Autor: Bejli Caushaj
A.H., 60 vjeç, është një nga mijëra shqiptarë që presin drejtësi.
Ajo dikur ka punuar në një pozicion të lartë në Policinë e Shtetit, por për nëntë vitet e fundit ajo ka luftuar shkarkimin e saj në gjykatë. Ajo ka kërkuar të mbetet anonime.
“Kur erdhi Partia Socialiste në pushtet, më pushuan nga puna. Ka qenë vetë ministri që ka firmosur urdhrin, por ligji për policinë e shtetit është i qartë. Ministrja nuk më shkarkoi dot”, thotë ajo.
Për AH, beteja për drejtësi filloi nëntë vjet më parë.
“Pas disa proceseve gjyqësore, në vitin 2016, Gjykata e Lartë e Shqipërisë vendosi që shkarkimi im nga puna nuk ishte i bazuar në ligj”, shtoi duek sqaruar se ajo ende nuk e ka marrë urdhrin e saj të largimit nga puna në mënyrë që të fitojë të drejtën për të marrë pensionin e policisë që është një e drejtë ligjore e saj.
Në vitin 2018 shteti kërkoi pezullimin e gjykimit, me argumentin se vendimi po krijonte një precedent të rrezikshëm për raste të ngjashme në të ardhmen.
“Jam ende në pritje, nuk kam të ardhura të tjera”, thotë A.H., duke shtuar se nuk mund të kërkojë pension të parakohshëm sepse çështja e saj është ende në gjykatë. Ajo nuk ka asnjë burim aktual të të ardhurave përveç mbështetjes familjare.
Dhe për shkak të reformave të vazhdueshme në sistemin gjyqësor të Shqipërisë që po zgjasin vite më shumë nga sa pritej, askush nuk e di se sa vite të tjera zonjës H. do ti duhet të presë që çështja e saj të zgjidhet.
“Pensionimi im, vitet e mia të punës që në moshën 17-vjeçare. Është politike, mund të mos jetë kundër meje, por mbetet politike derisa të zbatohet ligji”, thotë ajo, duke shtuar se tani shpresa e saj për drejtësi është në Gjykatën e Strasburgut, ku çështja është në pritje.
Shqipëria është tashmë në vitin e gjashtë të zbatimit të atij që supozohej të ishte një proces pesëvjeçar i vlerësimit të gjyqtarëve dhe prokurorëve në sistemin e saj gjyqësor, në një përpjekje për të eliminuar korrupsionin në këtë sektor. Ekspertët thonë se sistemi mbetet i korruptuar dhe ka ende shumë për të bërë.
“Së bashku me gjyqtarët dhe prokurorët që janë të ndershëm, ka nga ata [që ende punojnë në sistem] që janë të bindur se do të duhet të largohen herët a vonë. Kjo rezulton ose në korrupsion të vazhdueshëm ose në rënie drastike të cilësisë [të drejtësisë]”, thotë Jordan Daci, një jurist i njohur kushtetues në Tiranë.
Por ndërsa Shqipëria dikur ishte një vend ku gjyqtarët dhe prokurorët mund të korruptoheshin lehtësisht, pa pasoja, tani vëzhguesit ndërkombëtarë thonë se vendi po kalon ngadalë drejt një situate ku të korruptuarit në sistemin e drejtësisë po fillojnë të mbajnë përgjegjësi.
“Në përgjithësi, më shumë se 60% e dosjeve të vettingut të përpunuara deri më tani kanë rezultuar me shkarkime apo dorëheqje. Këto shifra flasin vetë dhe janë prova më e mirë se ky proces ishte absolutisht i nevojshëm”, tha Delegacioni i BE-së në Shqipëri për ACQJ.
BE-ja është një nga përkrahësit kryesorë të reformës në drejtësi me më shumë se 50 milionë euro të investuara deri më tani dhe 25 milionë euro të angazhuara në vitet në vijim.
