Mos, as për dhjetë vjet nuk zgjidhet puna e Lanës!

Pas vonesash, qeveria përzuri kompaninë që ndërtonte impiantin e pastrimit të ujërave të Lanës. Tani, kompania e ka hedhur shtetin në gjyq në Londër dhe kjo e mban peng atë impiant.

Autor: Fjori Sinoruka, Joana Spaho

Uniforma livando, i thatë, i zeshkët, rreth të gjashtëdhjetave, ja bën me dorë Shefkiut të mos flasë, dhe afrohet ngadalë, sikur po i ngjitet malit. Shefkiu, pesëdhjetenjë-vjeçari me kanatiere dhe pantallona pune nga fshati ngjitur, merr nja tridhjetë metra në të majtë për në brendësi të këtij vendi të rrethuar me gardh, aty ku fillojnë valët e barit të zverdhur, dhe fillon prapë t’i presë me kosë.

Si edhe vendi në Dajt nga nis Lana, zona tani është teknikisht pjesë e Tiranës. Pjesa që është fushë torfe ka marrë emrin impianti i Kasharit, por emrat e vjetër këtu akoma nuk i thonë gjë qytetit siç mund t’i thotë Varri i Bamit, Burgu i Vjetër, Zogu i Zi, apo Kombinati, megjithëse sheshi i Kombinatit prej këtu s’i ka as dy kilometra. Matanë është Kodër-Mëzezi. Në kodrën nga perëndimi, viteve nëntëdhjetë janë vendosur tek-tuk familje kuksianësh dhe vendalinjtë e quajnë me ironi Dukagjin. Ky krah i kodrës nga lindja mban varrezat e Zaltës me xhami, një shtëpi dhe një hotelth që sheh nga këto njëzet e kusur hektarë të rrethuara me gardh teli—rradhë me vaska apo tuba cilindrike, kapanone betonarmeje.

Uniforma livando ecën shtruar, sikur do të fitojë kohë. Ka frikë se i rrëshqet gjë nga goja, por edhe kurioziteti sikur e ha nga sqetulla.

Pyesni tek ujësjellësi,” fillon. “Këtu nuk keni gjë. Do shkoni në Tiranë, do shkoni tek Drejtoria e Pëgjithshme e Ujësjellësit të Tiranës, ata do tregojnë pse këtu ka ndalur puna. Te Bashkia.

Bën një hap gjatë gardhit dhe distinktivi i varur në qafë i kthehet nga e mbara. Policia private Ndreu. Pas nja një çerek oreje, mbasi e nxjerr edhe një herë dufin për korrupsionin dhe grykësinë në vend, fillon t’i dalë dhe historia e vet. Me zanat në Skrapar ishte zooteknik, por i bëhen mbi dhjetë vjet në Yzberish me shtëpi. Vajzat, në shkollë apo të martuara. Vetë ai mbasditeve shëtit me gruan andej nga fusha e aviacionit, paraditeve vjen këtu. Ç’të bëjë? Mërzitet, por edhe pa punë s’rrihet.

Punë këtu filloi që kur u mbyll kantieri me urdhër të shtetit në verën e 2018-ës. Janë bërë punë, janë hapur kanale tek Pallati me shigjeta, kalojnë nëpër ato pusetat si ajo aty, dhe e tregon me dorë nga jashtë gardhit. Një pus me parete betoni, i rrethuar tashti nga kallama që ushqehen prej uji të murrmë.

Aty ku do pastrohej Lana, vaskat që nuk të lë njeri ti shohësh—nuk të lë njeri të shohësh asgjë brenda, por ama duken mirë në Google Maps dhe nga kodrat përballë—, disa ditë mbasi bie shi, thotë ai, ja bëjnë krrak-krrak zhabat.

Me të filluar dreka, televizionet nisin spektaklet mediatike të Erion Veliajt, kryetarit të Bashkisë, që thotë se projekti i trajtimit të ujërave të Lanës këtu do rifillojë së shpejti, dhe Lana do ketë ujë të pastër. Është qershor, fushatë elektorale, pas një jave janë zgjedhjet.

Por është duke dalë dhe shtatori dhe puna s’ka sy që të nisë.

Pjesë nga kantieri ku ndërtohej impianti i pastrimit të ujërave të zeza në Kashar. Punimet për ndërtimin e impiantit, i cili do pastronte një pjesë të ujit të Lanës, janë bllokuar prej mbi një viti. Foto QShGC.

