Bashkimi Europian përsërit: Amnistia fiskale ndihmon pastrimin e parave

Autor: Ina Allkanjari

Pas dy tentativave të mëparshme për amnisti, atë të vitit 2010 dhe 2017, në përpjekje për të kaluar amnistinë e tretë fiskale, qeveria është vendosur përballë kundërshtimeve të forta. Projektligji fiskal dhe penal që gjendet në proces pranë Ministrisë së Financave dhe Ministrisë së Drejtësisë u shpërnda për konsultim publik më 23 qershor 2022.

Delegacioni Europian: Dobësohet kontrolli kundër pastrimit të parave

Pikëpyetjet më të forta i hodhën ekspertët e fushës por edhe ekspertët ndërkombëtarë.  Megjithatë qëndrimi më i drejtpërdrejtë është ai i Delegacionit të Bashkimit Europian në Shqipëri që i kontaktuar nga “Sinjalizo” , prek pikën më të fortë dhe më të lakuar të projekligjit.

 Sikurse është theksuar edhe nga Komisioni Evropian muajin e kaluar, pas takimit të 13-të të Nën-komitetit për Tregtinë, Industrinë, Doganat dhe Tatimet ndërmjet BE-së dhe Shqipërisë, projektligji në formën e tij aktuale do të dobësonte kontrollet kundër pastrimit të parave, prandaj Shqipëria duhet të sigurojë që aktivitetet që i nënshtrohen luftës kundër pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit dhe krimit të organizuar të mos përfitojnë nga nismat legjislative në fushën fiskale. Një legjislacion i tillë duhet të shmangë gjithashtu ofrimin e avantazheve të padrejta për ata që i kanë mbajtur pasuritë e tyre jashtë sistemit ligjor”.

Në këtë kuadër, BE-ja rikujton gjithashtu nevojën e zbatimit të rekomandimeve të MONEYVAL dhe Planit të Veprimit FATF (Task Forcës për Veprim Financiar), duke pasur parasysh se Shqipëria mbetet në listën e FATF-së të juridiksioneve nën monitorim të shtuar.

Ekspertët: Ja cfarë nuk shkon me projektligjin

Megjithatë duke u mbështetur tek shembuj të huaj si në Belgjikë, Itali, Francë dhe jo vetëm, qeveria shqiptarë synon që përmes amnistisë të rrisë buxhetin e shtetit dhe të mbushë arkën financiare.

Eksperti i ekonomisë Zef Preci shprehet për “Sinjalizo” se kjo nismë po diskutohet në kushtet kur qeveria është në vështirësi financiare për të siguruar të ardhura buxhetore të mjaftueshme për zbatimin e programit të saj qeverisës, kryesisht për investimet publike dhe për shlyerjet e faturave të partneriteteve publike-private.

“Çfarë do të thotë që nuk është thjeshtë një masë e zakonshme e qeverisë, siç është falja e kamat-vonesave apo gjobave për energji elektrike etj. Ndërkohë studimet tona tregojnë që në ekonominë e Shqipërisë janë tre tipe ekonomie: Ekonomia formale, ku janë 50-70% e bizneseve dhe qytetarëve shqiptarë që paguajnë rregullisht tatimet, taksat etj; Ekonomia informale që vlerësohet midis 30-50%, është ajo pjesë që është e ligjshme si aktivitet por nuk kontribuojnë në tatime, sigurime shoqërore etj; Ekonomia kriminale, që bazohet në trafikun e aktivitetet  e paligjshme, siç është droga, arsenalet e armatimeve, trafikimi i qenieve njerëzore etj”.

Politikanët pro dhe kundër: Inkurajohet paligjshmëria

Deputetja e Partisë Demokratike Dhurata Çupi, njëkohësisht nënkryetare e komisionit të çështjeve ligjore, e cilëson nismën për amnistinë fiksale dhe penale si një shqetësim dhe pengesë reale në procesin e integrimit evropian të Shqipërisë. Çupi këmbëngul për “Sinjalizo” se ky projektligj rrezikon që ta kthejë vendin tonë në një mekanizëm ligjërimi të parave që vijnë nga aktivitete të paligjshme nga vendet e BE-së.

“Ky projektligj nëse miratohet inkurajon zhvillimin e aktiviteteve të paligjshme, rritjen e informalitetit dhe evazionit fiskal me shpresën se do të mund të përfshihen në një amnisti të ardhshme. Nga ana tjetër, nisma demotivon qytetarët dhe bizneset e ndershme, që respektojnë ligjin, paguajnë taksat dhe detyrimet, deklarojnë me saktësi dhe transparencë të ardhurat dhe shpenzimet e tyre, që të mos të vazhdojnë të veprojnë në këtë mënyrë pasi kuadri ligjor favorizon më shumë ata që nuk respektojnë ligjin se sa ata që i qëndrojnë atij me përpikmëri”, u shpreh nënkryetarja e komisionit të çështjeve ligjore.

