*Ky shkrim është përditësuar për shkak të kthimit të përgjigjes nga Ministria e Shtetit për Mbrojtjen e Sipërmarrjes pas publikimit të këtij artikulli në datë 25.10.2022 ora 12:25 p.m. Për të qenë transparentë, çdo përgjigje e shtuar do të jetë vendosur në shkrim në seksionin përkatës të kuadratuar.
Autor: Ina Allkanjari
“Duke parë listën e 23 kompanive startup lind natyrshëm pyetja: ku qëndron inovacioni dhe teknologjia për një kompani e cila në përshkrimin e objektit të saj cilësohet si konsulence financiare,shërbime kontabiliteti, trajnime profesionale, kurse kontabiliteti? I referohemi këtu njërës prej kompanive startup që nga ky fond ka përfituar plot 5.000.000 lekë për zhvillimin e mëtejshëm të saj”, ngre dyshimet e tij në platformën “Sinjalizo” një qytetar që kërkon ti mbahet anonim identiteti.
Ajo për të cilën ngre pikëpyetje qytetari nga Tirana lidhet me publikimin e listës fituese të startup-eve dhe lehtësuesve nga Ministria e Shtetit për Mbrojtjen e Sipërmarrjes. Ai këmbëngul se proçesi i përzgjedhjes së fituesve u shoqërua me parregullsi mbasi një kategori e startup-eve nuk paraqesin inovacion, që është kriteri kryesor i përcaktuar në rregulloren e publikuar nga Ministria e Sipërmarrjes për fituesit që do të jenë përfitues të grantit.
Historia e startup-eve në Shqipëri
Në shtator, qeveria premtoi një shumë prej 10 milion euro të dedikuar për startup-et në Shqipëri. Pavarësisht krizës financiare në vend të krijuar nga faktorë të ndryshëm, me miratimin e Ligjit për Startup-et, nga buxheti i shtetit u vendos që të financohet faza e parë e shpërndarjes së granteve nga Ministria e Shtetit për Mbrojtjen e Sipërmarjes. 58 subjekte përfituese, konkretisht 29 startup-e dhe 29 lehtësues u shpallën fitues të grantit në raundin e parë. Fillimisht rezultuan vetëm 23 startup-e fituese, por pas ankimimeve dhe rishikimeve të kërkuara, kësaj liste ju shtuan edhe 6 startup-e të tjera të cilët u shpallën fitues dhe u miratua niveli i financimit të tyre.
Qytetari i cili shkroi në platformën “Sinjalizo”,mbas shpalljes së fituesve nënvizon dritëhijet e këtij procesi. Pas ankesës së tij, “Sinjalizo” ju drejtua Ministrisë së Shtetit për Mbrojtjen e Sipërmarrjes, ku ndër të tjera kërkuam të dhëna konkrete mbi procesin e përzgjedhjes së individëve, personave fizikë apo juridik, fitues të startup-eve. Një sërë pyetjesh, mes tyre për kriteret e vlerësimit të propozimeve, inovacionin, përftimin publik dhe shpërndarjen e granteve.
Në përgjigjen e ardhur nga ministria për “Sinjalizo”, shkruhet se përzgjedhja e fituesve është bazuar në kriteret e vendosura në ligjin Nr.25/2022, si dhe në gjithë dokumentet mbështetëse apo aktet nënligjore të nxjerra në kuadër të këtij ligji.
Ministria e Shtetit për Mbrojtjen e Sipërmarrjes thekson se për të lehtësuar aplikuesit në faqen zyrtare, është publikuar edhe një rubrikë me pyetjet më të shpeshta së bashku me përgjigjet përkatëse.
“Gjatë periudhës së aplikimit është dedikuar një dritare në uebsajt, e cila ka shërbyer për marrjen e takimeve online për pyetje/sqarime që aplikantët mund të kishin përderisa thirrja bëhej për herë të parë. Këtë shërbim e kanë marrë më shumë se 100 aplikantë potencialë”.
Fituesit e startup-eve
Tomi Kallanxhi ekspert teknologjie, përsërit siç edhe qytetari denoncues në platfotmën e “Sinjalizo”, mungesën e inovacionit.
