Autor: Ardit Hoxha, Diana Kruzman, Margaux Maxwell, Shelby Grebbin
Në lagunën Kune-Vain në veri të Shqipërisë, një relikte e zymtë zhytet në të shkuarën për të zbuluar një të ardhme edhe më të pasigurt. Bunkerë betoni që formojnë vijën bregdetare, të ndërtuar nga vendi i vogël i Ballkanit si strehë ndaj bombave në periudhën e komunizmit, për dekada kanë qëndruar si kujtesë e një regjimi të fortë totalitar, por vitet e fundit kanë filluar të zhduken – të përpirë një nga një nga vija bregdetare që çdo vit, duke përparuar, merr gjithmonë e më shumë tokë.
Vija bregdetare e lagunës së Kunes u formua kryesisht prej grumbullimit të sedimenteve nga lumi Drin, lumi më i gjatë në Shqipëri. Por, varësia e Shqipërisë nga hidrocentralet që gjenerojnë afro 100% të energjisë së vendit, ka sjellë ndërprerjen me diga të shumë lumenjve që rrjedhin në këtë breg, duke ngritur kështu shqetësime të mëdha. Sedimentet që grumbullohen pranë lumenjve, mbyllen brenda këtyre digave, duke mos mundur të ndjekin ujin në det dhe duke penguar kështu formimin e vijës bregdetare.
Një investigim dymujor nga Qendra Shqiptare për Gazetari Cilësore në bashkëpunim me Qendrën e New England-it për Raportimin Investigativ, në SHBA, zbuloi se vitet e fundit qeveria shqiptare ka aprovuar ndërtimin e qindra HEC-eve në vend, pavarësisht paralajmërimeve të kritikëve se këto hidrocentrale po përshpejtojnë erozionin në bregdet dhe po vendosin banorët e pambrojtur në rrezik.
Sipas Agjencisë Kombëtare të Burimeve Natyrore, qeveria shqiptare ka aprovuar ndërtimin e 338 HEC-eve ndërmjet viteve 2002 dhe 2017. Ambientalistët ende kanë frikë se projektet do t’i krijojnë vijës bregdetare dëme të konsiderueshme.
“Nëse bllokon transportin e sedimenteve në lumë, ato nuk mund të mbërrijnë në det dhe nuk mund të krijojnë ose të ruajnë balancën e nevojshme midis sedimenteve dhe erozionit”, – tha Olsi Nika, drejtor ekzekutiv i EcoAlbania-s, një organizatë joqeveritare e vendosur në Tiranë.
Në të njëjtën kohë, plazhi i Kunes dhe të tjerët përgjatë linjës bregdetare të vendit prej 362 kilometrash po kërcënohen gjithmonë e më shumë nga erozionet.
Bregdeti i Kunes ka humbur 400 metra që nga viti 2000, ndërkohë që rritja e nivelit të detit, shkaktuar nga ndryshimet klimatike, vizaton një imazh edhe më tronditës për të ardhmen.
Dhe, ndërsa vendi vazhdon të zgjerojë varësinë e tij në fuqinë e hidrocentraleve, ambientalistët po akuzojnë qeverinë se vlerëson më shumë fitimet se mbrojtjen e mjedisit, ndërkohë që nxisin me urgjencë Shqipërinë të diversifikojë burimet e energjisë.
Limitet ekologjike të hidrocentraleve
Për të gjeneruar energji, uji që rrjedh përgjatë një lumi kalon nëpër një turbinë të vendosur nën sipërfaqe. Lumi duhet të lëvizë me shpejtësi dhe volum të mjaftueshëm për të rrotulluar rotorin, në mënyrë që magnetet brenda gjeneratorit të turbinës të prodhojnë energjinë, që është konsideruar gjerësisht si një nga zgjidhjet energjitike më të pastra dhe me më pak kosto në të gjithë botën.