Arbitrazh!

Kantieri i Impiantit të Trajtimit të Ujërave të Përdorura të Tiranës së Madhe, i cili deklarohej me eufori mediatike se do zgjidhte përfundimisht derdhjen e ujërave të zeza të qytetit në Lanë në 2016-ën, u bllokua nga Ministria e Infrastrukturës vjet në një ditë të nxehtë vere si kjo. Ajo sipërmarrje me dyqind e kusur njerëz në punë, që konsiderohej një nga 200 bizneset më të mëdha në vend, u fshi për dy javë. Firmat e ngarkuara të punonin në të u përzunë nga kantieri, i cili u vu në sekuestro. Kafeneja për punëtorët jashtë saj, e mbajtur nga një dibran, u zhduk pa lënë gjurmë.

Një audit i ministrisë i prillit të vjetshëm pretendon se janë harxhuar të gjitha fondet për gjysmën e punimeve. Por ashtu si Becchetti, italiani ekscentrik që po fiton arbitrazhe ndërkombëtare për mbylljen e sipërmarrjeve në Shqipëri, firma që punoi në të e ka çuar qeverinë në arbitrazh në Londër për anullim të paligjshëm kontrate.

“Mos, po shkoi dhe kjo në arbitrazh, as për dhjetë vjet nuk gjen zgjidhje problemi i Lanës,” thotë Taulant Zeneli, i cili e pati ndjekur si projekt në Ministrinë e Punëve Publike në faza të hershme.

Metropoli që derdh plehrat në lumë

Tirana i derdh ujërat e saj të zeza direkt në lumë. Nga jugu i Rrugës së Kavajës, nga qendra drejt ish-stacionit të trenit, ato derdhen në Lumin e Tiranës. Por pjesa më e madhe e qytetit, majtas apo djathtas Lanës, i hedh ato në të që prej kohës së komunizmit.

Se si ta ndreqje Lanën ka qenë gjithmonë gogol i administratave shtetërore. Nga fillimi i viteve nëntëdhjetë u propozua t’i vihej kapak, ose t’ia fusnin ujërat e zeza nën një tunel nën shtratin e betonit dhe të merrej ujë diku tjetër gjatë verës për të mos t’a lënë të thahet.

Asnjëra ide nuk eci sepse qyteti doli krejtësisht nga duart. Skarpatat e Lanës mizërinin nga restorante, dyqane dhe kafene, dhe përroi vetë, veç ujërave të zeza të Tiranës, mblidhte edhe plehrat e tyre. Në vitin 1996 pati shpërthim poliomeliti dhe u fol për episode të murtajës, sëmundjes që si epidemi e botës paramoderne i detyroi qendrat e banuara në perëndim të vinin në kontroll kanalizimet. “Lana e kapërcen dallimin leksikor mes lumit dhe kanalit të ujërave të zeza,” pati shkruar PJ O’Rourke, një satirist amerikan.

Kur u prishën ndërtimet në fillim të viteve 2000, u gjetën para nga Banka Botërore për të zgjidhur një pjesë të kanalizimeve. Në njërën anë të Lanës, atë të Shallvareve, u ndërtua një tubacion kolektor ku përfundonin kanalizimet e asaj pjese të Tiranës. Ai kolektor derdhet në lumë në fund të shtratit të betonit, tek Pallati me shigjeta. Por nga krahu tjetër, qyteti vazhdon t’i derdhë ujërat e zeza direkt në Lanë. Pallati me shigjeta, merr funksionet e fundit të zorrës tek gjitarët.

Projekti japonez

Përpjekja për të zgjidhur problemet e derdhjes së ujërave të zeza në mes të qytetit filloi diku nga fundi i viteve nëntëdhjetë. Si të gjitha gjërat që kushtojnë shumë, do bëhej me donacione të huaja. Agjensia e ndihmës ndërkombëtare e qeverisë japoneze, e njohur me shkurtimin JICA, që shqiptohet Xhajka, mori përsipër të financonte zgjidhjen e problemit të ujërave ‘të përdorura’.

