Autor: Lorin Kadiu
Pranë QSUT-së, nuk është e vështirë të identifikosh të gjithë qytetarët të cilët presin të kryejnë konsulta për probleme me rrugët e frymëmarrjes, një ndër to është edhe Entela, 35 vjeç e cila prej më shumë se katër vitesh vuan nga probleme resipratore.
“Pothuajse çdo dy muaj këtu më gjen”, thotë e reja, në profesion ekonomiste. “Më filloi para më shumë se katër vitesh, mjekët ja vendosin fajin ndotjes se ajerit”, thotë ajo duke shtuar se shpesh herë detyrohet që pushimet e saj ti kaloj në zona të thella malore, ku pas kthimit ndihet për disa kohë më mirë.
“Pushimet e veres këtë vit i kalova në Vermosh, sëbashku me partnerin mësuam çdo pëllëmbë të pyllit pasi çdo ditë shëtisnim me orë të tëra”, thotë ajo duke shtuar se për më shumë se një muaj pas kthimit në Tiranë nuk pati nevojë që të mjekohej pasi simptomat i kishte pothuajse inegzistente.
Por sëmundjet e aparatit të frymëmarrjes po shndërrohen në një nga shkaqet kryesore të problemeve shëndetësore të Shqiptarëve si edhe shkaku i humbjes së jetës. Vitin e shkuar, sipas një raporti të Institutit të Statistikave të Shqipërisë, numri i shqiptarëve që humbën jetën nga sëmundjet e aparatit të frymëmarrjes u rrit. Këto sëmundje përbëjnë një nga grupet kryesore të vdekshmërisë në vend.
“Numri i vdekjeve të shkaktuara nga grup sëmundja “Sëmundje të aparatit të frymëmarrjes”, është gati 1,5 herë më i lartë, krahasuar me 2020 dhe përbën grupin e tretë kryesor referuar shkakut të vdekjes. Rreth 11,8 % e vdekjeve gjithsej kanë si shkak këtë grup sëmundje dhe niveli i vdekshmërisë për 100 mijë banorë është 128,4 vdekje”, thotë raporti i 3 qershorit të 2022 të Institutit të Statistikave të Shqipërisë. Ekspozimi ndaj ajrit të ndotur mund të shkaktojë një shumëllojshmëri ndikimesh negative në shëndet, mes të cilave dhe sëmundjet respiratore.
Autoritetet shqiptare nuk kanë të dhëna për cilësinë e ajrit në pjesën më të madh të vendit në vitet e fundit. Arsyeja, siç konfirmohet zyrtarisht, është amortizimi i stacioneve të monitorimit të ajrit urban, për të cilat, si pasojë e termetit të 2019-të dhe të pandemisë, nuk ka buxhet për t’i kthyer në funksion.
Ndërkohë, mungesa e buxhetit në asnjë mënyrë nuk përligj mosplotësimin e detyrimit ligjor të institucionit. Ligji “Për mbrojtjen e cilësisë së ajrit” përcakton se Agjencia Kombëtare e Mjedisit është autoriteti kompetent për vlerësimin e cilësisë së ajrit në mjedis, për analizimin e metodave matëse si dhe sigurimin e saktësisë së matjeve. Në këtë ligj specifikohen 6 ndotësit të cilët AKM ka detyrë që t’i monitorojë ku përfshihen edhe grimcat PM10 dhe PM 2.5 që kanë impaktin më të madh në shëndetin e njerëzve. Por, nga kërkimi në faqen web të Agjencisë Kombëtare të Mjedisit rezulton se monitorimet e kryera për cilësinë e ajrit, datojnë në 2014, të pakën për PM 10.
Në një përgjigje zyrtare për ACQJ, Agjencia Kombëtare e Mjedisit refuzoi të përgjigjet si edhe të vërë në dispozicion matjet e cilësisë së ajrit, për 10 vitet e fundit. Ky institucion shpjegon se se stacionet e monitorimit të cilësisë së ajrit urban u instaluan prej vitit 2007 në 7 qytete kryesore të Shqipërisë dhe koha e gjatë e përdorimit ka sjellë amortizimin e tyre. “Periudha e vështirë e tërmetit dhe pandemisë u reflektuan edhe në pamjaftueshmëri të alokimit të buxhetit për të realizuar mirëmbajtjen e vazhdueshme dhe eficencën e plotë të stacioneve të monitorimit të ajrit urban”, shprehet AKM duke shtuar se në bashkëpunim me Ministrinë e Turizmit dhe Mjedisit po punohet për vënien në eficencë të plotë të stacioneve të monitorimit të ajrit urban deri në fund të këtij viti.
