Autor: Denis Tahiri
Organizata e Policisë së Shtetit përfshin në strukturat e hetimit të krimit dhe parandalimit 10500 efektivë. Shifra bëhet publike për “Sinjalizo” nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit. E ndërsa, sa herë përmendet nëpër media, numri i punonjësve të policisë, gjithmonë lakohet shifra mbi 12 mijë punonjës, që duhet të mbanin veshur uniformën e oficerit të policisë për të parandaluar krimin dhe për të garantuar rendin dhe sigurinë publike. Të dhënat e reja të dala në dritë, tregojnë se kriza e mungesës së punonjësve të policisë po theksohet. Rreth 200 punonjës të cilët merren në punë me ligjin e Policisë janë në mungesë, ndërkohë stafi civil i Policisë së Shtetit ka një mungesë edhe më të madhe, këtë pranojnë për “Sinjalizo” në kushtet e anonimitetit, zyrtarë të policisë. Sakaq, një oficer policie sinjalizoi përmes platformës së “Sinjalizo” duke kujtuar se vështirësia bëhet më e madhe nga pagat e ulta, mosmarrja e dietave, orëve shtesë, stresi i protestave dhe i ngarkesës së konsiderueshme. Bëhet me dije se këto faktorë kanë shtyrë të paktën 600 punonjësve të policisë që gjatë muajve të fundit të heqin kapelen e policit dhe ta lënë detyrën. Një burim nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit i tha “Sinjalizo” se nga një vlerësim i përafërt i mungesave në stafin civil dhe atë me uniformë, numri shkon afërsisht 2000 persona.
Njëkohësisht të dhënat e vendosura në dispozicion për “Sinjalizo”, tregojnë se aktualisht në strukturën e Policisë së Shtetit, ka 1 drejtues Madhor, 7 Drejtues të Lartë, 52 Drejtues të Parë, 144 Drejtues, 430 Kryekomisar, 569 Komisar, 1533 Nënkomisar dhe 7863 Inspektorë. Edhe në këtë pikë, ngritja në karrierë që ecën ngadalë dhe bllokimi i konkursit, prej kohës e ish drejtorit të përgjithshëm Gledis Nano, shtohet si faktor demotivues.
Polici përballë protestave
“Hera e parë që kam qenë i thirrur për të marrë pjesë në protestë, kam qenë i sapodalë nga akademia”, kështu e nis rrëfimin një polic rreth të 30 – ve, që është i emëruar në policinë më të madhe në rang vendi, atë të kryeqytetit. “Isha në kordon, dhe në një moment filluan njerëzit të shtyheshin me ne, me ato gardhet metalike qe ne vendosim e me thënë të drejtën, përveç mbajtjes së gardhit që tashmë më duket diçka qesharake, nuk e dija se çfarë mund të bëja tjetër”, tregon ai. Në memorjen e efektivit është rrënosur edhe momenti kur provoi efektet e gazit lotsjellës për herë të parë.


“Kishim maska, nuk është se skishim, por ishin të vjetra, saqë nuk arrinin të bënin filtrimin tamam. Po ç’të bësh desha, sdesha, shtrëngova dhëmbët dhe qëndrova në këmbë, krahë kolegëve”, vijon efektivi me gradën inspektor.
