Kanali në mes të qytetit

Lana përshkruan Tiranën në pjesën më kryesore të saj. Në shkrimin e parë të kësaj serie, tregohet se si u kthye në gropë septike para syve të të gjithëve.

Autor: Fjori Sinoruka, Joana Spaho

“Ky s’është përrua. Ky është kanal ujërash të zeza, gjiriz, në mes të vendit.”

Luigi da Vivo kishte marrë shtëpi nga Stadiumi Dinamo dhe priste të qëndronte gjatë në Tiranë. Ambientohej kollaj. Njerëzit ia flisnin gjuhën dhe në lagje kishte dhe një Conad, supermarketin që vetëm një italiani mund t’i thoshte diçka. Por ky ishte vend çudirash. I dukej se këndej, ai që s’merrte vesh të dërdëlliste pa fund dhe i dituri ulte kokën. Makinat e luksit, Porschet, Lamborghinit e ‘më the e të thashë’ që i gjente këtu nuk i kishte parë gjithë jetës së vet në Bari, prej nga vinte. Pak të dilje nga qendra, nga Blloku xhanëm, dhe vendi transformohej si ato fshatrat në jug të Apenineve që pati shkelur në 1980-ën mbas një tërmeti që kishte lënë çerek milioni njerëz në rrugë. Shqiptarët, sa shumë dinin të bënin për njëri-tjetrin në tavolinë, dhe sa lehtshëm i merrnin punët e Zotit, me aq furi mund t’i vinin zjarrin gjithshkaje për politikë.

Dhe Lana, përroi që përshkonte qendrën e qytetit, skarpatet apo paretet e pjerrëta të të cilit janë gjelbëruar prej pesëmbëdhjetë vjetësh, ishte “una fognatura in cielo aperto.”

“Nëse nuk do derdheshin ujërat e zeza në Lanë, ai lumë verës do mbetej pa ujë,” thotë Dritan Bratko, inxhinier hidrolog. Foto Joana Spaho QShGC

Lana, simbol keqqeverisjeje

Mënyra si jemi sjellë me Lanën mund të jetë shembulli më i mirë se çfarë bëmë me shtetin tonë që kur u krijua në 1912-ën, ose tamam-tamam, që kur nëntë vjet më vonë ja dhamë Tiranën si kryeqytet. Çdo ndërhyrje në atë shtrat lumi, që ose me fanfarë, ose me gjysmë zëri përpiqej ta ndreqte, nxirrte probleme më të mëdha dhe të pamenduara, dhe çfarëdolloj gjëje të bëje në të do mbante erë.

Drejtimi i shtratit në kanal e nxori jetime Urën e Tabakëve në rrugë të Elbasanit. Betonizimi e ka kthyer atë përrua, ashtu siç shihen punët e shtetit në perceptim publik, në vaskë jashtëqitjeje në mes të qytetit. Arsyet se pse e përdorte qyteti atë rrjedhë uji më përpara—Lana ishte vendi ku dikur tabakë e terzinj shpëlanin lëkurët dhe hidhnin taninin; ku lanin teshat gratë myslimane me ujë me hi; ai pellg me ujë të ndotur në një kamp rrom me kabina llamarine e kashte; ajo rrëkeja diku aty nga Shkolla e sotme e Baletit, ku Qamil Shtiza priste me çifte mes këmbëve e me një sy në gjumë nën zukamën e gjinkallave që t’i kërcente para syve ndonjë lepur i egër; apo ai pellg me diametër nja shtatë metra para se të veje tek Bërryli, ku laheshin kalamajtë verës dhe zinin dhe ndonjë peshk—të gjitha ato arsye nuk ekzistojnë më. Ai shtrat betoni veçse nxjerr në paradë ujërat e zeza të pjesës më të madhe të Tiranës përpara syve indiferentë të gjithkujt.

Nuk ka gjë të gjallë më në atë lumë, përveç ndonjë koleopteri—pilivesa, mushkonja, e ndonjë që merr krahë si ato—thotë Aleko Miho, një biolog në Universitetin e Tiranës që e pati studiuar para dhjetë vitesh. Ka dhe denduri koliformesh fekale, bakteresh qe dalin nga zorrët e njeriut nëpërmjet sistemit të jashtëqitjes. Pjesërisht janë ato që e shpjegojnë erën e keqe në mes të qytetit.