Megjithatë, ky proces i kushtueshëm reformash dhe humbja e një sasie të konsiderueshme të fuqisë punëtore/stafit gjyqësor ka pasur pasoja të papritura—një backlog (bllokim) të çështjeve gjyqësore që ka gjymtuar pjesën më të madhe të sistemit gjyqësor shqiptar.
Procesi i vettingut të gjyqtarëve dhe prokurorëve po ecën më ngadalë se sa pritej, ku së fundmi Parlamenti rinovoi mandatin e institucioneve të vettingut deri në dhjetor 2024 për shkak të mospërmbushjes së pritshmërive. Gjatë gjashtë viteve të fundit, institucionet e vettingut kanë shqyrtuar dhe vendosur mbi 535 çështje nga gjithsej 804. Koha që duhet për të vlerësuar performancën, shifrën dhe pasurinë e një gjyqtari është e gjatë dhe kërkon burime të shumta financiare dhe personel.
Një histori e shkurtër e një reforme madhore
Procesi për ndryshimin e Kushtetutës së Shqipërisë për të lejuar reformën në drejtësi filloi në vitin 2015. Në atë kohë, sistemi i drejtësisë po rrënohej nga korrupsioni, paaftësia dhe ndikimi politik.
Pas disa muajsh negociatash mes fraksioneve politike në Shqipëri dhe përfaqësuesve ndërkombëtarë, konkretisht BE-së dhe SHBA-së, deputetët votuan unanimisht ndryshimet e nevojshme për nisjen e reformës.
Hapi i parë ishte krijimi i trupave për të verifikuar magjistratët. Ato përfshinin Komisionin e Pavarur të Kualifikimit si hap të parë dhe Dhomën e Apelit, trupa më të lartë për vlerësimin kalimtar të magjistratëve shqiptarë, si arbitri përfundimtar. Vendimi i Dhomës së Apelit mund të kundërshtohet vetëm në gjykatën ndërkombëtare të të drejtave të njeriut në Strasburg.
Në kuadër të procesit të reformës, Gjykata e Krimeve të Rënda dhe Prokuroria e Krimeve të Rënda u shpërndanë dhe u zëvendësuan nga Gjykata Speciale kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, e cila vendos mbi çështjet e ngritura nga Struktura e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar dhe institucioni ndihmës, Byroja Kombëtare e Hetimit.
Që në fillim, reforma në drejtësi është monitoruar nga afër nga grupet ndërkombëtare, kryesisht Bashkimi Evropian dhe SHBA, dy investitorët kryesorë në reformë, përmes një misioni monitorues ndërkombëtar.
Një sistem i ri drejtësie, me të njëjtat probleme të vjetra
Por ka ende shumë pikëpyetje, të vjetra e të reja, të lidhura me reformën në drejtësi, si: a i ka ndryshuar reforma gjërat për më mirë, çfarë duhet bërë ende, sa kohë do të zgjasë dhe çfarë mendojnë vëzhguesit ndërkombëtarë për procesi i reformës?
Më shumë se gjysma e gjyqtarëve dhe prokurorëve të vendit janë shkarkuar, duke lënë një hapsirë të gjerë mungese personeli.
I pyetur për problemet që vijnë nga reforma në drejtësi, zëdhënësi i Ministrisë së Drejtësisë është përgjigjur me optimizëm.
“Reforma në drejtësi është një nga sipërmarrjet më të mëdha të shtetit shqiptar. Çdo problem apo ngërç që mund të jetë hasur në hapat e parë është tejkaluar”, tha zëdhënësi.
Megjithatë, shifrat tregojnë një histori tjetër.
Sipas “Komisionit të Pavarur të Kualifikimit”, që nga fillimi i procesit të vetingut në vitin 2017, 200 anëtarë të sistemit të drejtësisë janë shkarkuar dhe 80 prej tyre kanë dhënë dorëheqjen, pa iu nënshtruar procesit të vlerësimit.
“Nga 280 të larguarit nga detyra, 171 ishin gjyqtarë, 96 prokurorë, 3 këshilltarë ligjorë dhe 3 inspektorë”, tha Joniada Koçi, zëdhënësja e KPK-së.