Për Lanën u mendua të ndërtoheshin dy kanale nëntokësore, kolektorë, paralel me të deri tek Pallati me shigjeta për t’i ndarë ujërat e zeza nga ato të përroit. Llumi i atyre kanaleve pastaj do trajtohej në një impiant pastrimi në zonën e Kasharit në perëndim të qytetit. Uji i trajtuar do dilte thuajse i pijshëm dhe do derdhej mbrapsht në Lanë. Mbetjet mund të përdoreshin për të prodhuar energji. Një punonjës i Xhajkës thoshte se ky do ishte projekti më modern i sistemimit të ujërave të zeza në Ballkan. Si fillim, do ndërtohej tubacioni për në impiant dhe impianti vetë.

Në vitin 2008, qeveria shqiptare mori një kredi të butë 11 miliardë jenëshe (afërsisht 100 milionë euro) nga qeveria japoneze për këtë gjë.

Mbetej për tu bërë vetëm tenderi.

Ish-Ministri i Punëve Publike Edmond Haxhinasto inauguron fillimin e punimeve për impiantin e Kasharit, prill 2014.

Tenderi

Luigi De Vivo, inxhinieri italian i cituar në shkrimin e parë të kësaj serie, mbërriti në Tiranë në janar të vitit 2015. “Erdha në Shqipëri për ti përshpejtuar gjërat,” thotë ai. Paraardhësit të tij iu ndërpre kontrata prej më pak se një viti, sepse ishin shumë mbrapa. Kantieri ishte ngritur, por s’kishte filluar puna. Nuk ishin bërë as shpronësimet. Por pas disa muajsh filloi të shihte problemet e vërteta.

“Kontrata ishte shumë e ngurtë, kërkonte respektim maksimal afatesh, dhe ne kishim shumë vështirësi me nënkontraktorët.”

De Vivo ishte marrë në punë si përgjegjës projekti nga Dondi, një kompani e krijuar nga një inxhinier dhe sipërmarrës në Rovigo në Italinë e veriut për të punuar në kontrata publike ujësjellës-kanalizimesh gjatë bumit ekonomik të atij vendi viteve tetëdhjetë. Në 2013-ën, Dondi pati fituar tenderin për të ndërtuar impiantin e pastrimit, në konsorcium me Kubotën, gjigandin japonez të makinerive, të cilit do i merrte disa pompa speciale. U angazhua ta bënte për rreth tetë miliardë jenë, diçka midis 60 dhe 70 milionë euro. Kompania kishte eksperiencë shqiptare. Dy vjet më herët, me financim të BE-së, kishte ndërtuar një impiant të ngjashëm, por shumë më të vogël, në Velipojë.

Megjithatë, kur nisi të aplikojë Dondi për ‘tenderin japonez’, në Tiranë pati dhe ndonjë hezitim për të. Në shtypin italian kishin dalë artikuj për përplasje mes kompanisë dhe një qyteti tridhjetëmijëbanorësh në provincën e Lacios. Edhe sot, faqja në anglisht e kompanisë se ç’mban erën e ndonjë mashtrimi kibernetik nigerian, me gjuhë të pakujdesshme për një kompani që manaxhon projekte publike me vlerë miliona euro. Për shembull, parimet e mbledhjes së informacionit (Cookies) për vizituesit e asaj faqeje interneti, që në Itali deklarohen me ligj, shkruhen në fund të faqes si Cockies policy, e cila dikë që di anglisht e bën të qeshë, se jo vetëm është shkruar gabim, por ka dhe nënkuptime jo të hijshme. Megjithatë, deri vonë, Dondi ka pasur majft punë në gjithë Italinë dhe jashtë saj.

“E pata folur këtë (hezitim),” thotë një zyrtar pranë procesit të tenderimit, për shkrimet e gazetave italiane. “Por japonezëve u pëlqente ajo firmë dhe thoshin se nuk mund të paragjykohej një kompani që nuk ishte e dënuar.”

Jemi vonë…

Nga fillimi i vitit 2016, po kuptohej se Dondi nuk kishte për të qenë i zoti të përfundonte punën në kohë.

Ndërtimi i pusetave, i domosdoshëm për ndërtimin e kanalit që do çonte ujërat e zeza në impiant, po ecte shumë ngadalë prej shpronësimeve. Në një vend përfundoi mes dy fabrikash këpucësh në autostradë, tregon një punonjës në kantier, një tjetër i doli një personi në oborr i cili pastaj kërcënoi se do dilte me pushkë, dhe pastaj u vendos të kërkoheshin toka pa probleme. Projekti, dhe plani i punës bashkë me të, pësonin ndryshime.