Por problem i keqpaisjes së policisë shqiptare është një çështje e pazgjidhur prej vitesh. Në kushte anonimati, efektivët i thonë “Sinjalizo” se për shkak të cilësisë së dobët, ata detyrohen ti blejnë nga lekët e xhepit uniformat e policisë, edhe ky një fenomen i përsëritur prej kohës kur policinë e drejtonte Hysni Burgaj dhe në vazhdim. “Radiot pa kufje vijojnë të mbeten një nga shqetësimet tona”, shprehet një tjetër efektiv, për pakënaqësitë dhe policinë “e zhveshur” në protesta. Me maskat e vjetëruara ose joefektive, si dhe gazi-lotsjellës i cili hidhet sipas gjykimit të efektivëve të policisë aty në moment dhe jo me koordinim nga eprorët e tyre, policët tregojnë se në protesta nuk janë aspak të rrezikuar nga protestuesit por nga masat që merren në kuadër të tyre dhe që sjell jo pak herë orë të stërgjatura. “Ne dalim nga shërbimi ku jemi në komisariat dhe përmes grafikëve të bëra aty për aty nga shefat, hidhemi në Bulevard dhe qëndrojmë pa lëvizur derisa ikën dhe i fundit. Është torturuese” tregon një punonjës i patrullave, i cili i thotë “Sinjalizo” se ka qenë në mijëra protesta prej 1990 dhe se “gjendja sa vjen e bëhet e vëshirë. Edhe një vit kam e dal në pension. Mbeta gjithë jetën inspektor”, ankohet polici veteran.
Policia se di, sesa orë shërbimi në protesta kanë bërë efektivët për 2020 e 2021
Të kontaktuar për këtë situatë zyrtarisht për “Sinjalizo”, Policia e Shtetit thekson se janë paguar të gjitha orët shtesë për cdo protestë dhe tubim të mbajtur jo vetëm në Tiranë por edhe në qytete të ndryshme.
“Përgjatë 5 viteve të fundit, punonjësve të Policisë u janë paguar të gjitha orët shtesë për angazimin e tyre në shërbime suplementare, jashtë orarit të detyruar të shërbimit, jo vetëm për protestat, por për të gjitha llojet e shërbimeve për të cilat ata janë angazhuar”, deklaron zyrtarisht Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit. Ndërkohë në pjesën e dytë të përgjigjes thotë se edhe pse në vitin 2020 janë zhvilluar 698 tubime/protesta dhe manifestime e janë angazhuar 8 750 punonjës, policia nuk ka të dhëna për shërbimin shtesë. “Nuk kemi të dhëna për orët e shërbimit të kryer nga punonjësit e Policisë për sigurimin e rendit publik gjatë tubimeve/protestave dhe manifestimeve të zhvilluara gjatë vitit 2020”, thuhet në përgjigjen zyrtare, ku për vitin 2021 policia shton se nuk disponon informacion për numrin e punonjësve të angazhuar dhe as për orët e shërbimit të kryer për tubime/protesta dhe manifestimet e zhvilluara gjatë vitit që kemi lënë pas.
Por ky nuk është problemi vetëm që efektivët e Policisë së Shtetit përballen në rastet e protestave ose tubimeve. Paisjet e vjetra, ose mungesa e paisjeve është një tjetër problem që prek pothuajse të gjithë punonjësit e policisë. Në një sinjalizim të ardhur në platformën e ‘SINJALIZO!” thuhej se mungesa e mjeteve por edhe vjetërsia e tyre jo pak herë ka dërguar bashkë me protestuesit edhe policët në spital. Sinjalizimi ishte i shoqëruar edhe me një dokument të ish- drejtuesit të Policisë së Shtetit, Gledis Nano, drejtuar ministrit të brendshëm në të cilat paraqiteshin problematikat e hasura gjatë një proteste.
“Sitemi i komunikimit me radio ndërlidhëse në kanalin e caktuar për drejtuesit e strukturave qëndrore të Policisë së Shtetit nuk funksionoi gjatë gjithë zhvillimit të protestës”, thuhet në një pjesë të këtij dokumenti, ku ndër të tjera shtohet që përdorimi i mjeteve shihedhëse dhe i lëndëve lakrimogjene duhet planifikuar më mirë dhe në çdo rast përdorimi i tyre të bëhet vetëm me urdhër dhe komandë nga drejtuesit e shërbimeve dhe jo me iniciative të punonjësve të policisë që i përdorin ato. Duke nxjerrë kështu në pah edhe përdorimin e tepërt të lëndëve lakrimogjene.