Numri i vendeve vakante të krijuara nga këto shkarkime dhe dorëheqje ka pasur një ndikim të madh në sistemin gjyqësor të vendit.
“Askush nuk e kishte imagjinuar se do të kishte një numër kaq të madh venesh të lira [si pasojë e vetting-ut]; rreth 60% e gjyqtarëve dhe prokurorëve janë larguar. Në ditët e para të procesit të vetingut, u vlerësua se vetëm 30% [e magjistratëve] do të largoheshin, ndërsa 60% është një numër i madh që duhet zëvendësuar”, tha Saimir Vishaj, që ushtron profesionin e avokatit prej më shumë se 24 vitesh.
Kjo ka çuar në dy probleme themelore. Së pari, krijoi një numër të madh çështjesh të prapambetura.
Për shembull, Gjykata e Lartë e filloi vitin 2021 me një total prej 36,288 çështjesh në pritje për gjykim. Ky vëllim është trashëguar kryesisht nga vitet e mëparshme dhe është vetëm 5% më i lartë se numri i mbetur i çështjeve për vitin 2020.
Në fund të vitit 2021, numri i çështjeve të prapambetura në Gjykatë të Lartë u ul lehtësisht në 35,822 çështje, shifër vetëm 1% më e ulët se në fillim të vitit.
Për të reduktuar numrin e çështjeve të prapambetura, Ministria e Drejtësisë ndërmorri një masë të përkohshme. Çështjet në pritje që përfshijnë shuma të vogla parash ku shteti është palë nuk do të shqyrtohen nga Gjykata e Lartë, shteti do të tërheqë paditë.
“Me këtë udhëzim, sapo të hyjë në fuqi, presim që Gjykata e Lartë të lirohet nga rreth 3800 çështje ende në pritje për t’u shqyrtuar, ndërsa 1 mijë të tjera janë ende në proces”, tha Ulsi Manja, Ministër i Drejtësisë, pas një mbledhje të Këshillit të Ministrave.
Në të njëjtën kohë, numri i çështjeve të prapambetura në Gjykatat e Apelit ka arritur në më shumë se 28,000 çështje, 19,324 prej tyre çështje civile dhe 8,820 çështje penale.
Shqipëria ka gjashtë gjykata apeli, nga një në Gjirokastër, Vlorë, Korçë, Tiranë, Durrës dhe Shkodër. Të gjithë kanë çështje në pritje për gjykim, dhe tashmë që harta e re gjyqësore është miratuar dhe pritet të fillojë implementimin e saj, është e paqartë se cili do të jetë impakti pozitiv apo negative mbi këto të fundit.
Deri më tani, Gjykata e Apelit Tiranë ka kontribuar kryesisht në rritjen e çështjeve të pazgjidhura me 13,873 të tilla (61% e totalit të çështjeve në pritje shqyrtimi) dhe Vlorë me 3,436 çështje (15% e totalit të çështjeve të prapambetura).
Delegacioni i BE-së në Shqipëri, nuk i sheh çështjet në backlog si një problem serioz, por përkundrazi i konsideron ato një biprodukt të suksesit të reformës në drejtësi.
“Me largimin e 60% të gjyqtarëve dhe prokurorëve të vlerësuar, kjo në mënyrë të pashmangshme çon në probleme të rritjes së numrit të çështjeve të pazgjidhura”, tha delegacioni, “Tashmë reforma në drejtësi vazhdon të gëzojë një mbështetje të gjerë prej mbi 80% [të popullsisë], por është thelbësore që të vijohet përpara me finalizimin e procesit të vetingut, për përshpejtimin e zgjidhjes së çështjve të prapambetura në të gjitha nivelet e gjyqësorit”, shtoi delegacioni.
Vetëm Gjykata Administrative e Apelit ka rritur me 21% ngarkesën e çështjeve të mbetura që nga viti 2020. Një total prej 18,415 çështjesh janë në pritje të gjykimit dhe pothuajse 35% e çështjeve të pazgjidhura përbëhet nga çështje në pritje të gjykimit që kanë pranë gjykatës nga tre deri në pesë vjet.