“E kam parë procesin e granteve të ofruara nga Ministria e Sipërmarrjes, nuk ka shkuar ashtu siç pritej, pasi fitues kanë dal ide jo inovatore. Njoh shumë njerëz që kanë aplikuar dhe nuk kanë fituar. Gjithashtu siç kam parë njerëz në këtë proces që kanë fituar dy herë dhe kjo nuk është e drejt normalisht”, e thotë drejtpërdrejt konstatimin e tij për “Sinjalizo”, eksperti.


Nga investigimi i thelluar i “Sinjalizo” rezulton se në listën fituese, dy nga kompanitë e shpallura fituese kanë ortak të njëjtin person. Ne kërkuam informacion nga MiSHMS nëse diçka e tillë është e lejuar në termat e referencës së granteve.
Në përgjigjen e saj, ministria shkruan se dy kompanitë fituese janë entitete ligjore të ndryshme. “Në Rregulloren e Grantit apo në dokumente të tjerë të thirrjes, nuk ka asnjë kufizim lidhur me pyetjen e shtruar. Kufizimi i vendosur nga ne qëndron në mos lejimin e aplikimit të së njëjtës kompani me më shumë se një ide brenda të njëjtës thirrje”, shkruam MiSHMS teksa thekson se aplikues është subjekti dhe jo administratori/ortaku i tij dhe nëse për të njëjtin NIPT do të kishin dy apo më shumë aplikime të ndryshme atëherë aplikimet nuk do të pranoheshin
Ndërkohë Gerion Treska, ekspert i startup-eve në Shqipëri tregon për “Sinjalizo” se granti i dhënë është instrument që qeveria financon nga buxheti i shtetit iniciativa, në këtë rast për startup-e.
“Në vetvete i gjithë Ligji rregullon çdo gjë që ka lidhje me grantin, jo me ekosistemin, por vetem grantin si instrument financimi. Pra, si do të funksiononte hapja e thirrjes, kush do të quhej startup. Sipas ligjit shqiptar, nëqoftëse ti përmbush këto karakteristika, ti mund të aplikoje për grantin dhe mund të fitoje”, shprehet Treska.
Më tej eksperti i startup-eve tregon se gjatë procesit të aplikimit ka suportuar disa grupe.
“Unë kam suportuar disa ekipe, të rinj që kanë aplikuar, por disa prej tyre nuk kanë fituar, disa po. Me monitorimet që kam bërë mund të them që kanë qenë ose ekipe shumë të avancuar dhe granti i ka mbuluar një pjesë të gjësë që donin të bënin, ose kanë qenë ide fillestare. Disa gjëra mund të them se kanë funksionuar mirë, disa të tjera janë gjithnjë kështu në proces”, tregon eksperti Treska.
Ndërkohë e pyetur se cili nga kriteret ka pasur peshën më të madhe në vlerësim, Minsitria nënvizon se “ndër më kryesoret, me peshë më të madhe pikësh janë: Përputhshmëria e modelit të biznesit me kriteret e thirrjes së grantit; qartësia e përshkrimit të treguesve të inovacionit; si dhe në rastin e lehtësuesve, edhe qartësia e përshkrimit të impaktit dhe rezultateve të matshme”.
Ne kërkuam nga ky institucion që të na vendosë në dispozicion informacionin se ku konsiston konkretisht inovacioni në idenë fituese dhe shërbimin/përfitim publik për startup-et fituese. Ministria tregon se për të gjithë fituesit është plotësuar një formular vlerësimi, ku thekson se dy nga kriteret ‘Qartësia e përshkrimit të impaktit dhe rezultateve të matshme’ dhe ‘Qartësia e përshkrimit të treguesve të Inovacionit’ adresojnë pyetjen në fjalë.
“Fushat kryesore të aplikantëve fitues janë TIK, fintech, robotika, dhe platformat që lehtësojnë shërbimet e-commerce, fusha këto me zhvillime tejet të mëdha për të ofruar zgjidhje për shumë konsumatorë e biznese në uljen e kostove, kohës, krijimin e mundësive të reja në shitje etj. Të gjitha start up-et fituese kanë realizuar video ku prezantojnë shkurtimisht vlerën që shton idea/biznesi i tyre, të cilat janë publikuar”, shkruan Ministria e Shtetit për Mbrojtjen e Sipërmarrjes.