Një tjetër problematikë ku vendoset theksi në këtë dokument është edhe nevoja për trajnimin e personelit policor të strukturave të rendit publik në menaxhimin e përballjen me tubimet e aktivitetet masine. Problematikë e identifikuar nga ish- kreu i policisë së shtetit është edhe mungesa e kufjeve për radiot e efektivëve të policisë gjatë protestave.
Nga ana tjetër, ish- numri një i uniformave blu ka ngritur edhe shqetësimin për filtrat e kundërgazeve të personelit policor të Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë, i cili sipas tij “Nuk kryen plotësisht funksionin e duhur për shkak të konsumit dhe qëndrimit të gjatë në magazine”, ndërkohë ndër të tjera, ai shtonte se është domosdoshmëri disponimi nga Policia e Shtetit të mjeteve dhe paisjeve kufizuese për bllokimin e segmenteve të caktuara rrugore, devijim trafiku etj.
Edhe pse Policia e Shtetit u pyet specifikisht në lidhje me këto problematika, sidomos me atë të paisjeve të cilat janë hallka kryesore në punën e efektivëve të policisë, në përgjigjen e saj, Policia e Shtetit thotë se gjatë 5 viteve të fundit ka kryer prokurime për blerjen “Paisjesh për Forcat Speciale”, “Blerje paisjes për Forcat Lëvizëse Operacionale”, “Blerje Paisjesh për Policinë e Rendit”, “Blerje Paisjes për Policinë e Rendit”, “Blerje pajisjesh individuale dhe kolektive të mbrojtjes dhe të përdorimit të forcës”, “Blerje pajisjesh radio komunikimi”, “Blerje materialesh dhe pajisjesh speciale për përdorim policor”. Nga të gjitha këto tendera, i fundit është realizuar më 27 Janar 2021.
Sindikata: Policët nuk ankohen tek ne
“Paisjet i kanë të standartizuar, sipas standarteve të Bashkimit Europian”, shprehet kreu i sindikadës së Policëve,Sadedin Fishta, por kur i përmenden mungesa e kufjeve të punonjësve të Punonjësve të Policisë së Shtetit, ai thotë se këto janë paisje që duhet ti kenë. “Duhen me qëllim që mos të dëgjohen porositë, urdhërat, por edhe që të komandojnë pasi nuk mund të komandojnë qoftë edhe vetëm nga zhurma e demostruesve”, thotë ai.
I pyetur për orët shtesë të punonjësve të Policisë në tubime gjatë vitit 2020 dhe 2021 për të cilat Policia e Shtetit nuk ka të dhëna, zoti Fishta shprehet se nuk ka asnjë ankesë. Por shton se kohët e fundit ka patur një vonesë në pagimin e orëve suplementare për vitin 2022. “Kryesisht shërbimet që e kanë me tre turne e zgjidhin kollaj se u jepen pushime, ndërsa problem mbetet gjithmonë te FNSH (Forcat e ndërhyrjes së shpejtë) të cilat janë me orar 8 me 4 edhe strukturat e tjera të komisariateve që janë që angazhohen me shërbimet dhe patrullat e përgjithshme”, shprehet ai duke shtuar se ka patur raste që shumë drejtues komisariatesh nuk i kanë hedhur orët suplementare dhe nuk i kanë dorëzuar në drejtorinë vendore.
“Porosia është që jo më shumë se 16 orë të paguhet dhe pjesa tjetër të jepet pushim. Këta e shkelin ndonjëherë se nuk u japin pushimet dhe kalon masa e 16 orëshit dhe nuk i paguajnë. Këtu kemi patur një ngërc ne pasi në fund të fundit ligji e lejon pagesën edhe mbi 16 orë. Kjo është shkelje pasi nuk e paguan për një punë të kryer dhe shkel të drejtat e punonjësit”, përfundon ai. Por efektivët kanë dyshime edhe ndaj Sindikatës që sipas tyre në kushte anonimiteti, nuk i përfaqëson dhe as që ngre çështje për ti mbrojtur.