Problemi i dytë që rrjedh nga reforma në drejtësi është se nuk ka mjaftueshëm gjyqtarë të sapodiplomuar për të plotësuar numrin e madh të pozicioneve të hapura gjyqësore.
Shkolla e Magjistraturës, një shkollë trevjeçare që diplomon gjyqtarë dhe prokurorë, aktualisht ka 59 studentë të vitit të parë me potencial për t’u bërë gjyqtarë, prokurorë, këshilltarë ligjorë dhe ndihmës ligjorë.
Në vitin e dytë të studimeve janë 66 kandidatë, 40 prej tyre për gjyqtarë dhe 26 prokurorë. Dhe në vitin e tretë janë vetëm 46 kandidatë, 26 që synojnë të bëhen gjyqtarë dhe 22 shpresojnë të bëhen prokurorë, tha Shkolla e Magjistraturës në përgjigje të një kërkese për informacion nga Qendra Shqiptare për Gazetari Cilësie.
Megjithatë, për Ledio Brahon, një avokat me qendër në Tiranë, thotë se kjo nuk mjafton.
“Rekrutimet e reja nuk mund të kryhen vetëm përmes ciklit normal të Shkollës së Magjistraturës”, thotë ai. “Është e nevojshme që rekrutimi në drejtësi të bëhet edhe nga radhët e avokatëve të me eksperiencë, përmes ndryshimeve ligjore”.
Braho thotë se kjo duhet bërë përmes Shkollës së Magjistraturës duke zbatuar një proces për të vlerësuar përvojën e avokatëve aktualë që kanë dëshirën dhe potencialin për të qenë gjyqtarë dhe prokurorë.
Një problem tjetër, thotë Saimir Visha, është se magjistratëve të rinj që mbarojnë shkollën e Magjistraturës nuk kanë përvojë.
“Ata [gjyqtarët e shkarkuar] mund të zëvendësohen nga studentët më të kualifikuar të Shkollës së Magjistraturës, por ata [studentët] sapo kanë filluar shkollimin dhe nuk kanë përvojë të mjaftueshme për të marrë përsipër rastin e një milion eurove të bosëve famëkeq të drogës. Do të ishte e pamundur”, tha ai.
Visha mendon se do të duhen dy vite që sistemi i drejtësisë të ecë përpara. Deri në atë kohë, ai thotë se gjyqtarët e rinj që kanë mbaruar Shkollën e Magjistraturës do të sjellin një frymë të freskët dhe do të rivendosin besimin te drejtësia.
“Qëllimi kryesor është që qytetarët t’i besojnë [gjyqtarët] sërish,” përfundoi Vishaj.
Por ekspertë të tjerë nuk janë aq pozitivë në vlerësimin e tyre se si dhe pse reforma e ka gjymtuar sistemin gjyqësor të Shqipërisë. Jordan Daci, tregon se reforma është kryer pa një studim paraprak.
“Fillimisht nuk ishte parashikuar që të krijohej një numër kaq i madh i vendeve të lira. Mendimi ishte 30% maksimumi. Mosmarrja e masave apo mungesa e një plani për të përballuar këtë mungesë stafi, bëri që drejtësia të shkonte në pamundësi objektive”, thotë ai.
Por për zotin Daci ka dritë në fund të tunelit.
“Me një reformë të tillë”, thotë ai: “Besoj se efektet pozitive do të fillojnë të ndjehen në vitin e 7-të apo të 8-të. Jemi ende në vitin e 6-të.”
Optimist është shprehur edhe Vishaj.
“Ka një lajm të mirë nga Gjykata e Lartë, duke mbushur boshllëkun me 11 anëtarë nga 19, sepse nuk funksionoi prej 3 vitesh. Edhe Gjykata Kushtetuese nuk ka funksionuar deri më tani, me 7 anëtarë nga 9 së fundmi. Por anomalia më e madhe mbeten gjykatat e Apelit”, tha Vishaj.
