Ujë me bollëk, transparencë me pakicë: mes monitorimeve të mangëta dhe përgjegjësive të shpërndara

Në vitet 2010–2011, përmbytjet në veri detyruan mbi 12 mijë njerëz të largoheshin nga shtëpitë. Sot, KESH thotë se shkarkimet nga digat analizohen dhe bashkitë paralajmërohen, por nuk vuri në dispozicion analizat dhe shifrat e njoftimeve të kërkuara. Në pjesën tjetër të sistemit, shumë institucione dhe qindra monitorime të deklaruara nuk shoqërohen me një bilanc të plotë të shkeljeve teknike dhe masave përkatëse.

Ida Ismalaj

Shqipëria është ndër vendet më të pasura me burime ujore në rajon. Por, pas kësaj pasurie qëndron një pyetje shumë më e thjeshtë, së cilës institucionet nuk i japin gjithmonë një përgjigje të plotë: Sa ujë ka, kush e përdor dhe çfarë ndodh kur rregullat shkelen?

Përgjigjet dhe dokumentet zyrtare tregojnë një sistem të ndarë mes shumë institucionesh, ku të dhënat shpesh nuk takohen në të njëjtin vend. Në disa raste mungojnë shifrat bazë për përdoruesit dhe kontrollet. Në të tjera, analizat që do të lejonin verifikimin e vendimeve nuk u vunë në dispozicion.

Pasojat e një menaxhimi të dobët nuk janë abstrakte. Sipas Kontrollit të Lartë të Shtetit, Shqipëria ka humbur rreth 2.5 miliardë dollarë nga përmbytjet në tre dekada. Nga viti 1995 deri në vitin 2021, tetë përmbytje të mëdha prekën mbi 85 mijë hektarë dhe shkatërruan ose dëmtuan rreth 15 mijë banesa.

Në këtë sistem, KESH administron kaskadën e Drinit, AKBN monitoron kontratat dhe detyrimet teknike të hidrocentraleve, AKM mbikëqyr kushtet mjedisore, ndërsa AMBU administron Kadastrën Kombëtare të Burimeve Ujore dhe një pjesë qendrore të sistemit të lejeve dhe autorizimeve. Siguria e digave kontrollohet nga Komiteti Kombëtar i Digave të Mëdha.

Kompetencat, në letër janë të ndara, por gjurmimi i rezultatit është më i vështirë.

Një Kadastër që nuk tregon sa përdorues ka

Kadastra Kombëtare e Burimeve Ujore duhej të ishte vendi ku kjo tablo bashkohet. Projekti për krijimin e sistemit përfundoi në dhjetor 2016 dhe ligji kërkon që institucionet që prodhojnë të dhëna për burimet ujore t’i përcjellin ato për përditësimin e tij.

AMBU nuk i kryen vetë matjet e prurjeve ujore në rang vendi. Në përgjigjen e saj, Agjencia sqaron se monitorimi sasior i ujërave sipërfaqësore kryhet nga Instituti i Gjeoshkencave, ndërsa AMBU përdor të dhënat e prodhuara prej tij për planifikimin dhe menaxhimin e burimeve ujore.

Ndarja e punës mes institucioneve nuk është problemi. Problemi nis kur matjet e prurjeve, lejet e dhëna dhe përdorimi real nuk prodhojnë një bilanc të vetëm, nga i cili të kuptohet sa ujë është në dispozicion dhe sa është tashmë i alokuar.

Eksperti Erjon Kalaja thotë se pikërisht këtu qëndron një nga dobësitë kryesore të sistemit. Sipas tij, një menaxhim funksional duhet të dijë, në çdo basen, katër gjëra elementare, sa ujë ka realisht në dispozicion, sa nevojitet për ekosistemin, sa është tashmë i alokuar dhe sa mbetet për përdorime të reja?

“Shqipëria ka bërë pjesën më të madhe të ndërtimit institucional, por ende nuk ka arritur në një menaxhim të integruar të baseneve” shpjegon Kalaja. Sipas tij, monitorimi i prurjeve dhe i përdorimit mbetet minimal dhe jo i vazhdueshëm, ndërsa bazat e të dhënave të institucioneve nuk janë gjithmonë të harmonizuara me njëra-tjetrën.

AMBU thotë se mirëmban Regjistrin Kombëtar të Lejeve dhe Autorizimeve dhe se informacioni gjeohapësinor për lejet publikohet në gjeoportalin kombëtar të ASIG. Por, kur iu kërkua numri i përdoruesve aktivë të ujit në Kadastër dhe numri i rasteve të përdorimit pa regjistrim, Agjencia nuk dha shifra. Në përgjigjen fillestare tha se sistemi ishte në mirëmbajtje teknike.