Pse nuk matet cilësia e ajrit?
Ekspertët janë të ndarë në arsyet që i shtyjnë autoritetet të mos masin cilësinë e ajrit, duke mbështetur dy argumente: mungesa e fondeve dhe fshehja e qëllimtë e nivelit të ndotjes së ajrit. “Nga bisedat dhe komunikimet deri diku informale, që ne kemi pasur me punonjësit e AKM, ata shprehen se nuk kanë buxhet të mjaftueshëm, sepse kanë një sasi komponentesh që duhet të masin sipas ligjit”, shprehet Arjon Sauku, ekspert mjedisi, i cili shton se komponenti i cilësisë së ajrit kërkon shumë resurse, mjete dhe fonde.
“Argumenti që ata përdorin është se nuk kanë pasur shumë resurse në dispozicion, plus, paisjet që ata përdorin janë statike, që i vendosin në një vend për një kohë të gjatë dhe aty marrin të dhënat për 1 muaj, 2 muaj, për 24 orë, kjo bën që të mos kenë shumë pika përfaqësuese”, shpjegon ai.
Edhe për ekspertin e mjedisit urban, Mevis Struga, arsyeja mund të jetë mungesa e fondeve. “Monitorimi i ajrit dhe matja e ndotësve duhet të bëhet në mënyrë të vazhdueshme, por kërkon pajisje shumë të shtrenjta dhe kërkon goxha financime, kërkon kapacitet”, thotë ai duke shtuar se mungesa e kapaciteteve njerëzore në terren për të punuar në vijimësi dhe mungesa e pajisjeve janë shumë të rëndësishme për të qenë prezente.
“Pra këto dy elementë që mungojnë momentalisht, kanë bërë që të kemi një vakum, pra, kemi një monitorim pjesor, në vende të ndryshme dhe nuk kemi një monitorim të vazhdueshëm”, përfundon ai.
Ndërkohë për Lavdosh Ferunin, aryseja nuk është kosto, mosmatja e cilësisë së ajrit është e qëllimshme. “Vendimarrësit nuk janë të interesuar që të bëhet matja e cilësisë së ajrit, sepse në mungesë të saj njerëzit nuk reagojnë. Nëse nuk ka informacion, nuk ka reagim”, thotë ai duke shtuar se “ne po bëjmë gradaçela, bashkia Tiranë është një bashki e fuqishme që ka buxhet dhe nuk ka të bëjë me çështjen e kostos, pasi ka aparate që kanë kosto nga 50-100 dollarë, është thjeshtë e qëllimshme mos të jepet informacion”, thotë ai.
E ndërsa të dhënat janë të mangëta nga Agjencia Kombëtare e Mjedisit, disa organizatat të Shoqërisë Civile janë duke realizuar matje të vazhdueshme të cilësisë së ajrit në disa qytetet në Shqipëri. Një matje alternative është realizuar edhe nga një projekt i financuar nga Bashkimi Europian, monitorim që nxjerr në pah tejkalimin e normave të lejuara nga legjislacioni shqiptar dhe ai europian.
Ajri i ndotur në Tiranë, Durrës, Shkodër…
Tirana është qendra më e madhe urbane në vend, ku një pjesë e madhe e popullsisë është përqëndruar në kryeqytet. Sipas monitorimit të realizuar nga Co-Plan, me financim të BE, gjetjet e të cilit janë publikuar në një raport të quajtur “Mushkri të gjelbërta për qytetin”, rezulton se në disa zona të Tiranës tejkalohen normat e ndotjes së ajrit.
Shqetësim mbetet niveli i lartë i grimcave PM, grimca pluhuri me përmasa diametër shumë të vogël që shkon nga 10 mikron në 2.5 mikron. Këto grimca për shkak të përmasave të vogla mund të depërtojnë thellë në indet e poloneve duke u shndërruar në shkak për shfaqjen e sëmundjeve të ndryshme të rrugëve respiratore. Burimet kryesore të këtyre grimcave janë ndërtimet, por dhe mjetet e transportit sidomos ato të vjetrat.
Nga matjet në kryeqytet, sipas raportit, rezultoi se përqëndrimi i grimcave PM 2.5 paraqitet dy herë më i lartë se standardi evropian pranë gjimnazit “Petro Nini Luarasi”.