Komisioni i vlerësimit dhe përzgjedhjes
Sipas VKM nr. 313 datë 11.05.2022, komisioni i vlerësimit të dhënies së grantit për mbështetjen e startup-eve dhe lehtësuesve kryesohet nga ministri përgjegjës për sipërmarrjen dhe përbëhet nga katër anëtarë të tjerë të zgjedhur me mandate për periudhën e disbursimit të grantit maj-dhjetor 2022. Konkretisht një anëtar i caktuar nga ministri përgjegjës për sipërmarrjen; Një anëtar i caktuar nga ministri përgjegjës për rininë dhe fëmijët; Një anëtar i caktuar nga Fondacioni Shqiptaro-Amerikan për Zhvillim; Një anëtar ekspert nga ekosistemi i startup-eve.
Eksperti i teknologjisë Kallanxhi thekson se një ndër problemet e këtij procesi është pikërisht përzgjedhja e jurisë.
“Çështja është që juria përzgjedhëse ishin njerëz që nuk kishin lidhje fare me teknologjinë. Kjo gjë ka një gabim që në gjenezë, pasi nuk duhet të merret shteti me këtë punë. Ne nuk kemi nevojë për fonde nga buxheti i shtetit, pasi në asnjë vend të botës shteti nuk financon startup-et, i financon biznesi, koorporatat etj. Unë mendoj që shteti duhet të krijojë mekanizma se si bizneset e mëdha të investojnë në startup-e”. Sipas Kallanxhi shteti duhet të ndihmojë startup-et që të përhapen globalisht.
Në lidhje me këtë çështje, Gerion Treska shton se ajo çfarë duhet të përmirësohet është transparenca e procesit dhe se si njerëz nga ekosistemi vlerësojnë startup-et.
“Duke qenë se startup-et janë një koncept shumë i ri, i cili po akomodohet në mënyrën e të menduarit, të jetuarit në Shqipëri, të marrësh përfaqësues të ministrive të vlerësojnë startup-e risku është që ata të vlerësojnë modele biznesi që ekzistojnë”, shprehet Treska, teksa thekson se mes një projekti ose startup-i me inteligjencë artificiale i cili kuptohet pjesërisht dhe një startup-i tjetër i cili njihet më mirë, që eshtë një model biznesi i njohur, një anëtar jurie është i aftë të gjykoj atë që njeh më shumë se sa atë që nuk njeh. “Kjo e limiton në një farë mënyre cilësinë e startup-eve që përfitojnë grante. Në këtë sens mendoj që mund të përmirësohen disa gjëra”, thekson ai.


Sipas tij, procesi do të ishte më i mirë nëse në juri do të ishin persona që kanë investuar më herët në startup-e. “Nëqoftëse ti je drejtor drejtorie dhe të vendos në pozicionin e jurisë, automatikisht ka një ngërç”- evidenton eksperti.
Të rinjtë kanë prioritet në proces
Në thirrjen e parë të MiSHMS, mësohet se ka pasur 627 aplikime në total për të dy kategoritë. Nga këto aplikime, 497 janë për start up-e dhe 130 janë lehtësues, ku dhe u përzgjodhën në total 58 fitues.
Një ndër synimet e këtij projekti është që këto startup-e të prekin edhe tregun ndërkombëtar. Në kuadër të kësaj ministria shkruan për “Sinjalizo” se një pjesë e tyre tashmë i kanë kaluar kufijtë e Shqipërisë.
”Kriteret e pranimit të start up-eve ndahen në tre faza: Start up-et në fazën fillestare; Start up-et në fazën e rritjes dhe Start up-et në fazën e zgjerimit. Kështu të ndarë në këto faza, prototipet e shumicës janë në fazën e dytë kryesisht atë të rritjes, ku kërkohet një mbështetje më e madhe, që t’iu jepet mundësia për të qenë pjesë e tregut ndërkombëtar”, theksohet në përgjigjen e ministrisë.
Ky proces u fokusua edhe të mbështetja e aplikuesve të rinj, vajza dhe gra. Komisioni vlerësoi aplikimet mbi bazën e pikëzimit të paracaktuar ku theksohej se nëse aplikuesi është femër merr 10 pikë dhe nëse është nën 30 vjeç merr 10 pikë të tjera.
“Kjo mbështetje u reflektua që në thirrjen e parë ku 45% e fituesve të granteve të dhëna nga MiSHMS kanë mbështetur vajzat dhe gratë në të gjithë Shqipërinë. 50% e fituesve në thirrjen e parë janë të rinj nën moshën 30 vjeç për kategorinë start up”, thuhet në përgjigjen e MiSHMS për “Sinjalizo”.
Megjithatë ekspertët bien dakord se heqja e meritës për shkak të gjinisë është një lloj diskriminimi.