Sistemi që duhet të shërbejë si inventari kombëtar i përdorimit të ujit nuk dha dot një të dhënë bazë: Sa përdorues aktivë figurojnë në të?

“Raste problematike” apo asnjë rast?

E njëjta paqartësi shfaqet te prurja ekologjike, sasia minimale e ujit që duhet të mbetet në rrjedhën natyrore për të ruajtur ekosistemin. Ligji kërkon që kjo sasi të mos llogaritet si pjesë e ujit të autorizuar për përdorim.

Në përgjigjen e parë, AMBU deklaroi se nga monitorimet periodike dhe verifikimet në terren ishin evidentuar “raste të veçanta problematike”, të cilat ishin trajtuar administrativisht dhe kur kishte qenë e nevojshme, ishin referuar pranë institucioneve përgjegjëse për marrjen e masave.

Pasi iu kërkua përsëri një përgjigje konkrete mbi numrin e rasteve të mosrespektimit të prurjes ekologjike, Agjencia dha një formulim tjetër. Në përgjigjen pasuese thuhet se “nuk janë evidentuar raste të problematikave në lidhje me garantimin e prurjes ekologjike”.

Dy përgjigje, dy tablo: në të parën ka raste problematike; në të dytën, asnjë. AMBU nuk dha numrin e monitorimeve, subjektet e kontrolluara apo metodologjinë e përdorur, të dhëna pa të cilat edhe një rezultat me zero shkelje mbetet i vështirë për t’u peshuar.

AMBU argumenton se veprat e marrjes së ujit janë verifikuar të jenë ndërtuar në mënyrë që elementi konstruktiv të garantojë prurjen ekologjike. Por, një vepër e projektuar për të lënë ujë në shtrat nuk tregon vetvetiu sa ujë kalon realisht aty gjatë vitit.

Sipas Kalasë, pikërisht matja reale është një nga hallkat e dobëta. Ai vëren se monitorimi i prurjes ekologjike në Shqipëri është shumë i kufizuar dhe se praktika moderne europiane kërkon një regjim sezonal të prurjeve, jo thjesht një minimum fiks të pandryshueshëm gjatë gjithë vitit.

AMBU thotë gjithashtu se ligji nuk vendos një detyrim të përgjithshëm që çdo përdorues t’i raportojë periodikisht Agjencisë sasinë faktike të ujit të marrë. Ka detyrime për kategori të caktuara, por jo një sistem unik raportimi për të gjithë përdoruesit.

Në këtë boshllëk, bilanci real mbetet i vështirë për t’u rindërtuar: AMBU nuk bën vetë matjet hidrologjike kombëtare dhe nuk merr nga çdo përdorues një raport të standardizuar për sasinë faktike të ujit të marrë.

KESH: Analizat ekzistojnë, por nuk u vunë në dispozicion

Në kaskadën e Drinit, problemi është më pak mungesa e rregullave dhe më shumë mundësia për të parë mbi çfarë të dhënash merret një vendim konkret.

KESH administron kaskadën dhe deklaron se shkarkimet e ujërave të tepërta kryhen në përputhje me Rregulloren e Shkarkimit të Plotave. Sipas Korporatës, rregullorja përcakton kohën dhe sasinë e shkarkimeve, ndërsa vendimmarrja bëhet në varësi të situatës sinoptike.

KESH thotë se shkarkimet janë “gjithmonë të kontrolluara” dhe produkt i një analize konkrete rast pas rasti. Sipas Korporatës, rezervuarët e Fierzës, Komanit dhe Vaut të Dejës bëjnë të mundur magazinimin e një pjese të prurjeve dhe reduktimin e intensitetit të tyre në zonën e Nënshkodrës.

Por, analizat konkrete nuk u vunë në dispozicion. KESH nuk paraqiti as dokumentacionin teknik për një vendim të caktuar për hapjen e portave, as studime specifike mbi ndikimin e shkarkimeve poshtë digave. Pa këto dokumente, deklarata se çdo rast analizohet individualisht mbetet e pakontrollueshme nga jashtë.

Kur iu kërkua të tregonte sa herë ishin njoftuar bashkitë para shkarkimeve, KESH shpjegoi se ka një Plan Gatishmërie për Emergjencat dhe se “gjithmonë” komunikohet me bashkitë kur parashikohet një situatë hidrike që mund të shkaktojë përmbytje. Korporata thotë se ka instaluar edhe sisteme alarmi për popullatën.

Në përgjigje mungonin megjithatë shifrat: Sa herë ishte aktivizuar mekanizmi, cilat bashki ishin njoftuar dhe sa kohë para shkarkimit ishte dhënë paralajmërimi.