Kishte dhe acarime në punë. Një herë, tregon një burim, ankesa për cilësinë e betonit të hedhur në një tavan mbajti peng pagesën e një kësti.

“Problemi ishte që edhe nënkontraktori ynë kishte marrë kompani tjetër për t’i bërë punimet, nënkontraktor nënkontraktori,” thotë De Vivo. Për punimet në kantier, Dondi kishte marrë si nënkontraktor një firmë të quajtur Sterkaj, me të cilën kishte punuar më parë në Velipojë. Sterkaj, e drejtuar nga biznesmeni Lulzim Sterkaj, kushëri i largët i sipërmarrësit, ish-funksionarit të policisë dhe politikanit socialist nga veriu i Shqipërisë, Paulin Sterkajt, kishte nënkontraktuar për punimet një firmë me emrin Shehu Konstruksion. “Me përgjegjësi kaq të shpërndarë, ishte e vështirë të kërkoje llogari,” thotë De Vivo. Vetë nënkontraktori ankohej se vonohej puna gjatë reshjeve pasi toka baltosej shpejt dhe lëvizej me vështirësi në të.

Për më tepër, në vitin 2015, një rënie e jenit japonez, në të cilën jepej kredia, në raport me euron, me të cilën bëheshin pagesat, u përdor si arësye për rritjen e kostove.

Si rezultat, Dondi kërkoi të merrte frymë me një vit shtyrje afati. De Vivo u zëvëndësua nga një mbikëqyrës tjetër punimesh. Përpjekjet tona për të biseduar me mbikëqyrësit dhe me funksionarët e lartë të Dondit nuk patën rezultat, megjithë insistimet e herëpashershme.

Në punë, Dondi vazhdonte me ritëm të ngadaltë dhe dikur nga pranvera e 2017-ës, kërkoi dhe një dymbëdhjetë muajsh tjetër shtyrje afati. Shqipëria atë vit do kalonte në zgjedhje parlamentare.

Kronologjia
 1998 – Qeveria shqiptare i kërkon ndihmë Agjensisë Japoneze për Bashkëpunim Ndërkombëtar (JICA) për të studiuar problemin e kanalizimeve dhe ujërave të zeza në Tiranë.
 2007 – Një kompani e ngarkuar nga JICA, Tokyo Engineering Consultants, përfundon studimin për manaxhimin e ujërave të përdorura për qytetin e Tiranës, dhe për trajtimin e ujërave të zeza që derdhen në Lanë dhe në Lumin e Tiranës. Parashikohet që ato të çohen në një impiant trajtimi jashtë qytetit.
 Korrik 2008 – Qeveria shqiptare merr hua të butë zhvillimi prej 11 miliardë jen, (rreth 100 milionë euro), për ndërhyrjet për trajtimin e ujërat e zeza dhe të përdorura.
 Dhjetor 2012 – Janar 2014 – Tenderohet projekti i ndërtimit të impiantit të trajtimit të ujërave të zeza në Kashar, dhe tunelit që do çojë një pjesë të ujërave të zeza të Lanës në të. Shpallet fitues një kompani italiane, Dondi.
 Mars 2014 – Dondi dhe Ministria e Punëve Publike nënshkruajnë kontratën për ndërtimin e impiantit, ku Dondi zotohet të përfundojë punën brenda dy vjetësh. Punimet do monitorohen nga Ministria dhe nga një konsorcium supervizor i drejtuar nga Tokyo Engineering Consultants dhe i caktuar nga JAICA.
 Prill 2014 – Kantieri i impiantit në Kashar inaugurohet me ceremoni nga Ministri i Punëve Publike Edmond Haxhinasto.
 2016 – Dondi, kompania italiane që drejton punimet, kërkon shtyrje të afatit të ndërtimit të impiantit.
 Qershor 2017 – Zgjedhjet parlamentare në Shqipëri i japin shumicën absolute të vendeve në parlament Partisë Socialiste.

Dondi kërkon shtyrje afati të përfundimit të punimeve edhe me një vit.