Gjithashtu kryqëzimet që ngelen problematike dhe tejkalojnë normat e BE janë “Rruga e Elbasanit”, rrethrrotullimi tek Universiteti Ekonomik i Tiranës dhe Unaza e Vogël që kalon përreth zonës pedonale të qendrës së qytetit. E ndërsa standardi i pranuar për grimcat e pluhurit PM10 në BE është 40 μg/m3, dhe ai i OBSH 20 μg/m3 në Tiranë, përqëndrimi i grimcave të pluhurit PM10 kanë arritur deri në 101 μg/m3 tek Bulevardi “Zogu i Parë”, rruga e “Dibrës”, Ambasada Amerikane, universiteti “Ekonomik”, gjimnazi “Petro Nini Luarasi”, Zona Bashkiake Nr. 5, Rruga e “Kavajës” dhe Durrësit. (Simboli μg në këtë shkrim i referohet mikron).
“Për NO2, janë matur vlera në 424 stacione në qytetin e Tiranës, ku standardi shqiptar, evropian dhe ai i OBSH-së është 40 μ/ m3. Më poshtë jepet harta përkatëse”, thuhet në raport, ku vihet në dukje fakti se gjatë monitorimit të realizuar prej 2019-2021 vlerat e matura të dioksidit të azotit ka qenë më e lartë se standardi në rrugët dhe kryeqëzimet kryesore të Tiranës.
“Në Indeksin e ndotjes së ajrit 2019(Numbeo 1) Tirana renditet ndër qytetet më të ndotura në Evropë. Si rezultat, numri i individëve që regjistrohen për t’u kuruar nga sëmundjet respiratore dhe stresi janë shtuar vitet e fundit”, thuhet në raportin “Mushkri të Gjelbërta për Qytetin tonë” ku si shkaktarët kryesor të kësaj ndotjeje renditen ndërtimet në kryeqytet si dhe numri i madh i automjeteve që qarkullojnë në rrugët e kryeqytetit, por që mirëmbajtja e tyre nuk bëhet në përputhje me rekomandimet e fabrikuesit, çka sjell një shkarkim të konsiderueshëm të gazrave dhe substancave jo të djegura mirë.
“Ka raste që duket me sy se sa i ndotur është ajri, mjafton të shikosh këtë makinën dhe e kupton vet”, shprehet I.B, një banore pranë ish sheshit “Shqiponja” duke treguar një betoniere.
Pavarësisht vlerave të regjistruara në matje, në qytet “Studenti” perceptimi për ndotjen e ajrit është ndryshe. “Nuk mendoj se është aq i ndotur, kjo ndoshta është një nga zonat me ajrin më të pastër në gjithë Tiranën duke qenë se s’ka shumë popullsi të lartë, ka një lëvizje të kufizuar automjetesh, ka pemë rreth e rrotull si dhe është afër parkut të madh të liqenit, ndërkohë për pjesë të tjera të kryeqytetit është tjetër gjë”, shprehet Klara. D, një banore e kësaj zone.
Ndërkohë në qytetin e Durrësit, i cili është një nga qytetet më të mëdha në vend, ku porti e bën edhe një nga qendrat më të rëndësishme ekonomike, situata nuk duket më optimiste. “Gjendja e cilësisë së ajrit në Durrës nuk është ndër më optimalet. Zona me ajër më të ndotur është zona e portit. Gjithashtu cilësia e ajrit përkeqësohet gjatë procesit të ndërtimeve”, shkruhet në raport.
Ndërkohë në kryeqendrën e veriut, në Shkodër, janë realizuar matje për disa paramentra, nga ku ka rezultuar se grimcat PM2.5 dhe PM10 janë me vlerë më të madhe se norma e BE. Mbi normën e BE-së janë gjetur edhe komponentët NO2 dhe SO2, ku pika më problematike e qytetit është qendra e tij.
Ekspertët tregojnë zonat më të ndotura të kryeqytetit
Në kryeqytet ekspertët shprehen se njollat e zeza të ndotjes së ajrit janë pothuajse gjithmonë të njëjta edhe pse pothuajse në të gjithë kryeqytetin cilësia e ajrit ka probleme. “Po të flasim për Tiranën, kryqëzimet e rrugëve që kanë trafik të rënduar si: Unaza e Madhe që ka qenë në rikonstruksion ka patur grimcat e pluhurit dyfish më të larta, rruga e Elbasanit, ish- Stacioni i Trenit, pra ku ka trafik të rënduar dhe kryqëzime ka ndotje e grimca të pluhurave dhe CO2 e NO2 që çlirohen nga gazrat e makinave”, shprehet eksperti i mjedisit Arjon Sauku.