Rregullorja e funksionimit të grantit
Granti i vënë në dispozicion ka për qëllim mbështetjen e startup-eve dhe lehtësuesve të startup-eve të cilët zhvillojnë projekte inovative në fusha prioritare për zhvillimin e vendit, mbështetje për iniciativa që kanë impakt pozitiv mjedisor, fuqizimi i rinisë, fuqizimi i vajzave dhe grave sipërmarrëse, fuqizimi i përfshirjes sociale, diversiteti dhe impakti social dhe prioritete të tjera, sipas urdhrit të Ministrit të Shtetit për Mbrojtjen e Sipërmarrjes.
Nga ky grant pritet të përfitojnë startup-et që i përkasin tre kategorive kryesore si: startup-et në fazën fillestare, në fazën e rritjes dhe në fazën e zgjerimit dhe gjithashtu lehtësuesit e startup-eve të kategorive si akademi e cila përfshin universitetet private dhe publike, bashki, arsim i mesëm dhe profesional, inkubatorë dhe përshpejtues, hapësira pune të cilat përfshijnë ofruesit e ambienteve dhe pajisjeve të punës dhe organizues eventesh për startup-et.


Në kuadër të fazës në të cilën ndodhet aktualisht ky, MiSHMS na tregon janë firmosur të gjitha Kontratat e Grantit mes Autoritetit Kontraktues dhe Përfituesve dhe thekson se ka filluar zbatimi dhe realizimi i shumicës së projekteve, të cilat duhet të përfundohen brenda afateve të përcaktuara në kontratë.
“Siç përcaktohet në rregulloren e Grantit dhe në Kontratën përkatëse, disbursimi i grantit për kategorinë ‘Startup’ bëhet në disa faza dhe kjo varet nga evidencat përkatëse të dorëzuara nga Përfituesi. Po kështu edhe për lehtësuesit e start up-eve, me përjashtim të akademisë, shkollave të mesme profesionale dhe Bashkive, të cilat janë disbursuar pas firmosjes së Kontratës ku sipas përcaktimeve në Rregullore dhe Kontratë, këta të fundit e marrin grantin para-financim”, shkruan për Sinjalizo MiSHMS.
Problematikat e startup-eve në Shqipëri
Eksperti i startup-eve, Gerion Treska tregon se organizata në të cilën ai punon dhe ka një periudhë operimi 10-vjeçare, “Junior Achviment Albania” është një ndër fitueset si lehtësues në këtë grant.
“Tani jemi në një pikë të vakët të ekosistemit, ku disa aktorë kanë dalë jashtë tregut, disa kanë ndryshuar objektivin dhe njëkohësisht nuk ka një entuziazëm shumë të lartë për të bërë startup. Për disa arsye, jo vetëm lidhur me instrumentet e financimit, por edhe me faktin që të bësh një startup dhe të kapësh tregjet e huaja nuk është aq e lehtë”, thekson Gerion Treska, ekspert për startup-et.
Raportet mbi inovacionin/ Shqipëria ndër të fundit në rajon
Në raportin më të fundit mbi inovacionin të publikuar nga Komisioni Evropian, ku për të parën herë është përfshirë edhe Shqipëria, vendi ynë paraqitet në nivele tepër të ulëta inovatore, krahasuar me vendet e Evropës, por përfshi edhe ato të rajonit.


Në barometrin e matjes, prej një maksimumi të 160 pikë, Shqipëria arrin të grumbullojë vetëm 41.7. Shqipëria renditet e katërta nga fundi ndër të gjitha vendet e marra parasysh, ku pas lë vetëm Bosnjë dhe Hercegovinën, Rumaninë dhe Ukrainën. Nga Ballkani Perëndimor, Serbia shfaqet si vendi më inovator, me 61.8 pikë.
Ndërkohë në Indeksin Global të Inovacionit për vitin 2022 të publikuar nga “Organizata Botërore e Pronësisë Intelektuale” Shqipëria pozicionohet në vend të 84 mes 132 vendeve në total duke grumbulluar kështu 24.4 pikë.
Indeksi Global i Inovacionit zbulon ekonomitë më inovative në botë, mat performancën e ekosistemeve dhe gjurmon tendencat e reja të inovacionit dhe përparimin teknologjik në 132 ekonomi të botës. Krahasuar me vendet e rajonit Shqipëria renditet e fundit.