KESH kundërshton gjithashtu narrativën që ia atribuon përmbytjet e Nënshkodrës operimit të kaskadës. Sipas saj, në zonë derdhen edhe Buna, Kiri, Gjadri dhe prurjet që vijnë nga pellgu i Liqenit të Shkodrës, ndërsa tre rezervuarët në Drin e reduktojnë sasinë dhe intensitetin e ujit që do të arrinte natyrshëm në ultësirë.

Historiku nuk e redukton përmbytjen në një shkak të vetëm. KLSH shënon se gjatë episodeve të viteve 2010-2011, prurjet e mëdha në Drin detyruan Fierzën, Komanin dhe Vaun e Dejës të hapnin portat. Rreth 14 mijë hektarë tokë dhe 1,200 godina u përfshinë nga uji, ndërsa mbi 12 mijë persona u evakuuan.

606 monitorime, por sa shkelje u ndëshkuan?

AKBN raporton një volum të lartë kontrollesh: 87 kontrata të monitoruara në vitin 2021, 115 në 2022, 107 në 2023, 121 në 2024 dhe 176 në 2025.

Në pesë vjet, janë 606 monitorime kontratash. E njëjta kontratë mund të jetë kontrolluar në më shumë se një vit, ndaj shifra nuk përfaqëson 606 hidrocentrale të ndryshme.

AKBN thotë se kur janë konstatuar mosrespektime të kushteve teknike, Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë është informuar dhe janë propozuar penalitetet e parashikuara në kontrata.

Pas ndryshimeve të vitit 2024, Agjencia mori edhe kompetenca për përllogaritjen dhe aplikimin e penaliteteve për kategori të caktuara të detyrimeve kontraktuale. Ajo raporton 172 penalitete, por sqaron se të gjitha lidhen me mosraportimin tremujor nga shoqëritë, jo me shkelje teknike apo dëme mjedisore.

Për shkeljet teknike, AKBN nuk dha një bilanc të përgjithshëm se sa raste u konstatuan, sa penalitete u propozuan apo u aplikuan, cilat kompani u prekën dhe sa masa u ekzekutuan.

AKM: Gjoba me emra, pa një bilanc kombëtar

AKM dha atë që mungonte në disa prej përgjigjeve të tjera, raste konkrete, emra kompanish dhe masa.

Në lumin Shkumbin, “GECI” sh.p.k. është gjobitur me 1 milion lekë dhe i është pezulluar aktiviteti për shfrytëzim inertesh pa lejen përkatëse. “ANK” sh.p.k. është gjobitur gjithashtu me 1 milion lekë për shfrytëzim dhe depozitim inertesh pa leje.

Në lumin Devoll, sipas përgjigjes së AKM-së, “Vëllezërit Hysa” është gjobitur me 2 milionë lekë për përdorim të burimit ujor dhe nxjerrje inertesh pa leje apo autorizim. Për “INFINERT+”, AKM raporton paralajmërim dhe detyrim për ndërprerjen e veprimtarisë pa leje.

Tri gjobat për të cilat jepet vlera arrijnë në të paktën 4 milionë lekë.

Por, nga këto raste nuk ndërtohet dot panorama kombëtare. AKM nuk dha numrin e përgjithshëm të subjekteve të kontrolluara, sa operatorë vetëraportojnë rregullisht, sa raporte vetëmonitorimi verifikohen në terren apo sa leje janë pezulluar.

Vetë Agjencia bën një dallim të rëndësishëm, verifikimet paraprake ose faktmbledhëse, kur nuk shndërrohen në inspektim formal, nuk konsiderohen procedurë inspektimi dhe nuk gjenerojnë të dhëna zyrtare të regjistruara apo statistikore.

Një pjesë e punës në terren, pra, mund të mbetet jashtë statistikave zyrtare. Kjo e bën edhe më të vështirë të matet jo vetëm sa kontrollohet, por çfarë prodhon kontrolli.

Eksperti i mjedisit Gëzim Shuli e sheh problemin përtej numrit të gjobave. Sipas tij, lumenjtë janë ndër pasuritë natyrore më të pambrojtura institucionalisht sepse përgjegjësitë janë të shpërndara dhe ndërhyrja shpesh vjen vetëm pasi dëmi është bërë.

Sipas Shulit, mungon një qasje parandaluese që të mbrojë biodiversitetin, komunitetet lokale dhe burimet natyrore.

“Ndërhyrjet në shtretërit e lumenjve, shkarkimet nga hidrocentralet, nxjerrja e inerteve apo ndotja shpesh trajtohen vetëm pasi dëmi është bërë. Kjo ka pasoja të drejtpërdrejta për biodiversitetin, pasi dëmtohen habitatet ujore, pengohet migrimi i peshqëve dhe ulet cilësia ekologjike e lumenjve. Po aq të prekura janë edhe komunitetet lokale, të cilat përballen me rritje të rrezikut nga përmbytjet, humbje të burimeve ujore dhe degradim të shërbimeve që lumenjtë ofrojnë për bujqësinë, turizmin dhe jetesën” thekson eksperti i mjedisit.