Sipas Çupit kjo nismë është një diskriminim i pastër në favor të paligjshmërisë pasi “projektligji parashikon një tatim 7%, ndërsa sot bizneset e ndershme paguajnë taksa dhe tarifa që shkojnë deri në 32%”.

Klotilda Bushka, kryetare e komisionit të çështjeve ligjore njëkohësisht deputete e Partisë Socialiste gjatë takimit të mbajtur në ambientet e Europe House në kuadër të amnistisë fiskale, u shpreh se ligji është në funksion të thithjes së parasë në vend.

“Mendoj që ky ligj, garanton procedura për procesin e indeksimit të pasurive të padeklaruara ose paregjistruara, është i rëndësishëm në fakt sepse është një nismë në funksion të thithjes së parasë në vend, duke marrë në konsideratë në fakt kohët që po kalon jo vetëm Shqipëria, Europa, por e gjithë bota. Ekonomia ka sfidat e veta si pasojë e agresionit rus, ndaj është e nevojshme dhe bëhet më e domosdoshme që mekanizma të tillë të mendohen edhe të ngrihen në funksion”, u shpreh Bushka.

Ndërkohë eksperti ligjor, Viktor Gumi deklaron se ky projektligj për amnisti fiskale dhe penale ka mangësi, kjo pasi sipas tij pjesë e subjekteve që duhen ndaluar duhet të jenë edhe ata që kanë precedent sa i përket detyrimeve në tatim-taksa.

Është e rëndësishme të përqëndrojmë çështjen e përgjegjësisë penale dhe çështjen e mungesës së përgjegjësisë penale, brenda një teksti ligjor unik sikundër është edhe kodi penal.”

Shqipëria nën monitorim

Shqipëria ka mbetur në listën e vendeve me monitorim të shtuar, të ashtuquajturën lista gri e pastrimit të parave, edhe pas rifreskimit të fundit në mars 2022.

Kur FATF vendos një juridiksion nën monitorim të shtuar, kjo do të thotë se vendi është angazhuar të zgjidhë me shpejtësi mangësitë strategjike të identifikuara brenda afateve kohore të dakorduara dhe i nënshtrohet një monitorimi të shtuar. Kjo listë shpesh quhet nga jashtë si “lista gri”.

Në listën gri përfshihen juridiksionet që kanë mungesa strategjike në parandalimin e pastrimit të parave dhe krimit të organizuar dhe rrezik të lartë si dhe janë nën monitorim të shtuar. Shqipëria, Malta dhe Turqia janë të vetmet vende të Europës në listën gri.

Lista e FATF-së e juridiksioneve nën monitorim të shtuar, ku rezulton e përfshirë edhe Shqipëria

Nuk ndryshojmë mendim!

Në përgjigjen e ardhur për “Sinjalizo” në kuadër të qëndrimit që mban Drejtoria e Përgjithshme e Parandalimit të Pastrimit të Parasë për nismën e propozuar, kjo e fundit sqaron se: “Nga hartuesit e projektligjit MFE dhe MD në konsultimet publike i është dhënë përgjigje problematikës së ngritur mbi çështjet e parandalimit të pastrimit të parave. DPPPP nuk ka qëndrim të ndryshëm”.

Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Delina Ibrahimaj gjatë konsultimit publik për projektligjin për amnistinë fiskale dhe penale të realizuar në 15 korrik deklaroi se dispozitat e këtij ligji ofrojnë një garanci përmes një procedure transparente, ndërvepruese me të gjithë institucionet shtetërore që kanë në objektin e punës së tyre luftën kundër krimit, pastrimit të parave, korrupsionin dhe financimin e terrorizmit.

Ibrahimaj theksoi se në zbatim të këtij ligji, në Drejtorinë e Përgjithshme të Tatimeve do të krijohet një njësi speciale e cila do të ketë për detyrë të ndërveprojë aktivitetin e saj me të gjitha institucionet shtetërore që kanë si objektiv të gjithë elementët e mësipërm.

“Njësia speciale pranë administratës tatimore, në një kohë prej 5 ditësh do të analizojë të gjithë kërkesat që do të vijnë nga subjektet, individë apo tatimpagues, duke ndërvepruar në mënyrë elektronike me të gjithë institucionet shtetërore që lidhen me luftën kundër krimit, kundër pastrimit të parave, kundër korrupsionit dhe financimit të terrorizmit”, u shpreh Ministrja e Financave dhe Ekonomisë.