“E çuditshmja është,” thotë Dritan Bratko, i cili ka bërë hidrologjinë e zonës për planin rregullues të qytetit, “nëse nuk do derdheshin ujërat e zeza në Lanë,”—domethënë, po të mos zbrazeshin galexhantët e gjysmës së qytetit, prej rrugës së Kavajës e deri buzë kodrave të Liqenit; po të mos përziheshin ujërat e shampove për të ndrequr aromat në mbrëmje dhe të sapuneve të rrobave dhe të duarve, me ato të gjurmëve të jahnive dhe avujve të pilafit me lëng mishi nëpër pjata, me llumin e elbit të fermentuar për birrë… dhe të mos kishte reshje—“ai lumë do mbetej pa ujë.” Tani që Shqipëria po bënte mbi një shekull që merrte punët e veta në dorë, nëse Tirana nuk do ta nxirrte atë rrjedhë pisllëku në damarin kryesor të qytetit, Lana do mbetej pa ujë gjatë verës.

Vendi ku Lana kalon rrugën automobilistike për herë të parë nën Gurore në Dajt ka filluar të mbushet me mbeturina. Përtej saj ka ende gjarpërinj, thotë një banor. Foto QShGC.

Atje ku nis përroi

Lana është njëra prej katër vijave të ujit që zbresin deri në fushë pasi mbledhin reshjet gëmushave me makie të faqes perëndimore të Dajtit për në fushën ku shtrihet Tirana. Dy prej tyre, Tërkuza dhe Shëmria, përdoren për ujë të pijshëm. Lana dhe lumi i Tiranës përdoren për kanalizime.

Ajo nis rrjedhën e vet 24-kilometërshe diku mes shkurresh tek gurorja në Dajt dhe gërryen mes shkurresh një ulluk deri në rrugë të makinës. Aty, në një kafene buzë rrugës në të djathtë, pesëdhjetepesë vjeçari Refat Qordja i bie avazit se nuk i del hesapi me 300,000-lekëshin që merr në muaj si dispeçer e me djalin e rritur në shtëpi. Çatia e kafenesë është beton me shufra të ngritura përpjetë për të lidhur dikur një kat të dytë. Përbri saj, një kasolle ku pulat çukisin në dhè dhe një fik i bën hije një tende me celofan të verdhë ku shkruhet Lavazh. Nga e majta e rrugës vjen duhma e klorit të pishinës dhe bumi i mbytur i altoparlantëve që t’u mbajnë lart energjinë klientëve e saj—kjo është nisma private e administratorit aktual të Lanabregasit, tani lagje lindore e qytetit, për zbavitjen e rinisë. Në tunelin poshtë asfaltit, ujërat kanë mbledhur qese celofani, shishe vaji makinash, mbështjellëse vezulluese kruasantësh industrialë greke me njolla balte. Andej nga vijnë rrëketë rrallë shkon njeri tani në verë. “Andej është mbush me gjarpërinj,” thotë Genc Haxhialiu, një shtatëdhjetedy-vjeçar që mirëmban vilën e fshatit të një diplomati shqiptar aty pranë.

Rruga e makinës, pastaj, merr një hark nga veriu duke krijuar ballkon prej të cilës shihet mizëria e shtëpive të qytetit matanë dy kodrash të buta, mes të cilave përroi gjarpëron për të mbërritur tek zona e ish-kombinatit të autotraktorëve. Aty, dora e njeriut fillon e bëhet vërtet brutale.

1920 – Tirana bëhet kryeqytet
 Vitet 30 – Betonizohet shtrati i Lanës nga Rruga e Elbasanit deri tek Bulevardi i sotshëm Dëshmorët e Kombit.
 1955 – Fillon betonizimi i pjesës tjetër të Lanës, përgjatë Unazës. Nga Bërryli deri tek kthesa e Vasil Shantos. Kanalizimet e ujërave të zeza derdhen në të. Skarpatet, parete të pjerrëta nga shtrati i saj, gjelbërohen.
 Vitet 80 – Hidhen idetë e para për t’i shtuar Lanës ujë gjatë verës prej burimeve të tjera ujore në Dajt.
 1994 – Në një konkurs idesh për manaxhimin e Lanës sugjerohet ose mbulimi i saj, ose kalimi i ujërave të zeza në një shtrat nëntokësor.
 1995-2000 – Skarpatat e Lanës mbushen me ndërtesa aktivitetesh tregtare.
 1996 – Episode të evidentuara të poliomelitit mendohet se e kanë burimin nga pisllëqet në ujin e lumit.

Pse na duhet një lumë?