Vjeshtë 2017 – Ministria e Infrastrukturës, që zëvendësoi Ministrinë e Punëve Publike, çon ekip kontrolli dhe auditimi për projektin e Kasharit.
 Prill 2018 – Ministria e Infrastrukturës çon për ndjekje penale ekipin e Drejtorisë së Përgjithshme të Ujësjellës-Kanalizimeve për abuzime në manaxhimin e projektit të Kasharit.
 Korrik 2018 – Agjensia Kombëtare e Ujësjellës-Kanalizimeve ndërpret kontratën me kompaninë Dondi për shkak të vonesave në kryerjen e projektit dhe i vë afat dyjavor për zbrazjen e kantierit.
 Tetor 2018 – Gjykata e Tiranës pushon çështjen ndaj ish-zyrtarëve të Drejtorisë së Përgjithshme të Ujësjellës-Kanalizimeve për shpërdorime në projektin e Kasharit.
 Dhjetor 2018 – Kompania Dondi ankohet ndaj qeverisë shqiptare në gjykatën ndërkombëtare të arbitrazheve në Londër për ndërprerje të paligjshme kontrate.
 Shtator 2019 – Agjensia Kombëtare e Ujësjellës-Kanalizimeve thotë se projekti i Kasharit për trajitimin e ujërave të zeza është pezulluar deri në marrjen e vendimit të arbitrazhit.

Kostoja e politikës?

Një pjesë e mirë e personave me të cilët biseduam mbi këtë projekt një pjesë të mirë të fajit ja hedhin përplasjeve politike në vend.

Problemi është, thotë Benard Banushi, një specialist i ujësjellës-kanalizimeve i përfshirë në projekt me Sterkajn, se ky është projekt që “ka nisur me PD-në, është lidhur kontrata me LSI-në, dhe është prishur nga PS-ja.” Sipas tij, projekti u bë pre konfliktesh ku njëra palë saboton tjetrën.

Në fakt, LSI-ja pati drejtuar Drejtorinë e Përgjithshme të Ujësjellës-Kanalizimeve, agjensinë e Ministrisë së Infrastrukturës që përgjigjej për projektin, edhe kur ishte në qeveri me Partinë Demokratike, edhe kur ishte në koalicion me Partinë Socialiste deri në 2017-ën.

Kur Partia Socialiste fitoi shumicën absolute të vendeve në parlament me zgjedhjet e 2017-ës, ajo nisi auditimin e gjithë projekteve të administruara nga LSI-ja, përfshirë projektin e vonuar të impiantit të Kasharit. Një ekip kontrolli, nga ministria këtë herë, u vendos atje në vjeshtë. “Nuk ishte shenjë e mirë,” thotë një punonjës. “Asnjëherë kur të vjen një kontroll nuk është shenjë e mirë.”

Vjet në pranverë Ministria çoi për ndjekje penale personat përgjegjës për projektin në shtet, duke pretenduar se ishte shpërdoruar përafërsisht çereku i fondit. Shpërdorimet vinin nga justifikimet me kurset e këmbimit, fatura të pajustifikuara, dhe vonesa në pagesa. Ndër to, një e pesta e fondit mund të ishte justifikuar me rënien e vlerës së jenit, thotë padia e Ministrisë.

DPUK-ja, me miratim të Xhajkës, i akordoi dhe një vit tjetër shtyrje Dondit për të arritur normat, por “nuk kishte mundësi t’i kapte ato norma,” thotë një zyrtar pranë projektit. “Cilësia e punimeve ishte e mirë, por ishin shumë të vonuar.” Por Dondi nuk arrinte të mbyllte as gjysmën e tuneleve, dhe kishte bërë vetëm një duzinë nga pusetat e tyre. As impianti vetë nuk kishte përfunduar i tëri, megjithëse aty puna ecte disi më mirë. Atë korrik, Arben Skënderi, drejtori i atëhershëm i DPUK-së e vuri kantierin, për të cilin thuhet se duhej të ishin shpenzuar 40 milionë euro, në sekuestro me roje.

“Nuk jam specialist i atij projekti,” tha Skënderi në telefon këtë shtator, kur u kontaktua për të komentuar, dhe sugjeroi për të folur zyrtarë të tjerë.

Vitin që shkoi, Dondi humbi gjyqe në Shqipëri: një mosmarrëveshje me drejtorinë e tatimeve. Ekipi që mbante në Tiranë zvogëlohej dhe përdorej, ‘sa për tu gjendur Kola në punë’, në ndonjë aplikim tjetër të firmës në botë (edhe në Tiranë, edhe në Rovigo qarkullon fjala se kompania e ka të vështirë të marrë më kontrata në Itali). Sivjet në verë zyra u mbyll përfundimisht.