Ndërkohë përsa i përket luftës kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, Ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja u shpreh gjatë konsultimit publik se Shqipëria ka një kuadër të plotë ligjor, për të parandaluar pastrimin e parave që është një ndër shqetësimet e projektligjit për amnistinë fiskale dhe penale.

Neni 7 i projektligjit ka përjashtuar nga subjektet që përfitojnë nga kjo amnisti, jo thjesht dhe vetëm zyrtarët e lartë publik që janë subjektet të deklarimit të pasurisë, por ka përjashtuar nga përfitimet edhe të gjithë subjektet e ligjit anti-mafia, të gjithë subjektet e ligjit të aktit normativ të këshillit të ministrave, të operacionit forca e ligjit, ka përjashtuar të gjithë personat që janë pjesë e listës të shpallur si financues të terrorizmit, jo vetëm kaq por edhe familjarët e tyre”, deklaroi Manja.

Në lidhje me këtë nismë ka reaguar edhe Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko, i cili gjatë një konference për shtyp deklaroi se përfitimet kryesore të amnistisë fiskale janë injektimi i likuiditetit në ekonomi, përmirësimi i të ardhurave në buxhetin e shtetit dhe formalizimi i ekonomisë.

“Si bankë qendrore, ne kemi objektiv edukimin financiar si dhe përfshirjen financiare, pra rritjen e numrit të llogarive bankare dhe futjen maksimalisht të parasë që ndodhet jashtë sistemit bankar, në sistemin bankar. Në këtë kuadër, në drejtim të përfshirjes financiare dhe formalizimit financiar të ekonomisë shqiptare, natyrisht që amnistia fiskale mund të ketë impakt pozitiv”.

Përsa i përket impaktit negativ, Sejko deklaroi se kjo nismë ka edhe kosto të cilat lidhen me shmangien e depërtimit të parave të krimeve dhe korrupsionit. Sipas tij, kjo amnisti fiskale duhet të shmangë maksimalisht këto para, pra nuk duhet të lejohet që të pastrohen paratë nëpërmjet amnistisë fiskale, teksa thekson që nuk duhet të krijohet koncepti i amnistive të vazhdueshme fiskale.

Amnistia fiskale duhet të bëhet vetëm njëherë, duhet të jetë funksionale, të jetë e mirëmenduar, të jetë praktike, të shmangë paratë e krimit e korrupsionit dhe të krijojë premisat e formalizimit të ekonomisë. Nga ana tjetër, të gjitha institucionet publike që merren me mbledhjen e të ardhurave duhet të rrisin/shtrëngojnë rregullat fiskale, që paralelisht me amnistinë, ose pas kryerjes së amnistisë të ketë një minimum evazioni fiskal. Nëse amnistia do të kryhej pa ndërmarrë këto masa, për formalizimin e ekonomisë dhe për forcimin e rregullave fiskale, nuk do të ishte eficiente”, u shpreh Guvernatori i Bankës së Shqipërisë.

Shqipëria mes vendeve me nivel të lartë korrupsioni

Sipas indeksit të perceptimit të korrupsionit të publikuar në vitin 2022 nga International Transparency, Shqipëria renditet në vendin e 110 nga 180 vende gjithsej, duke u renditur si një nga vendet me nivelin më të lartë të korrupsionit. Një diferencë të theksuar , Shqipëria ka me vendet e rajonit,  krahasuar me Kroacinë në vendin e 63, me Malin e Zi në vendin e 64, me Kosovën dhe Maqedoninë e Veriut në vendin e 87 dhe Serbinë në vendin e 90. Indeksi i perceptimit të korrupsionit është përkeqësuar gjatë viteve. Krahasuar me pozicionin e saj në vitin 2016, Shqipëria në vitin 2021 është përkeqësuar me 27 vende. Indeksi i Transparency International këtë vit e pa reformën në drejtësi si një fillim në luftën kundër korrupsionit, por ekspertët thonë se vonesa në ngritjen e strukturave kyçe si Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Byroja Kombëtare e Hetimit kontribuan në vlerësimin e dobët.

Indeksi i perceptimit të korrupsionit në Shqipëri, i publikuar në vitin 2022 nga International Transparency

Çfarë parashikon projektligji

Projektligji për amnistinë fiskale dhe penale të subjekteve që bëjnë deklarim vullnetar të pasurive synon të ketë një afat 9 mujor zbatimi, për të gjithë subjektet që plotësojnë kushtet dhe kriteret për tu bërë pjesë e tij.

