Dhuna tek të miturit, mungon ndërhyrja dhe asistenca për viktimat

Autor: Esmeralda Pashollari

“17 vite heqje lirie”, – ky është vendimi i marrë nga Gjykata e Apelit Tiranë dy vite më parë për shtetasin Q.N, i cili prej kohësh kryente marrëdhënie seksuale me dhunë me të bijën minorene. Vendimi i gjykatës për t’ia lënë në kujdestari të tre fëmijët mamasë pas zgjidhjes së martesës, nuk e pengoi 65-vjeçarin për të rimarrë fëmijët në shtëpinë e tij dhe të abuzonte vazhdimisht me të bijën e vogël.

“Ai ishte shume kontrollues ndaj saj”, – dëshmoi përpara gjykatës motra dëshmitare e viktimës, e cila pranon se në dijeni të raportit që i ati abuzues kishte krijuar me të bijën ishin edhe mamaja me hallën e së miturës. “Kur isha 8-vjeçe mbaj mend që një ditë babi ishte i dehur dhe po ecnim në rrugë së bashku. Kur nuk kishim njeri pranë ai e tërhoqi, e puthi në buzë dhe e lëshoi”, – dëshmoi ajo, duke pohuar se nuk ka reaguar më parë prej frikës se Q.N mund të ushtronte dhunë fizike ndaj saj.

Gjatë seancës gjyqsore është pranuar prej viktimës, tashmë adulte, se në vitin 2012 si pasojë e abuzimeve të vazhdueshme i është nënshtruar abortit. “Fakti që viktima ka kaluar një abort konfirmohet edhe prej provës shkencore kopje e njëhsuar e origjinalit të kartesës mjekësore të shtetases dërguar nga Spitali Universitar Obstetrik Gjinekologjik ‘Mbretëresha Geraldinë’”, – thuhet në proces verbalin e seancës gjyqësore.

Abuzimi seksual me të miturit, shifrat zyrtare

8 (tetë) raste të abuzimit seksual me të mitur janë regjistruar nga Policia e Shtetit nga data 1 Janar deri më datë 30 shtator të këtij viti, sipas përgjigjes zyrtare të këtij institucioni për Qendrën Shqiptare për Gazetari Cilësore. Ndërkohë, policia bën me dije me anë të gjuhës së shifrave se 10 kanë qenë rastet ku të abuzuarit nga mosha 14-18 vjeçare kanë denoncuar abuzuesit për veprën penale “marrëdhënie seksuale/homoseksuale me dhunë”.

“Të dhënat statistikore tregojnë se 1 në 10 fëmijë janë viktima të dhunës dhe ngacmimit seksual”,- thotë për ACQJ Altin Hazizaj, një nga themeluesit e “Qendrës për Mbrojtje e të Drejtave të Fëmijëve në Shqipëri”, i cili pranon se “krahasuar me vendet e Bashkimit Europian, Shqipëria ka një nën-raportim në këtë drejtim”.

Brunilda Laboviti, Psikologe

Sipas Hazizaj, nga monitorimi që “Qendra për Mbrojtjen e Të Drejtave të Fëmijëve” u ka bërë raportimeve që vijnë nga NJMF-të (Njësia për Mbrojtjen e Fëmijëve) apo nga Policia, rezulton se për periudhën 2020-2021, janë të paktën 100 raste të dhunës seksuale ndaj fëmijëve dhe adoleshentëve.

“Faktorët që ndikojnë në numrin e lartë të abuzimeve suksuale tek të miturit janë faktorë psikosocialë, mosnjohja e kufijve vetjakë”, – thotë për ACQJ psikologia Brunilda Laboviti, sipas së cilës mungesa e monitorimit të teknologjisë është një tjetër arsye pse fëmijët më vulnerabël mund të bien pre e abuzimit seksual.

“Gjithashtu, jetesa në familje të zgjeruar me të afërm të tjerë, mund të jenë faktorë risku për fëmijët”, – përfundon Laboviti.

Ndërkohë, për sociologun dhe pedagogun e Sociologjisë, Gëzim Tushi, rritja e numrit të abuzimeve seksuale ndaj të miturve vjen si rezultat i disa faktorëve “midis të cilëve është puna e pamjaftueshme që bën familja, shkolla, media për formimin e pakët të fëmijëve dhe të të rinjve në shoqëri”.

“Në shoqëri janë shtuar dhe është zgjeruar dukuria e maniakëve të seksit dhe format e tmerrshme të abuzimit seksual me fëmijët. Përmasat e këtij lloji të veçantë të krimit seksual, qoftë edhe aq sa deklarohet në media dhe publik është shqetësuese. Pa llogaritur këtu, që me siguri mund të ketë shumë lidhje abuzive klandestine, të fshehura e të padeklaruara”, – shprehet Tushi.

Agjencia Shtetërore për të Drejtën dhe Mbrojtjen e Fëmijës (ASHDMF) bën të ditur për ACQJ, se në vend janë regjistruar 73 raste të abuzimit seksual me të miturit gjatë vitit 2021, ndërkohë janë regjistruar 155 raste të dhunës fizike ndaj të miturve.