Drejtoria e Përgjithshme e Ujësjellës-Kanalizimeve, që prej 2017-ës quhet Agjenci Kombëtare (AKUK), thotë që projekti është pezulluar deri në përfundim të arbitrazhit në Londër.

Kanali në qiell të hapur

Skarpatat e Lanës kanë kohë që janë rregulluar dhe pejzazhuar, por këtu tek Pallati me shigjeta, era është aq e rëndë, sa njerëzit që kalojnë urën e mbajnë hundën me dorë. Era vazhdon të jetë e rëndë edhe pas shiut, kur këtu uji vjen me vrull që prej Dajti dhe shkakton përmbytje, pasi prej këtu e tutje ndërtimet e kanë shtrënguar vendin nga kalon uji.

“Nëse do të kuptosh problemet e Lanës, dil në kohë muzgu në vendin ku kalon ajo në Laknas,” thotë Dritan Bratko, një inxhinier hidraulik që ka bërë studimin e sistemit ujor për planin strategjik të bashkisë aktuale. Domethënë pak matanë këtij vendi, nga autostrada deri aty ku Lana bashkohet me Lumin e Tiranës dhe ku akumulohen plehrat që sjell qyteti. “Në muzg makina ka më pak, njerëzit fillojnë e bien në qetësi, temperaturat ulen por toka është ende e nxehtë, dhe afshet e mbeturinave që sjell ai lumë janë më të forta dhe më të ndjeshme. Atë moment, aty shpërthen era.”

Me rregullsi rituale, raportet e Agjensisë kombëtare të mjedisit e nxjerrin lumin e dytë më të ndotur në Shqipëri, pas Gjanicës së Fierit. Nitritet, që janë përgjegjëse për erën, janë trefish më të larta se niveli i pranueshëm. Ka pak oksigjen. Bakteret e fekaleve bëjnë festë në përrua. Dhe e gjithë kjo masë lëviz për në Ishëm dhe derdhet në Adriatik.

“Puna është se nuk mendon njeri për Lanën, sepse nuk është një gjë që sjell vota,” thotë Banushi, inxhinieri i ujësjellës-kanalizimeve. Në tetor 2018, Gjykata e pushoi çështjen ndaj ekipit që ministria çoi në gjyq për shpërdorimin e çerekut të fondit. Sipas gjykatës, shpenzimet kishin qenë miratuar nga Xhajka, e cila monitoronte projektin, ose kishin qenë të justifikuara. Jeni vërtet ishte luhatur me çerekun e vlerës së vet në krahasim ne euron në periudhën 2014-16. Sipas vendimit të gjykatës, Ministria nuk ishte paraqitur në seancë.

Kantieri i Kasharit vazhdon në gjumë, në sekuestro. Një faqe në Facebook me emrin anglisht të projektit, Greater Tirana Sewage Water Treatment Plant, ka një foto dhe dy likes, pëlqime, anonime.

Një uniformë tjetër livando e policisë private Ndreu, i takuar këtë fundjavë, tha se këtë muaj ishin prerë dhe dritat në kantier, gjë që e mërziste shumë sepse as radion nuk e vinte dot në punë. Por kam parë lëvizje, thotë ai. “Kam parë drejtuesin e projektit me një japonez. Më kanë thënë që këstin e dytë e ka marrë Paulin Sterkaj dhe do të përfundojë punimet.”

Për këtë shkrim raportuan edhe Arlis Alikaj dhe Donald Zaimi.

*Redaktoi Altin Raxhimi

What's your reaction?
0Smile0Lol0Wow0Love0Sad0Angry
Qendra Shqiptare për Gazetari Cilësore
Rruga Pjetër Budi, 69

Tiranë, ALBANIA


Telefon: +355 (0) 6 8856 3686
Email: info@acqj.al

Investigative Network Albania

Teksti zyrtar është versioni në shqip i faqes së internetit. Kjo faqe përdor përkthim automatik përmes mjeteve të inteligjencës artificiale. Pavarësisht se ky përkthim është i një cilësie të lartë, rastis që të ketë dhe gabime dhe keqkuptime në kontekstin e produkteve. Duke qenë se është një teknologji e cila përmirësohet me kalimin e kohës, shpresojmë të qendroni me ne ndërkohë që perfeksionojmë këtë shërbim.

Copyright © 2023 Giljana Limani.  All Rights Reserved.

Copyright © 2023 Giljana Limani.  All Rights Reserved.