Burimet e bollshme ujore të Shqipërisë dhe vija e gjatë bregdetare përtej deteve Adriatik dhe Jon ka lejuar vendin e vogël europian që të mbështetet kryesisht në energjinë e hidrocentraleve si burim parësor energjitik, duke mbështetur në rrjedhat ujore të vendit rreth 98% të energjisë së tij, sipas Këshillit Shqiptar të Investimeve.
Por kjo formë e energjisë së rinovueshme ka ngritur edhe disa alarme.
“Ekosistemi i parë që do të preket nga ky proces janë lagunat bregdetare”, – tha Nika.
Edvin Pacara, drejtori ekzekutiv i Institutit të Politikave Mjedisore në Shqipëri, kujton një peizazh bregdetar shumë të ndryshëm nga ai aktuali në lagunën e Kunes.
“Më kujtohet 10 vite më parë, kur po ecja këtu dhe në të majtën time kisha një ndërtesë betoni, dhe rreth 100 metra në të djathtë bunkerë, ndërsa tani bunkerët janë zhdukur në det”, – tha Pacara.
Ambientalistët kanë fotografuar bregdetin që po tkurret, me shpresën se do të siguronin një grant që do të financonte kërkimin shkencor dhe monitorimin e zonës.
“Problemi është i shumëfishtë, – thotë Pacara. – Shkaku kryesor i erozionit është sigurisht ndryshimi klimatik, por një përqindje e tij e madhe po ndodh gjithashtu edhe për shkak të digave”.
Oqeanet në tokë janë rritur me një ritëm mesatar prej 3.2 mm në vit që nga viti 1993, sipas Administratës Kombëtare të Aeronautikës dhe Hapësirës, një agjenci e pavarur e qeverisë federale të Shteteve të Bashkuara, dhe parashikohet që baticat do të ngrihen edhe më shpejt, teksa temperaturat e larta do të çlirojnë ujin që deri tani mbahej në mbulesat e akullta polare. Por në tokë, prerja e lumenjve me diga për të krijuar HEC-et ka ulur rrjedhjen e gurëve të vegjël, rërës dhe zhavorrit nga malet te detet – që do të thotë se nuk ka asgjë që të mbajë bregun, ndërsa deti përparon.
Ndërkohë që financimet për kërkimet shkencore në këtë fushë kanë qenë të pakta në Shqipëri, shtete të tjera e kanë ndjerë ndikimin e digave në erozionet e bregut të detit. Në Greqinë e afërt, ndërtimi i dy digave të mëdha në lumin Nevor ka zvogëluar furnizimin e bregut me sedimente në masën 60%, sipas një studimi të vitit 2012 në publikimin Ekohidrologji dhe Hidrobiologji.
Një kërkim të përfitimit
Aktualisht nuk ka statistika të qëndrueshme se sa HEC-e të planifikuara dhe funksionale ekzistojnë në Shqipëri. Disa agjenci qeveritare dhe private ofrojnë të dhëna kontradiktore, por vlerësimi më i fundit – një raport i EcoAlbania-s në prillin e vitit 2017– numëron 44 HEC-e ekzistuese. Organizata joqeveritare thotë se qeveria ka dhënë koncesione për 114 HEC-e të tjera në vitin 2009 dhe 203 më shumë në vitin 2013.
“Koordinimi i institucioneve me rol dhe përgjegjësi në menaxhimin e burimeve natyrore është fragmentuar brenda disa institucioneve, – thekson një raport i vitit 2018 i Programit të Zhvillimit të Kombeve të Bashkuara (UNPD), në Shqipëri.
“Një databazë e konsoliduar mbi përdorimin e ujit, që të përfshijë vendndodhjen dhe statusin e HEC-eve, nuk është vendosur ende”.
Kjo mungesë e statistikave të koordinuara, rregullores dhe transparencës, pretendon UNDP, tregon se qeveria vlerëson përfitimet më shumë se mbrojtjen e mjedisit.
“Zhvillimi i HEC-eve është i udhëhequr fuqimisht nga kërkesa për energji dhe rritja e investimeve private, të mbështetura nga stimujt financiarë. HEC-et nuk janë të zhvilluara në bazë të një sistemi planifikimi të balancuar”, – deklaron një raport i UNDP.