Këto shifra ngrene pikëpyetje jo vetëm mbi efektivitetin e mjeteve në dispozicion të viktimave minorene potenciale të abuzimit seksual, por edhe diferencës mes shifrave të raportuara nga Policia e Shtetit dhe agjencitë e tjera shtetërore.

Studimi: Të miturit e mbijetuar të dhunës seksuale, pa mbështetje institucionale

Studimi i përbashkët i ECPAT International me CRCA/ECPAT Shqipëri tregon se fëmijëve dhe adoleshentëve që kanë mbijetuar nga dhuna seksuale në vend “u kanë munguar shërbimet profesionale për shërbime profesionale për trajtimin e pasojave të dhunës apo edhe informacionit sesi të mbroheshin nga dhuna seksuale”.

“Të gjithë viktimat treguan se kishin marrë vetëm shërbime të pjesshme, aspak të koordinuara, shpesh të cunguara apo për një kohë shumë të shkurtër”, – thotë për ACQJ Hazizaj i cili pranon se për çdo institucion mungon protokolli dhe standarti bazë.

Ndërkohë, Agjencia Shetërore për të Drejtën dhe Mbrojtjen e Fëmijës bën të ditur se “menaxhimi i rastit udhëhiqet nga Punonjësit e Mbrojtjes së Fëmijës në bashkëpunim me Grupin Teknik Ndërsektorial”. Sipas përgjigjes zyrtare të këtij institucioni, pas identifikimit të rastit të abuzimit me një të mitur, vlerësimi fillestar kryhet brenda 24-48 orëve.

Altin Haziraj, CRCA

“Në parim mund të themi se vetëm një pjesë shumë e vogël e fëmijëve marrin shërbimet bazë, por jo të gjitha shërbimet e domosdoshme që një individi i duhen për t’u rehabilituar nga pasojat që dhuna seksuale dhe një krim i tillë shkakton tek fëmija”- përfundon Hazizaj.

Si mund të parandalohen abuzimet me të miturit?

“CRCA/ECPAT Shqipëri ka të paktën 3 vjet që i kërkon Ministrisë së Arsimit që të ndryshojë të gjithë qasjen që ky institucion ka përkundrej dhunës në tërësi, dhe dhunë seksuale në veçanti”, – thotë Altin Hazizaj duke mohuar që të jetë marrë ndonjë masë nga Ministria e Arsimit deri më tani.

“Ministria e Shëndetësisë dhe Ministria e re e Fëmijëve, e kanë të nevojshme urgjentisht që të zhvillojnë politika të reja për mbrojtjen e fëmijëve nga dhuna seksuale, standartet e shërbimeve dhe detyrimet që institucionet kanë në këtë aspect”, – thotë Hazizaj duke nënvizuar bisedimet me Ministrinë e Shëndetësisë nuk kanë sjellë rezultate. “Mungesa e fondeve nga buxheti shtetit i pengon ata që të ndërmarrin këtë reformë kaq të domosdoshme për mbrojtjen e fëmijëve”, – tregon ai duke shtuar se edhe legjilacioni shqiptar ka nevojë për ndryshime.

Gëzim Tushi, Sociolog

“A e dini kush është skandali më i madh në Kodin tonë penal? Nëse për ne, si ekspertë, dhunë seksuale ndaj fëmijëve konsiderohet çdo veprim që i rrituri ndërmerr duke përdorur fëmijën si objekt për arritjen e kënaqësisë së tij seksuale, për ligjvënësin në Shqipëri dhunë seksuale konsiderohet vetëm penetrimi me dhunë i fëmijës!”, – thotë Altin Hazizaj, sipas së cilit klasifikimi si “akte të turpshme” apo “ngacmim seksual” ndikon në mos-dënimin e një pjese të krimeve seksuale.

“Një nga rrugët e mbrojtjes së famijëve nga abuzimi seksual, është krijimi tek ata i kulturës së denoncimit të çdo lloji apo forme të joshjes, presionit apo ngacmimit seksual verbal apo fizik qoftë”, – thotë sociologu Tushi, sipas të cilit është e domosdoshme “puna për përmirësimin e treguesve të edukimit seksual, por mbi të gjitha të cilësive të punës për ‘edukimin human’ të fëmijëve, adoleshentëve, të rinjve në mënyrë që ata të kuptojnë raportet e drejta të sjelljes seksuale”.

What's your reaction?
0Smile0Lol0Wow0Love0Sad0Angry

Leave a comment

Qendra Shqiptare për Gazetari Cilësore
Rruga Pjetër Budi, 69

Tiranë, ALBANIA


Telefon: +355 (0) 6 8856 3686
Email: info@acqj.al

Investigative Network Albania

Teksti zyrtar është versioni në shqip i faqes së internetit. Kjo faqe përdor përkthim automatik përmes mjeteve të inteligjencës artificiale. Pavarësisht se ky përkthim është i një cilësie të lartë, rastis që të ketë dhe gabime dhe keqkuptime në kontekstin e produkteve. Duke qenë se është një teknologji e cila përmirësohet me kalimin e kohës, shpresojmë të qendroni me ne ndërkohë që perfeksionojmë këtë shërbim.

Copyright © 2024 Giljana Limani.  All Rights Reserved.

Copyright © 2024 Giljana Limani.  All Rights Reserved.

Newsletter