Qytetet i përdorin lumenjtë për transport, për të ujitur tokat, dhe për t’u larë nga plehërat. Por problemi i madh në perëndim nisi kur filloi të shtohej popullësia më shumë nga ç’mund të pastronte uji, dhe ishte murtaja apo tifoja ajo që i detyroi qytete të mëdha si Londra, Parisi apo Nju Jorku të ndërtonin kanale ujërash të zeza. “Edhe sot, ndërmarrja më e shtrenjtë në Paris është ajo e mirëmbajtjes së kanalizimeve gjatë Senës,” thotë Bratko. Lumenjtë e vegjël nëpër qytete mbylleshin për të kaluar ujërat e zeza nën tokë, si me Parisin, Athinën apo Prishtinën.

Në Ballkan, qytetet që i ruajtën lumenjtë i kishin të rëndësishëm, kryesisht fushorë e të lundrueshëm: nuk ke pse ti vesh pllakë betoni sipër Cemit në Podgoricë, Vardarit në Shkup, Savës në Beograd a Zagreb, apo Danubit në Bukuresht.

Por Lana vetë s’kishte qenë asnjë herë më shumë se një përrua kapriçioz që vinte me vrull nga mali kur kishte shira, por që gati zhdukej gjatë verës. “Ajo u kthye në lumë qëndror rastësisht,” thotë Gjergji Papavasili, i cili ka marrë pjesë në disa planifikime të qytetit prej viteve tetëdhjetë e deri tani. “U kthye në korridor transporti dhe në element dekorativ megjithëse nuk i kishte elementet për të tillë.” Ishte një përrua i cili mund ti bënte punë regjësve të lëkurëve në një qytetth 15,000-banorësh, nuk mund të përballonte një qytet të cilit i shumëfishohej popullësia brenda më pak se një shekulli.

Deri nga vitet tridhjetë, vija e ujit përdridhej nëpër shkurre, pak pjesë të saj përdoreshin nga esnafet. Përpjekjen e parë për planifikim, shtratin e parë të betonit në atë që sot është mes rrugës së Elbasanit dhe Bulevardit Dëshmorët e Kombit, e pati bërë Zogu nën ndikimin e arkitekturës italiane. Vitet pesëdhjetë ajo u shtua deri tek Unaza. Në 2000-in shtrati i betonit u zgjat deri tek Pallati me shigjeta, dhe më tej Lana kthehet në shtrat natyror derisa i bashkohet Lumit të Tiranës pak kilometra më tutje, në Laknas matanë autostradës së Durrësit në perëndim.

“Gjithmonë mendohet se si u deformua Tirana nga komunizmi dhe tranzicioni,” thotë Elton Koritari, arkitekti tiranas që pati qenë përgjegjës për pavijonin e Shqipërisë në bienalen arkitekturore të Venecias në vitin 2017. “Deformimi i parë i Tiranës nisi nga italianët.”

Një qytet osman, si ata mesjetarë dikur, zhvillohet me xhepa dhe arna lagjesh, me rrugë të gjarpëruara që i përshtaten relievit. Por shekulli i nëntëmbëdhjetë solli në Perëndim bulevardet dhe rrugët e drejta brenda qyteteve, prej ku të ecnin shpejt karrocat, veturat dhe tramvajet. Në Shqipëri, kjo gjë erdhi kryesisht nëpërmjet fashizmit italian.

Për shembull, qyteti ishte relativisht njësoj larg nga Lana dhe nga lumi i Tiranës, i cili ka më shumë ujë dhe në fund fare mbledh dhe Lanën, por në shekullin e kaluar, Tirana mori zhvillim vetëm nga jugu, në drejtimin e Lanës dhe përtej saj. Me atë zgjerim, fillimisht me lagjet përgjatë bulevardit, pastaj nën kodrat e Liqenit me atë që vitet gjashtëdhjetë u quajt Tirana e Re, ujërat e zeza u hodhën drejt e në lumë, fillimisht nëpër të, pastaj me kanalizim, dhe qyteti filloi të mbajë ere të keqe mu në zemër të tij.

Studiuesit thonë se ndërtimet e shumta përgjatë shtratit të Lanës rrezikojnë ta kthejnë në burim përmbytjesh. Harta, e cila tregon pjesën e Lanës ku ajo i bashkohet Lumit të Tiranës, me zonat e rrezikuara, vjen kortezi e Dritan Bratkos.