Aktualisht, tri diga madhore në lumin Drin sigurojnë shumicën e elektricitetit në Shqipëri, duke prodhuar 1350 MW nga 1500 MW që është afërsisht kapaciteti operacional. Por qindra HEC-e të reja do të rrisnin kapacitetin total në të paktën 5000 MW, sipas një analize të EcoAlbania-s.
Kërkesa për energji në Shqipëri pritet të rritet me 60% në vitin 2020, sipas Shoqatës Ndërkombëtare të Hidrocentraleve, por vendi gjithashtu synon të shesë energjinë e tij në tregun europian, siç deklaroi ministri shqiptar i Infrastrukturës dhe Energjisë, Damian Gjiknuri, në mars të këtij viti.
Ministria e Energjisë dhe ajo e Turizmit dhe Mjedisit, përgjegjëse për aprovimin e licencave të hidrocentraleve dhe për vlerësimin e impaktit mjedisor, nuk iu përgjigjën kërkesave për koment, nëse korrupsioni ishte motiv në dhënien e dritës jeshile për këto hidrocentrale.
Planet për ndërtimin e hidrocentraleve të vogla u shtuan nën qeverisjen e ish-kryeministrit, Sali Berisha, i cili personalisht inauguroi një hidrocentral në vitin 2012.
“Çdo koment kundër hidrocentralit ka vetëm qëllime të këqija dhe lakmi cinike, e cila rrjedh nga interesat e ngushta partiake ose interesat e biznesit, – tha Berisha në atë kohë për Top Channel. – Unë ju garantoj se gara për koncesionin ishte dhe do të jetë një nga kapitujt më të rëndësishëm në historinë e tregut shqiptar, i cili do ta kthejë Shqipërinë në një superfuqi të vogël në rajon”.
Polemikat kanë ndjekur zhvillimet e shumë hidrocentraleve në vend.
Në vitin 2011, ish-kryeministri – dhe presidenti aktual – Ilir Meta u duk se u ngatërrua në një skandal korrupsioni që përfshinte një kasetë video, qëllimi i së cilës ishte ta shfaqte atë duke kërkuar që koncesioni t’i jepej një kompanie specifike në këmbim të ryshfetit. Ekspertët shqiptarë e denoncuan videon si false, ndërkohë që ekspertët britanikë dhe amerikanë deklaruan se video ishte autentike.
Si përfundim, Meta u shpall i pafajshëm, por aktivistë si Nika ende besojnë se ryshfetet luajnë një rol madhor në dhënien e koncesioneve të hidrocentraleve.
“Nuk ka mënyrë tjetër për të marrë energji që të dëmtojë mjedisin më shumë se sa hidrocentralet, – tha Nika. – Jam plotësisht i bindur për këtë”.
Të punosh kundër rrjedhës
Jo të gjithë ekspertët shqiptarë bien dakord se hidrocentralet kontribuojnë në erozionin e bregdetit. Disa zyrtarë, si Violeta Zuna, një menaxhere projektesh në Programin e Zhvillimit të Kombeve të Bashkuara, ia atribuon erozionin zhvillimit urban, shpyllëzimit dhe përdorimit të rërës për ndërtim më shumë se ndërtimit të pakontrolluar të hidrocentraleve.
Zuna udhëhoqi një fushatë 5-vjeçare në Shqipëri për mbrojtjen e biodiversitetit në zonat bregdetare, për të cilat ajo thotë se janë të kërcënuara nga zhdukja e vijës bregdetare.
“Për shkak se jemi një vend i varfër, njerëzit janë më të interesuar të shohin zhvillim dhe përfitime të shpejta, – tha Zuna. – Në mjedis, ti mbron natyrën dhe speciet për gjeneratat e ardhshme. Kjo do të thotë se nuk ka përfitim të menjëhershëm – kërkon më shumë kohë dhe nuk është përfitim i drejtpërdrejtë ekonomik”.