Gjykata e Apelit në Tiranë duhet të ketë 31 gjyqtarë, por gjykata gjatë viteve të fundit ka funksionuar vetëm me gjashtë. Këtë vit gjykata ka 14 gjyqtarë.
Një gjyqtari në këtë gjykatë I kërkohet të shqyrtojë mesatarisht 3000 çështje në vit dhe gjyqtarët e Dhomës po luftojnë për të kaluar çështjet për shqyrtim dhe frenuar krijimin e një numri edhe më të lartë të çështjeve të mbetura për gjykim.
Në përgjithësi, janë rreth 17,651 çështje civile dhe penale në pritje të gjykimit në gjykatat e Apelit të Tiranës, por ka shpresë se procesi do të ecë më shpejt pasi të plotësohen vendet vakante të stafit.
Duke iu përgjigjur pyetjeve të ACQJ, Gjykata e Apelit Tiranë tha se ngarkesa e punës për gjyqtar ndryshon ndjeshëm ndërmjet gjykatave.
“Ka një diferencë të ngarkesës deri në 918% mes gjyqtarëve që punojnë në Gjykatën e Apelit Gjirokastër dhe atë të Tiranës”, tha një zëdhënës i Gjykatës së Apelit në Tiranë.
Zëdhënësi shtoi se ky çekuilibër çon jo vetëm në trajtim jo të favorshëm për vetë gjyqtarët, të cilët e gjejnë veten me ngarkesë ekstra të madhe në krahasim me kolegët e tyre, por edhe për qytetarët, çështjet e të cilëve shqyrtohen nga gjyqtarë të mbingarkuar. Për rrjedhojë, rastet kërkojnë më shumë kohë për t’u zgjidhur.
Pavarësisht këtyre pengesave, delegacioni i BE-së në Tiranë beson se është thelbësore të ecë përpara me finalizimin e procesit të reformës, duke përshpejtuar zgjidhjen e çështjeve të ngecura në të gjitha nivelet e gjykatave dhe duke rekrutuar gjyqtarë dhe prokurorë të rinj.
Por një propozim që u shqyrtua nga qeveria dhe u miratua së fundmi, mund t’i bëjë ato synime edhe më të vështira për t’u arritur. propozimi kërkon reduktimin e numrit të gjykatave dhe prokurorive në Shqipëri si një mënyrë për të ndrequr mungesën e gjyqtarëve dhe prokurorëve. Por plani është kundërshtuar ashpër nga Dhoma Kombëtare e Avokatëve, e cila vendosi të bojkotojë të gjitha çështjet derisa plani të korrigjohet. Dhoma e Avokatisë thotë se plani do të rezultonte në një grumbullim dhe prapambetje edhe më të keq të çështjeve.
Në fund, qeveria nuk mori parasysh asnjë koment apo kriticizëm. Ajo miratoi planin e saj.
SPAK, një dritë shprese për drejtësinë
E vetmja pjesë e reformës në drejtësi që duket se po funksionon është Struktura e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK), një prokurori e posaçme e krijuar si pjesë e reformës. Ai përfshin gjithashtu Byronë Kombëtare të Hetimit, ose siç e quajnë disa, FBI-në shqiptare.
SPAK dha rezultatet e para. Një ish-ministër i Punëve të Brendshme u dënua për shpërdorim detyre dhe të paktën dy ish-zëvendësministra të tjerë janë burgosur ose arrestuar dhe janë nën hetim për krime të ndryshme.
Drejtorët e institucioneve të rëndësishme shtetërore janë nën hetim edhe për korrupsion dhe shpërdorim detyre, ndërsa disa nga emrat më të njohur të krimit të organizuar në Shqipëri janë arrestuar ose janë nën hetim nga prokuroria speciale. Në të njëjtën kohë, ish-drejtori i Prokurorisë së Përgjithshme, Adriatik Lalla ndodhet tashmë pas hekurave për fshehje pasurie dhe deklarime të rreme të pasurisë.