Në draft sqarohet se subjektet e deklarimit nuk do të japin informacion mbi burimin e të ardhurave, nuk do të ndiqen penalisht dhe as nuk do të ketë një hetim tatimor.  Për deklarimin e pasurive do të aplikohen 2 fasha tatimi. Ata që deklarohen në 4 muajit e parë do të paguajnë tatim 7% dhe 10% për të dytët. Projektligji parashikon që një individ mund të deklarojë deri në 2 milion euro pasuri. Po ashtu parashikohet që këta persona të mos i nxjerrin paratë jashtë vendit në 5 vite.

Subjekte të këtij ligji janë individët shtetas të Republikës së Shqipërisë, pavarësisht nëse janë rezidentë tatimorë ose jo në Shqipëri, personat fizikë dhe juridikë, tatimpagues rezidentë në Republikën e Shqipërisë, si dhe individët rezidentë tatimorë në Republikën e Shqipërisë, pavarësisht shtetësisë së tyre. Për zbatimin e këtij ligji, në Drejtorinë e Përgjithshme të Tatimeve do të ngrihet një strukturë e posaçme, e quajtur Njësia për Mbikëqyrjen e Deklarimit Vullnetar të Pasurive (Njësia), në varësi të drejtpërdrejtë të Drejtorit të Përgjithshëm të Tatimeve.

Nga kjo amnisti, nuk do të përfitojnë funksionarët e lartë të shtetit, që nga presidenti, kryeministri, ministrat, deputetët e deri tek nëpunësit civil, prefektët, drejtor, prokuror, gjyqtar apo edhe drejtues të policisë dhe personat me të shkuar kriminale.

Instituti i Shkencave: Nuk janë analizuar efektet fiskale

Në konkluzionet e arritura në raportin e publikuar nga Instituti Shqiptar i Shkencave, në korrik të këtij viti, theksohet se nga ana e qeverisë nuk rezulton të jetë bërë një analizë gjithëpërfshirëse e efekteve në ekonomi të programeve të kaluara fiskale, për të konkluduar mbi efektivitetin e tyre.

“Në bazë të opinioneve dhe vlerësimeve të bëra nga auditimet e KLSH-së, mund të vlerësojmë se programet e amnistisë fiskale (falje të borxhit tatimor) në Shqipëri nuk kanë qenë të suksesshme në rezultatet e arritura për normalizimin e ekonomisë, madje detyrimet e papaguara fiskale janë rritur vit pas viti, tendencë në rritje pas çdo programi amnistie fiskale, apo pritje për një amnisti të re, duke materializuar kështu rrezikun që përsëritja e amnistive mund të sjellë humbjen e besimit të taksapaguesve në sistem, për rrjedhojë shmangien e detyrimeve tatimore në pritje të faljes së detyrimeve të papaguara”.

Në këtë raport specifikohet se Shqipëria vijon të ketë një tregues informaliteti të lartë dhe “sipas vlerësimeve të FMN-së më shumë se një e treta e Produktit të Brendshëm Bruto (PBB) krijohet nga ekonomia informale, normë kjo dy herë më e lartë se mesatarja e vendeve të Evropës”.

Të amnistuar pa konsensus

Gjatë dy dekadave të fundit, në Shqipëri ka pasur të paktën dy iniciativa për amnisti fiskale bazuar në deklarim vullnetar të pasurive (2011 dhe 2020) në kuptimin e qasjes ligjore, por asnjëri prej propozimeve nuk ka gjetur konsensusin politik dhe të faktorit ndërkombëtar.

Instituti Shqiptar i Shkencave në raportin e përgatitur liston në kronologji kohore iniciativat ligjore që kanë rregulluar programet alternative të faljes së detyrimeve fiskale në Shqipëri, deri në projekt-propozimin e fundit të vitit 2022.

Tabelë e përgatitur nga Instituti Shqiptar i Shkencave- Historiku i programeve të amnistisë fiskale dhe deklarimeve vullnetare në Shqipëri
What's your reaction?
0Smile0Lol0Wow0Love0Sad0Angry

Leave a comment

Qendra Shqiptare për Gazetari Cilësore
Rruga Pjetër Budi, 69

Tiranë, ALBANIA


Telefon: +355 (0) 6 8856 3686
Email: info@acqj.al

Investigative Network Albania

Teksti zyrtar është versioni në shqip i faqes së internetit. Kjo faqe përdor përkthim automatik përmes mjeteve të inteligjencës artificiale. Pavarësisht se ky përkthim është i një cilësie të lartë, rastis që të ketë dhe gabime dhe keqkuptime në kontekstin e produkteve. Duke qenë se është një teknologji e cila përmirësohet me kalimin e kohës, shpresojmë të qendroni me ne ndërkohë që perfeksionojmë këtë shërbim.

Copyright © 2024 Giljana Limani.  All Rights Reserved.

Copyright © 2024 Giljana Limani.  All Rights Reserved.

Newsletter