemin e-leje, për këto projekte nuk rezultonin vendime të Vlerësimit të Ndikimit në Mjedis.
Kjo nuk provon se hidrocentralet kanë operuar domosdoshmërisht pa VNM. Disa prej projekteve janë më të vjetra se vetë sistemi elektronik dhe dokumente mjedisore mund të ekzistojnë në arkiva të tjera. Për HEC Steblevë, për shembull, ekziston dokumentacion mjedisor i indeksuar më vonë nga AKM, ndërsa licenca e prodhimit është më e hershme.
Problemi është pikërisht ky boshllëk kronologjik.
Çfarë dokumenti mjedisor ekzistonte kur secili projekt u miratua? Cili studim hidrologjik u përdor? Çfarë kushtesh u vendosën për rrjedhën ekologjike? Çfarë u kontrollua pasi hidrocentrali nisi prodhimin?
Mosgjetja e dokumenteve në një portal nuk është përgjigjja. Është arsye për të kërkuar dosjen e plotë.
Një HEC ushqen tjetrin
Rasti i Rrapunit tregon pse ndikimi kumulativ nuk mund të vlerësohet duke parë çdo projekt më vete.
Raportime të mëparshme në terren kanë dokumentuar prurje të pamjaftueshme poshtë Rrapun 1–2, probleme me kalimin e peshqve dhe lidhjen e ujit që del nga një skemë hidroenergjetike me Rrapun 3–4 më poshtë. Në disa segmente është raportuar një shtrat prej rreth 4.3–4.5 kilometrash me prurje shumë të ulët ose pothuajse pa ujë, si edhe konflikte me përdoruesit tradicionalë të ujit.
Këto janë gjetje historike, të cilat duhet të lexohen përballë deklarimit të AMBU-së se kontrollet më të fundit nuk kanë evidentuar shkelje.
Dallimin mund ta bëjnë vetëm matjet.
“Një gjë është ajo që deklarohet në dokumente dhe tjetër gjë është të bëhet kontrolli në terren për të parë nëse ajo që është deklaruar është respektuar”, thotë gazetari Artan Rama.
Në fund, kjo është edhe thelbi i debatit për rrjedhën ekologjike. Kur uji largohet nga shtrati dhe futet në tuba për kilometra të tëra, pyetja nuk është vetëm sa litra ujë kanë mbetur.
Një lumë transporton sedimente, oksigjenon ujin, lidh habitatet dhe u mundëson gjallesave të lëvizin përgjatë rrjedhës.
Siç e përmbledh Kalaja:
“Nuk ka jetë brenda tubave.”
Një dosje, shumë institucione
Për një banor që jeton pranë një hidrocentrali, të kuptojë se si është miratuar projekti, sa ujë lejohet të marrë dhe nëse respekton rrjedhën ekologjike nuk është një proces i thjeshtë.
Nuk ekziston një dosje e vetme ku të gjenden të gjitha këto të dhëna.
Licenca e prodhimit është te një institucion, leja e përdorimit të ujit te një tjetër, dokumentacioni mjedisor diku tjetër, kontrata koncesionare administrohet veçmas, ndërsa për projektet pranë zonave të mbrojtura shtohet edhe dokumentacioni i institucioneve që menaxhojnë parkun.
Rezultati është një histori administrative që duhet rindërtuar dokument pas dokumenti.
Për HEC Gizavesh, me fuqi 0.5 MW, dokumentet historike të Entit Rregullator të Energjisë identifikojnë “DOSKU-ENERGY” si subjekt të licencuar për prodhimin e energjisë, ndërsa regjistri i lejeve të ujit i AMBU-së, në qershor 2026, identifikon “Dardania Green Energy” si mbajtëse të lejes për përdorimin e burimit ujor. Nga dokumentet e siguruara nuk del qartë akti që lidh këto dy faza të projektit.
Për HEC Qarrishtë, historia nis me një impiant komunal prej 55 kW të ndërtuar në vitin 1968, i cili doli jashtë funksionimit në fund të viteve ’80. Objekti u shit në ankand në vitin 2017, ndërsa sot figuron si impiant me fuqi 0.30 MW dhe me leje aktuale uji të dhënë në vitin 2022.