Kalaja e vendos hallkën e fundit te Inspektorati Kombëtar i Mbrojtjes së Territorit. Sipas tij, IKMT duhet të reagojë kur ka përdorim pa leje, tejkalim të kushteve të lejes së përdorimit apo ndotje: “Aktualisht IKMT nuk ka asnje procedurë ligjore apo operacionale që e lidh punën e saj me AMBU dhe AKM, duke e bërë të pamundur qoftë identifikimin e problematikave apo marrjen e masave administrative apo penale”.

Nga përgjigjet dhe dokumentet zyrtare nuk del sa referime kaluan te strukturat e inspektimit, sa prej tyre u kthyen në kontrolle dhe sa përfunduan me masa.

Digat: Boshllëqet janë në vetë raportet

Raporti vjetor 2024 i Komitetit Kombëtar të Digave të Mëdha jep një nga pamjet më të plota të problemit.

Shqipëria ka 351 diga të mëdha të administruara nga 67 operatorë, si dhe rreth 300 diga të vogla. Por, vetëm 40 nga 67 operatorët dorëzuan raportet vjetore të kërkuara, duke mbuluar rreth 225 diga të mëdha.

Më shumë se 25 diga të mëdha dhe rreth 90 të vogla rezultonin jashtë funksionit. Rreth 40% e bashkive që administrojnë diga të mëdha nuk kishin dorëzuar raportet vjetore dhe, për disa prej tyre, informacioni mungonte prej më shumë se dy vitesh.

Mangësitë nuk ndalen te raportimi. Komiteti evidenton mungesë dokumentacioni teknik dhe instrumentesh monitorimi, sidomos te digat e administruara nga pushteti vendor. Për pjesën dërrmuese të digave dhe rezervuarëve nuk ishte kryer vlerësimi i aseteve ose regjistrimi i plotë kadastral, rezervuarët e bashkive nuk rezultonin të regjistruar në Kadastrën e Ujit.

Në digat e përdorura për ujitje, peshkim, funksione urbane apo turistike, mungesa e instrumenteve të monitorimit është pothuajse e përgjithshme. Për rezervuarët e ujitjes dhe peshkimit, matjet e sedimenteve nuk ishin kryer prej më shumë se 20 vitesh, megjithëse kërkohet që ato të bëhen periodikisht.

Edhe fondet tregojnë hendekun mes planit dhe zbatimit, nga rreth 500 milionë lekë të vendosura në dispozicion për ndërhyrje emergjente në diga, raporti thotë se ishte përdorur vetëm rreth 10 për qind.

Asnjë prej këtyre të dhënave, e marrë veçmas, nuk provon një rrezik të menjëhershëm strukturor. Por, të marra së bashku, ato tregojnë një sistem ku mbikëqyrësi nuk merr rregullisht të gjithë informacionin, dokumentacionin dhe matjet që i duhen për të vlerësuar sigurinë, çka shpeshë ka çuar edhe në keqmenaxhim të situatave të emergjencave civile.

Shumë institucione, një tablo e paplotë

Në fund, të gjitha hallkat çojnë te i njëjti problem. Sipas Erjon Kalasë, Shqipëria nuk vuan për mungesë institucionesh, por për fragmentim të të dhënave dhe mungesë të një mekanizmi të integruar që t’i bëjë ato të punojnë mbi të njëjtën bazë informacioni.

Në një sistem funksional, IGJEO duhet të tregojë sa ujë ka, AMBU sa ujë alokohet dhe kujt, AKM çfarë cilësie dhe gjendjeje ekologjike ka ai ujë, ndërsa strukturat e inspektimit duhet të tregojnë çfarë ndodh kur rregullat shkelen. Sot, këto përgjigje shpesh gjenden në institucione të ndryshme, në formate të ndryshme dhe jo gjithmonë me të njëjtin nivel detaji.

Boshllëku merr forma konkrete. AMBU nuk dha numrin e përdoruesve aktivë në Kadastër dhe dha dy përgjigje të ndryshme për problematikat me prurjen ekologjike. KESH tha se vendimet për shkarkimet mbështeten në analiza, por analizat nuk u vunë në dispozicion. AKBN raportoi 606 monitorime, por jo sa shkelje teknike përfunduan me masa. AKM dha raste dhe gjoba, por jo një bilanc kombëtar. Ndërsa raporti i KKDM-së tregon se një pjesë e operatorëve të digave nuk dorëzon as informacionin bazë të kërkuar./acqj.al

Ky artikull u realizua me mbështetjen e Rrjetit të Gazetarisë për Mjedisin të Internews (Earth Journalism Network).