Përmbytjet

Ndërsa qyteti vazhdonte të ndërtohej, betonizimi i shtratit të Lanës, i cili u zgjerua viteve 50-60, solli dhe një problem tjetër. Kur kishte ujë, lumi nuk kishte nga të shkonte. Në vjeshtë, një shi i rrëmbyeshëm në Dajt sjell të gjithë ujin në qendër brenda tre orësh, thotë Bratko, inxhinieri hidrolog. Ujërat dalin mbi nivelin e rrugës. Më parë përmbytnin dhe katet përdhese të Shallvareve dhe Lana është shembulli klasik i përmbytjeve në qytet për studentët e gjeologjisë në universitet në Tiranë. Drejtimi i rrugëve dhe ndërtimeve mbi to ngushtoi aq shumë shtratin e lumit në perëndim të qytetit, tek zona e Shkollës Teknologjike apo pallati me shigjeta, ku lumi kalon nën Rrugën e Kavajës, duke e kthyer atë në një rubinet që nuk mban dot presionin e zorrës së ujit.

Nuk dihej se ç’zgjidhje do t’i jepej, përveç parrullash elektorale (utopi të Lanës në prezantime me projeksione tre-dimensionale shpërndaheshin në fushata elektorale para gjashtë vitesh.) Të gjitha kanë probleme ujërash të ndotura. Zagrebi pati ndërtuar një impiant pastrimi—me shumë dyshime për abuzime në fonde—vetëm në vitet 2000. Beogradi ende nuk ka një të tillë, por mund t’i duhen gjashtë. Podgorica po e bën me një kredi nga Banka Gjermane për Rindërtim.

Për Lanën një herë, për shembull, u propozua që të mbyllej shtrati me ujërat e ndotura, dhe të merrej ujë nga rezervuarët nën Dajt për muajt e thatë të vitit, dhe ky ishte version i lirë, paçka se ‘socialist’. U propozua edhe një version ‘demokrat’, shumë më i shtrenjtë, për ta mbuluar thuajse krejtësisht, e për ta kthyer në bulevard të madh. Më 1994, kur u hodh kjo ide në qarkullim, bashkinë e kishin demokratët, ky projekt fitoi konkursin, por ishte i parealizueshëm pasi shkonte në dhjetëra miliona dollarë, thotë Fisnik Kruja, njëri nga inxhinierët që konkuruan. Kjo koincidoi dhe me periudhën e ndërtimit të restoranteve dhe bareve dhe me murtajën që shpërtheu në mënyrë të lokalizuar në të.

“Marrja e ujit diku do zgjidhte problemin e lumit,” thotë Bratko. Si ide kjo është përmendur që viteve tetëdhjetë. “Por kam idenë se nuk do pranohet pasi mendojnë se shkon shtrenjtë.”

Nga fundi i viteve 90, qeveria shqiptare pati diskutuar me atë japoneze për të gjetur mbështetje për zgjidhjen e atij problemi, atë të ujërave të zeza. Në 2007-ën, një kompani inxhinierike japoneze pati dhënë draftin përfundimtar—zgjidhja do ishte duke ndërtuar një fabrikë trajtimi ujërash të përdorura, dhe ndërtimin e tubacioneve të kolektorëve që do mbledhin ujërat nga lindja e qytetit nga Dajti e deri deri tek Pallati me shigjeta tek Rruga e Kavajës. Në 2013-ën, u caktua Dondi, një kompani nga Rovigo në veri të Italisë, që të drejtonte punimet. Në vitin 2014 u pre shiriti.

Në janar të 2015-ës Luigi Da Vita, inxhinieri nga Bari, e shihte për herë të parë si rrëke. Ishe thërritur nga Dondi të ndreqte vonesat në punime, dhe këto brenda një kohe të shkurtër, brenda një viti e ca.

La fognatura in cielo aperto.

*Për shkrimet e kësaj serie kanë raportuar dhe Arlis Alikaj dhe Donald Zaimi.

**Redaktoi Altin Raxhimi

*** Në foton e parë në fillim të shkrimit, rrjedhja e lumit Lana në vitin 1917

What's your reaction?
0Smile0Lol0Wow0Love0Sad0Angry
Qendra Shqiptare për Gazetari Cilësore
Rruga Pjetër Budi, 69

Tiranë, ALBANIA


Telefon: +355 (0) 6 8856 3686
Email: info@acqj.al

Investigative Network Albania

Teksti zyrtar është versioni në shqip i faqes së internetit. Kjo faqe përdor përkthim automatik përmes mjeteve të inteligjencës artificiale. Pavarësisht se ky përkthim është i një cilësie të lartë, rastis që të ketë dhe gabime dhe keqkuptime në kontekstin e produkteve. Duke qenë se është një teknologji e cila përmirësohet me kalimin e kohës, shpresojmë të qendroni me ne ndërkohë që perfeksionojmë këtë shërbim.

Copyright © 2024 Giljana Limani.  All Rights Reserved.

Copyright © 2024 Giljana Limani.  All Rights Reserved.

Newsletter