Edhe për HEC Steblevë dokumentet kërkojnë rindërtim kronologjik: licenca e prodhimit daton në vitin 2009, ndërsa dosja mjedisore e gjetur në arkivin e AKM-së shfaqet në vitin 2018.
Këto mospërputhje nuk provojnë vetvetiu shkelje. Por ato tregojnë se për të kuptuar historinë e një HEC-i duhet të bashkohen dokumente të prodhuara në vite të ndryshme, nga institucione të ndryshme dhe në regjistra që jo gjithmonë lidhen mes tyre.
“Problemi është se çdo aspekt i një hidrocentrali mbikëqyret nga institucione të ndryshme. Nuk ekziston një pikë e vetme informacioni ku qytetari të mund të drejtohet dhe të gjejë të gjithë dokumentacionin e nevojshëm”, thotë Erjon Kalaja.
Sipas tij, edhe ekspertët detyrohen të mbështeten te kërkesat për të drejtën e informimit, njohjet profesionale, eksperienca në terren dhe burime të shpërndara. Shqipëria ka ndërmarrë hapa për krijimin e Kadastrës së Ujit pranë Agjencisë së Menaxhimit të Burimeve Ujore, por sistemi ende nuk ofron një pamje të plotë të ndërhyrjeve dhe lejeve mbi trupat ujore.
Problemi i aksesit në informacion ka përfunduar edhe në gjykatë.
Më 20 maj 2019, Gjykata Administrative e Tiranës vendosi në favor të gazetarit Artan Rama dhe urdhëroi Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë t’i vinte në dispozicion informacionin e kërkuar për hidrocentralet.
“Po. Marrja e informacionit është një betejë më vete”, thotë Rama.
Dhe, sipas tij, nuk mjafton që informacioni të jepet eventualisht.
“Kini parasysh se informacioni, nëse nuk jepet në kohë, e humbet vlerën dhe nuk ka më interes.”
Kjo është veçanërisht e rëndësishme për projektet mjedisore. Informacioni mbi një VNM, një dëgjesë publike, një leje uji apo një ndryshim në projekt ka vlerë për komunitetin përpara se ndërhyrja të kryhet, jo vetëm pasi ajo është bërë fakt.
Në rastin e Shebenikut, mungesa e një dosjeje të unifikuar e bën të vështirë jo vetëm kontrollin publik, por edhe verifikimin e një pyetjeje themelore: sa ujë lejohet të marrë një HEC, sa duhet të mbetet në lumë dhe kush e kontrollon këtë?
Kjo çështje lidhet drejtpërdrejt edhe me procesin e integrimit europian.
Direktiva Kuadër e Ujit kërkon që trupat ujorë të menaxhohen në shkallën e basenit dhe që gjendja e tyre ekologjike të mos përkeqësohet. Ndërkohë, politikat më të fundit europiane për restaurimin e natyrës po i japin gjithnjë e më shumë rëndësi rikthimit të lumenjve në gjendje sa më natyrore dhe heqjes së barrierave që nuk janë më të nevojshme.
Në këtë kontekst, pyetja për Shqipërinë nuk është vetëm sa hidrocentrale ka ndërtuar, por sa mirë është në gjendje të masë dhe të dokumentojë ndikimin e tyre mbi të njëjtin sistem lumor.
Sipas Kalasë, shumë hidrocentrale të vegjël të shpërndarë përgjatë një baseni mund të jenë më të vështirë për t’u kontrolluar sesa një vepër e vetme, sepse ndikimi i secilit mund të duket i kufizuar, ndërsa ndikimi i përbashkët bëhet i dukshëm vetëm kur lumi shihet si një sistem i vetëm.
Pikërisht këtu transparenca bëhet pjesë e mbrojtjes së lumit.
Nëse të dhënat për lejet, prurjet, monitorimet dhe kontrollet mbeten të shpërndara mes disa institucioneve, bëhet e vështirë të verifikohet nëse rrjedha ekologjike respektohet realisht. Rrjedha ekologjike ekziston si detyrim, por kontrolli publik mbi mënyrën se si zbatohet mbetet i fragmentuar.
Në fund, pyetja është e thjeshtë: sa ujë merr një hidrocentral, sa lë në lumë dhe kush mund ta provojë këtë me të dhëna të verifikueshme?/acqj.al