Por varësia e Shqipërisë nga hidrocentralet ka shkaktuar që tani probleme për disa banorë. Në dhjetor të vitit 2017, qeveria u detyrua të ndërtonte një strehim zëvendësues për njerëzit e zhvendosur nga ndërtimi i HEC-it të Moglicës, në qytezën e vogël të Maliqit në lindje të Shqipërisë. Ndërtimi i hidrocentralit shkaktoi përmbytje të mëdha. Komunitete të tjera, si ai afër Poçemit, po luftojnë në mënyrë aktive kompanitë e hidrocentraleve, pasi kanë frikë se ndërtimi i tyre do të sjellë përmbytjen e shtëpive dhe të mbjellave.
“Duhet të gjejmë një balancë mes zhvillimit ekonomik dhe mbrojtjes së mjedisit”, – tha Zuna.
Peshqit dhe speciet e tjera bregdetare janë gjithashtu në rrezik nga zhdukja e vijës bregdetare. Ministria shqiptare e Mjedisit – e cila në një dokument të vitit 2015 citon ndërtimin e digave si një nga kërcënimet për biodiversitetin e vendit – ka punuar me UNDP-në për të krijuar Zonat e Mbrojtura Detare, të cilat do të ruheshin të paprekura. Por këto zona nuk mund të ndalojnë ndikimin që ndërtimet në tokë kanë në bregdet.
“Zhvillimi i pabalancuar i hidrocentraleve pritet të rezultojë në pasoja të dëmshme, si humbja e habitateve dhe specieve të biodiversitetit, shpyllëzimi, pamjaftueshmëria e ujit dhe erozionet”, – thuhet në një raport të muajit shkurt nga UNDP në Shqipëri.
E ardhme e pasigurt
Për njerëzit që jetojnë përgjatë bregdetit erozion do të thotë që shtëpitë dhe mjetet e tyre të jetesës janë të kërcënuara. Peshkatarët në Kune nuk mund të sigurojnë aq shumë peshq sa kapnin dikur.
“Kemi shumë probleme, për shkak se nuk mundemi të gjejmë habitatet e peshqve, – tha një peshkatar lokal në Kune, i cili kërkoi që emri i tij të mos publikohej. – Në 10 vitet e fundit kemi pasur më pak peshq”.
E ardhmja e Shqipërisë si një shtet i mbështetur në fuqinë e hidrocentraleve është e pasigurt. Me klimën që po ndryshon, reshjet në vend pritet të bien me 30% deri në vitin 2040, sipas Nikës nga EcoAlbania, çka do ta bënte të vështirë gjenerimin e elektricitetit, në një kohë kur vendi do të kishte qindra hidrocentrale më shumë se sa ka tani.
“Nëse ka një ndryshim të tillë në klimë sa, për shembull, të pakësohen reshjet e shirave në zonën kryesore të lumit, atëherë do të kishte më pak rrjedhë uji, që do të thotë më pak kapacitet gjenerues”, – tha Dr. Donald R. Sadoway, profesor në Departamentin e Shkencave dhe Inxhinierisë Materiale në Institutin e Teknologjisë së Masaçusetsit.
Pacara, nga Instituti i Politikave Mjedisore, shpreson se vendi do të drejtohet te burimet e tjera të energjisë së rinovueshme, si energjia diellore apo e erës, në vend që të vazhdojë të ngulë këmbë te hidrocentralet.
Ndërkohë, erozionet e vazhdueshme, të shkaktuara nga aktiviteti njerëzor, nënkuptojnë se bunkerët që qëndrojnë në bregdetin e Kunes mund të përpihen plotësisht nga deti.
“Nëse deti përparon me 100 metra në vetëm 10 vite, mund të imagjinoni se çfarë do të ndodhë në 20 vite, – tha Pacara, duke treguar me gisht një dunë rëre. – Me shumë mundësi ky breg ranor do të zhduket”.
Fotoja në fillim të artikullit: Bunker i kohës së komunizmit, i zhytur në bregun e Kunes, e martë, 5 qershor 2018. Foto: Margaux Maxwell