Tashmë publiku pret të shohë se çfarë do të bëjë SPAK për gjyqtarët dhe prokurorët që kanë dështuar në procesin e vettingut. Deri më tani, vetëm dy nga më shumë se 160 gjyqtarët e shkarkuar nga detyra janë përballur me akuza penale.
I pyetur në lidhje me këtë nga ACQJ, Kryeprokurori i SPAK, Arben Kraja tha se agjencitë e vettingut për gjyqtarët dhe prokurorët nuk kanë bërë ende kallëzime penale ndaj kujtdo që kanë shkarkuar.
“SPAK ka regjistruar disa procedime penale ndaj prokurorëve dhe gjyqtarëve për korrupsion apo deklarim të rremë të pasurisë. Ato janë regjistruar kryesisht ose në bazë të denoncimeve të qytetarëve”, tha Kraja, duke treguar se janë duke u zhvilluar hetime të tjera.
Në maj të këtij viti, ish-kreu i Gjykatës Kushtetuese Bashkim Dedja u padit nga SPAK dhe është në pritje të gjykimit për fshehje pasurie, dhe pronat i janë sekuestruar nga gjykata.
Në korrik, Gjykata e Posaçme Penale për Korrupsionin në Nivele të Larta urdhëroi SPAK-un të vijojë hetimin ndaj shtatë ish-anëtarëve të Gjykatës së Lartë dhe Gjykatës Kushtetuese. Mes tyre janë ish-gjyqtarët e Gjykatës Kushtetuese Besnik Imeraj dhe Gani Dizdari, ish-kreu i Gjykatës së Lartë Xhezair Zaganjori dhe ish-gjyqtarët e Gjykatës së Lartë Edmond Islamaj, Tom Ndreca, Guxim Zenelaj dhe Aleksandër Muskaj. Shkeljet e tyre të ligjit të pretenduara përfshijnë fshehjen e pasurisë dhe deklarim të rremë.
Përpara fillimit të reformës, Komisioni i Venecias ngriti dy pyetje: a kishte Shqipëria kapacitetin për të zëvendësuar të gjithë gjyqtarët që do të “ngelnin” në procesin e vettingut dhe a do të ishte në gjendje numri i institucioneve të reja të krijuara të zhdukte korrupsionin sistemik.
Gjashtë vjet pas fillimit të reformës, pyetja e parë ka një përgjigje. Shqipëria nuk ka ende burimet për të zëvendësuar të gjithë magjistratët që dështuan “të kalojnë klasën”, duke qenë se vendet vakante aktuale janë shumë më të mëdha se sa pritej.
Sa i përket pyetjes së dytë, është shumë herët për të dhënë një përgjigje përfundimtare.
Këtë Shkurt. Kuvendi i Shqipërisë i dha institucionit të vettingut edhe tre vjet për të përfunduar punën. Por as Parlamenti dhe as institucionet e vettingut nuk adresuan arsyet pse institucionet nuk kanë arritur të kryejnë punën e tyre Brenda afatit fillestar prej pesë vitesh.
“Zgjatja e afatit është e nevojshme për përfundimin e procesit”, tha Parlamenti.
Garancia e vetme që japin këto institucione është e njëjta e dhënë dhe pesë vjet më parë: procesi do të përfundojë me sukses. Tani afati për përfundimin e procesit të vetting-ut është dhjetori i 2024-ës, dhe fatura për taksapaguesit vazhdon të rritet shumë, përtej parashikimeve fillestare. Deri në vitin 2022, reforma i ka kushtuar tatimpaguesit shqiptar në total 1,066,112,050 lekë (më shumë se nëntë milionë dollarë), vetëm për sa I përket kostove të institucioneve të vetting-ut, pa marë parasysh kostot për qytetarin në pritje të drejtësisë.
Siç thotë një fjalë e urtë shqiptare, “Operacioni ishte i suksesshëm, por pacienti është ende në spital”.