Nga ana tjetër, eksperti i mjedisit urban, Mevis Struga, shprehet se kostot ekstenale nga ndotja e ajrit janë kosto të larta, indirekte, sociale që ndikojnë qytetarët dhe shtetin. “Qytetari që ka sëmundje kronike respiratore duhet të kurohet në mënyrë të vazhdueshme. Pra, nëse është i siguruar, mirë, por nëse nuk është i siguruar është personi vet që mbulon shpenzimet. Pra është barrë për qytetarin si nga ana shëndetësore dhe nga ajo financiare”, thotë ai duke shtuar se në pjesën afatgjatë, është pjesa e shtetit që duhet të krijojë mundësi sigurimi për qytetarët, që duhet të mbulohen në mënyrë të plotë. “Pra është barrë jo vetëm e shtetit, por e të gjithë shoqërisë”, përfundon ai.
Edhe Elbasani në “kthetrat” e ndotjes
Ahmet Mehmeti, ambjentalist në qytetin e Elbasanit thotë se ndotja e ajrit r gjatë periudhës 2019-2021, ku në 2019 vetëm 4 nga 47 pika të monitoruara kishin nivelin e oksidit të azotit brenda standardeve të BE.
“Konkretisht nga standardi i BE-së që është 40, gjatë matjeve u vu re se niveli shkonte 40-100 μm 3”, shprehet ai. “Kjo ka ardhur si rrjedhojë e veprimtarisë industriale pranë zonave urbane” thotë Ahmet Mehmeti i cili shton se “përsa i përket gjendjes së ndotjes nga grimcat PM2.5, në 25 pika të monitoruara në Elbasan ndotja ishte brenda normave, kurse në 22 pikat e tjera norma tejkalohej duke shkuar 30-180 μm 3”.
“Më mirë paraqitet gjendja e ndotjes ndaj grimcave PM10, pasi nga 47 pikat e monitoruara vetëm 8 tejkalonin normat, krahasuar me standartin e BE që është 30 μm. Dioksidi i Squfurit në 100 pikat të monitoruar në Elbasan ka kapur vlerën maksimale 181 μm 3, kurse mesataria ka shkuar deri në 137.1 μm 3”, shprehet ambientalisti Ahmet Mehmeti duke shtuar se standardi europian është 125 μm 3.
Ajri i ndotur shkakton kancer. OBSH: Më të rrëzikuar fëmijët e të moshuarit
Organizata Botërore e Shëndetësisë shpjegon se ajri i ndotur mund të shkaktojë një shumëllojshmëri ndikimesh negative në shëndet. “Rrit rrezikun për infeksione respiratore, sëmundjet e zemrës si dhe kancerit të mushkrive. Si ekspozimi për një kohë të shkurtër, ashtu edhe ai për një kohë të gjatë ndaj ajrit të ndotur lidhet me ndikime në shëndet”, thotë OBSH duke shtuar se këto efekte janë më të rënda te njerëzit të cilët janë sëmurë. “Fëmijët dhe të moshuarit janë më të rrezikuar”, thotë OBSH duke shtuar se ndotësit më të rrezikshëm- të lidhur ngushtësisht me humbjet e jetëve parakohe- janë grimcat PM2.5, të cilat arrijnë të deportojnë në kalimet e ajrit në mushkri.
OBSH ka një listë me mënyra për të ndërhyrë që shtetet të ulin nivelin e ndotjes së ajrit, të cilat përfshijnë zhvillimin e transportit të qëndrueshëm në qytetet, zbatimin e menaxhimit të mbetjeve të ngurta, sigurimin e aksesit në lëndë djegëse të pastra shtëpiake, zhvillimi i tregut për energjitë e rinovueshme dhe efikasiteti i energjisë dhe zbatimi i reduktimeve të emetimeve industrial.
Por ajo që shihet është se në vendin tonë, edhe pse rreziqet e ajrit të ndotur dihen, asnjë nga instancat shtetërore nuk po merr masa për të ndërhyrë. Madje as për të matur nivelin e ndotjes.